E shtune, 27.04.2024, 06:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemil Frashëri: Çështja “çame” është serioze dhe do maturi

E marte, 09.12.2008, 06:51 PM


Prof. Xhemil Frashëri: Natyrisht, kjo çështje nuk mund të zgjidhet në çdo moment dhe për një moment
 
Çështja “çame” është serioze dhe do maturi

Nga Albert Zholi
 
“Lëvizja Intelektuale për Çështjen Kombëtare”, ka zhvilluar para disa ditësh një takim në Tirana Internacional për problemet që shqetësojnë sot çështjen kombëtare shqiptare. Sipas shumë diskutantëve, politika shqiptare ka qenë dhe mbetet tepër e mefshtë në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar në copëtimin e kufijve dhe problemin “çam” si në çështje që kërkon zgjidhje tryezale të menjëhershme. Për problemet e historisë së kombit shqiptar ekskluzive për “ Telegraf” zhvilluam një bisedë me historianin Prof. Xhemil Frashëri.

Z. Xhemil, në të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë flitet se Shqipërisë i janë bërë padrejtësi në drejtim të kufijve. Sipas mendimit tuaj përse i janë bërë këto padrejtësi sepse shqiptarët kanë qenë vazhdimisht të përçarë apo se kanë qenë interesa të tjera më madhore të fuqive të mëdha ?

Tashmë dihet jo vetëm tek ne se, fuqitë e mëdha, të nisura nga interesat e tyre strategjike në fushën e politikës interesat e tyre gjeostrategjike, kanë bërë një nga padrejtësitë më të mëdha historike në copëtimin e trojeve shqiptare. Pra, i kanë ndryshuar (mbyllur llogaritë) kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913 duke mos marrë parasysh interesat tona kombëtare, përpjekjet e patriotëve tanë, por kanë parë në mënyrë të njëanshme, interesat e tyre, dëshirat e tyre në dëm të interesave tona kombëtare. Traktati i Londrës ngelet momenti apo Traktati më famëkeq për historinë e Shqipërisë. Lëvizja Kombëtare Shqiptare ka bërë përpjekjet më të mëdha në atë kohë, por tashmë dihet terreni në të cilën ka vepruar, dihet mbështetja që ata kanë pasur, dihet loja e fshehtë e vendeve fqinjë për copëtimin e vendit tonë në interes të marrjes së tokave shqiptare për të shtuar sipërfaqet e tokës
së tyre.

Pra përçarja e shqiptarëve nuk ka ndikuar fare në copëtimin e trojeve tona?

Jo. Në kohën e krizës lindore në vitet 1870 dhe në vitin 1913, kur u caktuan kufijtë e Shqipërisë, Ballkani ka qenë një vend që ishte i lakmuar nga fuqitë e mëdha për vetë pozicionin e tij strategjik. Pra, Ballkani është urë lidhëse për të gjithë kontinentet dhe ka një dalje të konsiderueshme në det. Në këtë këndvështrim, Ballkani ka një pozicion tepër strategjik për synimet që kishin pasur dikur fuqitë e mëdha. Shqipëria në atë kohë nuk ka pas ndonjë mbështetje të madhe nga ndonjë fuqi e madhe. E para, Italia që ne e mendonim se mund të na përkrahte, nuk ishte në vitet e lavdisë së saj. Në atë kohë Italia ishte një fuqi anemike në krahasim me fuqitë e tjera të mëdha (të asaj kohe) si Britania Franca, Rusia.

E dyta edhe Italia kishte synimet e veta dhe kërkesat e veta në atë kohë. Prandaj nuk mbronte me shumë këmbëngulje interesat e shqiptarëve për autonomi dhe ruajtjen e kufijve tokësorë. Nga ana tjetër rusët, kishin interesat e tyre për të dalë në Mesdhe prandaj ata përkrahnin serbët në kërkesat e tyre (si vende që i lidh besimi ortodoks). Dhe kush ishin interesat e serbëve? Ishte momenti kur dhe vetë serbët bënin përpjekje të mëdha për të rrëmbyer një copë tokë shqiptare për të dalë në det. Dhe synimin kryesor e kishin tek Shqipëria. Pra Shqipëria në këtë traktat doli më e pambrojtura, shteti që s’kishte një mik apo aleat besnik që ta ndihmonte seriozisht. Prandaj dhe u luajtën ato skena që i kujtojmë me shumë dhimbje. Nga ana tjetër edhe francezët kishin interesat e tyre në Ballkan, ku në këto interesa Franca gjente mbështetjen e Rusisë, sepse e kishte si një aleate strategjike në momentin kur Gjermania imperialiste ishte forcuar dhe përbënte rrezik për të (Francën). Kështu që shumë interesa dhe probleme të fuqive të mëdha u luajtën në kurriz të Shqipërisë dhe kufijve të saj. Pra u përkrah Serbia nga këto fuqi. Ndërsa Britania e kishte syrin tek Greqia, të kishte një bazë aty. Interesa që sollën ndarjen e Shqipërisë dhe plotësimin e orekseve të fqinjëve sipas interesave të fuqive të mëdha. 
 
