Mendime
Bedri Çoku: Kushtetuta!!!.....Për cilën Kushtetutë, zotëri?
E premte, 26.12.2008, 02:42 PM
Kushtetuta!!!.....Për cilën Kushtetutë, zotëri?
Nga Bedri Çoku
Ndryshe nga bashkëvuajtësit e mi, që vuajtën mbi 45 vjet nëpër burgjet dhe internimet, Zoti më dha mundësinë të isha për disa vjet përballë persekutorëve komunistë, që u dënuan për harxhimin e ca kg. “kafe” më tepër nga ç’u takonte me ligj, si faji i vetëm e më i rëndi që ata kishin bërë gjatë ushtrimit të diktaturës më të egër e më çnjerëzore në kontinentin evropian.
Sepse, vetëm për kaq gjë e gjykuan të “drejtë”e të “arsyeshme” për t’i cilësuar fajtorë eprorët e tyre, pikërisht hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit e atëhershëm, edukuar me frymën marksiste-leniniste dhe mësimet e shokut Enver Hoxha. Por, edhe për kaq gjë juristët marksist-leninist ishin të detyruar të dënonin Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë me shokë, thjesht për hir të vazhdimësisë në pushtetin e drejtësisë, me moton : “Kush gjykon, ai sundon”!
Ngaqë u emërova me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve të Republikës, (i komanduar), nga viti 1994-’98, kisha mundësi të isha më shpesh në kontakt me të gjithë ish-byroistët dhe krerët kryesorë të udhëheqjes komuniste. Kureshtja për të parë reagimet e tyre për dënimet “kadife” që kishin marrë nga drejtësia e shtetit demokratik, po jap besnikërisht disa nga bisedat e mia me persekutorët e “kafes” braziliane në Shqipëri. Merakun e kisha me Aranit Çelën, sepse me Ramiz Alinë e kisha bërë debatin e parë, debat, të cilin e kam botuar në një artikull me titull “ I burgosuri politik dhe Ismail Kadare”, gati dy vjet më parë. Me Aranitin, thashë, isha kureshtar, sepse nuk ka njeri tjetër në diktaturën komuniste të ketë qenë më drejtpërdrejtë në dhënien e dënimeve me pushkatime e varje në litar për antikomunistët, nacionalistët dhe klerikët, se sa kryeprokurori i përhershëm komunist, Aranit Çela. Jam dënuar kot, më tha pa hezituar, menjëherë, pas pyetjes time. Nuk më kanë gjetur asnjë fakt që të kem shkelur ligjet e kohës dhe kushtetutën e vendit. Nuk ka fakte, i thashë, apo nuk kanë dashur? Sepse për të gjetur e kanë pasur boll dhe kollaj fare...
Asnjë fakt...
Ti ke firmosur e dhënë dënime me vdekje për qindra klerikë kundra ligjeve dhe kushtetutës së kohës. Ke dënuar tregtar që zhvillonin tregti sipas ligjeve dhe kushtetutës së kohës. Ke dënuar njerëz kundra ligjeve dhe kushtetutës së kohës, të cilët dënoheshin pa avokatë dhe pa asnjë institucion mbrojtës, ndërkohë që Kushtetuta në fuqi, e cila u ndryshua në vitin 1976, lejonte popullin dhe klerikët të ushtronin fenë, lejonte të drejtën e të pandehurit të merrte avokat, lejonte zhvillimin e tregtisë private...
Apo s’ishte e shkruar kështu kushtetuta që ju e ndryshuat në vitin 1976?
Është e vërtet. Por Ministria e Drejtësisë dhe e drejta e të pandehurit për të marrë avokat mbrojtës u hoqën me vendim të Byrosë Politike. S’ jam fajtor unë.... Kishat , xhamitë dhe klerikët nga institucionet fetare i shkatërroi dhe i ndoqi populli vetë. Nuk i bëra unë këto marrëzira. Unë vetëm kam zbatuar ...
Ligjin, kushtetutën ? Kam zbatuar vullnetin e Partisë e të popullit...
Pra, nuk ke zbatuar as ligjin, as kushtetutën ?
Vullneti i Partisë dhe i popullit ka qenë, në atë kohë ligji dhe kushtetuta për mua...
Këto më ngarkuan t’i zbatoja dhe i zbatova me ndershmëri e korrektësi...
Dhe, je i pafajshëm ?
Natyrisht, i pafajshëm. Se mos më dhanë mëzdrak tjetër dhe nuk e përdora... Le ta mbajnë përgjegjësinë ata që më urdhëruan të veproja jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së kohës...
Buzëqesha dhe ika. E lashë të qetë në ndërgjegjen e tij, firmëtarin e qindra e mijëra dënimeve të të pafajshmëve, me vdekje-pushkatim dhe varje me litar, vetëm sepse ata shqiptarë kërkonin një jetë më të mirë e dinjitoze.
Sot e shoh Aranit Çelën rrugës, teksa ecën qetë-qetë, veshur si një fylarkë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i të gjitha kohërave. Por edhe i dëmshpërblyer nga Përmbarimi për dështimin që patë bërë drejtësia e Shtetit Demokratik për dënimin e tij, gabimisht, pa të drejtë, pasi ai dënimet me vdekje - pushkatim e varje në litar, i kishte dhënë vetëm sipas urdhrave dhe vendimeve të Byrosë Politike. Ndërsa Kushtetuta e sotshme, e hartuar nga “çunat” e tij më 1998, e blinduar me frymë demokratike, evropiane, nuk lejon, gjithsesi të preken paraardhësit, edhe pse ata kanë vrarë e therur njerëz të pafajshëm, me urdhrat dhe vendimet e drejta të Partisë e shokut Enver.
Më kap trishtimi me disa nga këta çuna, të cilët, “ujqërit e majtë” i përdorin hera-herës nëpër televizione për të këputur broçkulla, që s’i mban dheu. Por, ani, sepse politika, thonë ata, përtyp edhe egjër, edhe kallamboq. Ndërsa “politikën e madhe, të pastër” gjame e bëjnë vetë “ujqërit”. Psh. Kur dalin e mbrojnë aq me zjarr Kushtetutën e vitit 1998, sikur ajo të ishte këtu, në tokën shqiptare, Perëndia vetë. Betohen e ster-betohen për “kokën e Kushtetutës”, thua se të tillë betim ata nuk e kanë bërë në jetën e tyre as për kokën e “ mamasë e të babait” , pale` të shokut Enver Hoxha. Por kush e prodhoi Kushtetutën që kemi sot ? Dhe sa shqiptarë e kanë votuar këtë Kushtetutë të pagëzuar nga Efqimandriti Janullatos? Nuk e di nga e gjejnë fuqinë morale çunat e ditur e demokratë të së majtës socialiste për të bërtitur aq shumë për vlerat demokratike të Kushtetutës që u miratua vetëm me 2/3 e popullsisë që përfaqësonin në atë kohë vetëm ish komunistët me bashkëluftëtarët e bashkëfajtorët e tyre, sepse opozita e atëhershme, e djathta që patë përmbysur regjimin diktatorial, sapo ishte dëbuar me dhunë nga qeverisja e vendit, me anë të “bajonetave” greke e serbe, nuk mori pjesë dhe “ligjet” Kushtetuese për të qeverisur Shqipërinë e ardhshme demokratike, i formuluan vetë ata dhe bijtë e byroistëve, që kishin qeverisur me “Kushtetutë” edhe regjimin gjakatar...(!!!). Mendo, pastaj, sa të drejtë kanë, kur thonë se nuk të lejon Kushtetuta e sotme të dënohen kriminelët e dikurshëm...Por si vallë kjo palo` Kushtetutë e Janullatosit nuk lejuaka dënimin e kriminelëve të regjimit të kaluar, ndërsa shkruan të zezën mbi të bardhë në nenin 41 se i njeh pronat e grabitura nga ligjet banditeske të regjimit komunist dhe, sipas saj, duhet t’u kthehen pronarëve të ligjshëm brenda tri vjetëve ? Ç’kushtetutë e famshme demokratike na qenka kjo e vitit 1998 që nuk lejuaka të ndëshkohet asnjë kriminel i regjimit të kaluar, i cili ka vrarë, vjedhur e grabitur njerëz të pafajshëm, ndërsa dënon pronarët e pronave të grabitura me dhunë po nga ky kriminel i atij regjimi, duke mos marrë ende asnjë metro katror nga pronat e tyre!!?...A nuk është njëlloj edhe kjo si Kushtetuta e Aranit Çelës & Co....