Mendime
Meti Rexhepi: Për cilësi arsimore
E merkure, 01.09.2021, 07:16 PM
PËR CILËSI ARSIMORE
Nga
Mehmetali Rexhepi
Të
dashur nxënës, të çmuar edukatorë!
Një
shtatori i sotëm duhej t`i printe kumbimit të klasave me zëra rinorë e
fëmijërorë dy shtatorit të nesërm magjik:hapja e portave dhe dyerve në klasa të
shkollave nëntë vjeçare, të mesmeve të larta, profesionale dhe të gjimnazeve...
Mirëpo, kjo pandemi e mallkuar e virusit delta e shthuri rendin
mësimor-shkollor?... Tërheqja nga rendi i organizimit mësimor është i
pafalshëm!... Është e dhimbshme kur zërat fëmijërorë e rinorë, që gjallërojnë
dhe zbukurojnë fshatrat dhe qytetet të heshtin të çorganizuar?!...
Megjithatë,
në këtë përballje dëshmohet gjallëria jonë shtet-ndërtuese... Andaj, uroj për
mbarëvajtjen e mësimit në të gjitha nivelet! Në qoftë se arsimimi dhe edukimi
njerëzor e kombëtar, dituria dhe shkenca janë themeli i fortë dhe i paluajtshëm
i çdo kombi, pse mos të jetë edhe për ne, shqiptarët e shumëvuajtur, të
robëruar, të shtypur e të copëtuar, të paragjykuar e të mallkuar, të ndarë e të
përçarë?!... Le të jenë arsimi, dituria caqet tona parësore për zënie ritmesh,
sikurse të përparuarit, për rritje të vullnetit për dijen, për shkencën, për
kritere të cilësisë, për profesionalizëm, për motivimin e leximit, për të
mësuarit kritik... Vetëm mbi këto pikë-qëllime do të jemi krahas popujve dhe
organizimeve shtetërore të qëndrueshme. Ndryshe, jashtë këtyre mësymjesh do të
na rikthehet robëria, vartësia dhe humbja e identitetit e të shtet-ndërtimit të
brishtë...
Nuk
do të na falet mundësia e dhënë pas dy shekujsh për shtet-bërje! Tashmë ngecjet
në nivelin tonë arsimor janë të padurueshme dhe të pafalshme! Politikat
qeveritare në Kosovë përkitazi arsimit, pothuajse, kanë dështuar! Nuk mund të
pohojmë se nuk është bërë asgjë, për sa u përket objekteve shkollore... Janë
ndërtuar shkolla të reja, por pa pajisje të mjaftueshme për zbatimin e mësimit
praktik, shndërrimit të teorisë në funksion të zbatueshëm për prodhimin dhe
riciklimin e prodhimit, për forcimin e kuadrit profesionist, konkurrues për
ekonominë e teknologjinë e tregut. Kthesa për motivimin e shkollës e të
shkollimit te ne, është domosdoja jonë e sotme dhe e nesërme e të gjitha
strukturave arsimore, politike, qeveritare dhe mbarë kombëtare. Nesër mund të
bëhet vonë!
Si
ish kuadër arsimor, shtatori më sjell frymëzime dhe motivime për rikthimin te
veprimtaria e magjishme e profesionit tim jetësor! Natyrisht mosha sjell doza
të mallëngjimit...
Nxënës,
prindër, mësimdhënës e drejtues shkollash: qofshi të bekuar!