Mendime
Ibrahim Kabili: Vitet ikin, kujtimet mbesin...
E enjte, 28.04.2022, 07:33 PM
Vitet ikin, kujtimet
mbesin...
Nga
Ibrahim Kabili
Prej
kohësh kisha ftesë për kafe nga kolegu dhe shoku im i shkollës pedagogjike,
Ramazan Selimi (Gjoni). Me Xanin u njohëm në shkollë dhe më pas na lidhi puna
në arsim. I shkoj tek shtëpia në Zall-Mëner të Ri, më thonë sapo ka ikur për
kafe me Titin, tek lokali i Xhevahirit. Shkoj dhe i gjej aty, unë porosis një
çaj... Më pas vjen dhe Bajram Hoxha ish drejtor shkolle për shumë vite në
Zall-Mëner. -Tani ne pensionistëve na mbledh kafja - u them unë. Vitet ikin me
shpejtësi, por kujtimet mbesin. Mbesin kur fiksohen mirë diku dhe u qëndrojnë
"rrebesheve" të kohrave, në të kundërt i fshin harresa... Pasi u
përshëndetëm filloj nga biseda. Një udhë e dy punë i them Xanit, në prani të
Bajramit. Bukur, - ma kthen ai! Shumë mirë bën! Ne kemi nostalgji për zonën,
për punën e dikurshme atje, për vitet e bukura në arsim, kur mësuesi
vlerësohej... Mendimin e tij e pohon me kokë edhe kolegu tjetër, Bajrami. Ky qe
emëruesi i përbashkët i reagimit të dy kolegëve të mi. Me këto u pajtova
plotësisht edhe unë, duke shtuar; - hiq politizimin, shkolla qe shkollë. Më tej
mësuesi veteran Ramazani, shton: "Unë kam punuar gjithnjë në CF, në dy
shkolla; në Mëner të Sipërm një vit dhe në Zall-Mëner rreth dyzet vite me
radhë, deri kur dola në pension në vitin 2020. Kemi pasur shumë kolegë dhe
drejtues me përvojë të cilët ndikuan shumë tek ne më të rinjtë në atë kohë...
Si mund të harrohet Agron Shkëmbi si drejtor? Ai qe mjaft korrekt, serioz,
tepër i përgatitur, shumë i dashur, punëtor i palodhur, kishte marrdhënie shumë
të mira me prindërit... Kemi pasur shumë kolegë si Agroni! Respekt dhe
mirënjohje për to! Në vitet '80 në zonë ishte një grup i mësuesve të CF që
kishin bërë emër në shkollat e tyre. Këtu mund të përmend mësuesit; Selim Koçi,
Ymer Ademi, Vesel Lami, Lume Kurti, Flutura Lami, etj. Si mësues në ato vite ne
ishim të përkushtuar në punë. Kryesore për ne qe kualifikimi në shkollë nga
DSH, nga Shtëpia mësuesi, nëpërmjet komisioneve lëndore, etj. Bënim mësime të
hapura, tema metodike, bënim analiza dhe nxirrnim detyra. Kishim marrdhënie të
shkëlqyera me komunitetin. Kujtoj këtu përkrahjen që na jepte kryetari i
këshillit në ato vite, Riza Greci". Ramazani si shumë mësues ka patur
rezultate mjaft të mira në punë. - "Kur shkuam më pas me Të, te shkolla 9
vjeçare Zall-Mëner, në prag të përfundimit të kohës së mësimit, shumë nxënës e
pritën dhe e përqafuan me përzemërsi, ish mësuesin e tyre, Xanin. Po kështu
drejtoresha e shkollës Lume Kurti, më foli fjalët më të mira për të. Kjo më dha
shumë kënaqësi! Luftë brezash!
Bajram
Hoxha i profilit histori-gjegrafi, në bisedë e sipër gjatë kohës në kafe,
thotë: "Për vitet që punova si mësues dhe drejtues shkolle në Bulçesh dhe
Zall-Mëner ruaj kujtimet më të bukura të jetës. Unë si i ri në profesion bëra
shumë përpjekje për aftësimin metodik dhe profesional. Kujtoj me nostalgji
mësuesit e mi dhe u mundova të eci në rrugën e tyre. Si mësues ishim të
përkushtuar në punë. Mësuesit e të dy cikleve ishin të angazhuar në punë dhe
bashkëpunonin me njëri tjetrin. Rol të madh luanin mësuesit e CF dhe edukatoret
e kopshtit. Shkollës i kushtohej rëndësi nga shteti. Mësuesi respektohej dhe
merrte pagë të kënaqshme, krahasuar me sektorët e tjerë. Kualifikimi i
brendshëm kishte rëndësi pasi merrnim përvojë nga njëri tjetri. Komisioni i
histori gjeografisë ka funksionuar rregullisht, meritë kishte edhe kryetari i
tij, Koço Diamanti. Pjesa më e madhe e mësuesve që vinin nga Tirana kishin nga
një "njollë" në biografi por këtu ata shkëlqenin në punë. Gjatë punës
si drejtues jam munduar të punoj sa më shumë, kolegët jam munduar ti ndihmoj e
mbaj sa më afër. Kam mbajtur lidhje të ngushta me komunitetin". Bajrami ka
disa vite në pension, por si drejtues qe shumë pozitiv, pati rezultate në punë,
qe i shtruar dhe ka ndihmuar shumë mësues të ri në shkollimin e mëtejshëm të tyre
në profile të ndryshme të arsimit të lartë.
Ndërkohë
që mësimit po i vinte fundi, i shoqëruar nga Xani nisemi për tek shkolla.
Takuam në ambientet e jashtme shumë kolegë të njohur, disa
"jabanxhinj" dhe përshëndetemi miqësisht me to. Qe kënaqësi që pas
vitesh takohem me Kadri Tafën mësues i gjuhës dhe letërsisë, ish drejtor
shkolle për shumë vite, në Zall-Mëner; me Ramazanin dhe Ilirin, mësues të
edukimit fizik; me Fiqireten, mësuesen e matematikës; me Meritën, Vjollcën,
Hamiden, Fatimen, Flutrën, mësuese të Ciklit Fillor; me Meremen dhe Verën, si
personel ndihmës,etj. Pasi përshëndetemi me të futemi në drejtorinë e shkollës.
Aty na pret me respekt drejtoresha e shkollës, Lumja dhe zevendësja e saj
Merita. Ato i gjeta duke punuar, dhe pas bisedës që bëmë, përsëri në punë i
lashë... I tregoj qëllimin e vizitës. I kërkoj Lumes të më japë disa opinione
për arsimin në fillimet e punës së saj, dhe disa arritje të shkollës që ajo
drejton sot. Në një moment pauze me Lumen, si pasojë e punës, ndërhyn Merita: "Unë
kam mbaruar shkollën e mesme në Zall-Bastar dhe ruaj kujtimet më të mira për
atë shkollë dhe kolektivin pedagogjik të saj"...
Në
vazhdim të bisedës, Lumja shton: -"Eshtë privilegj për mua të them disa
mendime për fillimin e arsimin në vendlindjen time. Unë arsimin fillor dhe atë
tetë vjeçar e mbarova në Zall-Mëner. Falë rezultateve fitova të drejtën e
studimit në Shkollën e Mesme Pedagogjike "17 Nëntori" Tiranë. Pas
mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike, vazhdova studimet në Universitetin e
Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologjisë, në degën Gjuhë-Letërsi. Kam patur një
kënaqësi të madhe kur fillova punë në shkollën ku më parë isha nxënëse.
Fillimisht kam punur si mësues në Ciklin Fillor, pastaj në Ciklin e Lartë. Më
pëlqente shumë profesioni i mësuesit. I kam kushtuar shumë rëndësi përgatitjes
ditore dhe asaj profesionale. Kam punuar me pasion dhe ndërgjegje dhe i kam
dashur shumë nxënësit. Për arritjet nuk më takon mua të flas pasi vlerësimet i
bëjnë të tjerët. Drejtor atje kam patur, Kadriun ( Tafa) i cili qe model dhe
shumë korrekt, këto cilësi i mban edhe sot. Në ato vite i kushtohej rëndësi
kualifikimit, kjo është shtuar edhe më shumë në kohën e sotme. Ruaj konsideratë
të lartë për të ndjerin Saimir Xhafo si kryetar i komisionit lëndor të gjuhë-letërsisë
për Zall-Bastarin. Vite të bukura, zonë arsimdashëse, njerëz të mirë"-
përfundon Lumja. -Të falenderoj për opinionet që më përcolle për punën atje,
por mundësisht më thuaj diçka, shkurt, rreth punës si drejtuese këtu, në
Zall-Mënerin e ri... Duke ruajtur konsideratën për Ju, shkurt mund tju them:
"Kjo është shkollë me numër të madh nxënësish dhe mësuesish. Kolektivi
pedagogjik ëshë i gjithi me arsim përkatës dhe i përkushtuar në punë. Unë kam
disa vite në këtë detyrë, kam mbështetje nga gjithë kolektivi dhe punët mendoj
se shkojnë mirë, por e mira nuk ka fund. Si gjithë të tjerët punoj në bazë të
udhëzimeve të MASH, DAR, ZA-së. Plani i DSH hartohet në fillim të vitit
shkollor bazuar në udhëzimet e mësipërme dhe i diktuar nga kushtet konkrete të
shkollës. Punoj në grup, delegoj kompetenca dhe u shkoj punëve deri në fund.
Mbaj lidhje të ngushta me komunitetin". -Të falenderoj shumë për bisedën!
