E premte, 26.04.2024, 03:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Petro Marko: Dashuria ne ditarin e burgut

E shtune, 29.11.2008, 11:16 AM


Petro Marko

 

Dashuria ne ditarin e burgut

 

E shikoj me atë mall që unë vetëm e kam ndjerë dhe ajo lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup... dhe sikur  kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të futet brenda, të më përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino im,  se goçja jote është vetëm dhe...” të ikim bashkë që të dy e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës... “mjaft më!”. Neve  jemi të pafajshëm! Lërnani të numërojmë rrezet e diellit! Lërnani të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim  me ngjyart e ylverit dhe me tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi, se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të  gjallëve...”

 

Nga ADMIRINA PEÇI

 

Zbulohet ditari i burgut

 

Në arkivin e familjes së shkrimtarit kemi zgjedhur këtë dorëshkrim në formë ditari kushtuar gruas së jetës së tij, Safo  Markos. Në të janë ndjesitë, përjetimet, ëndrrat, kujtimet, brengat, ndonjëherë dyshimet e paqëllimta, një mall i pazakontë  që shtrin krahët përgjatë gjithë rrëfimit... Në të janë shkrimtari dhe artistja. Petro dhe Safo, si të ishin një person i  vetëm.

 

Një bllok i vogël që fsheh brenda një himn dashurie. Një rrëfim i pazakontë. Rrëqethës. I shkru ar nga Petro Marko në vitet  1947-1950, në një prej qelive të burgut të Tiranës. Fatmirësisht ky dorëshkrim i rrallë i ka shpëtuar zhdukjes, siç ndodhte  rëndom në burgjet e diktaturës shqiptare. Në të janë ndjesitë, përjetimet, ëndrrat, kujtimet, brengat, ndonjëherë dyshimet  e paqëllimta, një mall i pazakontë që shtrin krahët përgjatë gjithë rrëfimit... Në të janë shkrimtari dhe artistja. Petro  Marko dhe Safo Marko, gruaja e jetës së tij. Si të ishin një person i vetëm. Nuk është publikuar kurrë i plotë. Dhe nuk ka  dalë asnjëherë nga shtëpia e shkrimtarit, ku sot, vajza e tij Arianita dhe Safo, e ruajnë me fanatizëm. Kapaku i trashë  prej kartoni, i zverdhur e me njollat e kohës mbi të, mban përsipër inicialet e emrave të tyre. P.S. (Petro dhe Safo)  shkruar me të kuqe. Dy shkronja që ndërthuren me njëra-tjetrën, e që e ftojnë lexuesin që ka fatin ta marrë nëpër duar këtë  bllok, tek faqja e parë brenda tij. Në faqen e parë, në krye dallon emri i shkrimtarit. Poshtë tij një titull brenda  thonjëzave: “Bisedime me Safolinën”, dhe pak më poshtë Petro Marko vizaton hekurat e burgut, për të vendosur më pas në mes  tyre titullin e këtij dorëshkrimi “Takimi i parë”. Në të vërtetë ai ishte takimi i vetëm që ata patën në burg...

 

***

 

Më 15 maj 1947, Petro Marko u burgos me akuzën për spiunazh tek të huajt. Atë natë ndodhej në shtëpinë e Safos dhe nënës së  saj. Ishte mesnatë kur trokitën. Të atilla ishin arrestimet e intelektualëve atëkohë. Thuajse të gjitha në mesnatë. Një  kontroll i imët e me ritme të çmendura në gjithë shtëpinë e vogël dhe mandej hekurat në duart e shkrimtarit. Atëkohë kur e  arrestuan ai ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Sapo kishte ardhur nga Spanja, kishte qenë partizan, ndërkohë miqtë e  tij ishin futur tashmë në burg. Safo e kujton ende tronditjen e thellë të asaj nata. Nuk mundën të shkëmbejnë asnjë fjalë.  Vetëm Petro mundi t’i thoshte: “Më beso se jam i pastër si kristali”. Iku nëpër natë dhe Safo nuk mundi ta shohë më. Prej  asaj nate, nisën mungesat, vuajtjet, akuzat e pafund dhe torturat çnjerëzore. Safo shkonte çdo ditë atje. E kërkonte, por  askush nuk e ndihmonte, qoftë edhe për ta parë një herë të vetme. I çonte ushqimin që e përgatiste nëna e saj. Merrte  rrobat e Petros, të cilat nëna nuk e lejonte t’i shihte. E ç’të shihte? Ishin mbuluar në gjak, prej torturave. Por sërish  ajo ngulmonte. Kalonte portën e burgut me ushqimet në dorë, pyeste në mund të takohej me të, sërish pyeste e pyeste… Nga  ana tjetër në qelitë e burgut, shkrimtari nuk dinte asgjë për të dashurën e tij. Nuk dinte sa e lënduar ish, sa e trembur,  sa po vuante… Derisa një ditë, nga një cep i një dritareje përkundruall, prapa hekurave ai mundi të shquante siluetën e  saj. E pa tek kapërceu portën e burgut dhe u fut në oborr. Në trup ndjeu gjakun të rendë me shpejtësi drejt zemrës. Nuk  mundi t’i fliste. Nuk mund ta prekte. Mundte veç ta kundronte nga ai cep prapa hekurave. Ishte data 23 prill 1948. Një datë  që ai do ta mbante mend gjithë jetën. Prej asaj dite, ai e ndjente, e dinte, kur ajo do të shfaqej në portën e burgut me  ushqimet në dorë. Dhe niste mandej një rrugëtim të gjatë në kujtime, në ëndrra. Dhe fliste me Safon, pa qenë ajo aty. Edhe  pse në burg, në mungesën e plotë të lirisë, ai mund të “arratisej” përmes kujtimeve e të rendte në rrugët ku kishin ecur  bashkë, në zyrën e gazetës “Bashkimi” ku u panë për herë të parë, në atë takimin e paharruar kur e pyeti; “Je e fejuar?”, –  Jo, i tha Safo. Pastaj ai e pyeti sërish: “Je e dashuruar”? Sërish jo. Atëherë ai i tha; “do bëhesh gruaja ime”. Ai kujton  atje në qeli, i lodhur e i dërrmuar të qeshurën e saj. Kujton se si u takuan sërish, kur Safo i tha të njihte nënën e saj,  e kur ai pa e zgjatur ia behu në derën e shtëpisë, i ngarkuar plot me dhurata…

 

***

 

Është fundi i vjeshtës 1948. 3 nëntor. Atë ditë ai mundi të takohej për herë të parë me gruan e jetës së tij, atje në burg  me hekurat që i ndanin. As e kishte menduar se ai takim do të ndodhte. Ishte takimi i tyre i vetëm në ato tre vite burg.  Kujton momentin kur i thanë: “Do të takohesh me shoqen tënde”.

 

Sjell ndër mend ardhjen e berberit, e cili “më rrojti me të shpejtë”, tek i sollën një xhaketë dhe po “e stolisnin”. Kujton  hapat në korridoret e ftohta, që ka matur me lot e gjak. Shkallët që ka ngjitur dhe derën me dy palë hekura. Dy palë hekura  me distancën 2 metra në mes. Matanë hekurave e priste Safo. Pranë tyre 5-6 roja. Njëri prej tyre u thotë të flasin. Por  çfarë mund t’i thotë ai asaj? Një lëmsh i është mbledhur në grykë. Çfarë thanë? Mundën të thoshin vetëm: “Si je? A je mirë?  Mirë! Po ti si je? Mirë, fare mirë…” Sa gjëra kishte ai për t’i thënë? Mijëra fjali që kishte endur me mend, në kushtet e  mungesës së saj. Mijëra prekje që kishte ëndërruar, mijëra puthje që s’mund t’ia jepte.

 

***

 

Ky është takimi i tyre i vetëm. Njëkohësisht, është boshti i këtij ditari, i këtij rrëfimi intim, ku monologët dhe  përshkrimi i ndjesive mbretërojnë deri në faqet e fundit. Aty ku ai shënon: “E shkruajta për ty Safolina ime. Petro yt. 5  Maj 1950”. Dhjetë ditë më vonë do të dilte nga burgu. Rrethanat e kishin shpëtuar nga dënimi kapital. I kishte shpëtuar  fundit tragjik, fundit që s’mundën t’i shpëtojnë shumë miq të tij. Ditët më pas? I përjashtuar dhe i lënë krejtësisht në  harresë. Për shumë kohë. I papunë. I refuzuar...Por ishte në liri dhe pranë gruas së jetës së tij. Pranë Safolinës.

 

 ***

 

Safo është veshur bukur. Është një prej ditëve të para të nëntorit 2008. Nga takimi i tyre i parë në burg, kanë kaluar plot  60 vjet. Ajo e kujton si sot...

