Mendime
Enver Bytyçi: Një polemikë miqësore me talentin Adi Krasta!
E shtune, 11.09.2021, 03:29 PM
Një polemikë miqësore me talentin Adi Krasta!
Nga
Enver Bytyçi
Në
një koment relativisht të gjatë Adi Krasta ka trajtuar temën e bashkimit
kombëtar dhe nuk pajtohet me idenë e disa personazheve publike që Kosova të
shkojë drejt një statusi austriak në raport me Shqipërinë. E thënë ndryshe,
Krasta shfaqet tejet i shqetësuar për faktin se Shqipëria dhe Kosova po
largohen nga njëra-tjetrën dhe konkludon se Shqipëria e bashkuar është më e
fuqishme se dy vende të vogla.
Nisur
nga historia, nga padrejtësia që iu bë Shqipërisë së vitit 1912-1913, nga
përjetimet tragjike gati 100 vjeçare të ndarjes së kombit, nisur gjithashtu nga
kultura dhe gjuha e përbashkët, por edhe nga interesat shqiptare, bashkimi i
trojeve shqiptare do ta fuqizonte një Shqipëri reale në kufijtë etnikë të saj.
Kjo nuk ha diskutim.
Megjithatë
në këtë diskurs më lindin disa paradigma:
Si
do bashkohemi, kur do të bashkohemi dhe kush do të bashkohet? Janë tri pyetje
që duan përgjigje sa më të qartë e sa më të thjeshtë. A na bashkojnë ato
komitetet që rekomandon Krasta? Për mua është e dyshimtë! Idealisht po.
Praktikisht nuk e di nëse funksionojnë mekanizma të tillë. Por le t'i kthehemi
pyetjeve të para. Kush do të bashkohet? Vetëm Kosova e Shqipëria? Po shqiptarët
e Maqedonisë së Veriut në një numër rreth milionit? Po Lugina e Preshevës dhe
shqiptarët e Malit të Zi? Që të ndodhë kjo duhet të zhbëhet shteti i Maqedonisë
dhe Malit të Zi, ndërkaq të dyja këto shtete edhe kështu si janë konsiderohen
të brishta.
Po
Kosova kur mund të bashkohet me Shqipërinë? Kushtetuta dhe plani i Ahtisaarit e
ndalojnë bashkimin e saj me ndonjë shtet tjetër, edhe me Shqipërinë, edhe me
Serbinë ose Maqedoninë e Veriut. Por le të mendojmë se kushtetutën mund ta ndryshojmë.
E drejta ndërkombëtare parashikon që kur një rajon nën sovranitetin e një
shteti shkëputet nga ai shtet dhe dëshiron të bashkohet me një shtet tjetër,
atëherë duhet dakordësia e shtetit nga i cili rajoni në fjalë shkëputet. Pra
Kosova që të bashkohet me Shqipërinë, sa kohë ajo nuk është anëtare e OKB-së,
do të duhet të marrë leje në Beograd. Beogradi është i gatshëm ta lejojë
Kosovën t'i bashkohet Shqipërisë, por vetëm me kushtet e veta. Ndarja, pra
gërshëra, është e vetmja alternativë. Qoftë dhe thjesht për këtë arsye, Kosova
duhet të realizohet si shtet dhe deri në atë moment askush nuk duhet të flasë
për bashkime. Sepse retorika e bashkimit përdoret si armë nga ana e Serbisë për
mos njohjen e Kosovës. "Hë, si do ta njihni ju një shtet, i cili nuk do të
ekzistojë, sepse kërkon bashkimin me Shqipërinë"? Kjo është pyetja që do
të shtrojë Serbia nëse në Kosovë e në Shqipëri ndizen motorët e bashkimit.
Por
ka dhe shumë anë të tjera që duhen parashikuar. A mundet dikush të bashkohet me
vëllain e madh, nëse vëllai i tij jep urdhëra për vëllain e vogël edhe në
kushtet kur ata janë të ndarë?! Sigurisht që jo, edhe pse vëllezër të një nëne!
Paternalizmi i Shqipërisë ndaj Kosovës nuk duket vetëm në arrogancën e sjelljes
së Edi Ramës ndaj saj. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë sillen me
shqiptarët e Kosovës njësoj si kryeministri i tyre: Me arrogancë, mospërfillje
e madje me përbuzje. Por bashkimi është ndjesi, nuk është thjesht çeshtje e një
gjuhe të unifikuar. Sepse të unifikuar e kanë gjuhën e tyre edhe Austria e
Gjermania, madje aq shumë shtete arabe. Por kanë krijuar shtete më vete. Pra,
vetëm gjuha nuk i bën kombet kombe, aq më tepër kur njëra pjesë e kombit tall
gjuhën e pjesës tjetër të kombit!
Kësisoj
duhen gjithashtu aksesorë të tjerë të domozdoshëm për bashkimin. Një ndër to
është ndjesia. Si ndjehen njerëzit në Kosovë në raport me ne shqiptarët e
Shqipërisë? Po t'i intervistosh në medie duket sikur askush nuk është kundër
bashkimit. Po të flasësh me ta në dhjetë minutat e para të shfaqin euforinë për
bashkim dhe më pas me orë të shprehin njëmijë shqetësime që shkojnë kundër
bashkimit! Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë kur flasin për bashkimin me Kosovën,
shfaqin një konotacion të kuptimit të kolonizimit të saj. Krasta shkkruan se
"nocioni kokëfortë e rezistent i kombit të bashkuar po vihet në rrezik nga
të paret e fshatrave respektive të cilët e kanë më të thjeshtë të këndojnë në
majë të plehut të tyre…" Në fakt duhet qëmtuar fakti se në këtë rezistencë
të artikuluar kësisoj nga Adi gjendet një e fshehtë tjetër: - Ikja nga
diskriminimi! Ruajtja e lirisë për të cilën shqiptarët në Kosovë kanë
sakrifikuar me breza. Ndërkohë që ne në Shqipëri parapëlqejmë ende sot
diktaturën dhe tradhtitë, fodullëkun dhe arrogancën. Sigurisht jo të gjithë e
aq më pak Krasta. Por fenomeni i përkrahjes së krimit të shëmtuar, të shartuar
me arrogancën e pushtetit, është i përhapur në Shqipëri. Kosova nuk dëshiron të
bëhet pjesë e kësaj udhe!
Në
këtë moment bashkimi si koncept e si mendim politik e filozofik shkatërrohet,
asgjësohet. Nuk ka bashkim në një sfond përpjekjesh për linçim, diskriminim dhe
lëçitje! Paternalizmi shumë shpejt mund të kthehet në sundim të tipit kolonial.
Por një vend si Kosova, e cila ka përjetuar për 90 vite kolonializmin serb, nuk
mund të pranojë një kolonizim tjetër, qoftë ky edhe i Sqhipërisë. A mund të
ndodhë ky lloj kolonializmi?! Mendoj se jo. Por pleqtë thonin "Ulu në
gjunjë se nuk të hanë qentë! Po kush beson se qentë nuk të hanë po u ule në
gjunjë"?! Edhe qytetarët e Kosovës kur shohin retorikën paternaliste si
diktat të politikës së Shqipërisë, do të duan të qëndrojnë larg këtij diktati.
Nuk mund të bashkohen ata si skllevër, siç i trajton prej tetë vitesh Edi Rama,
duke ua vënë edhe një kufi të dytë në Kalimash. Nuk mundet të flitet mirë për
Kosovën vetëm në sezonin turistik, për të shfrytëzuar sentimentin e tyre
patriotik për të pasuruar hajdutët e shtetit shqiptar!
Bashkimin
e realizojnë doktrinat, filozofitë e sjelljes, afrimitetet shpirtërore që vijnë
edhe nga afrimitetet politike, sociale e kështu me radhë. Ndërkaq vendin e
kësaj filozofie e ka zënë filozofia e përçarjes së faktorit politik, por edhe
të qytetarëve në Kosovë! Qeveria shqiptare nuk ka kohë për t'u afruar
politikisht e shpirtërisht me Kosovën, sepse është e zënë me miqësitë serbe. Të
dyja këto, së paku në të njëjtën kohë kur Serbia nuk e njeh dhe nuk e respekton
vullnetin e Kosovës për pavarësi, nuk mund të bëhen. Pra, duhet, madje duhej
gjetur rruga e bashkimit, të cilën ne e kemi edhe si shans. Duhet përcaktuar
edhe kur mund të bashkohemi! Sigurisht që kjo mundësi teorike është pasi Kosova
të bëhet shtet i njohur ndërkombëtarisht. Dhe shtyrja e shtetësisë së Kosovës
konsideroj se bëhet për këtë shkak, që të harrohet bashkimi i saj me
Shqipërinë.
Sa
më shumë kohë të kalojë, aq më shumë do të ngjizet ideja e paralelizmit me
Austrinë dhe Gjermaninë, të cilën Krasta e kritikon, por nuk mund ta shmangë.
Dhe për në fund: Në këto dilema hamletiane unë do të zgjidhja më mirë
ekzistencën e dy shteteve në një konkurencë të shëndetshme, sesa një bashkim me
ndarje territoresh apo me mentalitetin egoist të epërsisë së njërës palë ndaj
palës tjetër!