E premte, 26.04.2024, 10:05 PM (GMT+1)

Editorial

Adnan Abrashi: Prizreni i Traditës apo Qyteti i Dëshpërimit!

E diele, 14.12.2008, 12:50 AM


PRIZRENI I TRADITËS APO QYTETI I DËSHPËRIMIT!

Nga Adnan Abrashi

Edhe pse ishte ditë tregu, kur zakonisht qendra e saj gumëzhin nga njerëzit, tek unë atë ditë dominoi një ndjenje sikur qyteti im, Prizreni, rënkonte. Duke pirë si zakonisht kafenë e mëngjesit në lokalin tim të preferuar  të lagjes, me mendime i tretur tërësisht në  zbrazësinë e kësaj kotësie, spontanisht hapa gazetën e ditës dhe vëmendja ime u përqendrua në një artikull që kishte për temë pikërisht qytetin e Prizrenit. Ende pa e lexuar përmbajtjen në thelb, por vetëm titullin, shikova në fund emrin e autorit dhe pashë se artikullshkruesi nuk ishte bashkëqytetar imi. Mu për këtë qëllim, nuk vazhdova ta lexoja më tej. Nuk bëra ashtu, sepse e dija se kur të tjerët shkruajnë për Prizrenin, ata gjithmonë nisen nga një kallëp i bindjeve më parë të formuar patetike dhe paragjykuese për këtë qytet. Me qëllime plotësisht të mira, kuptohet, ata, është e pamundshme që në shkrimet e tyre të mos e thurin atë refren, në stilin tanimë të absorbuar mjaftë, alla, Prizreni-qytet muze; vatër e kulturës sonë tradicionale; kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve; bukuroshja e Arbërisë; simboli i kombit dhe simbol i trimërisë... etj., etj..
Edhe pse, shpesh këso vlerësimesh gjenerale, me metaforë të ngjashme përsëriten gati kudo dhe ato ndonjëherë më duken bajate, unë, si prizrenas autokton, pranoj se më vjen mirë kur i dëgjoj. Ama, “dukjen e një qyteti e formojnë njerëzit që jetojnë në të, e jo shtëpitë dhe rrugët që e ndërtojnë”– më këshillonte dikur baba im i ndjerë -  “andaj, biri im, kurrsesi nuk duhet të krenohesh vetëm me bagazhin etik që ta kanë lënë të parët, por në atë vlerë të ngjizur kaherë, vazhdimisht duhet të kontribuosh edhe ti me punën tënde...”
Edhe pse hija e vjetër e tradicionalizmit specifik vazhdon të mbretërojë në bindjet e të tjerëve për këtë qytet, pa marrë parasysh kush dhe çka mendojnë për ta, prizrenasit e mi  vazhdojnë të jetojnë sipas tekeve të tyre. Ashtu të qetë, duke lënë gjithmonë përshtypjen se, përveç punëve të veta, atyre nuk u intereson asgjë tjetër. Së paku kështu duket në shikim të parë, e, realisht, diku në brendinë e krenarisë së atyre të mentalitetit të qetë për nga natyre, fshihet si latente: zhgënjimi, pakënaqësia, indiferentizmi... ndjesia kolektive e një sindrome të paaftësisë se mund të ndryshohet së paku diçka në këtë drejtim.
Prizreni sot është i mjerë. Të bën të mendosh sikur rënkon.  Përveç papunësisë dhe varfërisë si materiale, ky qytet shpirtërisht është i zhytur në hipokrizi. Në një trend të pashfrenuar të moralit të sëmurë në krizë. E them këtë me plot keqardhje, por marrëzia dominon kudo mbi të. Po, po, marrëzia! Nga njëra anë, e atyre që e sundojnë dhe vendosin si pushtet për të, dhe nga ana tjetër, e neve që vetëm ankohemi dhe flasim, por asgjë nuk ndërmarrim në këtë drejtim për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Fatkeqësisht, Prizreni sot s’ka më autoritet. S’ka politikan të mirëfilltë dhe politikë vizionare për të ardhmen e vetë. Mjerisht, në çdo pore të jetës, si moral në përhapje sundon gënjeshtra, hipokrizia dhe mediokriteti. Nënshtrimi ndaj “autoritetit të kërrigës” si mirësjellje, mbi të cilin është ulur pushtetari kokëbosh. Politikani injorant, me dishepuj të vet servilë përreth, të cilëve, pa kurrfarë dinjiteti i përkulen gjithë të tjerët. Ata janë sot Zot në këtë qytet. Ata janë madhështorë në sytë e botës që bindshëm u nënshtrohen.
A nuk ka më mizërie kur në një lokal ulet një profesor i nderuar dhe intelektual me nam, duke pritur gjatë i injoruar që ta shërbejë dikush nga kamerierët, e në anën tjetër, po aty, një burokrati komunal, dy kamerierë i vërsulen pa kokë që sa më denjësisht ta shërbejnë atë. Nuk është e tërë marrëzia vetëm këtu! Ka edhe më keq!  Në fund, burokrati nuk paguan kafenë. Ata shumë rallë paguajnë kafetë në këtë qytet. Ju këtë gjest mund ta interpretoni si të doni, por kurrsesi si mikpritje tradicionale prizrenase.

Lidhja Prizrenit, 10.06.1878
“E, po, i kemi zgjedhur vetë!” – na thonë shumë “komentatorë – badihavxhi” të cilët, në këtë qytet mund t’i hasësh çdo ditë dhe në çdo kohë, duke ndenjur me orë të tëra  kot së koti nëpër kafiteritë e  SHATËRVANIT (qendra e qytetit) dhe duke i shtjelluar politikat ditore. Këta janë ata që dinë çdo gjë, dhe, për këtë janë në gjendje që me orë të tëra t'ju bindin për njohurinë e vet që ka nga të gjitha lëmenjtë e jetës: shkencë, politikë, sport, kulturë... Këta janë “press– qendra” e thashethemeve të qytetit. Analistë lokalë që  pa dyshim krijojnë opinion të rëndësishëm tek masat e gjera që u besojnë. Ata janë sinonim i asaj “qysh flet qarshija”
Si karakteristikë tjetër, Prizreni është qytet tipik minoritar, ama, nga ana tjetër i ka “katundarët”, edhe “zoraxhitë“ e vet (kështu në zhargonin e popullarizuar të qershisë quhen qytetarët autokton të Prizrenit), por për këtë “fenomen” pak flitet haptas. “Zoraxhitë” janë ata  bashkëqytetarë që flasin shqip dhe mendojnë turqisht. Ata që në të shumtën e rasteve janë me profesion ose “esnafë - dyqanxhinj”, ose shtëpiakë pa punë, të cilët zakonisht, si shprehi e krijuar, zgjohen herët në mëngjes për t’i ujitur lulet e bahçes apo ballkonit, dhe më pas, tërë ditën e kalojnë me pizhame në shtëpi duke pirë çaj dhe me programet televizive të stacioneve të Turqisë. Kuptohet, ka edhe kategori të tjera prizrenas, as-ashtu, as-kështu, por këta janë si më karakteristikët dhe më tipikët, të cilët, përgjithësisht nuk merren me politikë dhe pak u intereson kjo punë, por “dedi-kodi” muhabetet e veta (thashethemet), më së shumti i bëjnë nëpër: çajtoret e mëhallës, ngushëllimet për vdekje, mevludet... ose, nëse janë “zejtarë – zanatlinj”, duke lozur “shesh-besh” kur s’kanë punë para dyqaneve të veta.
Prizreni ka disa radio, katër TV lokale, asnjë gazetë të veten dhe shumë gazetarë korrespondentë që raportojnë për mediet kombëtare. Por, edhe pse ata rrinë dhe çdo ditë veprojnë së bashku, askush nuk e do njëri-tjetrin. Kur, në prapashpinë akuzohen në publikë dhe bëhet “dedi-kodi” për mediet e qytetit dhe për informimin lokal në përgjithësi: për një TV thuhet se është i PDK-së, tjetra- i LDK-së, treta islamike, dhe e katërta-minoritare. E, në fakt, direkt apo indirekt, të gjitha këto TV stacione, pa aspak kritikë dhe vërejtje publike ndaj tij, së bashku besnikërisht i shërbejnë këtij pushteti.
E, pra, jashtë asaj standarde që haset zakonisht në publicistikë, edhe ky është Prizreni. Qyteti im, por kësaj radhe i treguar ndryshe. Me pak pesimizëm ndoshta, ama real dhe pa shabllonistikë.
Por, mbi të gjitha, pranoj se unë e dua edhe kështu Prizrenin. Me ato të mira dhe mangësitë që i ka. Mu ashtu sikur thoshte diku në një poemë shkrimtari: “ Të lutem doktor, mos ma ndal dhimbjen, sepse edhe ajo është pjesë e sëmundjes sime që po më mbytë....”  

P.S. Çdo ngjashmëri eventuale e përshkrimeve të paraqitura në këtë artikull, me ndonjë qytet tjera të Kosovës, është e rastësishme!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora