| E diele, 14.12.2008, 12:50 AM |
PRIZRENI I TRADITËS APO QYTETI I DËSHPËRIMIT!
Nga Adnan Abrashi
Edhe pse ishte ditë tregu, kur zakonisht qendra e saj gumëzhin nga njerëzit, tek unë atë ditë dominoi një ndjenje sikur qyteti im, Prizreni, rënkonte. Duke pirë si zakonisht kafenë e mëngjesit në lokalin tim të preferuar të lagjes, me mendime i tretur tërësisht në zbrazësinë e kësaj kotësie, spontanisht hapa gazetën e ditës dhe vëmendja ime u përqendrua në një artikull që kishte për temë pikërisht qytetin e Prizrenit. Ende pa e lexuar përmbajtjen në thelb, por vetëm titullin, shikova në fund emrin e autorit dhe pashë se artikullshkruesi nuk ishte bashkëqytetar imi. Mu për këtë qëllim, nuk vazhdova ta lexoja më tej. Nuk bëra ashtu, sepse e dija se kur të tjerët shkruajnë për Prizrenin, ata gjithmonë nisen nga një kallëp i bindjeve më parë të formuar patetike dhe paragjykuese për këtë qytet. Me qëllime plotësisht të mira, kuptohet, ata, është e pamundshme që në shkrimet e tyre të mos e thurin atë refren, në stilin tanimë të absorbuar mjaftë, alla, Prizreni-qytet muze; vatër e kulturës sonë tradicionale; kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve; bukuroshja e Arbërisë; simboli i kombit dhe simbol i trimërisë... etj., etj..
Edhe pse, shpesh këso vlerësimesh gjenerale, me metaforë të ngjashme përsëriten gati kudo dhe ato ndonjëherë më duken bajate, unë, si prizrenas autokton, pranoj se më vjen mirë kur i dëgjoj. Ama, “dukjen e një qyteti e formojnë njerëzit që jetojnë në të, e jo shtëpitë dhe rrugët që e ndërtojnë”– më këshillonte dikur baba im i ndjerë - “andaj, biri im, kurrsesi nuk duhet të krenohesh vetëm me bagazhin etik që ta kanë lënë të parët, por në atë vlerë të ngjizur kaherë, vazhdimisht duhet të kontribuosh edhe ti me punën tënde...”
Edhe pse hija e vjetër e tradicionalizmit specifik vazhdon të mbretërojë në bindjet e të tjerëve për këtë qytet, pa marrë parasysh kush dhe çka mendojnë për ta, prizrenasit e mi vazhdojnë të jetojnë sipas tekeve të tyre. Ashtu të qetë, duke lënë gjithmonë përshtypjen se, përveç punëve të veta, atyre nuk u intereson asgjë tjetër. Së paku kështu duket në shikim të parë, e, realisht, diku në brendinë e krenarisë së atyre të mentalitetit të qetë për nga natyre, fshihet si latente: zhgënjimi, pakënaqësia, indiferentizmi... ndjesia kolektive e një sindrome të paaftësisë se mund të ndryshohet së paku diçka në këtë drejtim.
Prizreni sot është i mjerë. Të bën të mendosh sikur rënkon. Përveç papunësisë dhe varfërisë si materiale, ky qytet shpirtërisht është i zhytur në hipokrizi. Në një trend të pashfrenuar të moralit të sëmurë në krizë. E them këtë me plot keqardhje, por marrëzia dominon kudo mbi të. Po, po, marrëzia! Nga njëra anë, e atyre që e sundojnë dhe vendosin si pushtet për të, dhe nga ana tjetër, e neve që vetëm ankohemi dhe flasim, por asgjë nuk ndërmarrim në këtë drejtim për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Fatkeqësisht, Prizreni sot s’ka më autoritet. S’ka politikan të mirëfilltë dhe politikë vizionare për të ardhmen e vetë. Mjerisht, në çdo pore të jetës, si moral në përhapje sundon gënjeshtra, hipokrizia dhe mediokriteti. Nënshtrimi ndaj “autoritetit të kërrigës” si mirësjellje, mbi të cilin është ulur pushtetari kokëbosh. Politikani injorant, me dishepuj të vet servilë përreth, të cilëve, pa kurrfarë dinjiteti i përkulen gjithë të tjerët. Ata janë sot Zot në këtë qytet. Ata janë madhështorë në sytë e botës që bindshëm u nënshtrohen.
A nuk ka më mizërie kur në një lokal ulet një profesor i nderuar dhe intelektual me nam, duke pritur gjatë i injoruar që ta shërbejë dikush nga kamerierët, e në anën tjetër, po aty, një burokrati komunal, dy kamerierë i vërsulen pa kokë që sa më denjësisht ta shërbejnë atë. Nuk është e tërë marrëzia vetëm këtu! Ka edhe më keq! Në fund, burokrati nuk paguan kafenë. Ata shumë rallë paguajnë kafetë në këtë qytet. Ju këtë gjest mund ta interpretoni si të doni, por kurrsesi si mikpritje tradicionale prizrenase.
Lidhja Prizrenit, 10.06.1878 |
P.S. Çdo ngjashmëri eventuale e përshkrimeve të paraqitura në këtë artikull, me ndonjë qytet tjera të Kosovës, është e rastësishme!