| E shtune, 13.12.2008, 05:26 PM |
Mërgimi i ëndrrave
Baki Ymeri
Nga Baki Ymeri
Pas antologjive poetike Altri Mondi dhe Tensione sentimentale, këto ditë, në editurën prestigjioze Do-minor, e pa dritën e botimit në Bukuresht edhe simotra e tyre, Exilul viselor/Ekzili i ëndrrave, duke patur për ideator Mardena Kelmendin, ndërsa konsultentë të librit Dr. Thanas Gjikën, Vitore Stefa Lekën dhe Dr. Engjëll Koliqin. Edhe ky libër del në të dy gjuhët (shqip/rumanisht), nën përkujdesjen e Shoqatës së Gruas Italo/Shqiptare Camminiamo Insieme/Ecim së Bashku dhe Redaksisë së revistës Albanezul/ Shqiptari, me një parathënie brilante të poetit të madh shqiptar, Visar Zhiti. Lëndës poetike me mazhorancë shqiptare dhe minorancë të huaj u paraprin poezia Shqiponjat, e shkruar nga poetesha rumune Emilia Dabu në shenjë solidariteti me luftëtarët e lirisë, NATO-n dhe Amerikën që dhanë kontribut për çrobërimin e Kosovës nga gjenocidi serb (1999) .
Shqiptarët, sipas autorit të parathënies, janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur ta gjejnë ata sa më parë Europën. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Europë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Europës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e virtyteve, e thënë hapur, e Poezisë. Që kapton dhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, po dhe në Azi e Afrikë, edhe në Australi, kudo ku kanë mbërritur shqiptarët. Dhe, siç thamë, udhëtimin e tyre edhe ata e shoqërojnë me këngë.
Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Evropës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan të marrin botë, por edhe të japin. Dëshmi është qoftë dhe një antologji e tyrja, thekson ndër të tjera parathënësi i librit, Visar Zhiti.
Autorët e përfshirë në antologjinë Ekzili i ëndrrave janë: Fatos Arapi (Shqipëri), Lek Pervizi (Belgji), Jorgo S. Telo (Shqipëri), Kadrush Radogoshi (Kosovë), Mina Çaushi (Greqi), Pilo Zyba (Greqi), Kostaq Duka (SHBA), Remzi Basha (Suedi), Eduard M. Dilo (SHBA) dhe Blerije Bajrami (Maqedoni). Me një fjalë, në faqet e mërgimit të ëndrrave defilon shpirti poetik i sivëllezërve tanë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare, duke u dhënë prioritet mikpritës në faqet e para dy poetëve të huaj (Aurel Sibiceanu nga Rumania dhe Sotiris Mitrojorgos nga Greqia. Në këtë kontekst vlen të potencojmë faktin se gjatë këtij muaji, në vigjilje të Festave të Dimrit, pason të dalë antologjia Cheia sufletului/ Çelsi i shpirtit, me autorë shqiptarë e të huaj, ndër të cilët kanë shprehur gadishmërinë për inkorporim në faqet e saj Arqile Gjata nga Greqia, Petraq J. Pali dhe Adnan Mehmeti nga Amerika, Fatmir F. Salihu dhe Halil Matoshi nga Kosova, Alma Papamihali dhe Llemadeo Dukagjini nga Gjermania, etj.
Ballina e librit Ekzili i ëndrrave
Dikush mund të mahnitet duke parashtruar pyetjen si është e mundur që në Bukuresht dhe provincë të dalin rregullisht libra dhe artikuj që afirmojnë vlerat shpirtëtore të kombit shqiptar. Përgjigja është e thjeshtë dhe pa konotacione vetëlavdërimi: mundohemi të ndjekim shembujt e shenjtë të rilindësve tanë, duke e braktisur, madje, edhe jetën private. Po e përfundojmë këtë paraqitje të shkurtë me disa perla lirike të shkëputura nga antologjia Ekzili i ëndrrave.
SHQIPONJAT / VULTURII
Vetishëm mbi zemrën time vinte dimëruar
Gji i lumturisë nga hyjnitë lakmuar
Ky pah i praruar mbi engjëj po binte
Mbi shtigjet e çastit përjetësi absolute.
Kosova e trishtë si vullkan shpërthente
Zemra shakmisej nga shkrepjet e djeshme
Amerika rizgjohet të bëjë drejtësi
Të djeshmen për ta gjetur në vërtetësi.
I love you - të thuhet se je i zënë
Përrallat qenje mbitokësore t’u bënë
Mrekullia e jetës reket të jetë anuluar
Qenje hyjnore me të shenjtën jetë
për atdhe flijuar.
Në botë ekzistojnë luftëtarë të së vërtetës
Krenaria e tyre pret vendimet tona jo lutje
Të plagosur nëse jeni nga ngjyrat e vjeshtës
Nderoni së paku fluturimin shijoni dashurinë
Forcën e madhe që ju sjell fuqi absolute.
(1999)
Emilia Dabu (Rumani)
JASEMINI I KOFSHËS SATE
Unë as që i kam larë sytë në këtë
mëngjez, i trembur mos të degdisem detrave
shëmbëlltyrën tënde të dhembshme,
të mos mbetem i braktisur nga iluzionet dhe lëndinat.
As trupin s’e kam shpërlarë nga djersa e dashurisë
sate, i ndrojtur të mos mbetem pa veshje
mbretërore.
Duke folur për ty, duke i rrëfyer botës,
në horizontin e mavijosur të lotit tënd zhys një anije,
një pallë të prehtë nga gjaku im i trishtë,
nga jasemini i kofshëes sate.
Aurel Sibiceanu (Rumani)
ZJARR I FIKUR
Jehojnë
Prej hapsirave të pafund të së shkuarës
Melodi e harruar
Kujtime
Të një kohe të lumtur
Flakërime
Të një zjarri të fikur
Që kërkon të shkundet
Prej gacës së fundit
Për të gjallëruar vetminë e madhe
Para përqafimit të mynxyrtë
Të errësirës
Lek Pervizi (Belgjikë)
NË KËRKIM TË NDERSHMËRISË
U lodha
Në kërkim të ndershmërisë
Në tregti
Gjeta njëfarësoj vërtetësie
Në dashuri -
Sa për të zënë sytë
Në politikë -
As një majë thoi.
Jorgo S. Telo (Shqipëri)
Vetëm Unë dhe Ti
Ekzili i ëndrrave
Vetëm Unë dhe Ti
Kemi mundur ta zëmë ylberin
E fjalën e pathënë
Ta themi me njëmijë zëra.
Vetëm Unë dhe Ti
Kemi mundur t’i gjethojmë
Të gjitha pyjet
Me pranverën e zemrave
T’i numërojmë të gjitha yjet
E rrezet e diellit
T’i puthim në ballë.
Vetëm Unë dhe Ti
Kemi mund t’i ëmbëlsojmë
Të gjithë detet
Me nektarin e luleve
Të çelura në shpirtrat tanë.
Vetëm Unë dhe Ti
Kemi mund ta mësojmë
Gjuhën e bilbilit
Në një ditë të prillit...
Kadrush Radogoshi (Kosovë)
PUTHJET E FUNDIT
U puthëm të etur,
Duke qeshur, duke qarë.
Këto puthje,
Gravura varur në ekspozitën kalendar.
Puthjet tona,
Lule të çelura në kopshtin shpirtëror të shpresës.
Planete që përjetësisht do rrotullohen
Në orbitën dhe hapësirën e madhe të kujtesës.
Mina Çaushi (Greqi)
KRUJA
Thonë se vjen nga fjala “kroje”.
Shumë herë kam vajtur,
Plot herë kam rendur,
Por burime nuk pashë për të pirë.
Vetëm ullinj me gjethe të dëndur,
Si pleq të vjetër, fjalëmirë.
Atherë kuptova: Kruja, e etur,
Nuk është për burimet nën hije.
Në histori ëmri i ka për të mbetur
Si tokë me burime lirie.
Pylo Zyba (Greqi)
PARKU NË DIMËR
Dëbora mbështetur
Mbi degët e pemëve,
Si flokët e vajzave
Mbi supet e djemve.
Stolat e gurtë
Si djepe të bardhë.
Shatërvanët,
Si pleq të mirë, krenarë.
Ec nëpër park…
Duke çikur lehtë butësinë
E bukurisë së heshtur.
Kostaq Duka (SHBA)
PËR TY KOSOVË
Toka që lindi çdo ditë shqiponja
Mbuluar me besë e flamur
Ku ka më shumë të flijuar
Emri Dardani s’tu harrua kurrë
Toka jonë, Kosova jonë
Ti je nëna historia
Bekuar qofshin trojet e tua
E kish thënë dhe Perëndia
Në shekuj me radhë u flijuan trimat
Para syve të nënës dhe të fëmijës
Veshur me flamurin kuq e zi
Për Ty Kosovë, Zemër e Shqipërisë
Gjaku, besa në themel
Prizren, Deçan, Drenicë
Si trimat e Adem Jasharit
Kjo tokë do të linde çdo ditë.
Remzi Basha (Suedi)