Mendime
Eshref Ymeri: Në vijim të shqetësimeve të intelektualit Gjokë Dabaj
E marte, 07.09.2021, 05:38 PM
Në vijim të shqetësimeve të intelektualit Gjokë Dabaj
I
dashur Gjokë, intelektual i njohur nacionalist,
Ju
kuptoj shumë mirë dhe jam shumë i prekur për të gjitha ato që shkruani në esenë
tuaj me titull “Ngjarjet
në Cetinjë”, të botuar dje në Portalin “Fjala e Lirë”. Për fatkeqësinë tonë të rëndë
kombëtare, shqiptarët, si pasardhës të Pellazgoilirisë, tradicionalisht kanë
qenë dhe vazhdojnë të jenë varrmihës të vetvetes. Ju e dini shumë mirë, ore
intelektual i nderuar, se etnia, kombi, është si puna e familjes: kur anëtarët
e familjes e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, ajo familje është e
shëndetshme dhe trashëgimia e saj e nderuar do të vazhdojë me breza gjatë
shekujve. Por kur anëtarët e asaj familjeje nuk e duan, nuk e respektojnë njëri
tjetrin, madje, aq më keq, kur e urrejnë njëri-tjetrin, ajo familje do të
shkojë drejt shpërbërjes dhe zhdukjes përfundimtare. Siç e dini shumë mirë,
tokat e Ilirisë shtriheshin nga Pelopenezi deri në Danub. Në Gadishullin e
Ilirisë, ilirët ishin pasardhës të pellazgëve. Për shqiptarët, si pasardhës të
pellazgëve, në një burim të rëndësishëm shkencor, thuhet:
“Stërgjyshët e shqiptarëve të
sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe
të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e
duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (Citohet
sipas: “Enciklopedia e Madhe Greke”. vëll. 19, f. 873).
Pra, Enciklopedia e Madhe Greke përmend një periudhë
qytetërimi pellazgjik, kur paraardhësit e Perëndimit të sotëm evropian
flinin majë pemëve, kurse paraardhësit e
serbosllavizmit të ditëve tona flinin nëpër shpellat e maleve uraliane
Ju shqetësoheni me shumë të drejtë se kombit tonë i
mungon një institucion i vetëm shpirtëror, si kudhër e kalitjes së vetëdijes
kombëtare. Për fat të keq, iliroshqiptarët kanë qenë të paaftë për ta ngritur
një institución shpirtëror mbarëkombëtar. Ata, pas Ediktit të Milanos të
Perandorit Konstantin të vitit 313, të parët në Gadishullin e Ilirisë, përqafuan
katolicizmin. Por, katër shekuj më vonë, nuk qenë të zotë të mbronin objektet e
kultit të fesë katolike që patën ngritur në Dardani, duke lejuar që ato t’ua
rrëmbenin tributë sllave që kaluan Danubin dhe u dyndën drejt tokave të Ilirisë dhe t’i shndërronin
në objekte kulti të fesë ortodokse. Ky ishte rezultati tragjik i përçarjes
ndëriliriane. Domosdo, se principatat iliriane, në vend që të mbronin tokat e
veta, i hanin kokat njëra-tjetrës. Paskëtaj një pjesë e popullsisë
iliroshqiptare përqafoi ordodoksinë dhe tokat tona, si toka pa zot, u
shndërruan në fushëbeteja mes mbretërve të bizantit dhe të mbretërisë bullgare.
Pra, i nderuar Gjokë, deri në pushtimin otoman, iliroshqiptarët as që e kishin
menduar e le më ta kishin krijuar institucionin e vet shpirtëror. Pas pushtimit
otoman, për fatkeqësinë tonë edhe më të rëndë kombëtare, shqiptarët, në
shumicën dërrmuese, përqafuan fenë e errësirës otomane dhe, me kalimin e shekujve, “ajkat” e tyre intelektuale u
vunë kokë e këmbë në shërbim të asaj errësire. Ju i keni lexuar me siguri
kujtimet në dy vëllime të Eqrem bej Vlorës, i cili rrëfen se kishte udhëtuar në
të gjitha hapësirat e perandorisë otomane dhe kudo ku kishte shkelur, në krye
të çdo institucioni kishte vënë re vetëm shqiptarë, madje edhe rojat e atyre
institucioneve ishin shqiptarë.
Pra, me përqafimin e fesë së errësirës otomane,
shqiptarët e vërtetuan në praktikë se nuk kishin nevojë fare për krijimin e
institucionit shpirtëror, siç e kishin popujt e Perëndimit evropian dhe popujt
e Lindjes evropiane. Të parët, si kudhër të institucionit shpirtëror, të
kalitjes së vetëdijes kombëtare dhe të krijimit të qytetërimit perëndimor,
kishin katolicizmin, kurse të dytët kishin ortodoksinë. Ndërsa etnia shqiptare,
si kudhër të tillë, sipas thirrjes së Vaso Pashës që nga Libani, “duhej të kishte”
shqiptarinë, sepse feja e shqiptarit, sipas tij, na qenkej shqiptaria. Po ku
ishte ajo shqiptaria, pse nuk e krijoi dot institucionin shpirtëror të
shqiptarëve, të cilët ishin, mbetën dhe vazhdojnë të jenë të përçarë dhe të
shpërndarë kashtë e koqe nëpër fe të ndryshme? Vallë të mos e kuptonte pashai i
Libanit se përçarja në fe të ndryshme nuk mund ta krijonte dot një institucion
shpirtëror mbarëshqiptar? Madje jo vetëm që s’e kuptonte, por edhe habitej kur
shkruante në kryeveprën e tij poetike “O moj Shqypni”:
Shqyptar’, me vllazën
jeni tuj u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni: jam “turk”, tjetri: “latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Me sa duket, shqiptarët,
nga pararendësit e tyre të kahershëm, kanë pasë trashëguar paganizmin, i cili
nuk mund të shërbente kurrsesi si kudhër për krijimin e insitucionit shpirtëror mbarëkombëtar, çka
është dhe mbetet themeli i çimentimit të vetëdijes kombëtare. Shikoni
shqiptarët e Dardanisë se sa të përçarë janë: opozita dhe përkrahësit e saj
sulmojnë qeverinë Kurti dhe mbështesin vijën politike tradicionale të
HashimThaçit dhe të Kadri Veselit, të cilët interesat e Dardanisë i patën
nxjerrë në bregun e pazarit serb. Shikoni shqiptarët e atdheut amë, të cilët
manifestuan modelin e përçarjes tragjike në qëndrimin ndaj ftesës së Ramës për
këngëtarin shovinist Goran Bregoviç. Disa protestuan, disa e përkrahën, në vend
që, të gjithë, si një zë i vetëm, të mos lejonin ardhjen e tij në Korçë dhe t’i
jepnin Ramës leksionin që meritonte. Shikoni qendrën e Tiranës, ku ngrihet
kalaja e Janullatosit. Qytetari me vetëdije kombëtare, kur kalon para hyrjes së saj, i duket sikur ndodhet në
Athinë, se në mjediset e saj gjithandej mbretëron simbolika greke. Shikoni
mjedisin pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku ngrihen katër minaret e xhamisë
gjigante. Qytetari me vetëdije kombëtare, kur kalon pranë atyre minareve, i
duket sikur ndodhet në Arabinë Saudite. Këto gjëra janë pasoja të qëndrimit të
kastës drejtuese në Shqipëri, e cila, si servile e pështirë e të huajve, është
zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar.
Ju uroj shëndet, mbarësi
dhe suksese në eseistikën tuaj nacionaliste.
Eshref Ymeri
San Diego, Kaliforni