Editorial
Xhemal Ahmeti: Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit
E enjte, 19.08.2021, 07:44 PM
Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit
Nga
Xhemal Ahmeti
Kur
kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur për të të vdekurit nga pandemia
të jetë koha e duhur. Kosova është në majë ë listës së vendeve në gjendjen më
të rëndë. Kur kritikon se avokatët e kësaj qeverie janë qesharak, debilë,
klounë, janë fabrika e zhgënjimit të masave me qeverinë e re, të thonë?: ti përherë ke qenë kritik ndaj tij. A ka ndonjë kritikë
diku që mund të ishte e arsyeshme, e drejtë për «xhematin» e tij? A ka ndonjë
kritikë që mund të bazohet në tashmëri e jo në histori – saherë hap gojën të
thonë: po qeveria tjetër!Po cili qenka interesi i një analizuesi të shtrirë
kanapéve helvetikase ta urrej një primat ballkanik? Ndoshta interesi që vendi i
atij primati t’ia dalë?
I.
Edhe
zhgënjimi ka anën e mirë. Max Planck thoshte se kur zhgënjimi është i plotë dhe
definitiv është një hap përpara. Për dikë është ecjepara e për dikë jo: për të
zhgënjyerin është çlirim, mësim, përvojë dhe kthellje për udhë tjera, për shkaktuesin
e zhgënjimit mirëpo është demaskim, tkurrje audience dhe ngarendje drejt
gropës, dështimit. Autoriteti i bazuar në premtime boshe përfundon rëndom
kështu. Ngjitet në majë të Olimpit për tu rrokullisur pastaj si topi këmbëve të
Messit drejt humbjes së lojës, drejt portës tënde. Kështu sepse siç e definoi
me të drejtë filozofi francez Bertrand de Jouvenel, kur potencoi, ai,
autoriteti të vlejë vetëm si talent për të fituar tjerët, por assesi për më
shumë. Edhe proletovjershëtarit të rrasur në demagogjitë e kominternave Bertolt
Brecht i shpëtoi dhe rrëshqiti njëherë nga lapsi fjalia: «E vërteta është
fëmija e epokës e jo autoriteti». E vërteta? Jo ajo e kuantofizicientit Planck,
e cila nuk triumfon kurrë, por ajo tjetra, shumë më e thjeshta?dhe që të vdekshmit e zonave përtejintelektuale e kanë një
definicion të vetin për të, i cili matematikisht mund të formulohet kështu:
premtove kështu – veprove ashtu – na rrejte! Për çka? Pas kësaj polemike
qytetari kupton mashtrimin, zhgënjehet, vulos primatët si demagogë, populistë
dhe të paaftë [në kushtet shqiptare edhe më rëndë] dhe nis të kërkojë strehën
politike të radhës.
II.
A
jam duke ia adresuar përshkrimin lartë Albin Kurtit, pa e përmendur – ende –
fare. Më shumë përshkrimi vjen i nxitur nga miq të zhgënjyer me të, të atillë
që kanë përkrahur zjarrshëm ardhjen e LVV-së në pushtet. Është diagnozë e
mesazheve, komunikimit të tyre me mua. Për çdo ditë numri i këtyre rritet.
Tkurret numri i atyre që bëjnë avokatinë rrjetit e mediave, sepse dalin qesharak,
banal. Dalin klounë ngase tentojnë ta ridefinojnë nepotizmin për ta arsyetuar
të vetin; kamuflojnë rritje ekonomike me krahasime infantile: natyrisht se
rritet ekonomia, gjersa në vitin paraprak në krahasim e sipër ishte e mbyllur
fare nga pandemia; natyrisht se delta acaroi situatën e pandemisë, por jo edhe
tek të vaksinuarit; po ç’u bë me reformat në arsim, gjyqësi, shëndetësi? Ende
herët?? Po një pushtet nuk bën reforma dot pa i nisur
ato ndonjëherë. Edhe më dramatikja: i gjithë aparati qeveritar, në kohën kur
pandemia fshinë dhjetëra njerëz në ditë, bënë dasma elektorale për primatë
katundesh e komunash, sikur jeta e qytetarëve të ishte mish për revolucionin në
zhvillim e sipër. Cilin revolucion, kur as rokada nuk ndodh?
III.
Paçka
se Kurti më duket mua fantastik se si sillet në diplomaci, brenda mirëpo ai
është menaxheri – deri tani – më dështak i mundshëm. Kryeministri më pa
autoritet që ka pasur ndonjëherë Kosova. Ose njeriu pa fije autoriteti brenda
qeverisë së tij e jashtë me aurën e Mesias. Betrand Russell [këtë duhet lexuar
më shumë se një rresht] shkruan: «Ai që vërtet ka autoritet nuk i vjen turp të
pranojë gabimet». Kush nuk pranon gabime manifeston mungesën, mosveprimin e
tij. Po a gabon Mesia e njerëzit e tij?
Mediat
nuk mund t’i zmadhojnë numrat e të vdekurve; mediat dhe konkurrenca nuk t’i
shtyn ministrat t’i lënë punët anash dhe të bëjnë kampanja për paraprimatë
mediokër si Bahtiri dhe plotë tjerë si ai. Nuk mundet një qeveri të pranojë si
kritikë të vetme bindjet e atyre që i ka ndërsyer vetë mediave e rrjetit me
pare apo me trushpërlarje. Ngase mendimet e tyre nuk janë bindje, por elozhe të
detyruara, të cilat nuk vlejnë as pesë pare për të analizuar veten. A analizon
veten, veprimet e saja kjo qeveri? A ulet ndonjëherë Albin Kurti me veten dhe
të krahasojë listën e premtimeve me ato që mundet apo s’mundet t’i bëjë, ngase
pa qenë në Qeveri nuk e dinte se sa të komplikuara janë?
IV.
Po
vazhdoj kjo sjellje, LVV dhe Kurti nuk do jenë – ashtu siç shpresohet ende –
porta nëpërmjet së cilës Kosova do të kalojë në një demokraci më kualitative
dhe në një shtet më ligjor, por përkundrazi: do ta rikthejë sistemin politik
kosovar në zero. Albin Kurti dhe kjo qeveri duhet ta kuptojnë se nuk e kanë
përgjegjësinë e njëjtë si qeveritë para tij. Jo se ky është Supermen e tjerët
jo, por se ky ka fituar zgjedhjet duke premtuar gjëra tjera, ndryshe nga ata që
bënin parapraket, premtime që deri tani nuk u del zot, përkundrazi vazhdon
teatri ku vetëm figurinat janë ndryshe. Ndryshe dhe shumë më të paafta se parapraket,
në çdo drejtim. Nëse nuk e ka ditur se Kosova nuk ec dot pa amerikanët dhe
tjerët – le ta thotë. Nëse është peng i religjiofanatikëve, injorantëve dhe s’
ka personel – le ta thotë. Nëse ka menduar se mund të qeveris, por qenka punë
shumë e zorshme – le ta thotë. Kështu do të shpëtonte si njeri më mirë se sa të
gënjejë për t’i mbrojtur kastat e veta të paafta, duke hyrë në histori jo si
Mesia por si njëri nga ata të anës së kundërt që tentonin t’i pushtojnë masat
me magjinë e zezë dhe turmat i dogjën duke u bërë vetë drunjtë e zjarrit.
V.
Qeveria
Kurti shpëton nëse ndërron këtë kurs. Nëse së paku i përmbush premtimet rreth
shtetit ligjor, luftimit të nepotizmit, korrupsionit dhe reformave në arsim dhe shëndetësi. Ajo
mund të dalë e suksesshme nëse bazohet në fuqitë e brendshme të saja dhe mbush
administratën me njerëz të aftë e jo me proletarë të të gjitha kombeve vetëm
pse janë ithtarë të devotshëm të kultit të tij. Ajo do të përfundojë edhe më
keq se gjitha tjerat nëse vazhdon që edhe në raste morti, drame e tragjedish
t’ua fyejë inteligjencën qytetarëve me «pozharë» mediave, ministra e ministre
mediokër/e dhe zombi agresiv rrjetit, që ulurijnë për sisteme pa media dhe
regjime si ai në Kabul.
Vizitoni:
https://xhemal-ahmeti.eu/