Kulturë
Fatmir Halimi: Shkrimtari që hapëron me kohën
E shtune, 16.10.2021, 05:53 PM
SHKRIMTARI QË HAPËRON ME KOHËN
Parathënie
për romanin “Etja për jetë” të autorit Murat V. Gashi, botuar këto ditë nga
shtëpia botuese ProkultPress, Prishtinë
Nga
Ma. Sc. Fatmir HALIMI
Shkrimtari Murat
V. Gashi, me romanin "Etja për jetë" hapëroi nëpër kohë, me
qëllim që të mbahet në mend kjo kohë e pandemisë, kjo jetë e vështirë, që e
përjetoi populli ynë. Ky vit që lamë pas, pra viti 2020 do të mbahet në mend
për shumë arsye, sepse kjo pandemi do të mbetet në kujtesën e njerëzimit, nga e
cila edhe do të nxjerrim mësim nga "pësimet", që të jemi më të
përgatitur në të ardhmen për ndonjë virus tjetër që mund të ndodh.
Në këtë kohë,
shkrimtari Murat V. Gashi e përjetoi pandeminë njësoi si çdo qytetar tjetër.
Prandaj autori i shtyrë nga rrethanat që u krijuan për qytetarët e Kosovës, pas
përhapjes së koronavirusit, ku u përballëm me një mori problemesh, jo vetëm me
kushtet e vështira ekonomike, por edhe me infektime e vdekje të shumta, e ndjeu
se edhe ai duhet të bënte diçka. Pas kësaj kohe njëvjeçare të pandemisë, Gashi
të gjitha këto reaksione i shprehë përmes letërsisë, konkretisht përmes romanit
"Etja për jetë", i cili e paraqet mjaft bukur gjendjen
shpirtërore, emocionale, por edhe rendin shoqëror.
Duke evokuar kohën
ende të pa perënduar, jo vetëm të Covidit-19, por edhe të gjendjes politike,
siç e quan ai, koha e virusit politik, Gashi rrëfimin e shkrimit të tij
na e mbush me plot dhembje, trishtim e makthe nga më të ndryshmet, të cilat i
paraqet përmes personazheve si: Agroni, Guri, Roni, Maki e të shumë të tjerëve
Shkrimtari Gashi
duke paraqitur idenë e afirmimit të shpresës mbi aktualitetin e kohës dhe duke
mbajtur qëndrimin pozitiv të zgjidhjeve të situatave, ai në letërsi sjell frymën
pozitiviste.
Gashi te romani
" Etja për jetë " tregoi talentin e vet artistik, njëkohësisht
edhe novativ. Në këtë vepër përveç ngjarjeve të përditshmërisë të mbushura me
plot dhimbje dhe makthe, autori sjell edhe përshkrime entuziaste të jetës gjatë
kohës së pandemisë. Libri është i mbushur edhe me plot meditacione mbi çështjet
etike, filozofike e psikologjike, si frika nga shkatërrimi i ekonomisë, frika
nga izolimi total dhe largimit të punëtorëve nga ndërmarrjet private.
Shkrimtari Gashi
përmes romanit "Etja për jetë " shfaq njëfarë ironie jo vetëm
ndaj qeverisjes së shtetit, por edhe ndaj vetvetes, që si qenie njerëzore nuk
mundi të bëj më shumë për popullatën në përgjithësi, që jeta e tyre të bëhej më
e lehtë gjatë kohës së pandemisë, e cila po vazhdon edhe sot, por vetëm ta
tregoi realitetin, e që fajtor kryesor për të gjitha këto është virusi
Covid-19.
Shkrimtari Gashi
tërë rrëfimin e tij për jetën tonë në kohë pandemie e lidhë me dy raste të
veçanta, ku rasti i parë përfundon tragjikisht, kurse rasti i dytë arrin t’i
shpëtoi karantinës. Rasti i parë ka të bëj me tragjedinë që ndodhi në konviktin
numër shtatë, kur një i ri, Roni, pas largimit nga karantina e Gjermanisë, u
kthye i sëmurë në Kosovë, jo nga kovidi, por nga sëmundja e mëlçisë. Ai menjëherë
sipas ligjeve në fuqi u dërgua në Qendrën e Studentëve, në Karantinë. Për
pasojë e karantinimit, Roni nuk mund ta përballojë padrejtësinë që i bëhet aty,
sepse ai dhe babai i tij Maki, mendonin që duhet të lirohet urgjentisht dhe të
shtrihej në spital për shërim, e jo të izolohet. Kjo padrejtësi ndikoi që ai të
hidhet nga kati i pestë i konvikteve dhe të vdes tragjikisht.
Kurse rasti i dytë
ka të bëj me një tjetër qytetar, Agronin, i cili pasi u kthye nga Stambolli i
Turqisë e futin edhe atë në karantinë.
Ky ishte më i shkathtë, sepse pasi që i bëri disa telefonata, lirohet në mes të
natës nga karantina, pra nga konviktet e studentëve. Këtu autori i qet në pah
padrejtësitë që bën shteti edhe me të izoluarit e karantinës.
Por Gashi nuk
kufizohet vetëm në këto dy ngjarjeje. Ai më tej shtroi edhe çështjen e
familjeve tjera që nuk iu përmbajtën masave mbrojtëse nga kovidi-19. Është
rasti i një familje në një qytet të
Kosovës, kur u infektua nëna dhe ajo vdes. Në këtë reaksion vajza dhe djali i
saj përpara policëve këmbëngulin që ta hapin sarkofagun. Policia nuk i lejon,
por që në fund e hapin sarkofagun. Reaksioni i infektimit iu revanshua dhe që
të dytë i infektoi. Vajza shpëton (shërohet) nga sëmundja, ndërsa djali 44
vjeçar vdes. Autori me këtë rast thotë: ai që nuk e respekton ligjin, ai edhe e
pëson...
Krejt në fund,
autori përmes romanit “Etja për jetë” na jep detaje të shumta për
jetën nëpër të cilën qytetarët kaluan një vit të vështirë pandemie. Ky roman
për lexuesit do të mbetët gjatë në kujtesën e tyre, sepse shkrimtari hapëroi me
kohën që e lamë pas, ndërsa për letërsinë shqipe do të mbetet një perlë, që do
të lexohet e rilexohet prapë.