Kulturë
Avdyl Buçpapaj: Bashkëbisedim me Kadri Tarellin
E diele, 17.10.2021, 07:09 PM
Shumë
prej nesh kanë lexuar ose dëgjuar për personalitete të fushave të ndryshme dhe
do të gëzoheshin po të kuvendonin me ta, t’i njihnin nga afër bashkë me
mendimet që kanë për gjithçka që na rrethon.
- Chilton R. Bush
BASHKËBISEDIM ME KADRI
TARELLIN
Koleg
mësues e drejtues, gazetar, shkrimtar, poet dhe studiues.
Nga Avdyl Buçpapaj
1. Kam vene re, se edhe pas kaq vjetësh,
vazhdon të kesh lidhje me revistën “Dituria”, që botohet nga mërgimtarët
shqiptar, në Boras të Suedisë. A je i kënaqur nga botimet e saj?
- Më
vjen mirë që e fillojmë këtë bashkëbisedim, me revistën me emër të ndritur
“Dituria”. Është e vërtetë. Kam botuar që në fillimet e kësaj reviste
artistike, arsimore dhe letrare, me fryme atdhetarie. Me pëlqente t’i bashkohem
zërave te mërgimtarëve tanë që jetonin dhe punonin në Suedi. Më ngazëllente dëshira
dhe guximi tyre, që krahas vështirësive për mbijetesë, përpiqeshin ta mbronin
kulturën tonë, si pasaportë identiteti dhe krenarie, për t’i thënë botës, se
jemi edhe ne pinjollë të një kombi të lashtë e me vlera. Unë jam i kënaqur që
sado pak kam përcjellë shumë shkrime, mes tyre edhe që i përkasin vizitave të
ndërsjellta të shqiptarëve dhe suedezëve, shpesh grupe të përbashkëta, që i kam
pritur në të gjitha takimet në shkollën “Demokracia”, ku ju ishit drejtor, por
edhe në shkolla e institucione të ndryshme në Durrës dhe Tiranë.
2. Ç’ raporte ke me drejtuesit e revistës
dhe të shoqatave atdhetare në Suedi?
-
Vazhdimi i shkrimeve dhe botimeve flet vetë. Takimet dhe sidomos jehona e
shkrimeve më ka miqësuar jo vetëm me atdhetarin dhe veprimtarin e njohur Sokol
Demaku, si drejtues i revistës, dhe shoqatës atdhetare “Migjeni”, por edhe me
disa personalitete të letrave shqipe, si Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf,
hartues i fjalorit shqip-suedisht, Hamit Gurguri shkrimtar i njohur, Hysen
Ibarhimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistike “Papa Klementi XI.
Albani” në Suedi, Fetah Bahtiri studiues, Idriz Gashi shkrimtar e poet, Bajram
Muharremi poet e studiues, Emine S. Hoti “Marigoja shqiptare në Norvegji”,
stiliste dhe poete, etj.
E
gjitha kjo është po aq e vërtetë sa unë tashmë jam anëtar nderi i “Shoqatës së
Shkrimtarëve dhe Artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, madje emri dhe
veprimtaria ime është përfshirë edhe në librin “Biografi e anëtarëve”, botuar
së fundmi nga Fetah Bahtiri.
Me që
e prekëm këtë temë letrare dhe historike, dua të shtoj se kam qenë i pranishëm
edhe në paraqitjen e librit “Thesari kombëtar”, 1-2-7-8-9, në Tiranë, Durrës,
Lezhë dhe në Bajram Curri të Tropojës. Më tej edhe në një vizitë e pa harruar, në
Mitrovicën Dardane, ku secili nga miqtë tanë, Viron Kona, Nuri Dragoi e Zyhdi
Dervishi, dhamë edhe intervistë në TV. Mitrovica.
3. Si është raporti i botimeve tuaja, me
shtypin që publikohet në Shqipëri dhe në botën shqiptare?
- Kam
gati 30 vjet që shkruaj dhe publikoj shkrime të natyrave të ndryshëm. Si fillim
në gazetat që botoheshin dhe botohen në Tiranë dhe Durrës, si, “Mësuesi”,
“Republika”, “Gazeta 55”, “Muzgu”, “Durrësi Bulevard”, “Telegraf”, “Nacional”,
“Mapo”, “Veterani”, “Dita”, “Fjala”, etj. Më pas me shtrirjen e Internetit,
publikoj në disa gazeta e portale elektronike, si te “Dielli” dhe “Illyria” në
SHBA, “Fjala e Lire” në Londër, “Dituria” në Suedi, “Bota sot” në Kosovë, “VOAL”
(zëri shqiptarëve) dhe “Zemra shqiptare”, në Zvicër dhe, dikur edhe te “Tribuna
shqiptare”, etj. Unë nuk i ndaj dot, të gjitha janë me frymë shqiptarie. E
rëndësishme është që shkrimet e mia publikohen dhe shkojnë te këndonjësi i çdo
moshe. Besoj se pëlqehen e vlerësohen. Këtë e vë re nga komentet që bëjnë
lexuesit anembanë botës shqiptare.
4. Cila është tematika më e pëlqyeshme? Sepse
siç jam në dijeni, ke publikuar rreth 500 shkrime, shumë prej tyre të përmbledhura
në katër librat e tu.
- Si
fillim e kam nisur me temat që i përkasin arsimit. Ishte sektori që me dhembte
e më shqetësonte më shumë. Kohë më pas u përfshiva edhe në artikuj e reportazhe
me karakter veprimtarish artistike, letrare, më pas studime historike dhe
monografi. Si thonë fjalës “Oreksi vjen duke ngrënë”, u përfshiva në analiza e
kritikë letrare, duke krijuar edhe tregime dhe poezi, shumë prej tyre të
publikuara në shtyp.
Mbaj
mend se shkrimtari e studiuesi durrsak, Shpendi Topollaj, me tha: - Ke poezi të
bukura, pse nuk i mbledh në një libër. Si fillim ngurova, duke arsyetuar se
janë pak, kur në fakt ishin rreth 50 copë. Kështu shtova edhe disa të tjera dhe
u bë një libër i këndshëm. Po shoh se janë bërë mjaft sa për një libër tjetër.
Besoj se është bukur të jesh i pranishëm mes njerëzve dhe krijuesve.
5. Ç’të shtyu që u lidhe kaq fort me
gazetarinë dhe të shkruarit, pasi gjithë jetën e kalove në arsim, si mësues dhe
drejtues shkolle?
-
Është një pyetje që më pëlqen ta dëgjoj dhe t’i përgjigjem, pavarësisht se është
disi e njohur për “Punëtorët e letrave”, siç dua t’i quaj të gjithë krijuesit,
gazetarë, historianë, shkrimtarë, poetë, dramaturgë etj. Shkrimi është diçka e
brendshme, që lind vetvetiu nga dëshira për të shprehur atë që mendon,
pavarësisht formës që zgjedh. Nuk e di sa jam i saktë, kur bëj krahasime të
tilla: A mund t’i thuhet këngëtarit pse merresh me këngën, apo pse këndon?
Njësoj si t’i thuash humoristit: - “Na shkrive gazit. Mjaft më, tani na bëj një
muhabet serioz!”. As njëri as tjetri nuk bëjnë kthesë. Nuk e di pse, veç secili
vazhdon në udhën e tij, duke gjetur suksesin sipas aftësive vetjake.
Kultura
e të shkruarit, them se nuk më mungonte, pasi që herët jam marrë me studime
historike në interes të shkollave ku kam punuar, më tej edhe të fshatrave dhe
komunave. Natyrisht ishin punë ku mund ta tregoja veten se ç’ mund të bëj, si
të thuash ishte një investim vetjak dhe i padukshëm. Të them të drejtën s’di
pse më pëlqente të bëja diçka më shumë se puna normale e një mësuesi, i ngujuar
në klasë me nxënësit e tij. Nuk them se kisha ambicie, sepse edhe dëshira për
punë, në vetvete nuk është ambicie, aq më tepër kur unë e kuptoja që kjo formë
nuk më siguronte karrierë dhe ofiqe. Thjesht “ushqeja” veten se po bëj diçka të
mirë dhe të dobishme.
Tani
pas kaq vjetësh, them me bindje se paskam bërë mirë, sepse më mban të përfshirë
në shoqëri dhe veprimtari të shumta e të larmishme. Mendoj se kjo është një dëshirë
e brendshme për t’u shprehur, forma nuk ka rëndësi. Sot pas kaq vitesh, ato
punime i quaj “të vogla”, por që në fillimet e mia, unë i vlerësoja dhe i kushtoja
vëmendje të madhe, sepse nuk dëshiroja të humbisja besimin ndaj vetes. Ishte një
lloj pune për t’i bërë vetes vend në shoqëri. Kurdoherë dhe kudo nderohet puna.
Populli e shpreh me dy fjalë: “Shiko punën, jo gunën”. Isha i bindur se dikush në
kolektiv dhe më gjerë, do t’i lexonte, do t’i dëgjonte e diskutonte dhe
vetvetiu do të jepte një farë vlerësimi, qoftë me lavdërim dhe duartrokitje,
mbase edhe me heshtje, apo rrudhje buzësh.
Në
vazhdim, po i përgjigjem pyetjes: pse u lidha fort me gazetarinë? Nuk them se
kisha kulturë gazetarie, as interes material, aq më tepër që gazeta nuk ishte
profesioni im. E ndjeja se shkrimet e mia të fillimit, ngrinin probleme të
shkollës, mësuesve, nxënësve, apo të arsimit në tërësi. Kështu që udha më e
shkurtër ishte gazeta dhe gazetaria, për t’i bërë të njohura shqetësimet dhe
dukuritë me të cilat ndesheshim çdo ditë. Ishte një dëshirë që të rrëfeja qëndrimin
apo opinionin tim, si rrahje mendimesh mes kolegësh, mësuesish dhe drejtuesish.
Si të thuash, një zë që kërkon përgjigje.
Tani
them me bindje, se gazetaria është një shkollë e madhe, që nuk bëhet me urdhër,
por që mësohet duke punuar pak nga pak. Ajo që vlerësoj së tepërmi tani, është
se gazetaria më njohu me shumë shokë e krijues, jo vetëm mësues dhe drejtues
shkollash, sepse si pa dashje u futa në udhën e studimit dhe krijimtarisë
letrare, poetike, artistike dhe historike.
6. Kam parë disa shkrime nëpër gazeta, ku
tregohet se je pjesëmarrës në konkurse poezie. Je i kënaqur me vlerësimet?
- Po është
e vërtetë. Kam marrë pjesë në disa konkurse, apo festivale poezie dhe proze, si
në Durrës, Tiranë, Istog, Gjakovë, Pejë, Prizren, “Bajram Curri”- Tropojë, Përmet,
Boras në Suedi, etj. Të gjitha krijimet janë futur në antologji, të botuara
mbas çdo veprimtarie. Jam vlerësuar me çmime, por unë jam i mendimit se çmimi më
i mirë është vetë pjesëmarrja dhe vlerësimi i lexuesit. Nuk lakmoj të dallohem
apo të shquhem e të krahasohem me krijuesit e tjerë. Të gjithë së bashku i
shtojmë vlerë kulturës dhe letërsisë shqiptare. Po përmend vetëm dy vargje:
“Koha është gjykatës, ajo mpreh hanxharë,/kë le të dytë dhe kë e tërheq
zvarrë”. K. Tarelli. “Koha në Vargje”. Poezia.
“Dritero dhe Kadare”
7. A ke pasur ftesa për të vizituar
Suedinë?
- Po,
kam pasur ftesë para disa kohësh, por nuk është realizuar. Jo gjithmonë
përputhen dëshirat me kushtet që krijohen. Kam udhëtuar në disa vende të botës,
Suedia mbeti një ëndërr e pa plotësuar. Do të kisha mundësi të takoja miqtë e
mi, shqiptarë që banojnë prej kohësh në atë vend, dhe do të grumbulloja
material për të bërë disa shkrime.
8. Bashkë kemi pritur dhe përcjellë të
gjithë grupet me suedezë dhe shqiptarë, të cilët kanë vizituar Durrësin, disa institucione
e shkolla të qytetit tonë. Me ç’ përshtypje je ndarë?
Po është
e vërtetë, u bë shumë vite që nga viti 2007, që kam qenë dhe jam i pranishëm në
pritje dhe përcjellje të vizitorët që vinin dhe vazhdojnë të vinë nga Suedia,
ku përfshiheshin drejtues arsimi, drejtor shkolle, mësues shqiptarë e suedezë,
kryetar komune, shkrimtarë, gazetarë, prindër dhe grupe nxënësish, etj, etj. Mund
t’i përmend me emra, pasi nderojmë veten, njëkohësisht nderojmë edhe miqtë: Peter
Loberg (n/kryetar komune), Gylsen Ozdekan (Drejtoresha e arsimit për rajonin
Boras), Per Kettissen, drejtor i shkollës “Fjardingskolar”, Znj. Tuulla
Elfstrom, drejtore e shkollës “Sandaredskolan” dhe dy mësueset Annet Ekelund e
Sonja Person. Kohë më pas një takim i rrallë, me dy shkrimtare suedeze, Anna Mattsson, dhe Britta Stenberg.
Po vazhdoj të
përmend edhe personalitete të tjerë, si, i palodhuri Sokol Demaku, veprimtar,
shkrimtar, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, poet,
drejtues i revistës “Dituria”, i radios dhe TV. në gjuhën shqipe në Boras, Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf
dhe hartues fjalorësh dy gjuhësh Shqip-suedisht, Hysen Ibrahimi, kryetar i
shoqatës letrare, artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, Bajram Muharremi,
poet dhe n/kryetar i kësaj shoqate, Hamit Gurguri, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të
Suedisë, Kadrije Meniqi,
drejtore e shkollës Vushtri, Kosovë, Emine R. Hoti. “Marigoja shqiptare” në Norvegji, etj, etj. Për disa prej këtyre miqve kam bërë shkrime
që janë publikuar në shtyp. Tani së fundmi kam bërë një shkrim të gjatë për ish
drejtorin Per Ketisen, si mik i mirë i shqiptareve, tashmë në pension. K. Tarelli. “Suedezi Per Ketisen, i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët”. Publikuar.
Gusht 2021, tek Gazeta “Bota sot”, Gazeta “Dielli”, “Zemra shqiptare”, “VOAL.
Zëri shqiptarëve”, “Fjala e lirë”. Revista “Dituria”.
Nuk
po shtoj asgjë të re, pasi bashkë i kemi shoqëruar të gjitha takimet nëpër institucione
dhe shkolla, në Durrës, si: “Demokracia”, “14 Nëntori”, “Neim Babameto” Spitallë,
shkolla jopublike “Kasa” në Plazh, Kolegji “Turgut Ozal”, shkolla jo publike
“Iliria” Plazh, QKF (Qendra Kulturore e Fëmijëve), “PLM (Shkolla e fëmijëve me
probleme mendore), përfshi edhe takimet në Bibliotekën Publike të qytetit, shtojmë
këtu: DAR (Drejtoria Arsimore Rajonale), dhe në Bashkinë e Durrësit. Po së bashku
kemi ndjekur koncerte fëmijësh në sheshin e qytetit dhe disa takime në Tiranë,
me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, dhe z. Viron Kona, punonjës
i asaj ministrie, më parë redaktor i gazetës “Mësuesi”.
Ajo që
më ka bërë përshtypje dhe dua ta theksoj, si një mesazh urtësie për ne, ishte
disiplina në punë. Ata kishin ardhur për punë dhe ishin fanatik në zbatimin me
përpikëri të programit, me të gjitha hollësitë dhe kohën e duhur, që fillonte
ora 08.00 e mëngjesit dhe përfundonte ora 15.00 mbas dite. Herë-herë edhe më
vonë, sipas ciklit të shkollës. Ishin të përkushtuar, ndaj nuk kishin nevojë t’i
kontrollonte dikush, apo t’u thoshte: - Ngrehu se kemi këtë veprimtari mësimore
apo edukative. Pas pune mbeteshin veprimtaritë e tjera, si kafe, drekë apo edhe
shëtitje në qytet dhe buzë detit. Besoj se ishte përvojë e bukur dhe e dobishme.
Ju ishit dhe jeni vete drejtor, ndaj i dini më mirë përfitimet reciproke.
8. Nuk çuditem, por më bën përshtypje se
në librat e tu, ke shumë shkrime që i kushtohen Dardanisë dhe dardanëve.
- E
prisja këtë pyetje dhe më vjen mirë, pasi edhe miq e lexues të tjerë e kanë vënë
në dukje. Po është e vërtetë që një pjesë të mirë të librave të mi, ka tema nga
Kosova, ose siç më pëlqen mua, emri i lashtë “Dardania”. Aq e vërtetë është
kjo, sa Bajram Halil Gashi, koleg, ish mësues e drejtues shkolle në ShënVlash
të Durrësit, këto dit publikoi një shkrim: “Kosova në penën e shkrimtarit Kadri
Tarelli”, që u publikua në gazetën “Bota sot” në Kosovë dhe në portalin “Zemra
shqiptare”. Gjej rastin ta falënderoj, pasi po më nxit t’i mbledh të gjithë
shkrimet dhe t’i botoj në një libër. Besoj se e vlen. Është një përvojë e gjatë
jete dhe pune, e hedhur nëpër shkrime të ndryshme, por të shpërndara si kokrrat
e grurit që nuk janë futur në hambar.
Unë
nuk jam besimtar i mirë, por nuk bëhet shaka me të papriturat e jetës. Çuditërisht
ka një vazhdimësi të asaj që e quajmë rastësi, sepse unë që në moshë fare të
re, porsa mbarova Gjimnazin në Durrës, më 1961, më dërgojnë mësues në fshatin
Qerret të Kavajës, ku kishte një komunitet mjaft të madh kosovarësh, të
vendosur aty rreth viteve 1923-24. Pas pak vitesh, si mbarova edhe studimet e
larta për Histori-gjeografi, në Universitetin e Tiranës, emërohem mësues në
Qerret dhe Katund të Ri, në rrethin e Durrësit, ku ndeshem përsëri me një
komunitet të madh kosovarësh, të vendosur aty rreth viteve 1930…. e në vazhdim.
Këtu unë punova rreth njëzet vjet, pjesën më të madhe, mësues në shkollën e
mesme të Katundit të Ri. Me pak fjalë, u rrita në mjedisin kosovar, ku më
lidhte jo vetëm nxënësi, por edhe me të rriturit, pasi ma detyronte puna
studimore për historinë e arsimit dhe më tej, historiku i komunës dhe fshatrave
për-rreth.
E kam
thënë edhe diku tjetër, se nuk mjafton vetëm koha e punës që unë të dashurohem,
apo të trishtohem, me historinë e lavdishme dhe tragjike të Dardanisë
shqiptare, që padrejtësisht historia e preu, duke e lënë jashtë kufijve tanë.
Jam rritur në mjedis atdhetarie, ku flitej me mall dhe dhimbje për Kosovën dhe
Çamërinë.
Rrethanat
e viteve 1996-1998-1999, pavarësisht se unë isha drejtor i shkollës 8-vjeçare
“Bajram Curri”, në Plazh të Durrësit, më shtynë të bëhem pjesë e asaj lufte të
lavdishme, duke u përfshirë tërësisht në ato ngjarje të paharruara ankthi,
guximi, dhimbje e trishtimi e në fund ngadhënjimi, kur Dardania u çlirua. I
kujtoj me krenari ato vite, duke u marrë me nxënësit dhe fëmijët e ardhur nga
lufta, njëkohësisht me organizimin e mitingjeve “Një komb një qëndrim”, në
sheshin qendror të Durrësit. Kam shkruar për ato ngjarje madhore, por edhe për
dëshmorët e luftëtarët, që nuk kursyen jetën në emër të lirisë.
Ngjarjet
që erdhën më pas, më dhanë mundësi të shkoj në Dardani, ta prek atë tokë të
shenjtë e të adhuruar. U lumturova, pasi që njoha edhe njerëzit e asaj treve, që
me aq trimëri, guxim e durim, i mbyllën plagët e luftës, pavarësisht dhimbjeve
të shpirtit. S’besoj se është çudi, por pas vitit 2007 e në vazhdim, dy apo tre
herë në vit, do të jem në Kosovë, shumicën e herëve i ftuar nëpër veprimtari të
ndryshme, konkurse letrare, përurim librash, veprimtari historike dhe
shkencore, madje edhe turistike. Për këtë të fundit, më duhet të përmend vizitën
tre ditore në Pejë, Istog, Vrellë, Kamenicë, Qysk, Burimi i Drinit të Bardhë,
Gryka e Rugovës, Prizren, Rrahovec, ku unë dhe ju, ishim bashkë me disa drejtorë
nga Durrësi. Ishte dhe mbetet një kujtim i paharruar.
Nuk është
e tepërt ta them, se në vitin 2014, shoqërova vëllain tim Hytbi Tarelli, piktor
dhe skulptor, i cili erdhi nga Toronto në Kanada, duke sjellë në Prekaz,
shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari. Dhuratë që u vendos në muzeun e
familjes Jashari. Këto ngjarje i pasqyrova në shkrime të publikuara në shtyp,
të cilat i kam përmbledhur në librin “Hytbi
Tarelli. Mjeshtër i peneli dhe daltës”. (Monografi). Të them të drejtën,
është një temë që nuk tretet lehte, aq sa do të duhen net dimri për t’i
rrëfyer.
I nderuar Kadri, koleg, ish mësues dhe drejtues shkollash!
Ju uroj jetë dhe shëndet të mirë! Vullneti, dëshira dhe energjia nuk ju mungon
për të vazhduar shkrimet dhe botimet tuaja. Kështu na nderoni ne “Misionarët e
dijes’, njëkohësisht edhe krijuesit durrsak, si anëtar i klubit të shkrimtarëve
dhe artistëve të Durrësit.
Faleminderit dhe mirënjohje për intervistën
dhe urimet që do më shoqërojnë për një kohë të gjatë!
Faleminderit që pranuat ftesën!
Avdyl Buçpapaj
Drejtor i shkollës Jopublike “Planetary”.
Durrës.
Vjeshta e parë. 2021.