E hene, 29.04.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu V)

E shtune, 06.12.2008, 03:03 PM


Kreu V
LIDHJET SHOQËRORE

Marrëdhëniet shoqërore dhe ngarkesa e tyre

Pjekuria e adoleshentëve shoqërohet me ndjesi të reja. Sa më tepër të rinjtë fitojnë pavarësi nga të rriturit, aq më shumë kërkojnë ta plotësojnë këtë me mbështetjen tek bashkëmoshatarët, e shprehur me kahe drejt sekseve të kundërta, e cila kushtëzohet edhe nga nevoja për plotësim. Prirja për të siguruar sa më shumë shokë rreth vetes, është e lidhur me pasigurinë dhe frikën ndaj vetmisë. Kjo dukuri është më e shprehur sidomos tek djemtë. Është krejt e natyrshme që në përzgjedhjen e shokëve në këto momente të mbahet një qëndrim më i përcaktuar se në moshën e fëmijërisë. Nevoja për një shok të ngushtë është e madhe, por edhe lënia e tyre është me frekuencë të lartë. Shokët e lojës në këtë kohë bëhen tepër të afërt, me të cilët realizohet imitimi dhe krahasimi. Adoleshentët që kanë liri më të madhe, kanë mundësi t’i zgjedhin shokët e duhur jashtë lagjes, sepse është koha kur ndjehet nevoja për më shumë hapje, më shumë hapësirë për të ndarë me ta probleme e interesa të ngushta. Edhe komunikimi ka një nivel më të ngritur. Ai përmban, ndër të tjera, edhe mjaft romantizëm. Përjetimet romantike luajnë një rol të madh për formimin e personalitetit dhe vetë afirmimin e rritjes. Zgjedhja e shokut ose shoqes bëhet me fantazi dhe kujdes për të mos pësuar zhgënjim, sepse përvojat negative të fëmijërisë kanë lënë pasojat e tyre. Prandaj vërehet prirja për të gjetur shokë me moshë pak më të rritur se vetja. Në lidhjet shoqërore ka intensitet, emocion deri edhe pasione, të cilat pengojnë njohjen reale të cilësive të bashkëmoshatarëve. Zgjedhja në këtë moshë bëhet e nxitur nga nevoja dhe përshtatshmëria, që kanë të bëjnë me shprehitë e sjelljes, veshjen, aftësitë, gjendjen ekonomike etj. Ndrojtja dhe turpi janë cilësi karakteristike të adoleshentëve, të cilat lidhen më tepër me ankthin shoqëror. I riu e sheh veten në qendër të vëmendjes së opinionit shoqëror. Prandaj i krijohet ndjesia sikur të gjithë e vështrojnë atë për mënyrën si sillet e vepron, kur po bën ndonjë gabim, si vlerësohet, pranohet apo kundërshtohet nga shoqëria etj. Origjina e këtyre sjelljeve gjendet jo vetem në të kaluarën fëminore, por kryesisht në situatën familjare, në të cilën rritet adoleshenti. Lindja e interesit për t’u pëlqyer sa më tepër të tjerëve, ndryshimet në planin fizik e fiziologjik, pavarësisht nga ritmet e zhvillimit, të cilat janë të ndryshme tek individë dhe sekse të ndryshme, kanë të veçantën e tyre dhe luajnë një rol të ndjeshëm në këtë moshë. Në komunikim me njëritjetrin, adoleshentët, kur ndeshen e përballen me indiferentizëm, fillojnë e mbyllen në vetvete. Prandaj dhe veprojnë shpesh në kokën e tyre. Këtu duhet të tregohet kujdes se nëse kemi raste të përsëritura të këtyre marrëdhënieve, shkaktohen trauma shpirtërore të pariparueshme. Në këto raste ndihma e prindërve dhe mësuesve është e pazëvendësueshme.

