E shtune, 27.04.2024, 09:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Shqipja Standarde

E marte, 09.12.2008, 05:51 PM


Ese e shkurtër nga lëmi i gjuhës

SHQIPJA STANDARDE

Nga Ejup CERAJA

Për formimin e gjuhës standarde shqipe ose gjuhës letrare shqipe, siç quhej më parë, u punua me ngulm që nga koha e Rilindjes sonë kombëtare e këndej... Rilindësit tanë të ndritur në kapërcyellin e shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, bënin përpjekje të pareshtura për afrimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë, duke bërë përpjekje që t'i ngjisnin ata drejt një norme të përbashkët të gjuhës letrare... Menjëherë pas Naum Veqilharxhit, i cili  në "Enciklikën" e vet e quante plagë të madhe paditurinë, që shkaktohej nga: "Lënia pas dore e lirimit të gjuhës kombëtare.", ishte Konstandin Kristoforidhi ai që shquhej në këto përpjekje dhe të cilit i takon, me të drejtë, epiteti i themeluesit të Letërsisë sonë për fëmijë, me tregimin mjaft të bukur e domethënës "Gjahu i malësorëve" dhe me vjershën "Ylli i vogël nalt (lart) në qiell". Tregimin "Gjahu i malësorëve" Kristoforidhi njëherë e shkroi në variantin e dialektit gegë e pastaj e shkroi edhe në variantin e dialektit toskë. Kjo është koha kur Rilindësit tanë filluan t'i bënin hapat e parë drejt formimit të gjuhës letrare shqipe. Por në kalim nga shekulli i nëntëmbëdhjetë drejt shekullit të njëzet, mundësitë për formimin e mirëfilltë të një gjuhe të përbashkët letrare ishin të pakta. Një lulëzim a pjekuri më të madhe gjuha jonë e arriti me ardhjen e Naim Frashërit në letrat shqipe, që me meritë e mori edhe epitetin: Bilbili i gjuhës sonë. Naimi e shkroi një shqipe të kulluar, duke e "herrur" atë nga fjalët e shumta të huaja. Dhe, duke e begatuar atë me fjalë, shprehje e fraza të reja nga gurra e pashtershme popullore, që në kohën e Naimit e kishte mbuluar pluhuri i harresës. Në "Mësimet" Naimi shkruan: "E e par' e gjithë mbrothësivet, që i duhënë një kombi është gjuhë e Mëmëdheut. Se nga gjuhëtë e huaja s'mund të marrë njeriu kurrë dritat e diturisë si duhënë.

Gjuha bashkon kombin, e nxjerr nga errësira, shpirtin e mendjen e lartëson, vetijat i sbukuron, vetëdijën' e njohën' e shton dhe miqësinë e shumëzon.

Gjuha e një kombi s'është ndalur as mund të ndalet kurrë."

.              .           .

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912) e këndej, u bënë përpjekje të pakta për afrimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë drejt normës standarde të gjuhës shqipe. Në këtë kohë u shqua Migjeni (poet e prozator).

Koha pas Luftës së Dytë Botërore, këndej e andej kufirit, po sidomos në Shqipëri, shquhet me përpjekjet serioze në drejtim të formimit të normës standarde të gjuhës shqipe. Pa u thelluar këtu se cilat qenë kriteret që për themelimin e normës standarde të gjuhës  shqipe, u mor për bazë dialekti jugor-toskë, hapat e parë konkret u bënë me projektin për diskutim publik "Rregullat e drejtshkrimit të shqipes" (1968).

Kongresi i Drejtshkrimit  të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë nga 20-25 nëntor l972, miratoi "Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe" - me të cilin drejtshkrim iu vunë themelet Gjuhës së njësuar shqipe dhe normës standarde të saj, që u bënë normë e detyrueshme për të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata...

Janë sa të pashpjegueshme, aq edhe të pajustifikueshme përpjekjet e disave që, sot, pas 30-viteve të bashkëjetesës të normës standarde të përbashkët të gjuhës sonë të njësuar, që u bë bashkudhëtarja jonë e pandarë në jetën tonë të përditshme në shkolla, në institucione të ndryshme, në radio, në televizion, në gazeta ditore, javore e mujore dhe në revista të ndryshme - të synohet e të punohet për hedhjen poshtë të këtij brumi të përbashkët, që shpreh unifikimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë, që u ngritën në normën standarde për shqiptarët kudo që ata jetojnë e gjallojnë: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën Lindore, në Çamëri, në Arbëreshët  e Italisë e të Zarës, në Diasporën shqiptare e kudo..., që kalojnë, të themi kushtimisht, nëpër bankat shkollore a që kryejnë ndonjë veprimtari me interes shoqëror.

Të gjithë të tillët  thonë se ne do ta flasim e do ta shkruajmë gjuhën që na e ka mësuar nëna qysh në djep. Nënave tona nëpër shekuj e  mijëvjeçarë çdo nderim e lëvdatë, që me gjuhë nën dhëmbë e me përpjekje mbinjerëzore arritën ta ruajnë gjuhën tonë të bukur (shqipe) nga zhdukja... Por, ç'e do të shkretat, pa fajin e tyre, ishin analfabete, andaj s'kishin mundësi ta krijonin një gjuhë standarde mbarëkombëtare të përbashkët. Kurse ne me mund arritëm ta krijojmë një gjuhë të tillë, andaj, mendoj unë, nuk duhet të bëhen përpjekje që kjo arritje kaq e madhe të nëpërkëmbet... Kjo s'do të thotë që nuk duhet të bëhen përpjekje të pareshtura në pasurimin, zgjerimin e thellimin e normës së gjuhës standarde me fjalë e shprehje të reja të të dy dialekteve kryesore të gjuhës sonë (toskë e gegë), përkundrazi... Ta ilustrojmë këtë përfundim me një shprehje të shkurtër frazeologjike, të themi kushtimisht. Nëse në gjuhën standarde mbarëkombëtare thuhet, fjala vjen, u rrëzua, këtë thënie mund ta begatojmë me një shprehje frazeologjike të dialektit gegë mori në thue (thua)... etj. Por, siç shihet nga ky shembull, gjithnjë brenda kornizës tashmë të përvetësuar nga shtresat e shumta të të gjithë atyre që e kanë për detyrë  këtë.

Pra, është detyrë jona e përhershme, e të gjithëve së bashku dhe e çdonjërit veç e veç që të punojmë pareshtur në zhvillimin dhe në pasurimin e normës standarde të gjuhës sonë, se kështu e begatojmë dhe e çojmë përpara gjuhën tonë të bukur, për të cilën u derdh aq djersë e mund...

Diç si përfundim

Gjuha letrare shqipe është norma standarde e gjuhës sonë të përbashkët, por e gërshetuar me kodin dialektor sipas tipizimit gjuhësor të personazheve letrarë. Dallimi në mes normës standarde të gjuhës shqipe dhe gjuhës letrare shqipe është fare i vogël, po megjithatë ky dallim hetohet: gjuha standarde shqipe është norma e përbashkët për të dy krye dialektet të "shkrirë" e të bërë njësh, kurse gjuha letrare shqipe është, siç e theksuam më lart, norma standarde e gjuhës plus kodi dialektor i dy krye dialekteve dhe kodi  gjuhësor sipas profesioneve nga vijnë personazhet letrare, për të thelluar tipizimin e tyre si personazhe letrare...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora