Kulturë
Prend Buzhala: Migjeni - Mësuesi dhe poeti
E shtune, 16.10.2021, 05:53 PM
MIGJENI: MËSUESI DHE POETI
Migjeni
ishte mësues.
Mësuesi
ishte edhe poet.
Cili
është rrëfimi më i njohur i Mësuesit shqiptar?
Nga
Prend BUZHALA
1.
Unë
po e veçoj rrëfimin e Migjenit mësues për Lulin e Vocërr:
“Askush
s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me
thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te
vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe
Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur
Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i
thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa
të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të
qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto
ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër
xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit
dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të
veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe
pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare
mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut
që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të
zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli
ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell,
si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të
dashunis... Noshta, ndoshta...
Nganjiher
i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi
ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy
pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç
në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger
mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.”
A
thua, a i ishte i vetëdijshëm Migjeni se me këtë rrëfim ai do t'i frymëzonte
nxënësit e tij, brezat që erdhën më pas?
2.
Se
cilat do të kenë qenë betejat e ankthit me mjerimin, me dyshimtin e me peshën e
rëndë të socialitetit, ai e strukturoi këtë të vërtetë nëpër krejt shkrimet e
tij.
Dhe,
duke e shqiptuar këtë të vërtetë, ai u bë pjesë e breznive shqiptare. Mësuesi u
bë pjesa më e rëndësishme e jetës së nxënësve të tij.
Dikur
edhe profetët quheshin mësues. Mësuesit e mirë janë profetë të së ardhmes.
Le
ta kujtojmë edhe Guximin e Mësuesve Shqiptarë të Kosovës në gjysmëshekullit që
e lamë pas: guximi i brezave të republikëbërjes që krijoi një Epokë, epokën e
Lindjes së Republikës së Kosovës dhe liribërjes.
Te
ky tregim i shkurtër, i shndërruar në libër-lexim tonin nacional; do ta vërejmë
dashurinë e pafund të poetit-mësues për nxënësin e tij që “nuk e njeh askush”!
nxënësin e pavërejtur, të cilit nuk ia lëshon sytë askush, përpos mësuesit të
tij që e sheh me kujdes, e dallon në mesin e asaj turme nxënësish, tregon
vëmendje e kujdes për të. E mandej nxjerr përfundime, rrëfen, shqyrton,
përsiat, sintetizon... Shkruan për atë që është më i tërhequri, më i
mënjanuari, mbase, më i papërfillshmi. A nuk është, ky fenomen, kaq i përhapur
edhe sot: të mos i hedhim sytë nga Njeriu Ynë, nga I Riu Ynë, aq shpirtmirë?!
E
po, kur do të ketë udhëtuar me biçikletën e ti nëpër territore të vështira, do
ta ketë tërhequr ky ideal për arsimin dhe shkollën. Tregim-paradigmë për qasjet
ndaj mësimdhënies, në përputhje me ndjeshmërinë e artit dhe të pasionit për
mësimdhënie, një vetëreflektim kritik mbi marrëdhëniet mes shkollës dhe
nxënësit, shoqërisë dhe fëmijës. Sa të përhapura i kemi edhe sot përpjekjet me
anë trajnimesh, seminaresh, sistemesh të tëra arsimore, kujdesin ndaj shkollës
e nxënësve të vegjël, dhe, si metastazë, përhapet moskujdesi ynë mizor; për të
"kujdesen" që t'ia formojnë, sipas modelit të vet, edhe institucionet
fetare, edhe ato ideologjike, edhe familjet. Dhe, për çudi, të gjithë heqin
dorë nga fëmija i tyre: heq dorë shkolla, heq dorë familja, heq dorë shteti!
Krijohet vakum: atë mund ta marrë “në dorë” rruga, shkolla “e krimit”, për ta
shndërruar atë në qenie asociale.
“Por
kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e
mëshirës dhe të dashunis... Ndoshta, ndoshta...” Kjo “ndoshta... ndoshta...” me
interpunksionin e pikave të heshtjes, është zemërplasja e mësuesit poet...
retiçenca e revoltës së heshtur, të plasur së brendshmi.
3.
Kur
e lexojmë RRËFIMIN e një mësuesi, në fund do ta kuptojmë të vërtetën e madhe:
ai nuk e ka lëndë të mësimdhënies së tij vetëm mësimin në klasë; ai mëson gjatë
tërë jetës së tij; ai ruan në thesarin e tij të përvojës rrëfime sa krenare, aq
edhe domethënëse, udhëzuese për jetë, një themel për një të ardhme më të mirë.
Kjo mësimdhënie e jetës është dhe mësimdhënie e vetëdijes emocionale, e nxitur
nëpërmes rrëfimit të jetës: si të bëhesh qenie njerëzore më e mirë. “Përgatitu
të dështosh që të mësosh”, thotë një proverb. I vetëdijshëm se, kur rrëfen, ai
nuk i mëson vetëm nxënësit e tashëm por edhe të brezave që vijnë, ai e mban
ndezur atë flakë mësimi e përvoje. Ai e dhuron veten për të tjerët. Dhuratë mbi
të gjitha dhuratat është kjo.
Ne
na mungojnë rrëfimet e mësuesve.
Do
të ishin rrëfime të së vërtetës sonë të madhe e të historibërjes sonë...
E,
Migjeni, për një kohë aq të shkurtër jete e pune, e dha shembullin e tij dhe
tregimin e tij, i cili lexohet përtej një rrëfimi letrar, lexohet edhe si
pedagogji e kohës së sotme.
Është
ajo që pedagogu i njohur brazilian Paulo Freire e quante pedagogji e të
shtypurve:
“Personi
më radikal është ai ose ajo, që hyn në brendinë e realitetit me bindjen se mund
ta transformojë atë. Ky individ nuk ka frikë të përballet, të dëgjojë, apo ta
shohë botën të zbuluar. Ky person nuk ka frikë të takohet e t'i njohë njerëzit
apo të hyjë në dialog me ta. Ky person nuk e konsideron veten pronar të
historisë ose të të gjithë njerëzve, ose liberator çlirimtar) të të shtypurve;
por ai angazhohet vetë në histori, për të luftuar në anën e tyre... Askush nuk
lind i formuar plotësisht: përmes përvojës vetjake në botë ne bëhemi ajo që
jemi... Vetëm përmes komunikimit jeta njerëzore mund të ketë kuptim."
(Nga:
Paulo Freire, Paulo Freire, Pedagogy of the Oppressed - Pedagogjia e të
shtypurve).
4.
Porse
përmasa migjeniane e Lulit të Vocërr kapërcen dimensionin epokal: “askush s'e
njeh Lulin”! dhe një Lul ndodh që përmes vuajtjes së tij, nesër të shndërrohet
në emër shkencëtari. Migjeni do ta ketë pasur parasysh gishtin e tij qortues:
hej, ju të shtetit, kujdesuni për të varfrit, që janë edhe gjeni të njerëzimit!
Ne
sot lexojmë se si fëmijët e biznesmenëve apo të politikanëve shkojnë në shkolla
të zgjedhura private, por askund nuk lexojmë se në ato shkolla dërgohen nxënës
të varfër e të talentuar. I dërgojnë edhe jashtë shtetit, por nuk lexojmë që
jashtë shtetit dërgohet nxënësi i talentuar, që vjen nga një familje e varfër.
Varfëria
qenka një mallkim për dijen!
Në
rrugë do ta dallojmë fëmijën me çanta të kushtueshme, por ndodh ta shohim edhe
fëmijën me qese najloni që i bart librat për në shkollë.
Do
ta vërejmë fëmijën me rroba e këpucë të kushtueshme, por edhe fëmijën me rroba
të lira pazari e me këpucë të shqyera.
Prandaj,
për hir të dijes, shkollimi, që nga fillorja e deri në mbarim të Universitetit,
duhet të jetë një arsim falas.
Socialiteti
i rëndë i Lulit migjenian na është shndërruar në kompleks nacional e në
fatalitet social. Ishte Migjeni ai që e quante lypësinë si gjymtim moral të
shoqërisë e jo si vlerë social-etike! Madje, kur ai reflektonte me pezëm për
kumbonaret e minaret që shpojnë qiellin, e dinte që as ato nuk e zgjidhin
problemin social.
Kur
i shpjegoja, këto, dikur gjatë viteve ’70, si pedagog në gjimnaz; realiteti
ishte i prekshëm edhe në kushtet e atëhershme social politike e nacionale:
Kosova ishte më e shtypura e më e varfra nën ish-Jugosllavi. Më e shfrytëzuara.
Dhe
sot, kur duam të rrënojmë gjithçka të arritur, e identifikojmë këtë kohë,
padrejtësisht, me atë të Lulit migjenian.
Por
Luli nuk ishte lypës, ai kishte ndërgjegjen e tij sociale.
Lypësia
nuk është as zakon e as shprehi jona kombëtare; ajo erdh me Perandorinë osmane,
me religjionin e saj e me komunitetet nomade...
Problematika
e socialitetit të rëndë që e preokupon sidomos rininë, sigurisht që përbën një
shqetësim të drejtë njerëzor. Dhe shoqëror. Moralisti i (vetë)proklamuar
(besimtar apo migjenian ateist) mund ta ushqejë me një darkë a drekë një
"të varfër", por kjo nuk është zgjidhja. Zgjidhjet nuk janë te një
mëshirë e çastit... Prandaj ato do kërkuar te zgjidhjet shoqërore, të
përbashkëta, shtetërore... Në Perëndim, bie fjala, nuk gjen lypës, (veprojnë
Caritas-et, që i ushqejnë të pastrehët apo të varfrit, por vepron edhe politika
sociale shtetërore që i zgjidh këto probleme)... Dhe ata mandej i strehojnë, i
integrojnë në shoqëri dhe u gjejnë punë... duke bërë dhe një milion zgjidhje të
tjera sociale në dobi të shtetit e kombit të tyre...
Sigurisht
që kombi ynë nuk është "në atë deregje" sa të mendojë vetëm për
barkun e jo edhe për bukën e shpirtit... Jemi komb që e kemi kapërcyer
realitetin e rëndë të mbijetesës (mbijetesa sociale është kategoria më e ulët e
socialitetit), përtej kësaj mbijetese të një realiteti banal social, krijohen
vlera të tjera, që e lartësojnë potencialin krijues të një kombi, apo
potencialet tjera të prirjeve (shkencore, arsimore, zhvillimore...
shtetërore)... dhe sa më shumë që zhvillohen këto prirje, sa më shumë që
harmonizohen mekanizmat shoqërore, kolektivë, organizativë etj, aq më mirë
zgjidhen edhe problemet sociale... gjithsesi, pa e harruar dhe EDUKIMIN qytetar,
solidarizues, njerëzor...