Koha bën të vetën. Pas Kosovës tashmë po diskutohet në rrethet intelektuale shqiptare, por edhe në organizmat ndërkombëtarë problemi “çam”. Mendimi juaj për zgjidhjen e këtij problemi?

Çamëria është krahinë e Shqipërisë siç është Gegëria siç është Toskëria, siç është Kosova , Labëria me popullsi shqiptare. Edhe Çamëria është një krahinë shqiptare me popullsi dërrmuese shqiptare. Çamëria ka një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare dhe kulturore. Prandaj dhe shkëputja e saj nga trungu amë dhe aneksimi në favor të Greqisë, përbën një padrejtësi nga më të mëdhatë historike që i është bërë kombit shqiptar. 
 
Mënyra e zgjidhjes së çështjes “çame”

Zgjidhja më e drejtë është që ajo të marrë vendin që i takon, zgjidhjen për të cilën kanë aspiruar shqiptarët çamë. Dhe aspirata e tyre ka qenë, qenia në shtetin shqiptar, por natyrisht, kjo çështje nuk mund të zgjidhet në çdo moment dhe për një moment. Kërkesat e shpeshta duhen bërë në lidhje me aktualitetin. Pra, si është situata politike ndërkombëtare, sa njihet ajo me këtë çështje, kush dhe si ja kanë parashtruar këtë çështje…etj. Qëndrimi më i drejtë do të ishte përkrahja e tyre për njohjen e interesave që kanë, për njohjen e pronave të tyre në Çamëri, trajtimin e tyre nga shteti grek si minoritet duke ju përgjigjur, koncepteve bashkohore evropiane dhe botërore mbi popullsitë minoritare, në një shtet të huaj. Por kjo për mua nuk do të ishte zgjidhja e drejtë, përfundimtare dhe reale, por do të ishte një zgjidhje e përkohshme pasi shkallët nuk mund të ngjiten menjëherë. Nuk
mund të kalohet nga shkalla e parë në shkallën e 10 menjëherë. Këto janë shkallët e para. Pra çdo gjë duhet me radhë. Sot duhet t’i bëjmë një pyetje vetes se çfarë kërkesa mund të bëjmë dhe si duhet ti bëjmë ? Mënyra e paraqitjes së kërkesave ka shumë rëndësi. Shqiptarët dhe politika shqiptare nuk duhet ta harrojnë për asnjë moment çështjen çame. Është një çështje kombëtare, çështje që tashmë po kërkon një zgjidhje të çfarëdoshme për t’i lënë hapësirat më të mëdha kohës
 
Statusi aktual që gëzon shteti i ri i Kosovës

Kosova tashmë është një shtet me vete. Plani i Ahtisaarit siç e dimë të gjithë ishte një kompromis. Historikisht, si kosovarët ashtu edhe çamët kanë dashur dhe duan të bashkohen me Shqipërinë. Pasi kemi një gjuhë, një kulturë një histori, një flamur, por edhe këtu duhet të kemi parasysh kushtet konkrete që janë jo vetëm dëshirat tona apo të kosovarëve. Pra duhet ti përmbahemi planit të Ahtisaarit me gjithë kufizimet e tija. Perspektiva është gjë tjetër pastaj. Kjo është një zgjidhje e përkohshme për mendimin tim, por që duhet respektuar. Ultranacionalizmat e pathemelta ndonjëherë edhe mund të prishin punë. Është koha ajo që vërteton se sa të drejtë kemi apo sa duhet ta hedhim hapin. Hapat e mëtejshëm duhet të jenë të studiuar, të ngadaltë, të matur por të sigurt. Koha do jetë gjykatësja më e mire e hapave tanë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora