Mendime
Ryzhdi Baloku: A është feja doktrinë që i shërbeu ekspanzionizmit?!
E premte, 29.07.2022, 08:00 PM
A ËSHTË FEJA DOKTRINË QË I SHËRBEU EKSPANZIONIZMIT?!
Nga
Ryzhdi Baloku
Shpeshherë
më ka rënë të shoh komente të nxehta në rrjetin social "facebook",
kur temë diskutimi ishte feja. Madje, nganjëherë kam parë edhe ngritje
tensionesh me tone kërcënimi, sidomos atëherë kur në ato rrahje mendimesh
merrte pjesë ndonjë nga besimtarët fanatikë, i cili u kundërvihej të gjitha
gjykimeve të parashtruara që nuk përputheshin me mendimin e tij në atë debat.
Duke
marrë parasysh aktualitetin e çështjes së cekur, mora ta lëvroj këtë temë, nga
këndvështrimi i të qenit të saj si një fenomen e doktrinë që në mënyrë
permanente gjatë historisë së njerëzimit ishte shfrytëzuar nga sundimtarët.
Sipas
njohurive që kemi, mund të themi pa mëdyshje se, feja është shumë e vjetër si
dukuri shoqërore. Gjenezën e ka që nga koha kur mashtruesi i parë takoi njeriun
e marrë. Lidhur me këtë çështje ka dhënë mendim edhe gjeniu francez, Zhan Mari
Arue (1694-1778), të cilin bota e njeh si filozof iluminist me emrin Volter. Ai
thotë: "Kleriku i parë ishte mashtruesi i parë që takoi idiotin e
parë".
Nga
shkrimet e shumta që janë në dispozicion, dimë që bota ka kaluar nëpër disa
etapa të besimit gjatë historisë së njerëzimit.
Para
shfaqjes së politeizmit si besim, ekzistonte totemizmi, fetishizmi dhe
animizmi. Totemizmi kishte te bëjë me adhurimin e ndonjë kafshe, bime etj.,
fetishizmi me hyjnizimin e shtatoreve dhe animizmi me besimin te shpirti, se të
gjitha sendet kanë shpirt.
Pas
periudhës kohore të politeizmit, apo thënë ndryshe, të besimit në ekzistencën e
shumë perëndive, kemi lindjen e monoteizmit, apo të besimit në një Zot të
vetëm, që edhe sot si dogmë e mbizotëron tërë njerëzimin e botës.
Pas
tranzicionit të periudhës së cekur, respektivisht pas kalimit nga paganizmi në
monoteizëm, besimet fetare nisën pas një kohe të zgjerohen në lloje bashkësish,
sipas mendimeve dhe mësimeve nga shkrimet e shenjta (krishtere, islame,
hinduiste, budiste etj.) dhe sekte, sipas pikëpamjes. Por, në parim të gjitha
kishin dhe kanë një qëllim themelor. Andaj, nga ky këndvështrim s'duhet
ngatërruar besimin në Zot, me besimin në fe.
Për
ekzistencën e një fuqie absolute mbinatyrore, na shton bindjen fenomeni i
pashpjegueshëm nga mendja e njeriut, lidhur me funksionimin e përsosur e preciz
të galaktikave në hapësirën e universit. Megjithëkëtë, esenca e këtij shkrimi
nuk është shqyrtimi i kësaj çështjeje, andaj me këtë rast i kthehemi temës së
parashtruar.
Nëse
feja si dogmë është në shërbim të kombit dhe paqes, atëherë qëllimi i saj është
i karakterit fisnik e njerëzor. Mirëpo, nëse ajo i shërben vetëm kombit e jo
paqes, atëherë një fe e tillë është e dëmshme për njerëzimin. Në këtë rast vjen
në shprehje mendimi se "feja është krijuar nga njeriu për ta kontrolluar
individin mendje-dobët, sepse në kohë mizorish dhe dëshpërimi këta e marrin
fuqinë në numër". Nga kjo pikëpamje mund të nxirret edhe konkluzioni
logjik, se feja më së shumti u shërben sundimtarëve.
Kryqëzatat
janë shembulli më eklatant i shfrytëzimit të fesë për qëllime të
ekspansionizmit, pa harruar se edhe pasuesit e profetit Muhamed e kanë
shfrytëzuar atë si frymëzim, që i ka inkurajuar për fitore në betejat e luftës.
Në
këtë kontekst mund të themi se edhe konvertimi në besimin islam i popujve nën
Perandorinë Osmane, kishte për qëllim neutralizimin e rezistencës ndaj sundimit
pushtues Otoman.
Pas
Luftërave Ballkanike dhe pushtimit të Kosovës me 1912, kemi nisjen projekteve
serbe për konvertimin e shqiptarëve nga myslimanizmi e katolicizmi në fenë
pravosllave.
Në
atë kohë, për shkak se famullitari i kishës katolike i Gllogjanit të Pejës, At
Luigj Pali kundërshtonte të konvertohej në pravosllav, xhandarët e krajlit ia
këpusin dy gishtat e dorës së djathtë, me preferencë të krye-murgut të
Patrikanës së Pejës, me qëllim që kur të bënte kryq, ta bënte atë me tre gishta
si serbët e malazezët. Po ashtu, ata i detyruan hoxhallarët shqiptarë që ta
përqafojnë stufën e skuqur nga zjarri, si ndëshkim për mosbindje për konvertim
në fenë pravosllave.
Edhe
sot është aktuale çështja e diskriminimit të ujgurëve myslimanë në Kinë, për
shkak të fesë, andaj ky shtet paraqet pasqyrën më të keqe, lidhur me sundimin
jonjerëzor të kësaj popullate prej 8.569.000 frymësh.
Me
përfundimin luftës së fundit në Kosovë, respektivisht në qershorin e vitit
1999, më ka rënë në dorë dokumenti, të cilin pas lufte ia kam dorëzuar
akademikut Pajazit Nushi (tashmë të ndjerë), për ta evidentuar në Këshillin për
Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me seli në Prishtinë, me të
cilin tekst paramilitarët serbë të Pejës e kishin dhënë betimin në Patrikanën e
Pejës për vrasjen e shqiptarëve.
Sa
mbaj mend, në atë dokument (po e parafrazoj) shkruante: "Kunem se u ovu
svetu crkvu da ?u ubiti šiptare ...". Pra, emërtimi "shiptare"
kishte konotacion përbuzës, e që kjo fjali në shqip përkthehet: "Betohem
në këtë kishë të shenjtë se do t'i vras shqiptarët ...".
Nga
dokumenti i cekur dhe praktika konkrete e zhvillimeve të deritashme nëpër
periudhat e kaluara historike të serbëve, mund të vërehet se feja dhe shteti te
ta, ishin dhe janë në shërbim të njëra-tjetrës, edhe pse me kushtetutën e këtij
vendi, feja është e ndarë nga shteti.
Kur
bëhet fjalë për fenë myslimane, apo besimin islam te shqiptarët, s'duhet
harruar faktin se në kohën e Perandorisë Osmane, në një numër xhamish të
vilajeteve shqiptare, e sidomos në atë të Kosovës, predikuesit e fesë ishin të
kombësisë ruse që shtireshin si myslimanë, andaj edhe predikimet fetare ata i
orientonin në drejtim të ekspansionizmit pan-sllavist, pa u diktuar nga
pushteti turk dhe besimtarët shqiptarë të asaj kohe.
Sipas
rrëfimeve të pleqve shqiptarë, një shembull i tillë kishte ndodhur në vitin
1912, atëherë kur forcat e armatosura serbe, malazeze dhe ruse ishin futur në
Prizren me rastin e pushtimit të Kosovës. Me atë rast, hoxha i xhamisë së Sinan
Pashës kishte deklaruar para ushtrive pushtuese që ndodheshin aty, me fjalët:
Nga kjo ditë, shërbimi im në këtë xhami ka përfunduar përgjithmonë. Misionin që
e kisha, e kreva me sukses. Tani e tutje do t'i kthehem punëve tjera që do t'i
kontribuojnë atdheun tim, Rusisë.
Lidhur
me këtë ngjarje, flet edhe romani me titull "Misioni rus" i
shkrimtarit Ibrahim Kadriu, përmes të cilit autori i zhvesh në tërësi synimet e
misionarëve të shtetit rus.
Një
shpalosje të ngjashme, na sjell edhe autori çam, Sejdi Kondi në romanin
"Djaj në veladon", përmes të cilit e pasqyron misionin pushtues të
tokave çame nga grekët dhe asimilimin e arvanitasve, përmes murgjve të kishës
ortodokse greke.
Pas
pushtimit të Kosovës dhe përcaktimit të kufijve të shteteve ballkanike nga
fuqitë e mëdha të kohës me 1913, Serbia dhe Mali i Zi e konsoliduan pushtetin
edhe në Kosovë. Imamët e xhamive morën titullin "državni imam" që në
shqip përkthehet "imam shtetërorë", të cilët i paguante pushteti i
ri. Pra, qëllimi dihej ! Imamët e asaj kohë u bënë varësit e pushtetit, pa
dëshirën e tyre.
Me
qëllim që feja mos të përzihet në punët e shtetit, vendet e civilizuara dhe ato
demokratike, qysh herët e kanë bërë ndarjen e fesë nga shteti në mënyrë
institucionale, jo vetëm përmes kushtetutës dhe ligjeve, por edhe në praktikë.
Andaj në këto shtete, feja i shërben humanizmit njerëzor, e jo sundimtarëve.