E shtune, 27.04.2024, 03:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Ema Andrea: “Për tre grosh” është sfida më e madhe për çdo regjizor

E diele, 07.12.2008, 12:17 PM


Ema Andrea
Ema Andrea: Mendoj se artisti bën maksimumin për të interpretuar një rol të rëndësishëm apo episodik
 
“Për tre grosh” është sfida më e madhe për çdo regjizor

Nga Albert Zholi
 
Është një vit shumë i suksesshëm për Ema Andrean. Jo vetëm në fushën që e kemi njohur gjithnjë, atë të aktrimit, por dhe si regjizore. Sapo ka vënë në skenë operën “Për tre grosh” që tërhoqi vëmendjen e intelektualëve të kryeqytetit për natyrshmërinë dhe elegancën e të vënit në skenë. Në këtë intervistë speciale për “Telegraf”, Ema Andrea tregon stadet më të rëndësishme të karrierës së saj, duke u ndalur dhe në plagën e Teatrit që vitet e fundit thuajse është kthyer në gangrenë për artistët shqiptarë.

Jeni shfaqur më së fundi në skenë me regjinë e operës “Për tre grosh” të Brehtit. Një përvojë tepër e guximshme për ju, si do e përcaktoni si eksperiencë?
Opera “Për tre grosh” është kryevepra e Brehtit. Autor që ka bërë kthesë në teatrin botëror. Është hera e dytë që punoj me Brehtin si regjizore, ndërkohë që më parë kam realizuar “Dasmë mikroborgjeze”, një vepër më e lehtë dhe e shkruar më herët nga autori. Mendoj se “Për tre grosh” është sfida më e madhe për çdo lloj regjizori. Për mua ka qenë eksplorim i bukur sepse këtë vepër e kanë vënë në skenë teatrot më të mëdhenj të botës. Ndërkohë që kjo e imja ishte një iniciativë private, që në një farë mënyre është dhe çmenduri, sepse të vësh në skenë Brehtin do të thotë të kesh skenografi perfekte, kostume të mirëfillta, aktorë të përgatitur dhe të nivelit të lartë dhe duhet dhe një kohë e gjatë studimi. Por me eksplorimin që i bëmë veprës arritëm ta çojmë tek spektatori në mënyrën e duhur.

Thatë që është një çmenduri. Gjithsesi, ju e morët përsipër. Një çmenduri që u bë realitet apo jo?
Është në natyrën time kjo gjë. Unë nuk frikësohem nga gjërat që fillimisht duken të pamundura dhe besoj se tek ato të vështirat më shtyn natyra ime dhe besimi që kam tek bashkëpunëtorët që zgjedh.

Ishte e rastësishme ideja për ta vënë në skenë?
Unë e kisha prekur Brehtin më parë me disa bashkëpunime që kam pasur me shoqatën “Shvartc”. Bashkëpunime me Ardian Klosin dhe që nga fillimi i verës kishim biseduar për Brehtin dhe për veprën “Tre grosh”. Vetëm në gusht vendosa ta bëja këtë vepër dhe e realizuam.

Të sjellësh një personazh antik në kohërat e sotme. Ç’pika të përbashkëta ka me të sotmen?
Është e vështirë të sjellësh në një vend si Shqipëria një tragjedi të tillë për faktin se antikiteti njihet shumë pak, shumë më pak se në Itali apo Greqi ku antikiteti studiohet në shkollë. Në Shqipëri kjo kulturë është paksa e mangët dhe është më e vështirë të shkosh pranë spektatorit. Por vepra qe e suksesshme dhe arriti të përqasej tek ta në formën më të bukur artistike. Dihet që të gjitha personazhet e kësaj tragjedie janë femra dhe trajton tragjedinë shekullore që bie gjithnjë në kurrizin e grave. Jo më larg se ca vite më parë, ne shqiptarët kemi përjetuar tragjedinë e Kosovës dhe pa dyshim, që çdo ditë shohim tragjedi të tjera në botë. Mua më duket se ajo pjesë ka ditur të komunikojë me publikun, për më tepër që fjalët e veprës janë të zgjedhura dhe poetike.

Ema është aktore, regjizore, pedagoge. Ku e ndjeni veten më mirë sot?
Unë veten e ndiej më mirë në teatër. Që do të thotë me pak fjalë tek të treja. Mësoj studentët si të bëjnë teatër, përdor përvojën dhe atë çka fsheh brenda vetes si aktore dhe regjizore. Tek të tria ndjehem mirë.