Suksese dhe punë të mbarë! - Ju faleminderit ju që shkruani për zonën dhe na
ringjallët kujtimet e së shkuarës - përfundon Lumja! Në largim e sipër
portretin e Lumes ma plotëson më tej Xani ku shton: "Drejtoresha e
shkollës Lumja, është serioze në punë, kërkuese ndaj vehtes dhe mësuesve, mban
lidhje të forta me komunitetin. I kushton rëndësi edhe ambientit figurativ,
pasurimit të bazës materialo-didaktive dhe veprimtarive të tjera të shkollës. I
ndihmon shumë kolegët dhe nxënësit"- përfundon Xani.
Kishte
përfunduar me kohë mësimi dhe në ambientet e jashtme të shkollës më priste
Kadri Tafa, absolutisht nuk mund të largohesha prej aty pa marrë disa opinione
e mbresa prej tij. Njihemi herët me të dhe kemi ruajtur marrdhënje të mira si
kolegë të vjetër pune. Edhe ai për rreth një vit del në pension... Kadriu duke
kujtuar vitet e tij të shkollimit, punën e gjatë si mësues, dhe atë si drejtor
shkolle për 15 vjet në Zall-Mëner, shton: "Kujtoj me shumë nostalgji vitet
e shkollës kur unë isha nxënës në Zall-Mëner. Kishim mësues të shkëlqyer të
cilët ndikuan shumë në rezultatet tona. Mësuesi im i klasës së parë qe Qamil Çeço,
ai ishte i përgatitur dhe metodist shumë i mirë, qe shumë korrekt dhe na donte
shumë. Në shkollën Pedagogjike 17 Nëntori në Tiranë po ashtu patëm mësues me
nivel shumë të lartë si nga ana shkencore ashtu edhe nga aftësitë pedagogjike.
Këtu dola me rezultate shumë të mira. Zona jonë në atë periudhë i kishte
mësuesit të ardhur nga Tirana, vendasit ishin të pakët. Pushteti i kohës
interesohej të përgatiste kuadro vendas dhe i mëshonte shumë këtij qëllimi.
Shumë nxënës nga zona jonë u dërguan dhe u regjistruan në pedagogjike. Më
kujtohet si sot kur njeriu i mirë Pali Karafili vinte në pedagogjike dhe
interesohej për nxënësit që vinin nga Zall-Bastari. Në një rast erdhi dhe na
tha: "nxënësit e asaj zone të çoheshin në këmbë". Kur e pa që ishim
disa, ai u kënaq shumë. Ne si brez nxënësish të asaj zone duhet ti jemi
mirnjohës këtij burri me zemër të madhe për kujdesin e treguar ndaj
nesh"...
Arsimin
e lartë Kadriu e mbaroi në Insitutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit në
profilin Gjuhë-Letërsi. Për punën në arsim shton: "Kam filluar punë në
vitin 1977 në shkollën 8 vjeçare Mëner i Sipërm. Punova atje pesë vite me një
kolektiv shumë të mirë. Mësuesi model për ne të rinjtë dhe kuadri qe bëri shumë
për zonën, qe Sali Hida. Në Zall-Mëner fillova punë në vitin 1984 ku vazhdoj
edhe sot. Kam mësuar shumë nga përvoja e drejtorit Agron Shkëmbi dhe e mësuesve
Haxhi Klosi, Osman Uliu dhe e shumë kolegëve të tjerë. Gjatë punës së gjatë në
arsim, në fshatin tim të lindjes Zall-Mëner, jam munduar të bëj më të mirën për
shkollën dhe nxënësit. Nuk ka gjë më të bukur kur punon si mësues, në shkollën
ku më parë ke qenë vetë nxënës. Nuk di sa i'a kam arritur qëllimit me punën në
vite? Ibrahim të falenderoj shumë për interesimin dhe punën që ti po
bën!".
Kadriu
ka punuar shumë vite si mësues dhe drejtor shkolle. Në mendimin tim ai ka patur
mjaft arritje. Dallohej për përkushtim në punë, rregull dhe disiplinë, për
përgatitje të lartë në lëndën e tij. Qe i komunikueshëm me nxënësit, kolegët
dhe komunitetin...
Largohem
nga shkolla 9 vjeçare Zall-Mëner, në këtë pasdite të 22 prillit, me përshtypjet
më të mira... Por, në ambientet e shkollës e përrreth saj diçka më mungonte. Ky
qe Fatosi që unë nuk e njoha kurrë sa qe gjallë. Ai ndoqi rrugën e të atit në
mësuesi, por vdiq në moshë fare të re, duke lënë prapa modelin e njeriut të
mirë dhe dhimbjen e madhe për Të. Jeta vazhdon...
Koha
bën punën e saj, brezat zevendësojnë njëri tjetrin, kërkesat dhe arritjet në
arsim do jenë gjithnjë në rritje...
Ibrahim Kabili
Tiranë më 27.04.2022