Vlerësimi i raporteve shoqërore

Në moshën e adoleshencës parapëlqehen raportet me më pak bashkëmoshatarë, por më intime, më të përcaktuara, më të idealizuara dhe të ndërsjella. Në këtë periudhë fillon të kristalizohet vijëndarja e shijes me dëshirat. Ajo që dallohet qartë për meshkujt, është se vlerësohet si e rëndësishme veprimtaria e përbashkët, ndërsa për femrat tipar i veçantë është besimi dhe afrimiteti. Mbi këto linja formohen grupe adoleshentësh me rregulla të brendshme të përcaktuara, me qëllime e aspirata të përbashkëta. Sjellja trasgresive vlerësohet normale dhe detyrim për çdo anëtar që merr pjesë në një grup. Grupet mund të formohen edhe në mënyrë krejt të rastësishme. Por në mosha më të rritura krijohen grupe formale me objektiva specifikë dhe në brendësi të tyre mund të ketë edhe të rinj me moshë më të lartë. Veprimtaria e këtyre grupeve mund të jetë e lidhur me interesa të larmishme: sportive, kulturore, fetare, politike etj. Në marrëdhënie të tilla ndërpersonale me kalimin e kohës çdo lloj agresiviteti fillon e bie. Aktualisht familja dhe grupi vlerësohen si faktorë që shërbejnë për integrimin e fëmijëve në botën e të rriturve. Grupi e mbështet adoleshentin për të krijuar lidhje të ngushta me shokët, mësuesin dhe për zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme, që i paraqiten. Të gjitha këto dukuri janë të pranishme e të përbashkëta për të gjitha moshat e shoqërisë njerëzore, por i gjejmë më të theksuara tek adoleshentët. Dëshifrimi i sjelljes dhe i veprimeve të secilit prej tyre është i pamundshëm pa njohur grupin në të cilin ai bën pjesë dhe kryen veprimtari. Shoqërimi i vazhdueshëm i adoleshentëve në grupe, megjithëse në disa raste nxit sjelljet kundër rregullave, është i një rëndësie të pazëvendësueshme për zhvillimin e përshkallëzuar e të gjithanshëm të personalitetit të tyre. Puna në grup dhe, përgjithësisht, veprimtaria e grupit nxit e zgjon tek anëtarët e tij interesa të ndryshme të karakterit njohës. Ambicja e konkurrenca ndërmjet pjesëtarëve të grupit luan rol motivues. Me mjaft vlerë janë debatet rreth njohurive të marra në shkollë, diskutimet rreth filmave, librave, veprimtarive të ndryshme etj. Janë të padiskutushme vlerat e veprimtarive sportive për zhvillimin fizik, që të rinjtë i realizojnë në kuadër të grupit ku përfshihen. Gjatë lojës forcohen besimi reciprok, lidhjet shoqërore edhe pse ato mund të mos jenë kompetitive. Gjithashtu, proceset emotive gjatë funksionimit të grupit rrjedhin më vrullshëm. Por veprimtaria e një grupi të caktuar adoleshentësh në raste të caktuara mund të kalojë në sjellje jonormale. Adoleshentët në të tilla raste mund të shfaqin sjellje që shoqëria i dënon. Largimi nga orët e mësimit ose nga shkolla, përfshirja në akte të dënueshme, përdorim a trafikimi i lëndëve narkotike etj., janë dukuri të cilat mësuesit, prindërit dhe e gjithë shoqëria, në tërësi, përpiqen t’i frenojnë dhe t’i parandalojnë. Ka shumë raste, që prindërit nga frika ndaj ndikimit prej këtyre dukurive, t’i izolojnë fëmijët, gjë që sjell pasoja më të dëmshme, sepse kështu frenojnë zhvillimin e tyre shoqëror. Pra, zhvillimi i personalitetit të adoleshentit është një dukuri komplekse, që mund të përsoset, po të ketë një qëndrim me përgjegjësi të lartë nga ana e mësuesve dhe prindërve, të cilëve për t’ia dalë mbanë, u duhet edhe një farë formimi i mjaftueshëm sociopsikologjik.

Mbështetja te bashkëmoshatarët

Të rinjtë shoqërohen me dikë më tepër se me një tjetër. Në këtë moshë është karakteristike tërheqja ndaj një shoqërie të qëndrueshme, pas luhatjeve të shumta. Termi për shokë të ngushtë, këtu merr vlera. Kur janë të tillë, së bashku bisedojnë rreth gjërave intime, luajnë, shëtisin, shkojnë në shkollë etj. Një jetë pa shoqëri do të ishte një jetë boshe dhe e vetmuar. Ndikimi i shokëve në mënyrën e sjelljes, të veshjes, të të menduarit etj., është i lartë. Një studiues në fushën e psikiatrisë, Ricard Sarles, shprehet kështu: “Adoleshenca është një periudhë tranzicioni, në të cilën ndodh pjesa më e madhe e riorganizimit të trupit… Për të përballuar ngathtësinë e një trupi të ri dhe vazhdimisht të ndryshueshëm, shumica e adoleshentëve kërkojnë mbështetjen e të rinjve të moshës së tyre”. Megjithëse i zëvendësojnë shpejt shokët, adoleshentët kanë nevojë dhe kërkojnë shokun e ri që të bisedojnë, të merren vesh, të kuptojnë më mirë ç’po ndodh, të përballojnë e të shpjegojnë gjendjet e tyre emocionale etj. Në përgjithësi, të rinjtë përpiqen të kërkojnë të ngjashmit për të qëndruar së bashku. Por ndodh edhe e kundërta, kur në lidhje të ngushtë secili përfaqëson pjesën plotësuese për tjetrin apo pjesën që i mungon secilit. Kjo ndodh edhe kur lidhjet bëhen menjëherë dhe të pastudiuara. Të rrëmbehesh nga pasionet dhe emocionet është e lehtë, t’u thuash jo dëshirave të pahijshme, duke arsyetuar për pasojat për vete dhe për të tjerët, duhet forcë e madhe. Por jo gjithmonë shokët me të cilët shoqërohen të rinjtë, janë shokë të vërtetë. Një shok i tillë të paralajmëron për rrugën e gabuar, në të cilën mund të jesh futur. Shoku i vërtetë të kritikon, nëse nuk i pëlqen veprimet e tua. Një proverb thotë: “Besnike janë plagët e një shoku dhe të rreme të puthurat e një armiku”. Sinqeriteti është cilësia më e mirë, që vlerësohet të shoku, po kështu dhe sakrifica. Në një proverb tjetër shprehet qartë se: “Miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik”. Besnikëria është cilësia kryesore e një shoqërie të vërtetë, jo hipokrizia e goditja pas shpine. Shoku i mirë me kurajo dhe guxim, flet hapur ballë për ballë, dhe prindërve të tij, për gabimet e bëra. Në momentet e para, ndoshta shoku i tij nuk do të kuptojë, ndoshta do ta quajë edhe “spiun”, ndoshta mund të ndajë dhe miqësinë me të, por ai shpejt do të të kuptojë e, nëse nuk e bën këtë, atëherë ai s’ka qenë kurrë shok i vërtetë. Sekreti për të zënë shoqëri, qëndron në interesin që tregohet ndaj të tjerëve. Nëse një i ri përpiqet me të gjitha mënyrat për t’i ndihmuar njerëzit, si shpërblim do të ketë një shoqëri të gjerë. Në mjaft vende të zhvilluara prej kohësh është vënë re dukuria e braktisjes së familjes nga shumë të rinj. Shifrat e të rinjve që braktisin familjet e tyre, llogariten në mbi 25%. Pas largimit nga familja, kategoritë e shokëve me të cilët mund të shoqërohen, janë të ndryshme. Të ndodhur nën ndikimin e një shoqërie që nga ne vlerësohet si jo e mirë, këta të rinj jo rrallë bien pre e drogës, prostitucionit, vjedhjes, krimit. Edhe te ne është shfaqur kjo dukuri pas viteve ‘90 në përmasa shqetësuese. Janë të shumtë të