 

Më pret bashkë me Arianitën, vajzën e saj. Kanë nxjerrë nga arkivi i familjes këtë bllok të vogël, ku ai takim i para 60  viteve përshkruhet me imtësi. Ma tregojnë. Kur e marr në duar, Safo lëviz nga vendi. Mjekra e vogël i dridhet. Edhe zëri.  “Kujdes, më thotë. Është e Petros. Mos ma humb….!” Pastaj afrohet dhe tregon me gisht inicialet e tyre me të kuqe në  kapakun prej kartoni të bllokut. “Jam unë me Petron”, - thotë. Dhe hesht. Pastaj me zërin që i dridhet sikur vajton: “Petro  im… Ku është Petro? Petro ka vdekur… Është nën dhe…”. Dhe sytë i mbushen me lot të mëdhenj. Dhe kujton sa ka vuajtur. Sa  kanë vuajtur të dy. Përhumbet, me vështrimin ngulur në një pikë të padukshme. Dhe mandej… Duket sikur i përkëdhelet sedra,  kur nis të lexoj me zë një pasazh nga dorëshkrimi ditar. “E ka shkruar për mua. E ka shkruar në burg. Atëherë kur s’mund të  më takonte, të më fliste…”

 

***

 

Nëntori i këtij viti, shënon dhe një përvjetor tjetër për shkrimtarin Petro Marko. 95- vjetorin e lindjes së tij. Bashkë me  këtë bllok që duket është kujtimi më i shtrenjtë që Safo ruan nga thesaret Petros, përzgjedhim dhe disa nga kujtimet e  fëmijërisë. Janë kujtime që ai ka hedhur në letër vite më vonë, e mandej iu është rikthyer sërish, e sërish, sa herë ka  ndjerë se ai “fluturim” në të shkuarën mund ta largonte sado pakëz nga disfatat që i solli jeta. Pas këtij dorëshkrimi në  formë ditari, “Milosao” do të botoje dhe disa shënime të tjera që shkrimtari ia kushton Safos si dhe një varg kujtimesh nga  fëmijëria e hershme e shkrimtarit.

 

Njohja e Petros me Safon

 

Safo e kujton si sot njohjen e tyre. Ajo thotë se janë parë për herë të parë në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, ku Petroja  punonte atë kohë. Ka qenë viti 1945. Safo thotë se atë kohë kishin dërguar një letër rekomandimi, për të gjetur një punë  për të, duke u nisur nga prirjet e saj artistike. Atë letër shkrimtari e ka ruajtur deri në vdekje. Safo e kujton Petron si  një djalosh shumë simpatik dhe i veshur bukur. E kishte parë edhe herë të tjera në bulevard, në shëtitjet e famshme të saj  kohe. Safo kujton se që në momentin e parë kur janë parë ai e ka pyetur: Je e fejuar? Dhe Safo i ka thënë, “Jo”. Pastaj ai  ka bërë një tjetër pyetje: “Je e dashuruar”. Dhe Safo sërish i ka thënë “Jo”. Dhe Petro Marko ka bërë një deklaratë të  guximshme: “Atëherë ti do të bëhesh gruaja ime”.

 

Safo:

 

Takimi në burg Safo e kujton si sot takimin e vetëm që ata patën në burg. Ndryshe nga Petro, ajo ka pasur të tjera  përjetime. Ishte në ankth. E dinte se e torturonin, E dinte se rrobat e tij gjithmonë ishin të gjakosura. Kishte kaluar një  vit e gjysmë dhe nuk e kishte parë asnjëherë. Ditën e 3 nëntorit 1948, Safo pa që djaloshi i saj i bukur ishte krejtësisht  i shkatërruar, i dobësuar, i torturuar. Kishte frikë mos i kishin thyer këmbët a duart. Ndaj i thoshte që të lëvizte pak sa  për ta parë. “Kur e pashë u tmerrova. Nga gjithë ai çun i bukur, i pashëm, ishte kthyer në një skelet që i dukeshin vetëm  dhëmbët... Kishte hyrë njeri dhe ishte shndërruar në kufomë...”

 

 

Petro MARKO

 

“Bisedime me Safolinën”

 

Takimi i parë

...që kur ti këndojmë këto rradhë të kërcënojmë... zemërimet e të themi: “tani e tutje nuk do të zemërohemi më!” – Apo jo o  Goçe ime?

 

Takimi i parë

 

Shekuj a çaste kanë kaluar, këtë nuk ësht’ e mundur ta përcaktoj!Po vetëm një gjë është e vërtetë: që unë digjem nga malli,  sa them shumë herë “mor po ta shoh një herë, pastaj le të vdesë!” se merre me ment: or’ e çast, për kaqë shekuj të qaj e të  qesh me ty dhe tërë këjo jetë lark teje, vetëm në fantazi, vetëm duke përsëritur e ripërsëritur çapat që këmbët tona linin  në hapësirën e bardhë të një lumturie që jetonim, po që nuk çmonim! “Ta shoh një çikë, pakëz ti shohë syt e saj për së  gjalli! A do ta kem këtë fat? “- Se tërë forca e dëshirave të mia, e ëndrrave të mia të fundit përsërisnin or’ e çast. “Ta  shikoj edhe një herë para se të vdesë!”. …Unë dua të të shoh një herë, vetëm një herë – me kusht që ti të mos më shikosh  mua se e di që duke të parë ty do të kuptoj më mirë se sa e dhëmbshur është jeta, sa e shtrenjtë është jeta, sa e shenjtë,  madhështore, hyjnore… është jeta! Sa fuqi dhe ç’burim është Jeta! Se vetëm në syt e tu shkruhen dhe llamburitin ligjet e  fuqishme të jetës… Dhe këtë ta them duke u betuar në llahtarin’ e ëmbël dhe të tmerrshme të valles që zemra ime kërcen në  hapësirën e kësaj ndarje tragjike- që vetëm syt e tu, forca e tyre dhe kushtrimi i tyre më thoshin: “Jeto!”… Po ç’e do! Të  jetosh me shekuj lark syve të tu, thoshin disa se me distancën e kohës humbiste dhe fuqia magjike që kërcënon dëshpërimin  dhe mortjen! Dhe ja ku po ta them: këjo nuk është e vërtetë! E vërteta është se duke u ndritur me shekuj prej syve të tu,  drita e tyre përdita shtohet e shtohet sa arrin që të shkrijë hekura dhe errësirë dhe çdo gjë që prek e shoh të më duket:  Jetë! Mjerë ata që nuk drejtohen nga sy të tillë! Dhe isha i lumtur e isha i mjerë! Se unë nuk desha të çkëputesha nga syt  e tu! Syt e tu më kanë puthur me ëmbëlsinë dhe nanuritjen e syve të tu! Po unë desha ti shikoja edhe një herë! Edhe një  herë! Çdo njeri para se të shuhet nga lista e të gjallëvet, ka të drejtë të kërkojë diçka...(Është një traditë që meriton  të përmendet) Po si?... Kalonin dit’ e netë! Çaste dhe shekuj! “Ah ta shihja edhe njëherë! Ta shikoja pakëz...!” ...Dhë  nëse do të ketë njerëz - dhe ka që thonë: E ç’kuptim ka të plotësosh një dëshirë, kurse çdo gjë të marrë funt?!” Unë këtyre  u përgjigjem: “E ç’kuptim ka për ju jeta kurse nuk jetoni?” Ose edhe: “Ç’kuptim ka për ju vdekja, kurse nuk kini jetuar?” E  di: kalojnë ditë dhe kalojnë netë dhe gjithënjë digjem e përvëlohem të dëgjoj një herë zërin tënt! Se zëri yt është kënga e  jetës, është simfonia e ëndrrave të mia! Po ç’e do! Kalojnë muaj dhe vjetë dhe shekuj! Ti tani flet, e sheh, e punon, e  ëndërron ... Siç flasin burimet e maleve, siç shohin yjt’ e qiellit, siç punon zëmëra e kohës, siç ëndërron agimi i  Jetës... dhe unë këtu mas pulsin e frymës sate, se nën rithmin e tij akoma e mbaj lart flamurin e Jetës! “Të të shoh edhe  njëherë, pa pastaj le të vdes!... Se kam frikë që nuk do të tretem po s’të pashë edhe një herë. E di o Safolina ime, se  forca e Dashurisë s’matet as me lotët, as me këngët, as me trimërit’ e rrëmbimeve ... po me numrin dhe gradën e lenteve të  syve që dashurohen, bile edhe me ngjyrën e tyre. Ja, për shembull, se ç’janë për mua syt e tu: ato smadhojnë edhe rrudhat  më të holla të ballit të Jetës dhe ndriçojnë edhe pallcën e errësirës, ato sbukurojnë dhe trevat ku ra çkatërrimi, ato çdo  gjëje i japin ngjyrën e krijimit... ato zbusin, pajtojnë, e