E marte, 19.03.2024, 09:28 AM (GMT)

Sport » Sporti

Asambleja e KOKSH-it degjeneron në dhunë

E hene, 08.12.2008, 02:00 AM


Esat Ademi dje duke u konfrontuar me anëtarët e Asamblesë Zgjedhore të KOKSH-it
Nga Aida Tuci

Kandidati për president i KOKSH-it Esat Ademi pas disa tentativave për të dhunuar kutinë e votimit, thyen njërën prej tyre

Asgjë nuk mund ta justifikojë dhunën. Aq më tepër kur ajo bëhet në emër të mbrojtjes së demokracisë, ligjit dhe votës së lirë. Asambleja e 14-të Zgjedhore e KOKSH-it dështoi ashtu siç dhe ishte përgatitur terreni që në prag të zgjedhjeve. Një skenar që ishte parapërgatitur ndoshta jo deri në detaje, por që degjeneroi hap pas hapi deri në akte dhunë fizike.

Që në fillim, Asambleja e 14-të Zgjedhore e KOKSH-it nisi me tensione, ku te dera e Pallatit të Kongreseve, aty ku ishte parashikuar të zhvilloheshin zgjedhjet e KOKSH-it, nuk u lejua të hyntë asnjë anëtar pa të drejtë vote. Ndërkohë, dy olimpistët Sahit Prizreni dhe Elis Guri kërkonin të hynin në asamble me të drejtë vote, pasi sipas tyre statuti i KOKSH-it ua jep të drejtën e votës të gjithë sportistëve olimpistë.

Por jashtë konfrontoheshin me rojet e sigurisë jo vetëm sportistët e mundjes, por edhe trajneri i boksit Zef Gjoni, ndërkohë brenda sallës ku presidenti Hysen Domi deklaroi hapjen e asamblesë, konfliktohej atletja Klodiana Shala, e cila në emër të sportistëve olimpistë i kërkonte Asamblesë së KOKSH-it të hidhte poshtë vendimin e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it dhe votimin e datës 2 dhjetor, ku në një takim olimpistët zgjodhën dy përfaqësues të tyre në Asamblenë e KOKSH-it: Lindita Kodrën dhe Gert Trashën.

Në këtë atmosferë ka mbërritur Elis Guri (i ftuar të hynte në sallën ku zhvillohej asambleja nga vetë presidenti Hysen Domi) i cili sapo ka hyrë është konfliktuar në fillim verbalisht me drejtuesit e KOKSH-it dhe më pas me anëtarët e asamblesë. Në mbrojtje të pretendimit të sportistëve për votën kanë dalë dhe kandidati për president të KOKSH-it Esat Ademi (aktualisht president i peshëngritjes), përfaqësuesi i FSHP-së Asim Belinova, presidenti i boksit Paulin Sterkaj dhe dy përfaqësuesit e basketbollit, Avni Ponari dhe Korab Llazani.

Situata ka agravuar më keq, kur mundësi Elis Guri është konfliktuar fizikisht me rojat e sigurisë, të cilët e kanë nxjerrë jashtë sportistin. Pas kësaj dukej se gjithçka po shkonte drejt normaliteti, kur u është dhënë fjala dy kandidatëve për të shpalosur platformën e tyre. I pari, Fidel Ylli, kandidati për president të KOKSH-it, duke parë situatën e krijuar, ka preferuar që në vend të platformës të japë një mesazh paqeje, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në asamble, duke ftuar dhe kandidatin tjetër Ademi të veprojë si ai.

Ndërsa Ademi, në fjalën e tij, ka kërkuar dhe një herë që t'u jepet e drejta e votës olimpistëve dhe ka parashtruar pretendimet e tij për manipulim të votimit dhe favorizim të kandidatit tjetër. Ndërkohë që për vetë Ademin ka patur pretendime se është i favorizuari i shtetit. Pasi janë dëgjuar dy kandidatët, është kaluar në votimin për postet drejtuese krejt normalisht, deri në momentin kur kishin mbetur dhe 5-6 përfaqësues federatash pa hedhur votën e tyre.

Gati në fund të vitimeve kandidati për president, Esat Ademi, u sulet procesverbaleve të komisionit të votimit, duke grisur njërën prej tyre. Pas kësaj, krejt i papërmbajtur, i është sulur dhe 2-3 herë të tjera kutisë së votimit me pretendimin se po ruante votat e tij, duke u konfliktuar me rojat e sigurisë. Në këtë situatë, komisioni vendosi shtyrjes e votimit për 1 orë. Gjatë kësaj 1 orë pritjeje Ademi nuk ka lëvizuar nga vendi ku ishin kutitë e votimit, të cilat po ruheshin nga rojat e sigurisë.

Në një moment ai u është sulur sërish kutive të votimit dhe ka arritur të thyejë me shkelm njërën prej tyre. Në këtë situatë komisioni i votimit vendosi shtyrjen përfundimisht të zgjedhjeve të KOKSH-it në një afat të pacaktuar. Ky është një rast i paprecedent në sportin shqiptar, një akt i paprecedent edhe në Lëvizjen Olimpike, ku një kandidat përfshihet në akte dhune.

KOMITETI

Ekzekutiv dhe drejtuesit e KOKSH-it janë ende në detyrë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të tjera të organizmit olimpik.

ASAMBLEJA

e ardhshme e KOKSH-it do të vendoset pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, ku do të kërkohet dhe ndihma e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të vendosur rreth procesit të ri zgjedhor.

MINISTRIA

e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka qenë prezente në sallë me përfaqësues të saj, ku në rolin e vezhguesit ishin drejtoresha e sporteve Violeta Shqevi si dhe dy anëtarë të komisionit Add-Hoc, Vesel Rizvanolli dhe Adriatik Meta.

JANË

nderuar me "Urdhrin Olimpik" nga CIO presidenti i KOKSH-it, Hysen Domi, në përfundim të mandatit të tij si dhe ish-presidenti që nuk jeton më, Arben Jorgoni, dhe mjeshtri i sportit Haki Duke.

NGA

85 anëtarë me të drejtë vote, në asamble kanë qenë prezentë 81 prej tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora