Mendime
Fahri Dahri: Të vërtetat e pathëna nga Eleftheria Manda në ''Çamët myslimanë të Epirit'' (3-4)
E shtune, 17.04.2021, 07:21 PM
TË VËRTETAT E PA THËNA NGA ELEFTHERIA MANDA NË: ÇAMËT MYSLIMANË TË EPIRIT (1923-2000)(¹)
Nga
Fahri Dahri
PJESA E III
-
Shpifja, ashtu si edhe fyerja, janë vepra penale, pasi kanë të bëjnë me aspekte
nga më delikatet e jetës së përditshme, siç janë nderi, dinjiteti dhe
reputacioni si për persona të ndryshëm dhe për komunitetet e popujt, prandaj
janë të aplikueshme edhe në përvojat juridike, në doktrinën botërore. Shteti
grek, në realizimin e strategjisë së cituar më lart, kundër çamëve myslimanë,
ka përdorur me sukses edhe shpifjen. E faktojmë:
a)
Nga viti 1913 deri para kryerjes së gjenocidit, e gjithë propaganda greke i
përmbahesh teorisë se çamët myslimanë nuk ishin autoktonë, por të ardhur gjatë
periudhës së sundimit otoman, nuk kishin ndërgjegje kombëtare dhe se gjuhën
shqipe ua mësuan bejlerët, spahinjtë, dhe u mbështetën në një komb alien në
sekond etj.
b)
Ndërsa pas genocidit, po teoritë greke në shpifje marrin trajta të tjera, si
çamët myslimanë ishin fise të lashta greke, por duke ndërruar besimin fetar,
ata tradhëtuan kombin dhe, si jogrekë nuk mund të jetonin në vendin e grekëve,
pra, në sekondë u trajtuan si komunitet i padëshiruar në Greqi.
Nuk
besoj se ka qendrime më të qarta për tu njohur me racizmin e pastërt fetar.
Megjithatë racizmi grek ka mbetur i pandëshkuar, sepse është brenda strategjive
të ndarjeve të popujve në dy fronte,me kriterin sipas besimeve fetare. Dy
qëndrimet e mësipërme greke ndaj çamëve myslimanë, tregojnë qartë synimet duke
përdorur taktikat shpifëse të shkrimtarëve, shkencëtarëve, historianëve dhe
shtetarëve grekë. Mjerisht z. Manda nuk arrin t'i kuptojë kolegët e saj,
sidomos ata të djeshmit, të cilët hodhën trasetë e vazhdimit të shumë shpifjeve
dhe gënjeshtrave ndaj çamëve, por, për fat të mirë, çdo lexues i vëmëndshëm, me
leximin e librit të E. Mandas arrin t'i kuptojë ato me lehtësi.
*
Gënjeshtra dihet, është mashtrim në trajtën e një të pavërtete të shprehur me
qëllim mashtrimin, ose ndryshe është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se
është e tilllë, por bëhet e qëllimtë që të tjerët ta pranojnë si të vërtetë.
Gënjeshtra e mashtrimi, ku përfshihen maskimi, falsifikimi, fshehja e fshirja,
janë veprime të qëllimta tek pala greke për të krijuar përfytyrim të
gënjeshtërt për çamët myslimanë, me synim plotësimin e betimit në asamblenë
megalloideiste.
Në
kohën kur rajoni ishte nën sundimin italo-gjerman, pala greke i kallzonte çamët
si mbështetës të partizanëve; ndërsa anglo-amerikanëve, u a kallzonte si
mbështetës të gjermanëve. Kështu i njëjti komunitet, sipas palës shpifëse
greke, luante me dy porta gjë që është e pamundur, sidomos në kohë luftërash
botërore, por ja që shpifjet dhe mashtrimi grek kolisi (ngjiti) tek të dyja
palët (gjermanët dhe anglo-amerikanët)!!.
