Editorial
Vangjush Saro: Një bord më shumë s'e shpëton arsimin
E premte, 23.07.2021, 10:04 PM
NJË BORD MË SHUMË S’E SHPËTON ARSIMIN
Nga
Vangjush Saro
Jo
më larg se dje, pashë diku këtë fjali: “Zgjidhet Bordi i Akreditimit i
Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.” Duke e lëçitur lajmin e
plotë me kureshtje, mësova se “ngjarja” në fjalë, është bërë me dije nga vetë
Kryeministri, z. Edi Rama, që ashtu si paraardhësit e tij, ashtu si gjithë
kolegët e tij në këto dy (tash tre) mandate, kanë bërë pareshtur vetëm
lajmërime dhe show…
Megjithatë,
duke u përpjekur shumë për të mos e paragjykuar fjalinë dhe titullin e
mësipërm, atë të lumë bord gjithashtu - sado që shumë i gjatë emërtimi dhe disi
i sajuar “institucioni” - po shpreh disa mendime rreth aventurave shqiptare në
fushën e Arsimit, duke u fokusuar në atë që njoh më mirë: në abc-në e tij dhe
në mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
E
di që nuk është vendi për eksklamacione, por (O Zot!) sa të tilla komisione,
borde, anekse, institucione të sajuara, janë lajmëruar në këto tri dekada! Dhe
deri më tash, rezultatet nuk janë aq inkurajuese. Në këtë sens, edhe “Bordi i
Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” më duket
një sajesë. Vetiu lindin disa pyetje. Nuk ka pasur deri tani një institucion që
të merrej me… arsimin e lartë? Si ka bërë ai vend gjer më tash pa një “bord të
tillë”? Nëse ai (bordi) duhej, përse paskemi pritur jo pak, por tri dekada?
Nuk
dua t’i mëshoj pesimizmit, por mendoj se as Arsimin Shqiptar, as vetë
Shqipërinë, nuk e shpëton dot një bord më shumë. Problemi ynë është më i madh
se sa “Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e
Lartë”. (Duhet pak durim për ta emërtuar.) Problemi ynë vërtet ka lidhje me
arsimin e lartë, por mendoj se nuk jemi në rrugën e duhur duke shtuar
institucione, duke shkatërruar financat e shtetit; (sepse kjo ndodh në të
gjitha fushat dhe sektorët). Mendoj se shpresat duhen varur më së pari te
emancipimi i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare, te puna e përditshme e të
gjithëve, te kthimi në thjeshtësinë e jetës dhe të arsimimit e, para së
gjithash, te besueshmëria e procesit, nga kopështi, në shkollën fillore, në atë
tetëvjeçare e deri te shkolla e lartë.
Janë
dhjetra arsyet pse na bie koka në një temë të tillë. Po përmend vetëm një:
përfytyroni një shkollë me një oborr që është dhjetë a pesëmbëdhjetë metra
katrore, ku parkohen makinat e personelit, ndërkohë që në të gjitha anët e
mundshme ngrihen pallate, kulla dhe… shikohet edhe pak qiell. Çfarë mund të
presësh nga një shkollë e tillë, me kaq pak tokë, pasuri e hapësirë?! Arsyet e
tjera janë edhe më kundërshtuese. Por ani, është vërtet një vodevil e mbi të
gjitha arsyet e tjera, kjo puna e shumimit të institucioneve; “për hir të
arsimit”. Pasi për vite me radhë, ua kemi bërë çorbë mendjen dhe programet,
tani fillojmë e ankohemi që… nuk punohet mirë, që na mungon diçka, që faji
është atje e më tej; prandaj të bëjmë një bord tjetër, të shtojmë pak zhurmën,
që më vonë të na bien veshët në qetësi.
Nuk
ka se si të përparojë e të stabilizohet - së paku në fushat kryesore - një vend
ku orë e çast ngrihen borde, ndërrohen kurrikula, sajohen grupe gjithfarë për
të gjetur… gjilpërën në kashtë. Kjo histeri institucionesh-kërpudhë të
administratës shqiptare, kjo mani për të sjellë vazhdimisht anekse, zyra,
metoda, terma, shpikje, etj., është e hershme (që në kohërat e Socializmit);
por sot është bërë barrë për shoqërinë shqiptare; për nga bullizmi që
praktikohet dhe për nga fondet që shpërdorohen.
Përpara
disa viteve, gjithçka përcillej me pretekstin e ndryshimit dhe të krijimit të
“kurrikulës”; (term më qesharak nuk bëhet). Dhe u ngritën disa
institucione-shtesë që përgatisnin tezat, provimet, që merreshin me tekstet,
por që dështuan dhe kjo nuk ka nevojë për shumë komente; mjaft të shohim
nivelin e mediave dhe disa pista të tjera ku tregohet në mënyrën më të
mjerueshme prapambetja: në të folur, në të shkruar dhe… në të menduar. E tash,
vazhdon loja: termat, institucionet, bordet, kulisat, shtohen pareshtur,
përzihen ato e bëhet një përshesh me gjithfarë fjalësh, përvojash, sugjerimesh…
nga e tërë bota; vetëm asish nga Shqipëri nuk ka. Mjerim!
Shpesh
bullizmi vjen nga lart; ata që drejtojnë, kujdesen shumë për fasadën. (Ju
kujtohet lyerja e fasadave të Tiranës, e cila sot është betonizuar dhe vazhdon
të betonizohet orë e çast?) Por me raste, propozimet dhe rrëmeti vijnë edhe nga
“poshtë”: një pjesë e specialistëve, grafomanëve dhe profanëve të arsimit bëjnë
vazhdimisht presion për fonde e “ndryshime”; janë pikërisht ata që hartojnë
politikat e “mëdha”, që inspirojnë e mbushin mediet me gjithfarë broçkullash,
që hartojnë tekstet e shkollës në një mjerim gjuhësor e logjik ekstrem, që
lëvrijnë tenderat e botimet sipas njëmijë e një prapësive e interesave, që
japin çmimet dhe përcaktojnë kush do të fitojë në aksh konkurs a projekt, etj.
Në
tekstet shkollore dhe në Arsim përgjithësisht - u bënë tre dekada me këtë
histori të turpshme - është hile mungesa e pavarësisë së shkollës; është fakt
pandjeshmëria ndaj kërkesës për një të mësuar real e frytdhënës; është lemeri
nëpërkëmbja e gjuhës shqipe dhe letërsisë së mirë. Këto janë të vërteta që të
trishtojnë. Për vite me radhë, vihen në dukje gafat dhe marrëzitë në tekste
shkollore dhe, po ashtu, mangësitë në sjelljen me mësuesit e pedagogët,
(ndërkohë që edhe këta duhet të rishohin pozitën dhe përgjegjësitë e tyre). Por
askush nuk përgjigjet për këto gjëra të thjeshta; veç është gjithnjë në rendin
e ditës këmbëngulja për të shtuar diçka në hallkat e rënda të programeve dhe
ngarkesës mësimore, gjithaq për të sajuar borde; një sjellje harbutërie e
padurueshme.
Fusha
mbetet mjaft e favorshme për fitime, për demagogji dhe halabakëri të tjera të
llojit të Tranzicionit; kështu që kemi ende shumë për të folur e për të
shkruar. Siç kam shkruar (me dëshpërim) edhe më parë, “lufta” me emfazën dhe me
profanët do të vazhdojë gjatë. E përsëris… një bord më shumë nuk e shpëton as
Arsimin, as Shqipërinë. Duhet të rikthehet më së pari institucioni i besimit
dhe i qytetarisë. Mbase një brez tjetër do ta bëjë këtë, duke e nxjerrë vendin
prej pavionit të infektuar nga politikëqeverisja e pahir e Tranzicionit, proces
qesharak që shtyhet e shtyhet në përshtatje me situatat dhe interesat e
pushteteve, ku ushqehen pareshtur drejtues e ndjekës të verbër nga çdo parti e
klan.