Kohët e fundit të shohim shpesh si regjizore. Një shteg ndoshta për t’u evidentuar më shumë?
Jo, s’ka të bëjë. Unë kam një mënyrë timen, një ritëm timin. Unë dhe mund të mos bëj regji. Nuk besoj se ka lidhje me evidentimin.

Si aktore jeni shfaqur në dy zhanre:aktore teatri dhe filmi. Të përbashkëtat dhe dallimet e këtyre dy përshfaqjeve?
Unë filmin e njoh shumë pak, vetëm 1 herë në jetë kam luajtur. Kur kam luajtur filmin nuk kam qenë profesioniste. Kam qenë thjesht një fëmijë që kënaqej me sheshin e xhirimit, argëtohej dhe kuptonte se të qenit artiste ishte një format shprehjeje shumë e mirë. Ishte viti ‘90-të. Unë kam dashuruar teatrin, një sfidë e përditshme dhe e vështirë që shpesh publiku e quan një profesion qejfi. Në fakt kënaqësia e profesionit tonë është lodhja, sfilitja për të gjetur rrugët e zbulimit të vetvetes dhe shoqërisë, një rrugë drejt njohjes shumë e mundimshme. Kënaqësia jonë është kur ky zbulim shkon tek spektatori në mënyrë që ai të gjejë vetveten. Këtë gjë duhet ta bësh çdo natë që ti performon, kohë, e cila përsëri është kërkim, ku të ndihmon audienca dhe spektatori çdo natë. Vështirësitë janë shumë të mëdha. Ti përballesh çdo natë me njerëz dhe duhet të jesh i karrikuar me energji. E njëjta gjë ndodh dhe në film. Vetëm se energjia është e ndryshme.

Si nisi rruga drejt aktrimit. Kush e zbuloi Emën?
Filmi “Një vajzë dhe një djalë”. Ibrahim Muça dhe Kristaq Mitro, dy regjizorët e këtij filmi. Ata erdhën në shkollën e baletit për të kërkuar talente, më bënë shumë kinoprova dhe ghatë xhirimeve më injektuan besimin se unë kisha talent dhe më shtynë të vazhdoja për aktrim. Me thënë të drejtën kur jam e mërzitur u them: “Më keni marrë në qafë!”. Por kur jam e lumtur u them: “Faleminderit!”Ata të dy më kanë zbuluar dhe më kanë shtyrë. Unë s’kam patur ndonjëherë në mend të bëhesha aktore.

U ndatë me dhimbje nga baleti?
Me shumë dhimbje jam ndarë. Fillimisht shpresova t’i bëja të dyja, por ishte e pamundur. Gjithsesi baletin e ushtroj personalisht duke bërë dance teatër, ushtrime të ndryshme, për të ruajtur lëvizjen brenda meje. Baletin tani e shijoj nga larg. Gjithsesi kam ruajtur ndjesinë e hapësirës dhe lëvizjen.

Keni ndonjë peng në kuadrin e aktrimit?
Jo, akoma. Kur isha e re, kisha dëshirë të luaja Zhuljetën, por tani e kam të qartë që nuk mund ta luaj më. Sepse në kuptimin e pafajësisë nuk e kam më atë vështrimin e butë. Syri im flet për eksperiencë, që e njeh mirë të mirën dhe të keqen, dhe nuk beson se triumfon e mira në këtë botë.

Kjo do të thotë se nuk besoni më tek dashuria e vërtetë?
Unë e besoj, e provoj tek dashuria, sepse nuk mendoj se ajo varet nga mosha. E kam provuar dhe e besoj dashurinë njerëzore.

Thuhet në qarqet artistike se Ema është rebele. E ndjeni këtë në vetvete?
Nuk e di! Di se nuk e tradhëtoj veten.

Ç’quani tradhëti të vetes?
Të ndrydh natyrën time brenda parimeve që unë kam.

Kush janë parimet më të rëndësishme të jetës suaj?
“Jeto dhe lër të tjerët të jetojnë!”, përulësia dhe respekti ndaj kujtdo. Nuk më pëlqen të hedh poshtë njerëz dhe nuk duroj kur ndodh kjo. Nuk më pëlqejnë gënjeshtrat, kompromiset me shpirtin që janë pa sens.

