Faleminderit
Fran Gjoka: Mark Tirta, emër i njohur i shkencës shqiptare dhe më gjerë
E enjte, 08.09.2022, 07:53 PM
PROFIL SHKENCETARI
MARK TIRTA, PROFESORI
MIRDITOR I ETNOKULTURËS, NJË EMËR I NJOHUR I SHKENCËS SHQIPTARE DHE MË GJERË
(Mesazh
urimi me rastin e dhenies se titullit te larte "Nder i Kombit")
NGA
FRAN GJOKA
Të
shkruash për intelektual të përkushtuar e me integritet, nuk është e lehtë,
pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë me shumicë, ndjenjë, pasion,
dashuri e humanizem, gjëra të cilat ne i kërkojmë tek "heronjtë". Por
në të vërtetë, "heronjtë" janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të
përkushtuar, që tërë jetën e tyre sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal,
dhe bëjnë të pamundurën për t'i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Le të
ndalemi tek njeri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të
vetëmohimit dhe të pastertisë morale, i tillë është portreti i profesorit,
akademikut tonë të nderuar dhe të respektuar Mark Tirta.
Ai është një burrë i zakonshëm, i thjeshtë, i buzëqeshur, pavarësisht nga vitet që ka mbi supe, Mark Tirta është stoik në qëndrimet e tija, ndoshta mosha dhe sëmundja e kanë lodhur, por shpirti i tij mbetet gjithnjë i ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes meriton respekte dhe përulje para Tij, para studimeve të Tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë. Mark Tirta ka mbi shatullat e Tija 87 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 67 vjet punë kërkimore-shkencore, punë e cila e kanë rradhitur profesor Markun ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare dhe më gjerë. Si studiues i talentuar, Ai gjithçka e arriti me punë këmbëngulëse dhe me plot vullnet e dije shkencore dhe ishte rezultat i punës së Tij çdo arritje. Në vitin 2020, doktorant Nikoll Loka, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së profesor Tirtes, shkruan: “E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër. Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar. Marku ka dhe një koinçidencë tjetër, i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore.
Edhe
pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe
mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i
lexonte.” Marku i vogël, shkollën fillore e mbaroi shkëlqyeshëm. E kishte me
paion shkollën. Vijoi më vonë 7-vjeçaren në Durrës, në vitet 1948-1950.
Shkollën e Mesme Pedagogjike e mbaroi në Tiranë. Tani para tij dhe
familjes së tij kishte dy alternativa: i duhej të zgjidhte të bëhej një
rrogëtar e të ndihmonte familjen me rrogën që do të merrte, apo të vazhdonte
dhe dy vite të tjera shkollë të lartë që të formohej plotësisht. Me pëlqimin
dhe besimin e familjes, zgjodhi të vazhdonte studimet e larta në Institutin e
Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë, gjatë punës, plotësoi dhe
studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Prof. Dr. Mark
Tirta, etnolog, akademik i Associuar (2008), lindur në Orosh të Mirditës, më 21
maj 1935, kryen studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për
histori-gjuhësi, më 1957- 1961. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 ka qenë
arsimtar në Mirditë: më tepër drejtor shkolle a inspektor arsimi (për rrethin e
Mirditës). Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me
kërkime në fushë të etnokulturës, bën eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet
fqinje të saj, si: mbledhje materiali etnografik e folklorik, zbulon e
përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe
kulturë ilire e romake, ngriti një muze në Rrëshen (1967), mbledh toponime,
antroponime, fjalë të rralla. Botoi shkrime të ndryshme. Ka bërë një fjalor me
6500 toponime të Mirditës, depozituar në Arkivin e Institutit të
Gjuhë-Letërsisë. Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë
etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e
etnologjisë, (sot: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdon ta
kryejë edhe në ditët e sotme, edhe pse ka dalë në pension më 2008. Më 1967-1968
ka kryer në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim
pasuniversitar. Titujt e gradat shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore
si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli
"Bashkëpunëtor Shkencor i Ri"; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në
mitologji e besime e ka fituar gradën "Kandidat i Shkencave"; më 1983
i është dhënë titulli "Bashkëpunëtor i vjetër shkencor"; më 1988 me
temën "Migrime të Shqiptarëve": disertacion, ka fituar gradën
"Doktor i Shkencave"; më 1994 i është dhënë titulli "Prof.
Dr." ("Drejtues kërkimesh"). Është bërë Akademik i asociuar (2008).
Në vitet e para, pasi është emëruar etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime
pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji europiane, kur
përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare, 4. Filozofi:
ka shërbyer diploma e kursit të përmendur më sipër. Më 1971 ka qenë 4 muaj për
specializim në muzeologji në Rumani e në Itali. Njeh mirë gjuhën frëngjisht,
rusisht, italisht, serbokroatisht; për të tëra ka dhënë provime
pasuniversitare. Ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në
Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat, si:
"Mitologjia ndër Shqiptarë" e "Etnologjia e Shqiptarëve",
po nuk u bënë. Ky etnolog disponon disa letra e kërkesa të bëra nga Instituti i
Europës Juglindore në Vjenë, ku ftohet të bashkëpunojë në tema të popullsisë e
të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të
këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit
botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në
SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve
gjeografike në Kanada. Tërë këtyre të fundit nuk u kanë dhënë përgjigje
pozitive për të mos u spostuar nga temat në studim, por dhe për mungesë të
mjeteve financiare që fillimisht i duheshin për të plotësuar harta, skica,
grafikë e gjëra të tjera teknike. Më 1988, këtij etnologu, i është kërkuar të
plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim
vetjak pranimi, për t’u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të
Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi
dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të
statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në
dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu
mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë
titull.
Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit "Etnografia shqiptare" dhe i revistës "Kultura popullore", përkatësisht dhe i "Ethnographie Albanaise" e në "Culture popularie albanaise", në këtë të fundit, "Kultura Popullore", që në themelimin e saj.
Në
përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj
studimorë, me reçensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me
zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin. Si etnolog,
prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare,
duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në
punën e tij studimore, si themel
mbështetës në punën e tij shkencore. Ka shkruar mbi 400 punime shkencore e
kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat:
mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat:
familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet
popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e
etnik të shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e
bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja,
madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e
jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me
kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në
kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e
jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e
muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e
veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi,
shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në bërje
të veprave madhore, si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu
në “Atlasi i vendeve danubiane”, - drejtuar nga Instituti i Studimeve për
Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar
në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”,
“Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpërngulje
me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën
shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore–kodrinore për
në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Ka disa shkrime
shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është
bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në
përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik
shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”. Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e
etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to,
për tre vjet dhe në "Mitologjia" ka dhënë mësim edhe në degën e
gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës
Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr
studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i
shkencave. Në arsimin pasuniversitar ka bërë programe e ka organizuar provimet
në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Veprat e tij kryesore janë: “Migrime
të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I
(1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008),
“Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004),
“Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit
shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode...” (2007),
“Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor” (2016). Është vlerësuar me shumë tituj e
dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Edhe në ditë të
sotme vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në
etnologji, po kështu dhe të botojë libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu
si dhe më parë. Çdo vit ka botuar (duke përfshirë dhe vitin 2018) nga 8 deri 12
shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto vitet e fundit dhe
152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Së fundmi është dekoruar dhe
nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, “Në
shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për zhvillimin e shkencës së etnologjisë në
vendin tonë; për periodizimin e etnologjisë shqiptare në shtatë pjesë që nga
lashtësia e deri më sot, si dhe për vënien e disiplinës së etnologjisë në një
shkallë me nivelin e kësaj shkence në rajon dhe në botë.” Të gjithë miqtë dhe
shoket e tij kudo që janë, i urojnë sot shëndet dhe vetëm shëndet, pleqëri të
mbarë, jetë dinjitoze burrit të vlerave e virtyteve të larta njerëzore. Veprat
e tij kanë qënë edhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm të
shkencëtarëve shqiptarë dhe më gjërë.