Një
vend tepër të veçantë studimi i kushton periudhës së luftës italo- greke, ku
përqëndrohet tek elementi çam, i cili nga ndonjëherë na paraqitet me një
autoritet më të fuqishëm se ai i pushtuesve italianë dhe gjermanë. Por, autorja
"harron" dhe u a heq ato mbivlerësime të forcës së imagjimuar ushtarake
çame, me deklarimet se prefektura e Thesprotisë drejtohej nga prefektët,
nënprefektët dhe gjithë nëpunësit e administratave të rajonit, vetëm me persona
të kombësisë greke. Ndërsa pretendimi se në kohën e pushtimit italian dhe
gjerman meshkujt çamë, nga mosha 14 vjeç e sipër, ishin veshur me uniformat e
atyre ushtrive kundër palës greke, kemi të bëjmë vetëm me mashtrime dhe
gënjeshtra. E vërteta është krejt ndryshe. Para ardhjes së dytë të ushtrisë
italiane, autoritetet greke i grumbulluan 6.000 meshkujt çamë, nga mosha 16
vjeç e lart dhe i internoi në ishujt e Detit Egje (një fakt tepër i njohur dhe
i vërtetë). Kur ushtria gjermane hyri në Selanik dhe pushtoi Greqinë, meshkujt
çamë i gjeti në kampet greke të përqëndrimit. Historiania nuk e trajton veprimin
e shtetit grek, ku gjashtë mijë djem dhe burrat çamë qëndruan gjashtë muaj në
ksori (internim), larg familjeve, pa asnjë arsye apo gjyq dhe se nga
keqtrajtimet në ato kampe vdiqën nga torturat 500 çamë. As faktin që gjatë asaj
periudhe, nëpër qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, ku kishin mbetur vetëm gra dhe
fëmijë, vërshuan vjedhësit, bandat vrasëse, kriminelët grekë të rajonit dhe
kretezët duke plaçkitur dhe shkatërruar gjithçka.
Autorja
trajton edhe çështje të tjera në studim. Në shtjellimin e shkollimit, ajo
përpiqet me shumë vështirësi të justifikojë mos hapjen e shkollave shqipe.
Lidhjet bëhen edhe me minoritetin grek në Shqipëri, i cili na u paska përdorur
si kundërpeshë nga shteti shqiptar. Me pak mend ky shtjellim duhej evituar, për
arsyen se shteti shqiptar i kohës nuk mund të trajtonte territorin ku banonte
minoriteti grek, tokë shqiptare, për ta këmbyer me territorin e Çamërisë që
ishte po tokë etnike shqiptare!.
I
dhimshëm dhe i sikletshëm është niveli i paaftësisë për mos dallimin e pasojës,
të cilën e përdor në vend të shkakut. Në librin e saj popullsinë myslimane, e
bazuar në përshkrimet e autoriteteve lokale të kohës, e cilëson se ishin njerëz
të thjeshtë, me nivel të ulët kulturor, të pashkolluar, kur ajo e din fare mirë
se shkollat shqipe nuk lejoheshin nga shteti grek, gjithashtu nuk shkruhet
asgjë për mos hapjen e shkollave shqipe, për çamët ortodoksë (të cilët autorja
nuk arrin t'i kuptojë që edhe ata janë të etnisë shqiptare) dhe akoma më shumë
shteti grek ende nuk i njeh si pakicë kombëtare shqiptare. Nuk ndalet as tek
qellimet e veprimeve të moshapjes së shkollave shqipe, por ishin hapur vetëm
shkolla greke në rajon, që këto shkolla shteti grek i përdorte për asimilimin e
dhunshëm të çamëve. Autorja vazhdon trajtimin e rasteve të veçanta si të
përgjithshme, ku çamët dalin përherë protagonistë të së keqes, periudhën e
luftës e paraqet shpresë dhënëse të çamëve. Aspekte të tjera krijojnë idenë
sikur gjatë asaj periudhe çamët paskan shkuar në fshatrat e Greqisë, ku kanë
vrarë, djegur fshatra, dëmtuar pronat e grekëve etj, kur dihet fare mirë se
ishin banditët e Napoleon Zervën, që shkuan në Çamëri dhe kryen masakrat e
tmerrshme.
Nëpërmjet
zj. E. Manda, pretendimeve greke se çamët paskan qenë më të këqinjtë e asaj
kohe dhe që i trashëgojnë edhe bijtë e tyre, sipas udhëheqësve të sotëm grekë,
po i vë përballë thëniet e studiuesit grek të asaj kohe, z. Niko Zhangu:
"Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i
rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një
shqiptar çam.
Pikërisht
për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit
gjerman dhe u burgosën". Më tej studiuesi grek, z. Niko Zhangu deklaron:
"Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjitha
fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çamë".
Qarqet
shoviniste greke për të nxitur përçarjen midis dy komuniteteve, ndihmuan në
vrasjen e çamëve me influencë si: Tefik Qemalin, Jahja Kasemin, vrasjet e
shqiptarëve të tjerë nga çeta e Koçnikollës. Të revoltuar nga këto akte, një
grup çamësh shkuan për të djegur fshatin Rahul (me banorë të krishterë), por u
doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej çamësh
myslimanë, dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli shpëtoi nga një katastrofë e sigurtë,
"më pas bandat e Zervës therën edhe gratë dhe fëmijmët e atyre që shpëtuan
Rahulin (Rackouli)", pra, vranë banorët e Karbunarit. Në këto rrethana,
për mbrojtjen e banorëve të Çamërisë, u formua një batalion i cili kishte afro
300 veta. Në të vërtetë batalioni nuk veproi brënda kufirit shtetëror grek, por
ai vepronte brenda kufijve të shtetit shqiptar. Duhet theksuar se arsyeja që
këto forca vepruan jashtë kufirit grek ishte, pasi gjermanët nuk donin të
prishin marrëdhëniet me qeverinë kuislinge të Ralisit (Ralis, dihej ishte
nazist, pro gjerman).Këto të vërteta, duheshin shkruar në librin "Çamët
myslimanë të Epirit". Mirëpo, nëse do shkruheshin të vërtetat, do binin
gënjeshtrat, do pohohej bashkëpunimi i qeverive greke me okupatorin, do
rrëzoheshin shpifjet për bashkëpunim të çamëve myslimanë me okupatorin. Më
shqip, rrëzohet strategjia 200 vjeçare e "Megalloidesë". Gënjeshtrat
dhe mashtrimet e palës greke ndaj komunitetit çam, kanë qenë të pandërprera,
janë evidente, të qarta, të shkruara dhe të njohura. Është për të ardhur keq,
por ndaj komunitetit çam që u shpërngulën dhe erdhën në Shqipëri, edhe rregjimi
monist shqiptar përdori forma denigruese, si heshtjen, censurën e egër
nëpërkëmbjen etj. Nuk është vendi për t'i shtjelluar këto fakte të turpshme,
pasi janë trajtuar me hollësi, sidomos në literaturat pas viteve dymijë nga
autorë shqiptarë, grekë, dhe të huaj, si dhe nga bijtë e Çamërisë që janë
rritur e shkolluar jashtë vendlindjes së prindërve, por me mbartjen në ndjenjat
e zemrat e tyre dashurinë, dhimbjet e të parëve.
*
Narcizmi. Nuk mund të lihet mënjanë narcizmi i shtetit grek, i cili idealizon
në mënyrë të tepruar besimin e tij fetar, e fetishizon atë, i thurr lëvdata të
pa fund derisa kalohet në egocentrizëm dhe aspak ndjeshmëri (empatikë). Është e
drejtë e tij, askush nuk ndërhyn, ndërsa diktati për ta shtrirë forcërisht tek
popujt dhe shtetet e tjerë, është e papranueshme, agresive, acaruese, shkaktare
e trazirave të pandërprera mes fqinjëve. Ky narcizëm, i lindur që prej
shekullit XIX në Greqi, krijoi vendosjen e racizmit etnik dhe fetar, që u
vërsul gjatë dy Luftërave Botërore dhe atyre Ballkanike ndaj popujve,
komuniteteve etnike jogreke si brenda dhe jashtë teritorit të tij.
Në
përfundim, arrim në konkluzionin se çështja për të cilën trajton autorja, do të
ishte e plotë dhe do t'u jepte mundesi lexuesave për të gjykuar me drejtësi dhe
paanësi po të ishte shtrirë në kohë dhe hapësirë, si dhe përfshirja në 'të e
politikave social-kulturore, ekonomike dhe etnike të ndjekura nga shteti grek
ndaj shtetasve të saj, çamëve ortodoksë me etni shqiptare dhe me banim në
trojet e tyre autoktone.
Në
normalitet vlerësimi për një sipërmarrje arrihet kur gjithçka niset nga fillimi
dhe çohet deri në fund, ndryshe duhet pranuar anësia në gjykimin e tyre,
mungesa e dëshirës për pasqyrimin e të vërtetave të fshehura e të fshira nga
propaganda shumëvjeçare të cilat nuk njiheshin dhe kur zbulohen gjatë
hulumtimeve se nuk janë ato që priteshin, detyrojnë shkruesit të bëjnë spostime
në kohë dhe në hapësirë, pa përjashtuar edhe censura të caktuara.
E
ndodhur para këtyre fakteve
historike,
të cilat përgënjeshtrojnë shpifjet, gënjeshtrat dhe mashtrimet greke, autorja
modestisht dhe me sinqeritet, pranon ekzistencën e gabimeve brenda në tekstin e
librit të saj dhe i gjykon si të paevitueshme me shpresë se me botimin e
librit, do të kontribuohet për korigjimin e tyre.
Bazuar
në këtë dëshirë-kërkesë të autores, u përpoqa të sjell disa prej të vërtetave
që nuk thuhen në librin e z. Manda. Njëkohësisht për këtë ndjenjë
përgjegjshmërie të autores, sinqerisht e falenderoj dhe i uroj punë të mbarë e
të pavarur në jetën e saj studimore.
Pjesa e IV
Konkluzion
tjetër që nxjerrim nga leximi i librit të E. Manda, është se vërtet studiuesit
tanë duhet të njihen me botimet e ndryshme, pavarësisht nga kornizat e
standardeve shkencore të botimeve. Kjo na siguron informime për çështje të
ndryshme, na ndihmon në përpunimin e qëndrimeve, na jepet mundësia e
përgënjeshtrimeve të shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve etj. të cilat e kanë
mbushur tregun social, duke bërë propagandë gjoja në emër të shkencës.
Konkluzion
tjetër me rëndësi në gjykimin tim, është përgjegjësia dhe kujdesi që kanë
përkthyesit, parathëniet qoftë ato që bëhen nga përkthyesit, shtëpitë botuese
apo institucioneve përkatëse.
Kam
lexuar shrime të shumta për çamët myslimanë të Thesproti/ Çamërisë, prej
autorëve të huaj dhe grekë, të cilët e kanë trajtuar çështjen periodikisht por
të shkëputur, të njëanshme, të shtjelluar me metodat e njohura, ku e veçanta
trajtohet si e përgjithshme. Ajo që më ka lënë mbresa të thella, deri diku edhe
keqardhje, janë konkluzionet e nxjerra, të cilat janë thellësisht dhe
forcërisht të bazuara tek kriteret fetare, ku rezulton qartë diktati i besimit
ortodoks, i cili çvlerëson besimet dhe besimtarët jo-ortodoksë, i quan
tradhëtarë të kombit grek dhe si të tillë duhen poshtëruar, vrarë, shpërngulur
nga atdheu i tyre. Të infektuar nga kjo ideologji, si taktikë për zbatimin e
strategjisë famëkeqe të "Megalloidesë", të gjithë autorët, sidomos
ata grekë, në trajtimin e problemit të çamëve myslimanë të Çamërisë, mbeten
skllevër të njëri- tjetrit, përsërisin sloganet e vjetra ku fajësohen si
shkaktarë të atyre ngjarjeve banorët myslimanë, ndërsa kisha dhe shteti grek
paskan bërë "përpjekje maksimale për t'i ndihmuar".
Ngjarjet
e vrasjeve të banorëve të Paramithisë të qershorit 1944 dhe vrasjet e kryera në
Filat gjatë fundvitit 1944 dhe fillim vitit 1945, autorja do bënte mirë të mos
i shkruante, për arsye se trajtimi i atyre masakrave nga historiania, gjoja si
veprime të dala jashtë kontrollit të urdhërave, apo se forcat e Zervës na
paskan çliruar qytetin, janë qartazi mashtrime dhe të pavërteta. Ato
çvlerësojnë tërësisht studimin e saj, kjo sepse në qytetin e Paramithisë nuk u
zhvillua luftë (ushtria gjermane ishte larguar nga qyteti kur bandat terroriste
greke u vërsulën mbi popullsinë e pa mbrojtur dhe e shqyen atë); gjithashtu
dihet fare mirë dinakëria greke e përdorur me parinë dhe banorët e qytetit të
cilët u prenë në besë nga kasapi Zerva dhe kriminelët e "pabindur" të
tij.
Taktikën
e premtimeve u përpoqën ta ushtronin edhe në Pargë, Margëllëç dhe Gumenicë, por
nuk arritën dot t'i mashtronin të deleguarit dhe, afati për dorëzimin, u kërkua
jo për arsyet që jepen në libër, por për të fituar kohë për të larguar familjet
që ti shpëtonin nga masakrat. Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet e masakrave
të Filatit, edhe ata u mashtruan nga premtimet e marra për tu rikthyer, por u
gjendën para masakrave të llahtarshme dhe me dijeni të plotë të qeverisë greke
dhe misionarëve anglezë. Gratë dhe fëmijët e Parammëthisë, të internuara në
vendqëndrimet e Filatit, të cilat u mbajtën mbi tre muaj, autorja vetëm sa na i
përmend, por nuk ndalet tek torturat e ushtruara ndaj tyre, as nuk e nxjerr
shkaktarin, po ashtu dhe për gratë dhe vajzat pargaljote që u rrëmbyen dhe nuk
dihej se ku i çuan, ata, "të pabindurit" e z. Historiane.
Absurditet
qesharak, naiv e tepër mashtrues.
Megjithatë,
gjatë leximit të këtij libri, arrihet të kuptohen të vërtetat dhe kjo falë
paaftësisë profesionale të autores, e cila në përpjekjet e bëra për ti treguar
ngjarjet në favor të palës greke, zbulon mashtrimet, shpifjet dhe egërsinë e
ortodoksisë së tyre.
Për
marrëdhëniet e shtetit grek me komunitetin e atij rajoni, gjatë periudhës 1913
deri në vitin 1945, për disa arsye kanë munguar shkrimet nga pala e çamëve
myslimanë, edhe kur ndonjë autor i zonës (çam ortodoks) bënte përpjekje për
tregimin e së vërtetës, izolohej dhe shkrimet e tyre nuk arritën të
qarkullonin. Në kushtet e boshllëkut ë krijuar dhe në mungesë të shkrimeve
opozitare, përfituan gramatikonjtë grekë dhe në revan me njëri-tjetrin shpifën,
mashtruan, gënjyen, duke akuzuar viktimën fajtor, ndërsa ofiqet ishin për
fajtorin e viktimës. Në këtë rrugë ka ecur edhe autorja, e cila nuk ka sjellë
të reja historike apo shkencore, por shtjellon thëniet e vjetra në një kohë të
re.
Çamët
myslimanë ishin viktimë e dy realiteteve të rëndësishme:
*
Së pari, u bënë viktimë nga mospranimi i besimit ortodoks, gjë e cila po të
ndodhte, do të ndërronte etnitetin nga shqiptar në grek, siç ndodhi me
ndërrimin e besimit nga banorëtt e dy fshatrave të vegjël të rajonit, që u
kthyen nga myslimanë në ortodoksë, apo dhe disa individë, të cilët shpëtuan nga
masakrat e dëbimi dhe hapësira territoriale e rajonit do të përjetësohej si
tokë greke;
*
Së dyti, u viktimizuan pasi ishin etni shqiptare dhe territori i banimit ishte
vazhdimi jugor i shtetit shqiptar, gjë që sillte siklet tepër shqetësues për
Greqinë dhe ortodoksinë.
Përfundimisht
"çamët myslimanë të Çamërisë", në pamundësi për t'u përballur me
egërsinë shtetërore dhe kishtare greke, armatë mbi 300 herë më e madhe, me
pseudo shkrimtarët, shkencëtarët, historianët dhe strategët ushtarakë
(fatëkeqësisht i mungonin krejtësisht palës çame), në përdorim të suksesëshëm
të taktikave shpifëse, mashtrimeve, gënjeshtrave, grabitjeve, vrasjeve,
përdhunimeve, dëbimeve, të hartuara dhe të urdhëruara nga kisha dhe shteti
ortodoksgrek, mbetën "Fajtorë" pa faj. Ndërsa fajtori, si thotë
Volteri, mbajti një fjalim prekës. "Në varrimin e së vërtetës, gënjeshtra
mbajti një fjalim prekës!"
Me
përgjënjeshtrimin e thënieve jo të sakta, të shtrëmbëruara në librin e E.
Manda, në fund del qartë se "si ata që i fabrikojnë shipjet, mashtrimet
dhe gënjeshtrat, apo ata që i përsërisin, bëjnë sikur i besojnë, por i përdorin
për të mashtruar të tjerët, atyre që u pëlqejnë këto vese neveritëse.
Studjues
i trevës së Çamërisë
Fahri
Dahri. më 17/04/2021.-
Shënim(1):
Artikulli postohet për botim për dy arësye:
a)
Me rastin e 77 vjetorit të gjenocidit grek ndaj çamëve, me dëshirën për t'ju
ardhur në ndihmë gjithë dashamirësve të Atdheut, në njohjen e historisë dhe të
banorëve të Çamërisë.
b)
Për të plotësuar kërkesën e disa miqve dhe shokëve, të cilët kanë shfaqur
interes të veçantë për tu njohur me të vërtetat e "Çështjes Çame" dhe
me qendrimet e shtetit grek ndaj pakicave etno-fetare.
Fund