Speciale
Saimir Lolja: Trimëreshat suliote
E diele, 04.07.2021, 08:42 PM
TRIMËRESHAT SULIOTE
NGA SAIMIR
LOLJA
Guximi i jashtëzakonshëm
i grave shqiptare ka qenë shfaqur vazhdimisht në historinë e vendit, por një
nga shembujt më të shquar ishte ai u bë i njohur për një degë të popullit
Shqiptar të përfaqësuar prej Suliotëve, kur ato u rrethuan prej Ali Pashës më
1792. Suliotët formonin një bashkim gjysmë të pavarur që përmblidhte 66
fshatra, të cilët i përkisnin rrethinave të Margaritit, Paramithisë dhe
Janinës. Deri në kohën e Ali Pashës, ata ishin krenarë për rregullsinë e
pagesave të detyrimeve që i bënin Portës. Por kurthet e mashtruesit plak Ali, i
cili dëshironte t'i kishte të gjithë kalorësit e Sulit dhe të ardhurat e tyre
në duart e tij të pangopura, shpejt shkaktuan kryengritjen e popullit. Dhe
kështu suliotët nisën luftën e tyre të gjatë dhe të lavdishme kundër fuqive
shumë herë më të mëdha të Pashait të famshëm.
Me anë të lojërave të
dyfishta, i të cilave ai ishte një mjeshtër i përsosur, Pashai lidhi fillimisht
në fuqinë e tij Xhavellën, një nga kryetarët e Suliotëve, dhe pastaj rrethoi
Sulin. Kështu, ai u përpoq që me ryshfete ta bindte Xhavellën të tradhtonte
Sulin. Këtu mashtrimi u çiftëzua: Sulioti i zgjuar u duk se pranonte t'i bindej
Pashait dhe bile la djalin e tij, Foto, në duart e Ali Pashës si peng. Ai u nis
për në Sul në dukje se po e tradhtonte atë, por pa arritur akoma atje ai i
dërgoi një letër kundërshtimi Pashait.
Atëherë, Aliu sulmoi
Sulin dhe ishte pikërisht këtu që heroizmi i grave Shqiptare u bë kaq i
dukshëm. Mosko, gruaja e Xhavellës dhe e ëma e Fotos, tregoi mrekullitë e
vlerave të saja gjatë rrethimit. Ajo shqeu me sëpatë të vogël disa kuti fishekësh,
ia ngarkoi ato edhe grave të tjera, dhe u sulën drejt llogoreve për t'i
shpërndarë ato tek Suliotët. Aliu kërcënoi se do ta piqte të gjallë djalin e
saj Foto, por ajo iu përgjigj se ajo ishte e re dhe mund të lindte fëmijë të
tjerë, dhe se ajo më mirë të hante mish të pjekur të djalit të saj se sa të tradhtonte
vendin e saj. (Blackwood's Magazine)
The New York Times
8
Shkurt 1880
dhe lindja e shtetit shqiptar
Revista Blackwood's Magazine ishte një revistë
britanike me qendër në Skoci, e cila periudhën e saj të botimit e pati në vitet
1817-1980 dhe fillimisht quhej Revista e Përmuajshme e Edinburgut (Edinburgh Monthly Magazine). Në kohën e
botimit të këtij shkrimi në gazetën The
New York Times, qarku i Sulit, në përbërje të Çamërisë, ishte pjesë e
Vilajetit osman të Janinës. Ashtu si pohon edhe revista amerikane TIME e datës
26 Gusht 1940, Çamëria i merret Shqipërisë me pushtimin e Janinës prej ushtrise
greke më 6 Mars 1913. Një përshkrim faktik i viteve të para të shtetit të
sapolindur shqiptar jepet më poshtë mbështetur në librin "Edith Pierpont Stickney, Southern Albania
1912-1923, Stanford University Press, 1926".
Kryengritjet shqiptare
kundër Perandorisë Osmane dhe më pas shpallja e Pavarësisë Shqiptare i prishën
planet e shteteve grabitqare dhe balancat e fuqive të mëdha në Evropën
Juglindore. Si rrjedhim u ndezën dy luftra ballkanike dhe më pas Lufta e Parë
Botërore.
Lufta e Parë Ballkanike
(8 Tetor 1912 - 30 Maj 1913) filloi me sulmet e Serbisë, Greqisë e Bullgarisë
kundër Perandorisë Osmane dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të Konferencës së
Paqes të Londrës. Kjo konferencë filloi punimet me 16 Dhjetor 1912 duke patur
si shkak shpalljen e Pavarësisë Shqiptare më 28 Nëntor 1912 dhe në fund njohu
pushtimet e bëra nga Serbia, Greqia e Bullgaria dhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Lufta e Dytë Ballkanike
(16 Qershor 1913 - 10 Gusht 1913) filloi kur Bullgaria, e pangopur me pushtimet
e saja, sulmoi Serbinë e Greqinë dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të
Bukureshtit. Bullgaria e sulmuar edhe nga Rumania e Perandoria Osmane dorëzohet
dhe humb atë që pat fituar gjatë Luftës I Ballkanike.
Kufijtë e sotëm të
Shqipërisë zyrtare u përcaktuan nën kujdesin e Britanisë, Francës, Rusisë, Austrisë,
Gjermanisë dhe Italisë me Protokollin e Firences më 17 Dhjetor 1913. Para e pas
kësaj date, Greqia edhe u përpoq të gjente përkrahje nga shtetet europiane për
rishikim kufini edhe organizoi fshehurazi shqiptarë të krishterë ortodoksë të
greqizuar të ngrinin krye kundër shtetit Shqiptar, që qeverisej prej Komisionit
Ndërkombëtar të Kontrollit, me qendër në Durrës dhe kryetar princin Gjerman William
of Wied.
Përkrahja Greqisë për
këtë gjë nuk i erdhi dhe një arsye për këtë mund të gjehet tek fjalimi në
Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik më 8 Maj 1913 nga Walter Guiness,
i cili tha: "Greqia po kërkon territor në Shqipërinë e Jugut ku raca
Shqiptare është shumicë absolute".
Në Shkurt 1914, këto
gjashtë fuqi të mëdha Europiane i bënë të ditur Greqisë se shumica e ishujve të
Detit Egje do t'i jepeshin asaj më kusht që ajo të tërhiqte ushtrinë pushtuese
nga Shqipëria e Jugut brenda Marsit 1914 dhe ta respektonte shtetin Shqiptar.
Por nën nxitjen e drejtpërdrejtë të Greqisë (në dukje zyrtarisht asnjanëse),
grekërit në Jug të Shqipërisë me në krye priftërinjtë e tyre deklaruan më 28
Shkurt 1914 se formonin një të vetëquajtur "Republikë Autonome të Epirit
të Veriut”, e cila përmblidhte Himarën, Gjinokastrën, Sarandën dhe Delvinën.
Kryetar i saj u emërua Gjergj Kristaq Zografo nga Lunxhëria, i cili më 2 Mars
1914 në Gjinokastër u shpreh se "është
e pamundur të vihemi nën zgjedhën e një populli barbar...".
Në fund të Marsit 1914,
qeveria shqiptare kërkoi nga Fuqitë e Mëdha ta detyronin Greqinë të t'i jepte
fund masakrave në Shqipërinë e Jugut. Theksi u vu në faktin se ndërsa në dukje
ushtria greke po largohej prej Shqipërisë së Jugut, në fakt ajo edhe po lente
mbrapa banditë të organizuar e të armatosur prej saj edhe po iua ndërronte
veshjet ushtarëve të saj për t'i rreshtuar me "ushtrinë e Epirit të
Veriut". Me qëllim që t'i jepte sa më parë fund shkretimit dhe të sillte
paqen në Jug të Shqipërisë dhe në kushtet e një shteti shqiptar akoma me
kërthizë të lidhur, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit luajti lojën e
bisedimeve, të mbajtura në Korfuz, me "grekërit e Epirit të Veriut".
Frika, se nëse përfundimet e këtyre bisedimeve të zhvilluara në Korfuz nuk do
ishin të kënaqshme do të shkaktonin pushtimin e Shqipërisë së Jugut prej
trupave Italiane dhe Austro-Hungareze, bëri që një marrëveshje [që mund të
njihet edhe me emrin si Protokolli i Korfuzit] të firmosej më 17 Maj 1914. Me
këtë iu jepej garanci "grekërve të Epirit të Veriut se kryetarët e
bashkive të qyteteve kryesore të ishin të krishterë ortodoksë, që grekërit të
mos thërriteshin në ushtri dhe të kishte liri fetare e arsimore për ta",
por gjithmonë duke ruajtur kontrollin e sipërm të qeverisë shqiptare.
Lufta I Botërore filloi më
28 Qershor 1914 me vrasjen në Sarajevë të mbretit të ardhshëm të Austrisë, Franc
Ferdinand, nga një grup terrorist serb, i përgatitur nga spiunazhi serb dhe britanik.
Lufta I Botërore mbaroi më 11 Nëndor 1918 me nënshkrimin e armëpushimit nga ushtritë
ndërluftuese. Në kohën e shpërthimit të Luftës I Botërore, Shqipëria zyrtare
praktikisht nuk kishte qeveri qendrore dhe Princi William of Wied u
detyrua të largohej nga Shqipëria në Shtator 1914. Ushtria greke e pushtoi
përsëri Shqipërinë e Jugut më 27 Tetor 1914 dhe "qeveria e përkohshme e të
ashtuquajturës republikë autonome e Epirit të Veriut" bëri të ditur se nuk
do ishte më sepse kështu qëllimet e vërteta të saja qenë arritur. Shqipëria e
Jugut mbeti e pushtuar prej ushtrisë greke deri në vitin 1915 kur ajo u shty
prej ushtrisë italiane.
Perandoria Austro-Hungareze
zyrtarisht mori brenda saj më 1909 Bosnje-Hercegovinën, të cilën e pat pushtuar
që më 1878 dhe ndërkohë u bë edhe mbrojtëse e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
E dehur nga pushtimet që kreu gjatë dy luftërave ballkanike dhe me ëndrrën për
një Serbi më të Madhe ku të përfshihej edhe Bosnja-Hercegovina, nën nxitjen dhe
mbështetjen e Britanisë-Rusisë-Francës, duke parë të bllokuar daljen në
Adriatik prej një Shqipërie të pavarur, Serbia sulmoi Shqipërinë dhe kreu
vrasjen e mbretit të ardhshëm të Austrisë, Franc Ferdinand. Austro-Hungaria
kërkoi që Serbia të largohej nga Shqipëria dhe njëkohësisht të mbahej
përgjegjëse për vrasjen e kryer. Ajo përplasje, në dukje diplomatike, midis
Austro-Hungarisë të mbështetur nga Gjermania dhe Serbisë të mbështetur nga Britania-Rusia-Franca
ndezi fitilin e Luftës I Botërore dhe Shqipëria zyrtare nga shesh u bë përshesh
prej ushtrive të huaja.
Konferenca e Paqes në
Paris (18 Janar 1919 - 21 Janar 1920) u mbyll në fund me themelimin e Lidhjes
së Kombeve. Në atë konferencë u bënë përsëri përpjekje për ta cunguar
Shqipërinë e mbetur, por ndërhyrja e presidentit amerikan Woodrow Wilson
(1856-1924), i sqaruar edhe nga shqiptarë dhe miqtë e tyre, e shpëtoi
Shqipërinë e sotme dhe i ashtuquajturi "Protokolli i Korfuzit" i zhvlerësuar
më parë prej vetë "grekërve të Epirit të Veriut" u mohua
përfundimisht (rebus
sic stantibus).
Gratë Suliote. Pikturë e
vitit 1827 nga Ary Scheffer (1795-1858), që përshkruan vetëvrasjen
heroike të grave Suliote, e njohur si Vallja e Zalongos, gjatë luftrave suliote.
Muzeu i Luvrit në Paris, Francë.
Suliotët me kostume tradicionale. Pikturë nga Eugene Delacroix (1824-1825). Muzeu i Luvrit, Francë.