Ju nuk keni gënjyer ndonjëherë?
Kam gënjyer natyrisht. Gënjeshtra të bardha, për të mos shkaktuar dhimbje. E kam tmerr kur të tjerët nuk më besojnë.

Për elegancën që zotëroni, mbani ndonjë dietë?
Truri ma mban elegancën.

Që më e thjeshtëzuar është…?
Truri më bën të mendoj pozitivisht. Bëj Yoga. Kujdesem për trupin duke ecur shumë. Vlerësoj atë që më thotë truri.

Jeni marrë me politikë dhe pse?
Asnjëherë dhe s’ka pse. Do doja të merresha me politikë në një dimension tjetër të jetës sime, sepse kam idenë që mund të ndryshoja gjëra.

Nëse keni menduar ndonjëherë të braktisnit profesionin, çfarë do bënit?
Unë mund të bëj çdo lloj profesioni, por aktrimi është ajo që dua dhe me të mirat dhe të këqijat e tij ndjehem në paqe. Edhe pse më lë pa gjumë, më sfilit, puna më mban gjallë.

Sa je e lidhur me librin? Po me shtypin?

Shumë e lidhur sepse tek ai gjej mënyra të tjera të shprehuri, botë tjetër, sfida të reja. Tani i përzgjedh shumë autorët sepse nuk kam shumë kohë në dispozicion. Shtypin e shfletoj rallë. Vetëm kur më thonë se kam dalë me ndonjë intervistë. Lajmet i shoh flash.

Problemi më i madh i teatrit?
Mentaliteti, monopolizmi.

Ku preferoni t’i kaloni pushimet?
Në vende të egra pa shumë pretendime. Jugu i Shqipërisë, p.sh. Preferoj gjërat e egra dhe të virgjëra.

Një shpirt kaq i butë në një vend të egër?
Unë pëlqej natyralen. Sot botën po e pushton sintetizimi.

Vepra “Trojanët” dhe roli i Kasandrës

Mbas një periudhe paksa të vakët artistike roli i Kasandrës ishte më i bukuri që mund të ofrohej nga skena shqiptare. Bëra një audicion dhe fitova. Kam punuar shumë për atë rol duke u ndihmuar shumë, si nga regjizori dhe nga koreografi. Arrita të gjeja disa pika të përbashkëta me Kasandrën dhe profesionalisht guxova të sfidoja disa forma të shprehjes që arritën të thitheshin nga spektatori, siç është të folurit me fizik dhe me fjalë. Më ka dhuruar me të vërtet emocione të mëdha si rol.

Vështirësitë e jetës artistike

Ka pasur të ndryshme. Ka ndodhur që kam dalë në skenë dhe nuk kam ndjerë asgjë dhe jam trishtuar pa fund. Në një festival nuk kam interpretuar mirë sepse kam qenë nervoze dhe kur kam dalë nga shfaqja jam inatosur me veten dhe kam dashur të lë profesionin. Kjo ka ndodhur 3 vjet më parë. Isha një aktore me çmime dhe gati-gati kalova në depresion. Më ka ndodhur të mërzitem dhe kur jam ndjerë jo në vendin e duhur në ndonjë shfaqje. Personalisht në teatër nuk dua të bëhem zanatçije. Por kam pasur dhe ditë të bukura si p.sh kur kam mbaruar “I am from Albania”, shfaqjen e Medeas në Greqi. “Nata e fundit e Brehtit” dhe shumë të tjera.

Kriza e teatrit shqiptar

E kush teatër?! Duke e konceptuar në përgjithësi. Nuk ka shfaqje, trupa teatrale, nuk investohet. Një krizë. Spektatori e dëshiron teatrin, por nuk e gjen atë që kërkon…Nëse e shohim në këtë prizëm, po. Ato njerëz që kanë në dorë infrastrukturën e teatrit nuk e di pse e shpërfillin. Nuk ka një ligj, nuk ka trupa. Mendoj se janë injorantë që s’duan ta bëjnë. Teatrin e kanë cilësuar gjithnjë si degën e fundit të pemës së artit në Shqipëri. Më vjen keq për të. Sepse bota e vërtetë ndjehet krenare për artistët, jo për ata që dalin në televizor. Artistët e teatrit dhe të filmit janë ambasadorët e vërtetë të artit. Sigurisht, nuk janë ata që lajnë enët, që bëjnë ndonjë turne tek-tuk. Ambasadorët e vërtetë janë ato që punojnë e lodhen këtu, pa drita dhe shumë të varfër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora