E premte, 26.04.2024, 12:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Mërgimi i ëndrrave

E shtune, 13.12.2008, 05:26 PM


Baki Ymeri
Mërgimi i ëndrrave

Nga Baki Ymeri

Pas antologjive poetike Altri Mondi dhe Tensione sentimentale, këto ditë, në editurën prestigjioze Do-minor, e pa dritën e botimit në Bukuresht edhe simotra e tyre,  Exilul viselor/Ekzili i ëndrrave, duke patur për ideator Mardena Kelmendin, ndërsa konsultentë të librit Dr. Thanas Gjikën, Vitore Stefa Lekën dhe Dr. Engjëll Koliqin. Edhe ky libër del në të dy gjuhët (shqip/rumanisht), nën përkujdesjen e Shoqatës së Gruas Italo/Shqiptare Camminiamo Insieme/Ecim së Bashku dhe Redaksisë së revistës Albanezul/ Shqiptari, me një parathënie brilante të poetit të madh shqiptar, Visar Zhiti. Lëndës poetike me mazhorancë shqiptare dhe minorancë të huaj u paraprin poezia Shqiponjat, e shkruar nga poetesha rumune Emilia Dabu në shenjë solidariteti me luftëtarët e lirisë, NATO-n dhe Amerikën që dhanë kontribut për çrobërimin e Kosovës nga gjenocidi serb (1999) .

Shqiptarët, sipas autorit të parathënies, janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur ta gjejnë ata sa më parë Europën. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Europë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Europës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e virtyteve, e thënë hapur, e Poezisë. Që kapton dhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, po dhe në Azi e Afrikë, edhe në Australi, kudo ku kanë mbërritur shqiptarët. Dhe, siç thamë, udhëtimin e tyre edhe ata e shoqërojnë me këngë.

Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Evropës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan të marrin botë, por edhe të japin. Dëshmi është qoftë dhe një antologji e tyrja, thekson ndër të tjera parathënësi i librit, Visar Zhiti.

Ballina e librit Ekzili i ëndrrave
Autorët e përfshirë në antologjinë Ekzili i ëndrrave janë: Fatos Arapi (Shqipëri), Lek Pervizi (Belgji), Jorgo S. Telo (Shqipëri), Kadrush Radogoshi (Kosovë), Mina Çaushi (Greqi), Pilo Zyba (Greqi), Kostaq Duka (SHBA), Remzi Basha (Suedi), Eduard M. Dilo (SHBA) dhe Blerije Bajrami (Maqedoni). Me një fjalë, në faqet e mërgimit të ëndrrave defilon shpirti poetik i sivëllezërve tanë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare, duke u dhënë prioritet mikpritës në faqet e para dy poetëve të huaj (Aurel Sibiceanu nga Rumania dhe Sotiris Mitrojorgos nga Greqia. Në këtë kontekst vlen të potencojmë faktin se gjatë këtij muaji, në vigjilje të Festave të Dimrit, pason të dalë antologjia Cheia sufletului/ Çelsi i shpirtit, me autorë shqiptarë e të huaj, ndër të cilët kanë shprehur gadishmërinë për inkorporim në faqet e saj Arqile Gjata nga Greqia, Petraq J. Pali dhe Adnan Mehmeti nga Amerika, Fatmir F. Salihu dhe Halil Matoshi nga Kosova, Alma Papamihali dhe Llemadeo Dukagjini nga Gjermania, etj.

Dikush mund të mahnitet duke parashtruar pyetjen si është e mundur që në Bukuresht dhe provincë të dalin rregullisht libra dhe artikuj që afirmojnë vlerat shpirtëtore të kombit shqiptar. Përgjigja është e thjeshtë dhe pa konotacione vetëlavdërimi: mundohemi të ndjekim shembujt e shenjtë të rilindësve tanë, duke e braktisur, madje, edhe jetën private. Po e përfundojmë këtë paraqitje të shkurtë me disa perla lirike të shkëputura nga antologjia Ekzili i ëndrrave.

SHQIPONJAT / VULTURII

 

Vetishëm mbi zemrën time vinte dimëruar

Gji i lumturisë nga hyjnitë lakmuar

Ky pah i praruar mbi engjëj po binte

Mbi shtigjet e çastit përjetësi absolute.

 

Kosova e trishtë si vullkan shpërthente

Zemra shakmisej nga shkrepjet  e djeshme

Amerika rizgjohet  të bëjë drejtësi

Të djeshmen për ta gjetur në vërtetësi.

 

I love you - të thuhet se je i zënë

Përrallat qenje mbitokësore t’u bënë

Mrekullia e jetës reket të jetë anuluar

Qenje hyjnore me të shenjtën jetë

për atdhe flijuar.

 

Në botë ekzistojnë luftëtarë të së vërtetës

Krenaria e tyre pret vendimet tona jo lutje

Të plagosur nëse jeni nga ngjyrat e vjeshtës

Nderoni së paku fluturimin shijoni dashurinë

Forcën e madhe që ju sjell fuqi absolute.

(1999)

         

Emilia Dabu (Rumani)

 

 

JASEMINI I KOFSHËS SATE

 

Unë as që i kam larë sytë në këtë

mëngjez, i trembur mos të degdisem detrave

shëmbëlltyrën tënde të dhembshme,

të mos mbetem i braktisur nga iluzionet dhe lëndinat.

As trupin s’e kam shpërlarë nga djersa e dashurisë

sate, i ndrojtur të mos mbetem pa veshje

mbretërore.

 

Duke folur për ty, duke i rrëfyer botës,

në horizontin e mavijosur të lotit tënd zhys një anije,

një pallë të prehtë nga gjaku im i trishtë,

nga jasemini i kofshëes sate.

 

Aurel Sibiceanu (Rumani)

 

ZJARR I FIKUR

 

Jehojnë

Prej hapsirave të pafund të së shkuarës

Melodi e harruar

Kujtime

Të një kohe të lumtur

Flakërime

Të një zjarri të fikur

Që kërkon të shkundet

Prej gacës së fundit

Për të gjallëruar vetminë e madhe

Para përqafimit të mynxyrtë

Të errësirës

 

 Lek Pervizi (Belgjikë)

 

 

 

NË KËRKIM TË NDERSHMËRISË

 

U lodha

Në kërkim të ndershmërisë

Në tregti

Gjeta njëfarësoj vërtetësie

Në dashuri -

Sa për të zënë sytë

Në politikë -

As një majë thoi.

 

Jorgo S. Telo (Shqipëri)


 

Ekzili i ëndrrave
Vetëm Unë dhe Ti

 

Vetëm Unë dhe Ti

Kemi mundur ta zëmë ylberin

E fjalën e pathënë

Ta themi me njëmijë zëra.

 

Vetëm Unë dhe Ti

Kemi mundur t’i gjethojmë

Të gjitha pyjet

Me pranverën e zemrave

T’i numërojmë të gjitha yjet

E rrezet e diellit

T’i puthim në ballë.

 

Vetëm Unë dhe Ti

Kemi mund  t’i ëmbëlsojmë

Të gjithë detet

Me nektarin e luleve

Të çelura në shpirtrat tanë.

 

Vetëm Unë dhe Ti

Kemi mund ta mësojmë

Gjuhën e bilbilit

Në një ditë të prillit...

 

Kadrush Radogoshi (Kosovë)

 

 

PUTHJET  E   FUNDIT

 

U puthëm të etur,

Duke qeshur, duke qarë.

Këto puthje,

Gravura varur në ekspozitën kalendar.

 

Puthjet tona,

Lule të çelura në kopshtin shpirtëror të shpresës.

Planete që përjetësisht do rrotullohen

Në orbitën dhe hapësirën e madhe të kujtesës.

 

Mina Çaushi (Greqi)

 

KRUJA

 

Thonë se vjen nga fjala “kroje”.

Shumë herë kam vajtur,

Plot herë kam rendur,

Por burime nuk pashë për të pirë.

Vetëm ullinj me gjethe të dëndur,

Si pleq të vjetër, fjalëmirë.

 

Atherë kuptova: Kruja, e etur,

Nuk është për burimet nën hije.

Në histori ëmri i ka për të mbetur

Si tokë me burime lirie.

 

Pylo Zyba (Greqi)

 

 

PARKU NË DIMËR

 

Dëbora mbështetur

Mbi degët  e pemëve,

Si flokët e vajzave

Mbi supet e djemve.

Stolat e gurtë

Si djepe të bardhë.

Shatërvanët,

Si pleq të mirë, krenarë.

Ec nëpër park…

Duke çikur lehtë butësinë

E bukurisë së heshtur.

 

Kostaq Duka (SHBA)

 

 

PËR TY KOSOVË

 

 

Toka që lindi çdo ditë shqiponja

Mbuluar me besë e flamur

Ku ka më shumë të flijuar

Emri Dardani s’tu harrua kurrë

 

Toka jonë, Kosova jonë

Ti je nëna historia

Bekuar qofshin trojet e tua

E kish thënë dhe Perëndia

 

Në shekuj me radhë u flijuan trimat

Para syve të nënës dhe të fëmijës

Veshur me flamurin kuq e zi

Për  Ty Kosovë, Zemër e Shqipërisë

  

Gjaku, besa në themel

Prizren, Deçan, Drenicë

Si trimat e Adem Jasharit

Kjo tokë do të linde çdo ditë. 

 

Remzi Basha (Suedi)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora