Mendime
Idriz Zeqiraj: Skandali "Veteranët" - Përfitimi dhe klientelizmi elektoral partik
E marte, 03.05.2022, 07:19 PM
Skandali "Veteranët":
PËRFITIMI DHE
KLIENTELIZMI ELEKTORAL PARTIAK
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Përtej dy dekadave në liri, Kosova përjetoi krimet vrastare
politike dhe gjakderdhjen financiare, duke zhvatur pasuritë e brezave
shqiptarë, "sikur të ishte mall shkau", e shprehur në zhargonin, pa
cenzurë, popullor.
Njëra nga zhvatjet zyrtare, është, pikërisht, abuzimi enormë me
"Dëshmitë e Veteranit":
Së pari, shpërblimi i veteranëve, në mënyrën se si është bërë,
është fyerje e rëndë, për luftëtarët e lirisë. Mbrojtja e Atdheut, (po e
shkruaj më shkronjë të madhe Atdheu, sepse në Shqipëri shkruhej me të vogël,
por, partia më të madhe), nuk është sakrificë, por është detyrë e parë e çdo
qytetari.
Së dyti, është i tepërt krahasimi me Kroacinë, e cila ka një
standard tjetër jetësor. Në ballë të luftës, atje qenë policia dhe elita
ushtarake. Lufta zgjati më shumë dhe liria u fitua me forcat vetanake kroate.
Nga përvoja e Luftës së Dytë Botërore, (LDB), për Veteranët ka
pasur një përkujdesje të shtuar, duke i punësuar ata. Dhe, si shtesë e
pensionit, u jipej plus p.sh. 100 lekë të rinj, pra, 100 euro. Nderimi moral
për veteranët, nuk mungonte. Sot, e turpshme dhe kriminale, që në në rast të
vdekjes të ndonjë veterani, në masën më të madhe, jo vetëm se nuk shprehin
respekt e dhimbje, por, shprehën "një më pak", sepse po zhvatin bukën
e fëmijëve tanë, ngaqë janë përzier veteranët e rrejshëm, me ata të
vërtetë"! Pra, janë bërë "si lesh arapi"!
Katërfishimi fiktiv i numrit të veteranëve,
dominon shifra - 12.700 luftëtarë
Së fundi, -PRESSING-, ke T7, organizoi një debat gjithëpërfshirës
dhe shterrues, ku, në mes tjerash, sqaroi dy çështje kardinale, lidhur me
makro-skandalin "VETERANËT":
E para, zhdaravati mjegullnajën e shifrave stër-smadhuese të
veteranëve të rrejshëm, duke dhënë numrin e saktë të veteranëve;
E dyta, arsyen e 4 (kat) fishimit të numrit të veteranëve.
Pas afro dy orësh dabat, 5 (pesë) nga analistët u dakorduan, qoftë
për numrin, qoftë për arsyet, e rritjes së rrejshme të tyre. Shkumbin
Demalijaj, i cili njihet për gjynahe faktike, nuk u bind as për numrin dhe as
për arsyet, që çuan në rritjen enorme të veteranëve të rrejshëm. Profesori
universitar, Sadri Ramabaja, i reagoi Shkumbinit, duke i thënë se "veç ti
e Ramushi nuk jeni dakord"! E saktë, sepse "e kanë mizën pas veshit"!
Profesori i Filozofisë, në cilësinë e analistit, Blerim Latifi,
foli me shënime e shifra faktike. Duke iu referuar komandantëve më kompetentë,
në mes tyre edhe shefit të SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, dha shifra të
pranueshme, që i bindën edhe të tjerët në debat. Shifra e dhënë nga gjeneral
Selimi, në cilësinë e shefit të SHP, prej 12.700 veteranëve, është e saktë.
Këtë mendim e ka mbështetur edhe komandanti i Kosharës, Anton Quni, duke shtuar
pak qindra, pra, 13 deri në 13.500 veteranë, përfshi logjistikën, emërgjencën,
prapavijën.
Edhe zyrtarët e lartë, Thaçi e Veseli, përkatësisht, në cilësinë e
presidentit dhe të kryparlamentarit, kanë pranuar makro-falsifikimin, duke
kërkuar spastrimin e listave të veteranëve. Edhe komandantët zonalë të
Drenicës, përfshirë edhe Rexhep Selimin e Sami Lushtakun, janë të një mendjeje,
se rritja e numrit të veteranëve, është, katastrofisht, e lartë.
Krejt ndryshe reagojnë komandantët e Dukagjinit, më saktë, kreu i
tyre, Ramush Haradinaj. Dhe, të tjerët, si me komandë, janë
"aminxhinjë"! "Krejt populli ka qenë ushtarë", - thotë
Ramushi me të tijtë! Por, "harron" se edhe vet ka mbetur me 9
(nëntë), ose, e shumta, me 17 ushtarë!
Mbrojtja territoriale, e trashëguar para viteve `90-a, është
aktivizuar në vitin 1990, si gadishmëri informacioni, por, pa shpresë
ballafaqimi me forcat policore serbe. Ky organizim ka qenë, vërtet, në fshatra,
por, përballjet janë të pakta, simbolike dhe kanë përfunduar me masakra. Dhe,
për çudë, këto masakra tentohet të konvërtohen në beteja, pse jo, edhe luftë,
epope! Por, viktimat janë vetëm nga pala shqiptare.
Arsyet e shtimit të veteranëve,
lakmia përfituese abuzive
Debati për arsyet e rritjes të numrit të veteranëve të rrejshëm,
çeshtja është më e thjeshtë, por, jo më pak kriminale. Analisti Blerim Latifi,
i renditë tri arsye:
1) Dhënia e dëshmisë, në këmbim të votës klienteliste partiake;
2) Varfëria, dëshira për ta zbutur atë, qoftë edhe me 170 euro
pension veterani;
3) Thjeshtë, për t`u mburrur me një dëshmi veterani, kinse,
"edhe unë kam luftuar për lirinë e Kosovës", pa hyrë në luftë fare!
Të kësaj kategorie kemi hasur mjaftueshëm. Vinin nga Mërgata,
silleshin bulevardeve e kafeneve të Durrësit dhe të Tiranës, lëshonin mjekrrën,
si cjepërit, provonin si u shkon uniforma e "UÇK-së", bënin fotografi
me kallash kinez! Ja, këta janë trimat! "Ene Peqini, ka luftue me levore
shalqini, ke Mulliri i Rekës", - ka hyrë në zhargonin popullor, për të
treguar se Peqini dhe të tjerët, edhe pse "kishin bërë sehir" gjatë
Luftës së Dytë Botërore, por, falsifikueshëm, provonin të bëheshin veteranë.
Pra, historia e veteranëve të rrejshëm, është e hershme, përkatësisht, zë fill
77 vjetë më parë!
Është politika redaktuese e mediumit, që "harron" ndonjë
arsye shtesë. Por këtë e plotësojnë komentet masive, në portalet e ndyshme.
Dhe, renditjes të asyeve i shtohet edhe një, pra:
4) Përfitimi i komandantëve, përmes shitjeve të -dëshmive të veteranit-
me sekserë.
Kuota e çmimit blerës të "dëshmive të veteranit", ka
lëvizur dhe nuk është ajo që është proklamuar. Ajo është shumë më e majmë.
Madje, ata që nuk kanë pasur para kesh, në dorë, vazhdojnë të paguajnë
përqindjen caktuese, në kohë të pakufizuar!
Pikërisht, për këtë rezistenca është e egër. Në këtë lojë të
pistë, është zhytur edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës. Janë disa ish-krerë,
me shokët rreth tyre, emrat e të cilëve janë lakuar, për këso punë të pista.
Andaj, duan t`i manipulojnë veteranët, të vërtetë dhe të rrejshëm, me shantazhe
e kërcënime, për të organizuar greva e protesta kundër qeverisë.
Opinioni gjithëshqiptar është shokuar, me vizitën nxitëse të
ish-kryeministrit, Ramush Haradainaj, në selinë e OVL të UÇK-së, duke dhënë
deklaratën skandaloze e penalizuese, kundër atyre zyrtarëve, të cilët kërkojnë
verifikimin dhe spastrimin të listave, me veteranë të rrejshëm, me falsifikim
të katerëfishtë:
5
"Kjo temë i kalon të kaluarës dhe kërkoj nga Kurti
FORCËRISHT, që të mos tallet me veteranët, sepse - durimit të tyre i ka ardhur
fundi-"! Dhe, kërcënon se "...do të dalim në rrugë të gjithë dhe nuk
do të lejojmë të futet në zyrën e tij të punës"!
Mujëshinë provokative, zotëri Haradinaj, e ka manifestuar edhe në
rastin e kërkesës të ligjshme, për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e
kriminelëve, urdhërdhënës e vrasës, të kundërshtarëve politikë dhe të
dëshmitarëve potencialë, për Gjykatën e Hagës. Vrasjet numerike politike Ramushi
i quan "të vjetëruara", rrjedhimisht, të tejkaluara, që duhet heshtur
dhe harruar! Por, një shprehje shqiptare thotë: "Gjaku nuk humbet"!
Dhe, motoja e drejtësisë është: "Krimit nuk i skadon afati"!
Çdo koment është i tepërt! Nëse Kosova është shtet ligjor,
qytetarët e saj duhet t`i disiplinojë, në rrugë ligjore. Aq më parë, kur krerët
manipulatorë të të ashtuquajturave "Shoqata të dala nga lufta", me
kallauzën e tyre "OVL të UÇK-së", me protestat vandale të
Mars-Prillit 2004, të cilat sollën Decentralizimin e deri ke
"Zajednica". Së fundi, u bënë argatë të Serbisë, duke pranuar e
shpërndarë, dosjet e Gjykatë Speciale, të ardhura nga Beogradi, enkas, për
Shoqatën e Veteranëve!