Mendime
Meti Rexhepi: Modeli i tetëdhjetë e njëshit
E diele, 28.03.2021, 12:45 PM
MODELI I TETËDHJETË E NJËSHIT
(NË DYZET VJETORIN E
DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981)
NGA METI REXHEPI
Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e
Tetëdhjetë e njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Federatën
Jugosllave
Pas tre
dhjetëvjeçarëve të Demostratave të Vitit 1981, mund të bëhet bilanci më i
plotë: i peshës politike, i çmimit të jetës, i vlerësimit edhe i këndeve të
pandriçuara për to, i përshpejtimit të ritmeve dhe kahjes, që duhej të merrte
ideja dhe veprimi kombëtar...
Pohimet e
lojalistëve të “legales” së pushtetit, se Demonstratat e Njëmijë e nëntëqind e
tetëdhjetë e njëshit, qoftë kur e thoshin të shtyrë nga vartësit, ose duke
pikënisur nga pozita vetjake, se ato qenë “provokim” për rrezikimin e Federatës
Jugosllave, e, veçmas të shqiptarëve, krejtësisht inferiorë në atë rregullim
federativ, se demonstratat qenë “të parakohshme”, “të dëmshme” e të ngjashme, u
tretën si vesa e mëngjesit në diellin e verës.
Edhe brenda
funksionimit të Federatës Jugosllave, funksionuan klanet për mbizotërimin e
drejtimit të ekonomisë e politikës në Jugosllavi : klani serb dhe ai
kroat-slloven.
Shqiptarët në këtë
Federatë nuk kishin asgjë të përbashkët me ata që bënë kulmin e kësaj federate,
pos luftës së përbashkët antifashiste, renditur në koalicionin botëror
Antifashist, të viktimizuar e të martirizuar në mijëra, sidomos pas LDB-së,
duke u bërë pre e fushatave të njëpasnjëshme të
gjithë mandatarëve serbë dhe të tjerëve në shërbim të politikës serbe.
Lufta e Dytë
Botërore, për më shumë se gjysmën e shqiptarëve nuk solli çlirimin kombëtar të
tyre. Kjo luftë si shpërblim për shqiptarët bëri copëzimin e tyre në katër
subjekte politike administrative-shtetërore të ortodoksisë sllave.
Herë fshehur, herë
hapur përbindëshi serb i Federatës,
gjithnjë mëtoi gllabërimin e përbërësve të saj, sipas programimit luftë-nxitës:
aty ku është edhe një serb i vetëm, aty është Serbi. Deviza e këtillë e
nacionalistëve të skajshëm serbë, do ta sjellë gjakderdhjen, gjenocidin dhe
krimin shtetëror në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
*
Ku ndodheshin
shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta?”Lufta e ftoftë” mes Natos dhe Traktatit të
Varshavës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, mori frymë për
shtendosje, ndonëse pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968, riktheu dimrin rus
në pranverën e Pragës.
Rezistenca gjithë-popullore
prirë nga lëvizjet studentore, jo vetëm në Çekosllovaki, do të jetë faktori
ndër-reflektues, i ndërsjellë, për klimën ndikuese edhe tek ne, kur priteshin
ndryshimet në amendamentet e Kushtetutës së Federatës dhe të njësive federale,
po ashtu edhe të statusit të Kosovës që ishte nën Serbi.
Vetëdijesimi i
shqiptarëve për ndryshimin e pozitës së tyre ishte tejet i penguar. Në këtë
klimë, për t’iu dhënë kahe kërkesave për ndryshimin e statusit të Kosovës,
ndodhi Një mijë e nëntë qind e
gjashtëdhjetë e teta, jo në Pranverën e
Pragës, por në Nëntorin e Lirisë për shqiptarët.
Gjashtëdhjeteteta
është pararendësja e artikulimit të kërkesave për barabarësi me popujt tjerë,
sllavë të jugut të Evropës, për universitet, për përdorim institucional të
shqipes, për simbolin kombëtar, e tjera, por nuk u zgjidh dot qenia e statusit
të republikës për shqiptarët. Andaj, barrën e përmasës kombëtare për zgjidhjen
e statusit të republikës nën Federatë, pas katërmbëdhjetë vitesh, ta merrte
sivëllai i Gjashtëdhjetetetës: Pranvera e Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit.
Rikthimin në
periudhën e diskutimeve kushtetuese, të një frymëmarrjeje më liberale, pas
pezullimit të diktaturës së Rankoviqit, Titoja po mëtonte ta arrinte përmes baraspeshës
mes klaneve të papajtueshme: serbëve me
satelitët e tyre dhe kroatëve e sllovenëve. Përfaqësuesit “legal” të
shqiptarëve në shtetin jugosllav, nuk e patën guximin që të prinin në kuvendet
e komunave të Kosovës, madje edhe në Preshevë e Bujanoc, të këmbëngulej për
kërkesën legjitime, të ngritjes së statusit të Kosovës në status të republikës
brenda Federatës Jugosllave.
*
Përkeqësimi i
gjendjes ekonomike-sociale në Kosovë si shkak dhe pasojë e shfrytëzimit nga
Beogradi, kurdisja e fushatave ndaj akëcilit personalitet kombëtar, fletë arrestet
e vazhdueshme politike, qasjet paragjykuese, që nga Akademia e Shkencave e
Serbisë deri tek fshatarët e rëndomtë serbë, viktimizimet për etiketime pastaj
ndjekjet policore, trumbetimi i urrejtjes në medie, shpifjet sistematike të politikave,
të medieve të shkruara e pamore, ngritën diskursin e paragjykimit, që do ta
derdhin me mllefin e gjenocidit në dy dekadat vijuese të viteve 1981-1999.
Degradimi dhe
zhveshja e Autonomisë së Kosovës të Njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katrës
deri në skeletin e saj, pashmangshëm zgjuan inteligjencën e re shqiptare për
gjetjen e mënyrës së kryengritjes...
Tashti “ilegalja”
jo-lojale ndaj strukturave të shtetit e pushtetit mori rolin jetik: për jetë a
vdekje! Gjiri i popullit nxori profilin e ideatorëve të vet. Modeli i këtij
profili, Adem Demaçi ishte prangosur me dekada, por fryma e idesë së tij
gjallëronte. Ideatorë tjerë të veprimit të idesë së Demaçit do ta shtresojnë
strumbullarin kombëtar: Metush Krasniqi, Jusuf Gëralla, Ukshin Hoti, Rexhep
Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Ali Lajçi, Bajram Kosumi...
Ndërsa Tahir e
Nebih Meha 13 Majin e Sigurimit Jugosllav, do ta shqyejnë me krismat e pushkëve
e të gjakut të tyre në Epopenë e Prekazit, pararendës të Epopesë së Jasharajve
të UÇK-së.
Në ballë të
Demonstratave të Tetëdhjetë e njëshit doli rinia studentore, klasa punëtore,nxënësit
dhe minatorët. Lëvizja studentore, të cilën historiani at-dhetar, akademik Ali Hadri e quajti “Lulja e Kosovës”.
Përmbysja
simbolike e tabakut të ushqimit në kuzhinën e studentëve të Universitetit të
Prishtinës, do të jetë gjëma e nismës së një përmbysjeje të paralajmëruar të
ngrehinës tiranike. Lëvizja studentore e Universitetit të Prishtinës, do të
jetë promotori i Demonstratave të Pranverës
së vitit 1981, tashmë historike, që u zgjerua, duke u shtrirë në tërë Kosovën
dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc, në Ulqin e
gjetiu.
Demonstratat
burimin e kishin te gjendja e pakënaqshme e popullatës dhe pozita nënshtruese e
shqiptarëve. Përmbajtja e tyre tërësisht paqësore u shtyp, ngase përballja me
policinë e Serbisë dhe njësitet e policisë Federale, i shndërruan demonstratat
në kryengritje të përgjakshme. Gjithsesi, në këtë kryengritje spikati tipari
heroik i të rinjve dhe të rejave tona, duke ua hapur gjokset djaloshare
plumbave e gazit lotsjellës, ujit
përvëlues, shkopinjve...
Fyerjet nga qarqet
politike, represioni tejet i vrazhdë i policisë, demonstrimet e qeta i shpien në një kryengritje të pabarabartë
gjithë popullore, që gjithsesi tronditi Jugosllavinë edhe Evropën. Mediet
botërore kthyen shikimin kah një pikë e ndrydhur që quhej Kosovë. Megjithatë, përqendrimi
tjetër i diplomacisë Euro-Amerikane ishin portet e Polonisë, përkatësisht Lëvizja Sindikale “Solidarnost”,
prirë nga Leh Valensa.
*
Pranverën e
përgjakshme të vitit 1981, e karakterizoi përmasa gjithëpërfshirëse, ndaj
pikërisht kjo rrethanë ua humbi logjikën e gjakftohtësisë shtetarëve
jugosllavë, kryesisht serbëve. Në tubimet e ethshme të partisë shtet, ngjarjet
e Tetëdhjetë e njëshit u përkufizuan me togfjalëshat famëkeq, si:“kundërrevolucion”,
“separatizëm”, “irredentizëm” e izma tjerë luftënxitës.Ishin të vështira
rrethanat për tu përballuar të tëra ato gara të përditshme etiketash fyese e
kërcënuese, propaganda e shfrenuar, e cila do ta kishte cakun e vet tejet
tragjik, sikur e pati, jo më shumë se dy dekada më vonë, kur u zbatua gjenocidi, që do ta ndërpresë UÇK-ja
dhe Aleanca Veri-Atlantike e Nato-s, në qershor të vitit 1999.
Autoritetet serbe e kishin humbur fare logjikën dhe etikën
njerëzore në mësymjet e tyre; ngase kërkuan, gjykuan, shqiptuan dhe zbatuan
masat policore e gjyqësore drakonike, tipike mesjetare. Për prijësit,
organizatorët e përkrahësit e Demonstratave u shqiptuan shekuj vitesh burgimi!
Qindra-mijëra shqiptarë u pezulluan nga vendet e tyre të punës. Qindra-mijëra
tjerë morën rrugët e mërgimit...
Krahas pasojave
për shqiptarët, Demonstratat e Tetëdhjetë e njëshit në sytë e botës ia nxorën
bojën “idilës jugosllave”, “të mirëqenies e barazisë”, “mes kombeve e
kombësive të Jugosllavisë.”
Si përfundim i
krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit
është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.
*
Pas Njëmijë e
nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit, statusi etnik i shqiptarëve të trazuar, tashmë u trazua skajshmërisht nga politika
policore... Marrëdhëniet ndëretnike i helmoi politika shoviniste serbe. Në çdo
aspekt të veprimtarisë institucionale e publike, kuadrot shqiptare këqyreshin
me sy zhbirues, gjithkah, në çdo kënd vigjilonte syri dhe veshi i dyshimit, i
përgjimit, përcjellja nga hafijet si hije, censurohej fjala publike, programet
arsimore dhe identiteti, kultura, letërsia, artet... Ndjekja u bë një
veprimtari fitimprurëse, lulëzoi gojëtaria e diferencimit, hapeshin dyert për
dëbime masive, ndërsa frika e kapjes për prangosje i solli gjumit të natës
ankthin e pagjumësisë.
Diferencimi dhe
përzgjedhja negative, si dhe pezullimi nga detyrat me peshë publike, do të jetë
lëndë e përditshme e trajtesave të gazetarisë denoncuese dhe gjykatave të
monizmit partiak në Kosovë, në Serbi, në Jug-Federatë!
Posaçërisht gjuha e
diferencimit përçarës, si një ogur i zi, kalëroi në fushën e edukimit e të
arsimit shqip. Diferencimi dhe kursi i tij hapnin taborre: pro et contra. Kush
përfaqëson, anon, mbështet, simpatizon a mëshirohet për vijën “irredentiste”,
“separatiste”, “armiqësore” e këso lloj formulash gërryese dhe, kush është
besnik për zbatimin e direktivave të
LKJ-së “fajtomë”?! Në këtë mes nuk lejoheshin qasjet e papërcaktuara.
Përmes këtij
procesi totalitar vihej në sprovë karakteri njerëzor, vartësia sociale e
kryefamiljarëve e kushtëzuar nga një politikë e panatyrshme. Thika e
përçarjes ishte e mprehtë, mjet i ftohjes
mes shokëve e miqve, sepse mëtoi ndarjet, prishjet dhe nënshtrimin, madje
ndër-familjarë! Në vorbullën e këtij procesi famëkeq, pati të atillë që u
ligështuan, por edhe nga të tillë që “taktizuan”? Akëcilët, ata që visheshin me
demagogji, si mburojë e paskëshin zgjedhur heshtjen, ndonëse heshtja atëbotë
nuk mund të ishte kapak i agjentë. Heshtakët morën tiparet e kameleonëve.
Më të shumtët
arsimues shqiptarë nuk lejuan që t’iu njollosej dinjiteti njerëzor, etik e
kombëtar.
Kategoria e
dinjitarëve arsimorë do ta përjetojë edhe sprovën tjetër të radhës, dëbimin dhe
mbylljen e shkollave shqipe nga okupatori. Por falë vokacionit atdhedashës të
tyre, misionin e shenjtë të arsimimit të brezave, do ta vijojnë në gjirin e
popullit, në “shtëpitë shkolla”.
*
Ideatorët,
prijatarët, bartësit e organizatorët e Tetëdhjetë e njëshit, posaçërisht ata që
mbijetuan ferrin burgjeve të okupatorit, por edhe sakrifikuesit që ranë, në
sytë e brezave “morën nam me gjak në ballë”, siç shprehej Noli për heroin
Bajram Curri.
Tetëdhjetë e
njëshi, si kudo në Kosovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Preshevë, Bujanoc, në
Kumanovë, në Ulqin e në Gjilan, në Gjermani, Zvicër e Belgjikë, ngriti tiparet
e dëshmorëve dhe dinjitarëve tanë, si Rexhep Elmazi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla,
Kadri Zeka, Enver Hadri, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Afrim
Zhitia... Këto figura dhe të tjerë, do të bëheshin modele e shëmbëlltyra të
adhuruara, natyrisht në Kosovë, në rrethe të mbyllura, por në qindra e mijëra
zemra ...
Këto modele
joshëse frymëzuan të tjerë personazhe për tu identifikuar me një shpirtgjerësi
të atillë, çfarë e patën ata e ia falën idealit të çlirimit e bashkimit... Ata
ranë, por nuk duhej të këputeshin hallkat e vijimësisë...
*
Tetëdhjetë e njëshi
solli një moral të paparë deri atëherë. Dhe ajo etikë etnike nuk u shua asnjëherë
përkundër masave represive. Ajo etikë e tillë kultivoi shpirtin solidar, ndërsa
aktin e flijimit e shpuri në lartësinë e kultit...
Në mesin tonë ka
ende qyqarë që mëtojnë ta fshehin oportunizmin e tyre të atëhershëm dhe të
tashëm, përmes teorive anarkike të një “konspiracioni“
botëror, për pleksje me faktorët e
jashtëm si nxitës të këtyre ngjarjeve, për atë ose sferën tjetër të dominimit... Në këtë mënyrë, këta
“urtarë kameleonë”, ende bien lehtë në grackat e përpunuara të konspiracionit
të ortodoksisë ruse-serbe dhe, injorojnë burimin e ngjizjes iluministe të
subjektivitetit të inteligjencës sonë çlirimtare!
Të tëra grupimet e
kësaj periudhe, me ngjyrime të jashtme: të majta a të djathta, në brendinë
e tyre nuk kishin tjetër çka, përpos
zgjidhjes së çështjes shqiptare të pazgjidhur. Prandaj, këto figura
flijuese do të jenë hallka të forta për t’i lidh brezat e mësymjeve
kombëtare: Nacional-Demokratiken me Gjashtëdhjetetetën, Gjashtëdhjetetetën me
Tetëdhjetë e njëshin, Tetëdhjetë e njëshin me Nëntëdhjetë e shtatën e UÇK-së
dhe UÇK-në me koalicionin Veri-Atlantik të NATO-s.
Gjilan,
e rishkruar më 24 mars 2021