Mendime
Adil Fetahu: 109 vjet nga Njohja Ndërkombëtare e Shqipërisë
E enjte, 28.07.2022, 07:59 PM
109 VJET NGA NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË
Nga Adil FETAHU
Fundi i
muajit korrik të sivjem shënon 109-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të
subjektivitetit juridik të Shqipërisë. Kjo ishte njohje kolektive nga
Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqieve të Mëdha, mbajtur në Londër më
29-31 korrik 1913. Me këtë njohje, shteti shqiptar fitoi subjektivitet juridik
ndërkombëtar.
Edhepse
shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, vetëm dy javë më pas, gjashtë fuqitë e
mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria,
Italia dhe Rusia, në Konferencën e ambassadorëve të tyre në Londër më 17
dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë
një provincë atonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, respektivisht të
Turqisë, pa caktuar as kufijë e asaj province.
Derisa
Konferenca në Londër zhvillonte punimet, aleanca ortodokse e monrakive të
Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria, kishin pushtuar pjesën më të
madhe të tokave shqiptare. Qeveria e Vlorës nuk kontrollonte as një të katërtën
e territorit të Shqipërisë.
Duke parë
shkatërrimin e Perandorisë Osmane nga luftërat ballkanike, që ishte e sigurtë
se Perandoria Osmane, nuk ishte në
gjendje të sundojë më tutje në Shqipëri, Austrohungaria dhe Italia, duke u
nisur nga interesat e tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një
projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Komisioni
Ndërkombëtar i Kontrollit
Pas një
lufte të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta
të fuqive të mëdha, Konferenca e Ambasadorëve, në mbledhjen e mbajtur në Londër
më 29 – 31 korrik 1913, kishte vendosur që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe
neutrale e të vehej nën kontrollin ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha, kurse në
krye të shtetit shqiptar të caktohej një princ i huaj. Ishte vendosur të
formohej Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë
Fuqive të Mëdha dhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Komisioni u formua më 15 tetor
1913, me këtë përbërje:
1.Harri Harling Lamb, përfaqësues i Britanisë së
Madhe
2.Leon Alphonse-Thadee Krajewski, përfaqësues i
Francës
3. Aristotele Petroviq; August Kral, përfaqësues
të Austrohungarisë
4. Julius Vinckel , përfaqësues i Gjermanisë
5. Alesandro Leoni; Carlo Galli, përfaqësues të
Italisë
6. Aleksandr Mihajlloviq Petrjaev, përfaqësues i
Rusisë
7. Myfit bej Libohova; Mehdi bej Frashëri,
përfaqësues të Shqipërisë.
Në punën e Komisionit secili nga Fuqitë e Mëdha
dhe Shqipëria përfaqësoheshin me nga një anëtar, por këtu paraqiten nga dy
emra, për shkak se ndonjeni prej anëtarëve ishte ndërrua gjatë periudhës sa ka
funksionuar Komisioni (15 tetor 1913 – 9 shtator 1914.
Selia e Komisionit ishte në Vlorë. Komisioni
hartoi Statutin organik të organizimit dhe funksionimit të shtetit Shqiptar. Ai
Statut mund të konsiderohet si kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, sepse me
të rregulloheshin çështje të natyrës kushtetuese. Statuti përmbante 216 nene,
të sistemuara në 17 kapituj, me të cilat rregulloheshin këto çështje:
·
Shqipëria (shteti) dhe territori i saj,
·
Sovrani
·
Popullsia
·
Legjislativi
·
Organet e qeverisë
·
Administrata lokale
·
Financat
·
Punët publike
·
Forcat e armatosura
·
Drejtësia
·
Kulti (besimet)_
·
Institucionet publike
·
Prona themelore
·
Bujqësia, tregtia dhe industria
·
Postat, telegrafi dhe telefonat
·
Lidhjet e jashtme
·
Ankimimet administrative.
Sipas Statutit organik të Komisionit të Fuqive të Mëdha, Shqipëria ishte
projektuar të jetë monarki kushtetuese, me një asamble me fuqi legjislative.
Territori ishte ndarë në pikëpamje administrative në shtatë rrethe, rrethet në
kaza e kazatë në nahije, sipas organizimit që ka pasur nën PerandorinëOsmane. Secili prej rretheve do të zgjedhte,me vota
të drejtpërdrejta, nga tre përfaqësues
për Asamblenë Kombëtare; Princi do të emëronte dhjetë përfaqësues dhe tri
bashkësitë fetare do të zgjedhnin nga një përfaqësues në Asamblenë Kombëtare, e
cila do kishte mandat katërvjeçar. Princi do të emëronte Këshilin e Ministrave,
me kompetenca ekzekutive.
Zgjedhja e
Princit për Shqipërinë
Për
pozitën e principit të Shqipërisë kishte shumë pretendentë nga familjet
mbretërore të shteteve të Europës. Ishte bërë një tentim nga Xhonturqit, që për
princ të Shqipërisë të dërgohej ministri i luftës i Perandorisë Osmane,
Izet Pasha, që ishte me origjinë
shqiptare. Me gjasë, për këtë ishin pajtuar edhe Ismail Qemali dhe Esat Pasha, me shpresë se me forcat ushtarake të
Perandorisë, princi do të përzente ushtritë serbe, malazeze e greke nga
territori i Shqipërisë. Por ai komplot u dekonspirua dhe dështoi, veçse
shkaktoi që besimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Ismail Qemalin të
zbehej. Madje ky do të jetë shkaku që ndaj Ismail Qemalit të bëhej presion nga
Komisioni për të dhënë dorëheqje nga Qeveria e tij e përkohëshme.
Pas të
gjitha pretendimeve dhe ofertave, Konferena e Londrës, në tetor 1913, kishte
vendosur që në fronin e princiit të Shqipërsë të jetë gjermani Wilhelm
Friedrich Heinrich von Wied, një protestan i cili nuk i përkiste asnjë besimi
fetar që kishin shqiptarët. Më 1 nëntor ishte shpallur se princ Wiedi do të
zëjë fronin mbretëror të Shqipërisë.
Këtë shpallje, gjoja e kishte mirëpritur dhe e kishte pëlqyer kryetari i
Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, Ismail Qemali, duke shpresuar se me këtë do të
sigurohej pavarësia, njohja ndërkombëtare dhe zhvillimi i përgjithshëm i
shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Ismail Qemali më 22 janar 1914, jep dorëheqjen e Qeverisë
së tij dhe qeverisjen ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Duke
marrë parasysh rastin e komplotit xhonturk, për ta dërguar përfaqësuesin e tyre
për princ të Shqipërisë dhe pajtimin e Ismail Qemalit për këtë, të gjitha gjasat
janë se mbi Ismail Qemalin u bë presion nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit
për të dhënë dorëheqje. Por, pavarësisht nga shkaqet, ia vlenë të lexohet
raporti i Komisioit për momentin e dorëheqjes. Ja se çka shkruante në raportin
e atij Komisioni, të datës 22 janar 1914:
“Sot, më
22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi te Shkëlqësia e tij
Ismail Qemal Beu. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se i vetmi mjet
për t’i dhënë funt përçarjes dhe anarkisë në vend është që të formohet një
qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë dhe se në rrethanat e tashme, ky qëllim
mund të arrihet vetëm po t’ja dorëzojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të
Kontrollit, që përfaqëson Fuqitë e Mëdha, përsëriti kërkesën, që i kishte
paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, që Komisioni Ndërkombëtar i
Kontrollit, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta marrë pushtetin në dorëzim.
Komisioni
Ndërkombëtar i Kontrollit çmon për së
tepërmi ndjenjat patriotike që e frymëzuan Shkëlqësinë e Tij Ismail Qemal Beun,
dhe me këtë rast pranon që sot të marrë në dorëzim pushtetin, duke qenë
rregullisht i autorizuar nga Fuqitë e Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë
që përfaqëson administrimin e Shqipërisë.”
Pasojnë
nënshkrimet: Ismail Qemal, Petroviq, Leon, Krajevski, Hari Lemb, Leoni,
Petriaev.
Po atë
ditë, Ismail Qemali i dërgon letër Prefekturës së Elbasanit, me të cilën tregon
shkaqet e dorëheqjes së tij nga kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Dhe, ja se ç’shkruante në letrën e tij:
PREFEKTURËS
SË ELBASANIT 22
janar 1914
“E mbajta
në dorë plot 14 muaj dhe e administrova pa ndonjë të metë pushtetin qeveritar
që ma besoi mua delegacioni kombëtar që shpalli Pavarësinë tonë Kombëtare dhe
përdora të gjitha mjetet që të sigurohej tërësia kombëtare e Shqipërisë. Do të
ushqej ndjenja mirënjohjeje deri në vdekje për përkrahjen që më dhanë të gjithë
miqtë e shokët, të cilët në qendër e në qarqe bashkëpunuan me mua, si dhe për
besimin e madh të kombit ndaj meje deri më sot.
Disa
ngjarje të mjerueshme të shkaktuara nga disa anë, që u ushqyen nga ambicje e
nga interesa personale dëmtuan harmoninë e shtetit, për të cilën sot e gjitmonë
kishte nevojë vendi ynë dhe e futën në një anarki njësinë qeveritare. Kështu
çështja jonë kombëtare u vu përballë një rreziku të madh. U detyrova t’i jap
fund kësaj gjendjeje fakeqe, e cila do të kapërcehej vetëm me ekzistencën e një
qeverie kompakte, të fortë e me influencë. E sigurimi tani i një qeverie të
tillë ishte një detyrë atdhetare që rëndonte mbi mua. Për këtë qëllim iu drejtova
Fuqive të Mëdha, duke u paraqitur si modus vivendi marrjen e qeverisë në dorë
nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, deri sa të vinte mbreti i Shqipërisë.
M’u pranua dëshira ime që paraqita në këtë rast dhe Komisioni në fjalë, i
mbledhur sot, në praninë time, më deklaroi pranimin e kërkesës sime nga Fuqitë
e Mëdha. Kështu redaktuam dhe nënshkruam
një kontroll, në bazë të të cilit pushtetin qeveritar ua lash në dorë atyre dhe
unë u largova nga kyesia e qeverisë kombëtare. Jam i sigurt se do do të çmohet
nga i gjitë kombi e nga kolegët e qeverisë sakrifica ime, që ka për qëllim
shpëtimin e kombit, duke lëshuar fatin e atdheut për një kohë të shurtër në
duart mrojtëse të Fuqive të Mëdha e duke u largur nga kryesia këtë herë. Këtë
sakrifiëe e bëra edhe kur kreva detyrën time atdhetare, duke e udhëhequr kombin në shpalljen e Pavarësisë.
Ju bëj të njohur se ditët që më anë mbetur nga
jeta ime do t’i vë në shërbim të atdheut dhe ju porosis sinqerisht t’u
shtroheni të tërë urdhërave, ashtu siç është dëshira ime, të nderuarit Komision
Ndërkombëtar që mori mbi vete administrimin e vendit me qëllim dashamirës për
t’i dhënë fund agresionit të jashtëm dhe trazimeve të brendshme. Ju them
lamtumirë dhe lëshoj ndër duart e Perëndisë
atdheun e kombin”.
Ish-Kryetari i QeverisëKombëtare
Ismail Qemali
Po atë
ditë, 22 janar 1914, Drejtori i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, i Qeverisë
së Vlorës, me një qarkore i njohton prefekturat e Vlorës, Beratit dhe
Elbasanit, se Kryetari i Qeverisë së Vlorës ia dorëzoi me vullnetin e tij
qeverinë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fuqive të Mëdha. Përmbajtja e njoftimit është si vijon:
-“Shkelqësia
e Tij, Ismail Qeml Beu, kryetar i ndritur i Qeverisë sonë Kombëtare, lëshoi në
dorë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit qeverinë dhe u largua nga kryesia e
saj, me vullnetin e tij të plotë, për të vetmin qëllim të lartë që dhe këtë
herë Shqipëra të gjejë rrugën e saj të shpëtimit e të lumturisë dhe të forcohet
pushteti qeveritar i lëkundur që prej disa kohësh. Krejt administrata e vendit
i është besuar Komisionit të Kontrollit. Ky Komision më ngarkoi mua me titull
Drejtor i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, detyrën për të shikuar e
administruar punët e të gjitha qarqeve. Këtej e tutje do të njihni si autoritet funksionin tim, për të gjitha punët e
brendshme, të cilat do t’i administroj unë në emër të Komisionit të Kontrollit.
Do të korespondoni me mua dhe do të keni kujdes për kryerjen e detyrës. Është vendosur që të gjithë nëpunësit të
mbeten në postet e tyre ku janë sot. Në këtë kohë kur Atdheu ynë ka nevojë më
tepër për qetësi, priet bindje nga kolegët tuaj nëpunësa e nga gjithë Kombi, se
kështu do ta provojnë ata patriotizmin e tyre. Veçanërisht ju lutemi që në
këtëdrejtim t’i bëni komunimin e duhur gjithë qarkut.
(Nuk
kanënshkrim)
Lidhur me
dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme,
kishte kryesisht reagime përkrahjeje.
Këtu më poshtë po i transmetojmë disa sosh, marrë nga libri: “Ismail
Qemali – Përmbledhje dokumentesh,1888- 1919, redaktuar nga Teuta Hoxha. Prej të
njëjtit burim i kemi marrë edhe dokumentet tjera të cituara, në kurziv.
Përfaqësuesit
e strukturave udhëheqëse të Elbasanit, më 23 janar i kishin dërguar urimet dhe
përkrahjen Ismail Qemalit për aktin burrëror e patriotik. Në telegramin e
dërguar nga Elbasani shkruan:
Të
nderuarit zotëri Ismail Qemal Bej, Vlorë
Me gjithë
shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta tonat për burrnijën e atdhetariën që
dëftyet. Kjo therori me të vërtetë i gjanë asaj burrënie që ngrite Flamurin për
të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka ,me t’i harrue Shqipënia. Rrnofsh pra ene shumë kohë.
Nënshkruarnga:
Ataji, Halimi, Ali, Ajah, Ahmet Dakli.
Në
telegramin e dërguar nga Lushnja, shprehet keqardhje për dorëzimin e Ismail
Qemalit. Në telegram shkruan:
23 janar
1914
Atdhetarit
të madh, shkelqësisë së tij Ismail Qemal Beut,në Vlorë
Lajmi i
hidhuri largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si
shkelqësia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e
Shqipërisë, u prit me një keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Por,
vepra e shkëlqësisë suaj, që ka shkatërruar qëllimet e mallkuara të disa
keqdashësve të popullit, të cilët si në të kaluarën edhe tashi sakrifikojnë
Shqipërië për interesat egoiste personale të tyre, adhurohet prej të gjithëve
dhe duke shpresuar t’ju shohim përsëri pas një kohe fare të shkurtër në atë
pozitë të lartë, po ju puthim duart me plot respekt”.
(Dokumenti
pa nënshkrim)
Më 5
shkurt, Aqif Pasha i shkruante Ismail Qemalit telegram me këtë përmbajtje:
“Gjesti
atdhetar i Shkëlqësisë suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta
atdhetare të tjera nga Ju. Meritoni nderime dhe në këtë rast adhuroj
Shkëlqësinë tuaj!
Aqif
Ardhja e
Princit
Princi
Wilhelm Wied arriti në Shqipëri (Durrës) më 7 mars 1914. Në Portin e Durrësit u
prit me brohoritje dhe enthusiazëm të shqiptarëve që kishin ardhur nga të
gjitha anët, me shpresë se Wiedi do t’i realizonte dëshirat e tyre. Pas dhjetë
ditëve të arritjes në Shqipëri, Princi formoi Qeverinë e tij dhe shpalli
Durrësin kryeqytet të Shqipërisë. Kabinetin e qeveritar të Princit e përbënin:
1.Esat Pashë Toptani, ministër i luftës dhe i
punëve të brendshme
2.Aziz Pashë Vrioni, ministër i bujqësisë,
tregtisë dhe industrisë
3. Myfit Bej Libohova, ministër i drejtësisë dhe
i kultit
4. Mithat Bej Frashëri, ministër i financave
5. Hasan Bej Prishtina, ministër i
postë-telegrafeve
6. Dr Mihal Turtuli, ministër i arsimit dhe
7. Prenk Bib Doda, ministër i punëve botore
Edhepse u prit me shumë shpresë dhe enthusiazëm,
Princi nuk pati sukses në misionin e tij, për shkak se vendi ishte i pushtuar
nga ushtritë serbe, greke e malazeze dhe i gjithë vendi ishte i turbulluar me
protesta, kryengritje e luftime. Fuqitë e Mëdha nuk e ndihmuan Princin, kur ai
kërkonte financime dhe forca ushtarake për t’i përzënë nga Shqipëria ushtritë e
hueja. Duke mos pasur përkrahjen nga Fuqitë e Mëdha për të kryer misionin e
tij, atij i rrezikohej edhe koka e vet, prandaj u detyrua të largohej nga
Shqipëria më 3 shtator 1914, kur Lufta e Dytë Botërore veçse kishte plasur, dhe
ato Fuqitë e Mëdha luftonin njena kundër tjetrës, duke u bërë
“hashtër-neshtër”. Ato, duke pasur interesa dhe aspirata të ndryshme dhe të
kundërta me njëra-tjetrën edhe për territorin e Shqipërisë, nuk arritën që
përmes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Princit të tyre, ta
konsolidojnë shtetin shqiptar në asnjë segment. Lufta e Madhe që e gjeti
Shqipërinë në gjendje të mjerueshme, i rriti apetitet e monarkive fqinje që ta
copëtojnë dhe ndajnë midis tyre tërë territorin e saj.
Përkundër zhvillimeve dhe mossuksesit të
Komisionit Ndërkombëtartë Kontrollit dhe të Princ Vidit, ajo storje e shkurtër
e përpjekjeve për konsolidimin e shtetit Shqiptar, ka rëndësinë e vet juridike
për historinë e shtetit shqiptar, për konceptet dhe mënyrën e përcaktuar me akt
kushtetues për formimin rendin juridik dhe funksionimin e shtetit Shqiptar në
një kohë të historisë së tij.