rinjtë që në kërkim të një jete më të mirë, janë larguar nga familjet drejt vendeve të tjera. Trysnia që shkaktohet ndaj një jetese të tillë nga bashkëmoshatarët e zhytur në rrugë të gabuara, është në disa raste e pamundur për t’u përballuar. Edhe ndihma që mund t’u jepet, është pak e vështirë për të ndikuar, pasi si ndikimi i prindërve, edhe të autorëve të tjerë, në moshën e rinisë bie, ndërsa dëshira për patur sa më shumë shokë, shtohet. Kur në shtëpi mungon një komunikim i mirë, të rinjtë përpiqen ta realizojnë e ta gjejnë plotësimin në gjirin e bashkëNdue moshatarve, ku shoqërimi me shokë, që mbartin qëndrime të pjekura, zhvillon personalitetin e tyre. Një dukuri tjetër që ndeshet në kolektivat e të rinjve në ditët tona, është dhe qëndrimi fyes ndaj një pjese të shokëve. Nuk janë të paktë të rinjtë në shumë shkolla që fyejnë, ngacmojnë, tallin të tjerët, shpesh duke shkaktuar zënka dhe grindje të mëdha. Ata argëtohen me shqetësimet që u shkaktojnë të tjerëve. Viktima të këtij qëndrimi shpesh janë të rinj që karakterizohen si të rregullt. Shpesh ndodh që ndonjë nga kjo kategori të rinjsh shqetësohet shumë, deri sa të shpërthejë edhe në të qara. Por kjo gjendje mund të nxisë që të ngacmohen edhe më shumë. Të humbasësh respektin për veten, kurajon etj., thjeshtë për shkak të ngacmimeve të disa të rinjve, nuk është rruga e duhur. Të tallin edhe ata të tjerët thjeshtë për të larguar vëmendjen, nuk zgjidh asgjë, vetëm se përgatitet terren të përballohen edhe me më shumë fyrje. Mënyra më e mirë për të shmangur një sjellje të tillë me fyerje, është të përgatiten t’i përjetojnë ato me indiferencë të plotë. Fyerja ndaj të tjerëve buron nga pasiguria, xhelozia dhe mungesa e respektit për veten. Një pjesë të mirë të kohës të rinjtë e kalojnë me bashkëmoshatarët e tyre, për rrjedhojë, ndikimi edukativ mbi njëri-tjetrin është i ndjeshëm. Zgjedhja e bashkëmoshatarve, me të cilët të rinjtë shoqërohen, shpesh bëhet arenë e debateve në familje. Prindërit përpiqen të ndikojnë mbi fëmijët në përzgjedhjen e shokëve. Shoqërimi i një të riu me në tjetër nuk është i rastësishëm. Për këtë nuk mund të jepen receta të paracaktuara në përzgjedhjen e tyre. Me veçoritë komplekse të personalitetit të secilit, problemi qëndron në ndikimin e ndërsjellë mbi cilësitë negative të seicilës palë. Shumica e të anketuarve për këto probleme, shprehen se kërkojnë të shoqërohen me përsona me karakter të ngjashëm. Në anketa, të rinjtë tanë shprehen se dëshirojnë të shoqërohen me shokë të karakterizuar nga cilësi të tilla, si: sinqeriteti, zgjuarsia, bujaria, thjeshtësia, besnikëria, etj. Por tjetër është përgjigjja që japin, dhe tjetër është veprimtaria konkrete në jetë. Pra kemi këtu një qëndrim të dyzuar, mospërputhje ndërmjet bindjes dhe veprimit. Në të vërtetë, adoleshentët janë të qartë për dëmet që sjell përdorimi i drogës, alkoolit, duhanit, prandaj dhe shumica shprehen kundër shoqërimit me përdoruesit e tyre. Përgjithësisht, të rinjët pohojnë se pëlqejnë të shoqërohen me shokë më të mirë se vetja dhe se nuk u pëlqen të shoqërohen me të rinj me vese të papranueshme për shoqërinë, por ndjejnë tundim nga joshja “e gjërave” të dëmshme.

Përbërja e grupit

Adoleshentët e së njëjtës moshë i bazojnë raportet e vazhdueshme mbi interesa, përvoja e vlera të rëndësishme për gjithë grupin dhe personin. Motivimet për funksionimin e një grupi janë:
? Qëndrimi së bashku i moshatarëve;
? Komunikimi në mes tyre;
? Prania e kushteve të besueshme për t’u shprehur lirshëm, hapur, pa frikë;
? Kryerja e gjërave interesante që u pëlqejnë;
? Ndarja e vlerave të njëjta;
? Përballimi i vështirësive etj.
Këto karakteristika u përkasin grupeve formale, ndërsa në ato informale, pjesëmarrja është e rastësishme dhe pa raporte të qëndrueshme me njëri-tjetrin. Në një grup ku arrihet të ketë vlerësim e qëndrim brenda normave të shoqërisë, pra në ato grupe që shpesh quhen si të ndërtuara mbi parime të drejta, adoleshentët arrijnë të përballojnë vështirësitë, rreziqet, të shkëmbejnë mendime dhe përvoja. Një grup i tillë u jep diçka që askund nuk gjendet. Atje shprehen lirshëm, bëjnë çfarë duan pa u bezdisur, mbështeten te njëri-tjetri në çdo vendim, formojnë identitetin krejt ndryshe nga sa realizohet në familje apo në shkollë. Janë këto disa nga arsyet kryesore pse adoleshentët nuk tërhiqen nga grupi i tyre. Por ky grup ka edhe rregulla që të funksionojë, të cilat mund t’ i përmbledhim:
? Të mos tradhëtosh besimin e shokëve;
? Të mos veprosh vetëm për interesat e tua;
? Të respektosh rregullat e përbashkëta;
? Të mos ndërhysh në zgjedhjet e të tjerëve;
? Të mos hapësh sekretet;
? Të mos paragjykosh pjesëtarët e grupit;
? Të mos kryhesh veprime të papranueshme për tërë grupin;
? Të mos krijosh dualitete me grupe të tjera etj.
Njohja e grupit është kusht bazë për t’u dhënë shpjegim veprimeve të adoleshentit dhe për t’i dhënë atij njëfarë orientimi shoqëror. Në grup i riu modifikohet dhe bie ndërgjegjja e ndjenja e përgjegjësisë. Gjithashtu manifestohen tipare të reja. Të gjitha këto kanë të bëjnë me dukurinë e ngjitjes, që mund të vihet në lidhje me dukurinë e hipnozës. Çdo akt, çdo ndjenjë është ndikuar në një grup deri në sakrifikim të interesit vetjak në të mirë të kolektivit. Për të dhënë gjykime për nivelin dhe funksionin e një grupi, kërkohet që të bëhet vlerësimi për kriteret ku mbështetet ky funksionim, ndër të cilët përmendim, unitetin e organizimit, unitetin e qëllimeve e të motiveve, përgatitjen e grupit për veprimtari dhe unitetin psikologjik të anëtarve të këtij grupi. Këtu duhet të veçojmë grupet që kanë strukturë e qëllime, të cilat përfaqësojnë një shkallë të lartë organizimi, ato përbëjnë një asociacon. Edhe kolektivat e të rinjve janë grupe të zhvilluara, por në këtë rast ndryshon qëndrimi moral. Gjendja emocionale e përbashkët e anëtarëve të grupit apo kolektivit, ndikon në krijimin e një atmosfere të ngritur psikologjike. Lidhjet e forta i japin adoleshentit mundësi emancipimi me vlera shoqërore. Duke marrë pjesë në grup, fitohet siguri dhe identitet me një model pak a shumë të ndryshëm nga ai që kërkojnë prindërit. Për djemtë, grupi është mjedisi ku mund edhe të rebelohen, ndërsa për vajzat është vendi i përshtatshëm ku mund të krijojnë lidhje të rëndësishme për të ardhmen e tyre. Ngjitja e ndikimi vjen si pasojë e sugjestionimit. Individi humb personalitetin koshient dhe u bindet sugjerimeve të të tjerëve, kryen aksione që janë në kundërshtim me temperamentin e zakonin e tij. Individi, si rezultat i entuziazmit të masës në të cilën ndodhet, bie në një gjendje të ngjashme me atë të të hipnotizuarit. Në raste të tilla, ai nuk është më i vetëdijshëm për atë që bën. Tek një individ në gjendje të tillë, disa aftësi mund të shtyhen deri në një shpërthim ekstrem, ndërsa disa aftësi të tjera mund të humbasin. Ndikimi i sugjestionit e çon individin të kryjë me vrull disa akte, tek ai bie aftësia e ushtrimit të vullnetit. Mënyra më e mirë për të interpretuar sugjestionimin dhe ndikimin, është bashkëveprimi reciprok i individve. Njeriu, e aq më tepër adoleshenti, në grup është më instinktiv: shpërthyes, entuziast, heroik. Është vërtetuar se gjenden pika krahasimi ndërmjet psikikës së fëmijëve dhe të primitivëve. Në grup integrohen dukuri të ndryshme, si: pashpirtësia dhe bujaria, guximi dhe frika. Gjithashtu ka raste kur në të bie instinkti i vetëmbrojtjes. Dëshirat janë apasionante, por nuk zgjasin shumë. Nuk ekziston koncepti i pamundësisë. Çdo gjë është e mundshme për grupin. Ndjenjat në të janë të ekzagjeruara, dyshime dhe paqartësi nuk ka. Kalohet shumë shpejt në ekstreme, dyshimi më i vogel shndërrohet shpejt në evidencë, një antipati e thjeshtë shndërrohet në urrejtje të egër. Masa eksitohet vetëm nga ngacmues të ekzagjeruar. Kush dëshiron të veprojë në grup, duhet të pikturojë me ngjyra të theksuara, të përsërisë dhe të zmadhojë. Individët në kuadrin e një mase, kërkojnë nga lideri i tyre vetem forcën. Në grup idetë kontradiktore mund të qëndrojnë njëra pranë tjetrës pa paraqitur një konflikt. Në grup nevojiten iluzionet. Sipas studiuesve, edhe në botën e kafshëve kur janë në një grup, instinktivisht i nënshtrohen autoritetit të një prijësi. E njëjta gjë ndodh tek njerëzit. Prijësi do të ketë një fuqi misterioze, që është quajtur prestigj. Çdo prestigj varet nga suksesi e humbet nga dështimi. E gjithë kjo analizë na ndihmon për njohjen e adoleshentëve, të mënyrës si ata aktivizohen në grupe të caktuara që në disa raste të ndërhyhet për të modifikuar sjelljet ekstreme. Njohja e adoleshentëve është problem mjaft kompleks. Ndryshimi i vazhdueshëm i mënyrës së jetesës, zhvillimi i teknologjive të reja në fushën e telekomunikacionit etj., ndikojnë që të gjendemi përballë një realiteti, të cilin e përjeton adoleshenca e sotme, i pakrahasueshëm në disa aspekte me realitetin e adoleshencës së prindërve. Dëgjohet gjithmonë nga prindërit që ankohen se fëmijët e tyre po i çon në rrugë të keqe shoqëria me të cilën shoqërohen. Është e vertetë se në shumë raste ndodh kështu. Por ky rrezik nuk e përligj mbylljen dhe veçimin që shpesh disa familje u bëjnë fëmijëve. Në këtë kuptim, është e pamundshme të mos gabosh. Pasi mundësia e orientimit të adoleshentit është e madhe si përsa i perket sjelljes, ashtu për sa i përket përcaktimit të tij drejt një zgjidhjeje a profesioni shoqërisht të dobishëm. Përgjegjësinë e këtij orientimi e kanë, në radhë të parë, shkolla, prindërit. Edhe ndihma e këshillimi i psikologut do të ishin me mjaft vlerë. Ky shqetësim emotiv është i dyanshëm dhe ndjehet si nga mësuesi, ashtu edhe nga nxënësi.

Shërbimi mbrojtës i grupit

Ka ide dhe ndjenja, të cilat lindin e shndërrohen në akte vetem tek të rinjtë që bëjnë pjesë në një masë ose në një grup të caktuar individësh. Masa ose grupi nga ana psikologjike është një krijesë e përkohshme e përbërë nga elementë heterogjenë, të bashkuar për një moment ashtu si qelizat formojnë një trup me jetë. Është e natyrshme që individi të modifikohet në grup ose në masë. Pra, ai dallohet nga individi i izoluar. Shkaqet e këtij modifikimi gjenden tek dukuritë të pandërgjegjshme, të cilat drejtojnë jo vetëm jetën organike, por edhe funksionimin e inteligjencës. Jeta e ndërgjegjshme e subjektit përbën një pjesë të vogël në krahasim me jetën e pandërgjegjshme, por ne mundemi të zbulojmë vetëm një pjesë të motiveve të saj. Aktet e ndërgjegjshme rrjedhin nga një substrat pandërgjegjësie, i formuar kryesisht nga ndikime trashëgimie. Në aktet tona, përveç shkaqeve të rrëfyera, ka edhe shkaqe sekrete që përgjithësisht i kemi mohuar ose nuk i kemi vlerësuar në shkallën e duhur. Pjesa më e madhe e aksioneve tona janë efekte të motiveve të panjohura, që nuk i kapim dot. Në grup, tiparet individuale shkojnë drejt me zhdukjes dhe bie mënyra e të ndodhurit specifik. Ka studiues që mendojnë se individi në grup manifeston karakteristika të reja dhe e kërkon arsyen në faktorë të ndryshëm. Në grup ose kolektiv ai ndjehet i fortë, qoftë edhe nga prania e të tjerëve, fakt ky i cili ndikon që individi të çlirojë instinkte të cilat i vetmuar s’do t’i realizonte kurrë. E gjithë kjo ndodh sepse në grup në një farë mënyre ndjehet anonim dhe ndjenja e përgjegjësisë individuale duket se zhduket. Përmasat e grupit, që zëvendësojnë mbrojtjen e familjes, relacionet horizontale me bashkëmoshatarët, funksionin e miqve, kanë qenë e mbeten përvoja me vlerë të adoleshentëve. Këto gjithmonë janë karakterizuara nga zbulimi i përmasës së madhe etike të dashurisë dhe miqësisë për të realizuar detyrime, shoqëri paralele me atë të të rriturve. Është evident fakti se jeta e grupit është një instrument që i shërben përvojës evolutive, një fushë në të cilën përftohen vlera, norma e mënyra sjelljeje, që kanë një funksion ngushëllues e çlirues. Forca e grupit për çdo të ri apo të re është një instrument i pazevendësueshëm, i jashtëzakonshëm për realizimin e vetvetes. Në disa raste, varësia nga grupi krijon tepër shqetësime. Shpirti dhe historia e grupit që djemtë kanë ndarë në mes tyre, krijon aksione me efekte të çuditshme për amortizimin e mërzisë e të trishtimit, duke i nxitur të ndërmarrin veprime që jo rrallë janë të padëshirueshme, të cilat lidhen me aksione, sfida, përdorim të lëndëve narkotike dhe dukuri të tjera shqetësuese për familjen e shoqërinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora