Kulturë
Albert Zholi: Vjeshta dhe Ti
E premte, 19.11.2021, 07:44 PM
Vjeshta dhe Ti
Tregim nga Albert Z. ZHOLI
Ditët
ndiqnin ritualisht njëra-tjetrën dhe secila sikur e lehtësonte pakëz peshën e
ankthit që mbanin mbi supe... Pemët, anës rrugës mbeteshin veçse spektatorë të
qeshur të një të shkuare plot lule. Stina e lulëzimit dhe e pjekjes kish ikur
dhe dita tjetër erdhi, më e bardhë, më e
diellt se tjetra, më e ndryshme. Kjo rendje ditësh kalendarike nga njëra datë
te tjetra se ndal kujtimin që rëndon në kraharor si vlagë. Erdhi si puhizë, u ul e zuri rrënjë diku si
pemë në tokë të heshtjes, humbëtirës së shpirtit katakomb të njeriut duke
kërkuar bukurinë e një dashurie të humbur. Mbi kokë i varej një lule erëmirë,
si kujtim i një stine pranvere që do çelte përgjithmonë në kujtimet e tij. Në
buzë një lule jargavani. Në sy pjalm shpresëdhënës…Ishte një lulëzim me tërë
formën e saj.
Deti,
nga flladi i lehtë i verës, valëzonte duke u mbushur me kurba që ftonin në joshje galaktike. Natyra ishte aty
e ngërthyer me stinët, shpirtin, ndjenjën. Por dhe pse vjeshta mundohet ta
përkëdhel gëzueshëm detin, ai ngre krye
përmbi të, dhe ajo e trishtuar ulet buzë rërës dhe dënesa i godet shpirtin si
një tufan i egër kujtimesh. A mundet ajo
ti japë jetë gjetheve të vdekura. Vjeshta ka hyrë…gjethet e përskuqura po bien
rrugës si një tapet …Halat e pishave kanë zënë vend buzë rërës si një ushtri e
pambarimtë. Njerëzit?! Dashurojnë akoma dhe pse kuqërremja shënon vjeshtën e
ikjes.
Eci
rrugës me një ndjesi të çuditshme, tulatur nga lotët dhe trishtimi i vjeshtës
me qiellin e kaltër që mundohem ti buzëqesh plot trishtim. Retë dynden ngadalë
dhe puhizat vjeshtake mundohen ti shpërndajnë kuturu. Deri ku? Mos vallë tek ty... I sheh, i
ndjen?! Mes tyre jam unë me shpirtin tim të azdisur te kujtimet.
I
mblodha të gjitha gjethet e rëna të stinës dhe kërkova vetveten shtigjeve të
harruara. Nuk pati më as sy dreri, as çap sorkadheje, as ajër i argjendtë. Mes
mendjes dhe zemrës janë shumë pak inç, por ajo është udha më e gjatë që
ekziston. Ajo të çon drejt lartësive të qiellit dhe vetja të duket si mbi
Everest. Dashuria është një ekuacion pa zgjidhje. Ndjehem i etur për dashurinë
tënde dhe nuk di pse ky inkursion në natyrë më jep pak frymëzim. Po kur je i
trishtuar dhe gjethet të shohin me inat. Dhe dielli fshihet pas reve. Vjeshta
ka hyrë kudo…edhe në meditimet e pa realizuara të vajzave hundëpërpjeta, që se honepsin këtë stinë
zhveshjeje.
S’ndizet
më zjarri në buzë, lotët thahen në sy.
Muzgu i fundit ka mbetur aty në mendjen time me siluetën tënde që largohej. U
zverdhën gjethet dhe bien diku duke rënkuar. Për ty trokëlliu qielli në shkreptima dhe dielli u fsheh s’di se ku.
Lotët e qiellit i piva unë për të mos i ndier toka. Nuk doja ta kuptonte se një
dite vjeshta do të largohej. Ike pse? Dhe më nise një letër të gjatë në
e-mail/....
***
-I
dashur! Jam larg, shumë larg. Pse? Sepse nuk rrija dot në
Shqipëri. Ai vend më ish kthyer në gangrenë. Më mbyste. Më tkurrte
lukthin. Doja hapësirë. Doja botë të
madhe. Doja të shijoja çdo gjë të ndaluar. Doja të isha një femër ndryshe. Ku
jam? Çfarë bëj? Jam në Brazil. Nuk të besohet? Po, në Rio De Zhaneiro. Një
qytet i madh që flakëron nga kostumet e fishekzjarrët dhe hija e Krishtit.
Njerëzit janë të gëzuar dhe qeshin me zë të lartë. Plazhet janë të mbushura me
vajza që tundin vithet seksi dhe djem simpatikë që puthen me to pa mbarim.
Vogëlushët luajnë kudo futboll. Me kë ika? Me një të dashur të fshehtë
biznesmen. Më premtoi gjithçka, por më kryesorja më solli këtu. Në vendin që ëndërroja. Në
vendin e futbollit që e kam adhuruar aq shumë. Ti e di se sa tifoze isha me
Brazilin. Futbolli ishte dhe është gëzimi më i madh. Ishte pas teje. Tani është
pas D, të dashurit të ri. Brazili është vendi i absurdit dhe lirisë. Vend i
shfrenimit dhe krimit. Ka gjithçka që mund të ëndërrojë një femër e lirë dhe
moderne. Vitrina dyqanesh, kinema, modë, jetë spontane. Njerëzit puthen,
dashurohen, shfryjnë. S’të njeh askush!
Është një ndjesi kaq e madhe shfrenimi sa s’di si ta them! Por a më mungon ti?
10 ditët e para jo, as 15 ditë as 20 ditë. Pastaj? Ah pastaj...Më mungon çdo
gjë jotja, çdo gjë. Lëkura jote e larë me qumësht, aroma e veshjeve të tua,
krifa jote e flokëve, trupi yt si lastar, pozitiviteti yt, misteri që kishe si
mashkull, gatishmëria jote për sakrificë. Më mungon sensualiteti yt. Ai kokteil
i veçantë që e gjeta vetëm tek ty. Sa gjëra të tuat më mungojnë. Sytë e tu
sqimatarë për bukurinë, mania jote pas atdhetarizmit dhe traditës, koleksionet
e aventurave të tua. Rrëfimet e tua
letrare mbeten ujëvara të shpirtit tim.
Këshillat e tua si një vëlla i madh. Çdo fjalë e jotja më është skalitur si
eksperienca më e bukur njerëzore. Më
kujtohen grindjet me ty. Kur të telefononin pambarimisht këngëtare, mise,
aktore për intervista. Ti buzëqeshje dhe unë të shtypja buzët me duar. Sa keq e
ndieja veten. Xheloze deri në marrëzi. Doja të të mbysja me duart e mia. Mendja
më turfullonte si tufani në det. Të doja aq shumë! Dhe një ndjenjë hakmarrjeje
zuri fill si bimë në shpirtin tim. Dhe kjo bimë xhelozie erdhi e lindi dhe një
ditë shpërtheu si uragan arratie. Jeta ka kompensimet e veta. Të dhuron diçka
dhe të merr diçka tjetër. Asnjëherë në jetë nuk i merr dot të gjitha. Po femrat
janë të çuditshme. Gjithsesi ta them me
sinqeritet që më mungon mendimi yt, më mungojnë dijet e tua. O zot, ku i dije
gjithë ato gjëra. Ti ishe dhe mbetesh libër me vete. Disa herë doja të flisja
me ditë të tëra, të të pyesja pambarimisht që të mësoja. Disa herë më shumë më
pëlqente biseda jote, se sa seksi. Jo se ne seks ishe i keq. Jo, ishe madje
shumë më i mirë se ky. Por ti e ke fjalën magjike. Të shtang. Fjala jote është
një lloj seksi magjik. Serioziteti yt, e qeshura e rrallë por tërë nur. Zëri yt
aq i qetë, i shtruar në bisedë dhe ato shpërthimet e tua të krenarisë
burrërore. Ti je enigmë, shpirti im! Çdo ditë e re me ty është një eksperiencë
që më mungon aq shumë. Ti je kapital i paçmuar, shpirti im!
***
Celulari
atë mëngjes ra aq herët sa nuk kishte
bërë vaki kurrë…Ishte numër privat. U ndrydha. Mendja ku nuk më shkoi, tek të afërmit jashtë. E hapa celularin me
duar që më dridheshin..
-Po!
-Valbona
jam!.
Shtanga!
-Je
kthyer nga Brazili?
-Po.
-
Të la apo e le?
-
E lashë! Ishte i neveritshëm. Bënte seks
si qen dhe pinte raki si dem. S’dinte të lidhte dy fjalë. Jetë qeni me të…Luksi
disa herë ka çmim negativ!