nderojnë... të bëjnë të jeç krenar që je njeri dhe të drejtojnë  për në brigjet e Triumfit të Jetës! Me ato sy pash horizonte të pakufishme mijra-ngjyrash, mijra-agimesh, mijra-shpresash,  mijra-tingujsh! ... Ah, dhe për këtë unë sa dëshiroj t’i shoh edhe njëherë, se me to unë do të shoh bukurin’ e fundit të  kësaj toke të bukur, me to unë do të shohë për herën e fundit ngjyrat e Jetës që thonë: “Sa yj fshihen akoma, sa lule  fshihen akoma! Dhe ti sa gjurmë të bukura mund të lije në këtë arenë të pasosur të krijimit!” ... Dhe ja! Një ditë prilli-  pas afro një vit. - Ti me sefer-taset në dorë ishe në derën e burgut dhe unë nga një cep, nga një cep i vogël i dritares  përkundruall derës së oborrit, të PASH! TË PASH! TË PASH! ... PASH SAFOLINËN TIME! Dhe gjaku, dhe fryma, dhe JETA nisi të  marrë mijra tinguj e mijra ngjyra! Tinguj që këndonin hymne malli e dëshire, gëzimi e dëshpërimi, tinguj Dashurie! Ngjyra  që hekurat i bënin lule, muret i bënin qiej te pa funt dhe çimenton oqeane! Ngjyra që çdo gjëje i veshnin petkun e ëmbël të  Dashurisë! Dhe unë TË PASH! Ti qëndroje kokë-ulur! Ti shikoje brenda dhe syt e tu depërtonin mure dhe hekura dhe unë  nëpërmjet tyre NISA PRAPË TË SHIKOJA JETËN! Dhe kështu 23 Prilli 1948 u bë edhe këjo një datë e shënuar e Jetës sime! Dhe  pastaj përditë ... përditë ... ah si e prisja unë atë orë, aty nga një cep i dritares përkundruall derës së oborrit që  hapej pak centimetra, unë SHIKOJA SAFOLINËN TIME! Dhe sa i lumtur dhe sa i mjerë isha! ... Dhe qeshja dhe qaja – jetoja -  me ty! Ti vije! Qëndroje aty para derës (herë e veshur si parëverë, herë si verë, herë si vjeshtë) dhe stinët unë i shikoja  në veshjen tënde. Se në fytyrën tënde shprehej një agoni që vetëm sy që dashurojnë munt të kupëtojnë! Të flisja! Më  përgjigjeshe: “Duro për mua! Jeto për mua! Unë, Goçja jote jam aty me ty, se të dua fort unë! Dashuria jonë është e drejtë  prandaj dhe do të trimfoj! Ti je i pastërt dhe Drejtësia do të triumfojë! Unë do të pres! Rroj vetëm për ty! ... Dhe këto  fjalë më bënin krenar dhe me të drejtë thosha se lumturia e njeriut gjendet edhe në konditat e mija...! Dhe kështu më  shikoje e të shikoja nga një vrim’ e vogël e dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra- në shi e në  borë, në vap’ e në të ftohtë dhe malli më shtohej: “Ah, kur do të takohemi!” “Të takohem një herë, të flas me të, pastaj le  të vdesë! Po kur? Kalonin dit’ e muaj dhe ti mbete në dyert e burgjeve! Kur? Imagjinata ime nuk la horizont pa shkelur me  syt e tu!. Çdo çast e çdo dit’ e çdo natë, fluturoja me ty atje ku s’ka shkelur këmbë njeriu! Po kur të shikoja pakëz aty  përpara derës me ushqimet në dorë, thoshja : “Gjer kur?” Dhe kështu kalonin muaj të tëra! Monotonia e pritjes qëllonte fort  si një vare në daullen e agonisë! Gjer kur? Ah! Vetëm një çast të takoheshim! Të flisnim! Të çmalleshim! T’i thoshja: “Si  je? Safolina ime, si jeton pa mua?” Dhe të dëgjoja zërin e saj! Të dëgjoja vetëm një herë të më thoshte: “Goçja jote është  e fortë! Ajo të pret!... Ti thoshja vetëm dy fjalë: “Safolina ime! Jam ashtu siç më njeh! S’të kam fshehur asgjë! Jam i  pafajshëm! Të dua si poeti të bukurën e dheut, si unë Safolinën dhe Lirinë!... Dhe çdo gjë që të ngjasë ... ti jeto!” (Po  unë jam i krisur! Ç’vete e mejtoj! Po nuk dihet! A ti them: “Dashurove një fatkeq? – Mos vallë të pengoj lumturinë dhë  rrugën tënde? Ti je e lirë! Mos humb të rit’ e tu! ...sa i marë që jam! Ajo më dashuron, dhe unë...? Po ç’të them! Vuaj,  sepse ajo vuan! Ajo vuan më shumë se unë, se nuk është mësuar në të tilla dallgë të egëra! Po Ajo është forcuar dhe e di se  ku vete se ka Dashurinë Yll Polar! Ajo bën atë që i thotë zemëra! Ajo është goçja ime! Ajo më pret, se është e sigurt se do  të triumfoj Drejtësia!) Dhe kështu u mësuam në këtë jetë.. të kënaqur se kishim fatin e mirë të shikoheshim çdo drekë: Ajo  përjashta derës s’oborrit me sefër-taset në dorë, me zemrën gur dhe me shpirtin e saj në qeli pranë meje - dhe unë prapa  hekurave të dritares, në vetminë time plot tinguj lëngate po me sytë e zemërës sime pranë Safolinës sime që e ndiqja çap  për çap me një llahtarë dhe një ëmbëlsi, me një dëshpërim dhe lumturi të pathënë. Ngjarjet historike, duke dënuar sistemin  që na ndau dhe na largoi, bënë kthesën e famëshme që ngrohu zemërat e viktimave të gjalla ... Syt e Safolinës sime  çkëlqenin nga kënga e shpresës së triumfit të Drejtësisë. Zemëra e saj e ngrirë, u ngroh nga dielli i besimit mi Drejtësinë  dhe një këngë e re na lajmëronte: “Së shpejti do të BASHKOHENI!” Çudi! Lum ata që janë të pastërt si kristali dhe që  trembin mortjen me sinqeritetin e besimit të tyre! Lum ata që trumbetojnë iden’ e tyre edhe nga varri! ... Po si ta them  tani ditën e shënuar të takimit tonë të parë? Më mirë është që të flas ashtu siç ngjau: Vetëm këtë mbaj mënt” Kur e pash –  si gjithënjë, jashtë derës më fliste me sy, me këmb’ e me duar! Ishte e dehur nga një gëzim i pa shembëlltë! Po çdo jetë?  Mos vallë do të lirohem?” dhe unë - si ajo mënt fluturoja nga gëzimi! Po pse? (Ah kush ka ndjerë çaste të tilla, s’ka  mbajtur mënt asgjë, se të tilla çaste janë kulme dehjesh sublime dhe s’kanë të bëjnë aspak me gëzimet dhe lumturitë e  rralla!) Po megjithatë skalisen thellë në arenën e kristalt të kujtesës dhe bëhen rezervë forcash gjallërie, bëhen të  përjetshme... Pastaj mu bë sikur erdhi roja “më buzëqeshje - çudi!” dhe sikur më tha “ Eja! Do të ta-ko-hesh me shoqen  tënde!” dhe pastaj sikur erdhi berberi, ky më rrojti me të shpejtë! Më prunë një xhaketë! Më stolisnin! (Çudi! ) Dhe unë  mënt po çmendesha! Mejtimet e mia përziheshin dhe përqafonin Safolinën time! DO TË TAKOHEMI! (Gjëra që duken çudi e  përrallë. Po thonë se do TË TAKOHEM ME SAFOLINËN). Bëj atë që më thonë! Ato rojet dhe berberi i ynë-ah... gjithënjë më  flasin! E ç’më thonë? Unë vloj në mejtime: “Po a ësht’ e vërtetë? Po ç’do ti them? Po si do të jetë vallë?.. sa kohë kaloi  qysh nga 15 maji 1947? Sa jemi sot? Po sikur të na linin pak çaste pranë e pranë? Ku do ta puth më parë? Në sy! Pastaj në  buzë, pastaj në SY dhe do ta shtrëngoj fortë, fortë duke i thënë: merrmë me vetë! Mos më lë këtu më! Po pastaj ...” ... Dhe  kështu si i ndezur nga diçka që të shpie në majat më të larta të një dehje të lumtur ... më shpien nëpër korridoret – ah  këto korridore që janë matur me lot’ e gjak – më hypin nëpër shkallë e më shpien drejt derës lart – aty ku janë dy palë  hekura, aty ku këmbët e mia sa mijra herë kanë shkelur, aty ku duart e mia sa mijra herë janë mbajtur (kur në kohërat e çdo  regjimi vinin e më vizitonin ...) dhe ku një herë motra ime më tha: “E pse s’u vrave në Spanjë, ose në ndonjë kënd tjetër?  Kështu do të kishim qarë njëherë e përgjithënjë, kurse tani ne të qajmë për ditë!... (Po unë nuk u vrava në asnjë kënd të  dheut, se në një kënd të dheut më priste SAFOLINA ime!)... Aty në hekurat, mu parakalua tërë e kaluara ime dhe nuk dëgjoja  gjë dhe nuk shikoja gjë! Mu bë sikur përpara meje- në hekurat e matanshme, nja dy metra lark hekurave të këtejshme-  qëndronte silhueta e SAFOLINËS. Kishte zënë hekurat me të dy duart, kishte shtrënguar kryet e saj në hekurat, sikur  kërkonte ti lakonte e ti shkrinte dhe të futej brënda! ... Ajo ishte! Ishte SAFOLINA, se cdo gjë: era e ëmbël e saj,  silueta e ëmbël e saj... Po SYTË? Ku ishin sytë e saj? Po unë nuk shoh gjë? Po çdo gjë që shoh është Safolina!... Dhe nyja  në fyt bëhej më e trashë dhe silhueta gjithënjë bëhej më SAFOLINA ose më silhuetë që binte erë SAFOLINA, që kishte SY, e  ball, e flokë, e këmbë e duar... SAFOLINA. Vetëm një harmoni ngjyrash SAFOLINA! Vetëm një ishte jeta që më shikonte! (Aty  ishin grumbulluar pesë a gjashtë roje) dhe nyja në fyt bëhej më e madhe! Dhe veshët më trumbetonin ... Kurse një zë “ë de  folni, pse nuk flisni?” më bëri që të mblidhja veten dhe diçka desha të thosha, desha të thosha atë fjalë që or’ e çast – dit e natë- e kam përmendur, desha të thoshja “SAFOLINA IME!”...po AJO lëvizi dhe pa pritur dëgjova zërin e saj: “Petrolino  im”!... ...Pastaj mu bë sikur dëgjova : “Si je?”. Ishte zëri i saj! “Si je Petro im!”... Dhe nyja e fytit ç’u bë! Ajo më  mirrte frymën! Po zëri i Safos sime prapë pyeste me ankim e me lumturi, me dëshpërim e me krenari “Jam una goçja tate!” Une  besoj se edhe i vdekur po t’isha do të përgjigjesha: “Unë jam poeti tat” ... po çudi! E shikoja dhe gjithënjë më dukej një  silhuetë që humbiste që shkrihej vetëm në një: SAFOLINA. Pastaj mu bë sikur pash hekurat më të trasha e më të dendura dhe u  shkunda: “Safo, po ti si je?” e pashë që buzëqeshi dhe zemra nisi të rrihte me ritmin e pulsit të saj. “Unë jam fare mirë!  - Edhe unë! Po ti si je? –Fare mirë, mirë! Po ti si je? – Mirë, mirë! Si je ti? – Fare mirë! Mirë! Po si je nga shëndeti? –  Fare mirë, mirë, mirë, fare mirë! – A je mirë? – Mirë, mirë! Po ti?...” Pastaj mu bë sikur ajo më tha: “Pa ec pak! Lëviz  pak! Pak sa të të shoh...” Dhe unë pa dashur lëvizja krah e këmbë dhe kur u ktheva prapë në vend të parë, pash SYT e  SAFOLINËS SIME që çkëlqenin nga gëzimi! “Je mirë? Unë jam fare mirë! Po si je Petro? A je mirë?” Po dale pak! Dua të flas!  Ajo siluetë eshtë safolina ime! Është goçja ime! Ay zë, ajo këngë plot harmoni lëngimi, del nga shpirti i Safolinës  sime!...Ja ku është! Ja... ja... zgjat duart...nuk arrijnë! ( Ah këta hekura!)... Po ç’ti them? “A je  mirë?...Mirë!...Mirë!” Dhe pastaj mbaj mënt se gjaku im i pakët nisi të vlonte kudo si fjalët që kërkonin të dilnin më  vrull tufani po që ah, s’dilte asnjë, se njëri mejtim mundte tjetrin me shpejtësinë e nje mejtimi si ay imi që kërkonte të  bënte me gjuhë bilbili, edhe hekurat e kryqëzuara! Dhe tërë ato fjalë që për kaqë shekuj i kisha përsëritur me miliona  herë...as që më vinin nër mënt! Dhe sa para vlenin fjalët? Përpara meje qëndronte SAFOLINA ime! Më shikonte dhe e shikoja.  Dhe kjo ishte SAFOLINA ime të cilën kaq shumë e kisha idealizuar, kaqë me densitet kisha rrojtur me të gjatë shekujve të  ndarjes, sa tani duke qenë para saj-ja ku ishte dy metra lark meje!- S’di ç’ti them! E shikoj me atë mall që unë vetëm e  kam ndjerë dhe ajo lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup... dhe sikur kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të  futet brenda, të më përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino im, se goçja jote është vetëm dhe...” të  ikim bashkë që të dy e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës... “mjaft më!”. Neve jemi të pafajshëm! Lërnani të  numërojmë rrezet e diellit! Lërnani të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim me ngjyart e ylverit dhe me  tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi, se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të gjallëve...” Po... në këto  çaste kushtrimi kundër padrejtësisë buçiti zëri i Safolinës sime: “Të pres! Ti je i pafajshëm! Ti djal’ i lirisë dhe i  Revolucionit! Të pres! Ti je njeriu im! Ti je i drejtë...prandaj të pres me orë pranë meje!...” e dëgjoja si nëj njeri që  dëgjon vendimin e gjykatës së lartë të ndjenjës dhe të dhimbjes! Dhe ato çaste isha më i lumturi i botës, se ky vendim që  dilte nga Drejtësia e Dashurisë ishte vendimi i prerë i një jetë që ëndërroi dhe që luftoi nën flamuj të një Dielli të Ri,  ku kënga, krijimi, dashuria-Liria, t’ishin nenet e përjetshme të kushtetutës njerëzore! “Të pres! Jemi të pafajshëm!”  ...Dhe e pash që buzëqeshi! Pash më në funt edhe SYT’e saj që më flisnin me një krenari duke më thënë: “Këjo ishte Prova e  Madhe e Dashurisë sonë! Neve bashkë- se jemi një- do të shkelim në gjurmët e shtigjeve të reja! Bashkë...gjer në funt, se  Dashurohemi!” Unë s’mbaj mënt tjetër gjë! Vetëm kur roja tha “Mjaftë më! Shkoni!”. Atëherë vura re, se Safolina ime nuk  ndahej nga hekurat! Ishte mbërthyer aty dhe më shikonte! “Shkoni tani”- përsëriste roja...Edhe unë nuk çkulesha dot! E ku  të veja? E pse të ndaheshim? Ajo të shkonte rrugëve e vetme dhe unë në qelin time i vetëm? E pse? “Dëgjuat? Shkoni?!- na  urdhëronte roja! (Epo të mendoç tani dhe të thuash: “Pse nuk largoheshit nga hekurat, po rrinit aty që të dy si të ngrirë?”  Unë të përgjigjem: “Nuk ishim të ngrirë! Përkundrazi ishim ndezur! Çdo gjë ishte në flakë: edhe hekurat, edhe padrejtësia!  Dhe të betohem se atë çast një revoltim i pa shembëllt, po i ndërgjegjshëm më nxiste të thërrisja: “Mjaft më! Nuk u kënaqët  në shekujt e ndarjes sonë? Nuk u kënaqët me lëngatën tonë? Eja SAFOLINA ime! Mermmë!Mos më lër këtu!...” Po atë çast duart  e forta të rojeve me çkulën nga hekurat dhe unë duke pasur gjithënjë syt e ngulura në silhuetën e SAFOLINËS sime po  largohesha...Ajo fliste: “shko, shko ti i pari, dua të të shoh nëse ecën...po mos u mërzit se unë jam jotja, jam goçja jote  besnike, të pres...se je i drejtë...se jemi të pafajshëm!...”

 

***

 

Kur roja hapi prapë qelinë time, isha i hutuar! Mbaj mënt vetëm këtë: e pyeta me zë të shuar: “Sa kemi sot? “Dhe ay:- TRE  NËNTOR 1948! Domethënë ishte dita (nuk e pyeta rojën se ç’ditë e javës ishte...po do ta gjej ndonjë ditë në kalendar) TRE  NËNTORIT, dita e takimit të parë me Safolinën time... Tani pyes veten: “A do ta harroj kurrë këtë ditë? Dhe a mbaj mënt gjë  mi Takimin e Asaj Dite? ...Çdo gjë e Asaj dite ishte skalisur thellë e thellë me skarpellon e dhimbjes dhe të mallit, me  çekiçin e lëngatës dhe të shpresës...dhe a ka në shekuj tufane dhe thellime që të shuajnë gërmat e thella të çasteve të  tilla-çaste gas-lëngate dhe çqetësimi që kompozojnë Sinfoninë e një Dashurie të pashembëlltë?

 

(E shkrova për ty o Safolina ime)

 

Burg më 5 maj 1950 Petro yt



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora