Kulturë
Shefqet Dibrani: Ringjallje dhe shenjtërim?!
E shtune, 13.03.2021, 07:55 PM
Shënim për një ditar, me rastin e 40 Vjetorit
RINGJALLJE DHE
SHENJTËRIM?!...
(Xhemajli Berisha - DITAR: 1 janar 1979 –
25 mars 1981)
Në
vitin 2014, mësuesi dhe intelektuali Abas Fejzullahi, që jeton në qytetin
Solothurn, në Zvicër, më ofroi dorëshkrimin e “Ditarit” të Xhemajli Berishës,
të cilit i jam shumë mirënjohës. Ky shënimi kritik, qe planifikuar për ta
shoqëruar botimin e Ditarit, i cili me sa di nuk është publikuar kurrë. Sivjet
mbushën plot 40 Vjet, nga ditët e mbrama kur ai ka mbajtur ato shënime, prandaj
shfrytëzoj rastin për t’iu bërë ftesë publike Institucioneve përkatëse
Shtetërore në Kosovë, Organizatave dhe individëve, për ta botuar këtë ditar, i
cili është dokumenti më origjinal i asaj kohe! Natyrisht, ashtu si qe
planifikuar, bashkë me këtë shënim të cilin e kam shkruar për atë ditar.
(Autori Sh. D.)
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Ringjallja:
Dorëshkrimet e tilla
janë të rralla, si personalitet edhe Xhemajli Berisha. Ai jetoi pak por shënoi
pavdekësinë. DITARI na qartëson dramën e tij jetësore, intelektuale dhe
angazhimin e Tij për lirinë e Kosovës! Me nje fjale, po ringjallet kujtimi për
të!...
“Po
vendos t’i shkruaj “KUJTIMET E MIJA”, t’i shkruaj ngjarjet ma me rëndësi të
jetës sime “Ditët e mija”. Ato, ndofta s’kanë asnjë vlerë për të tjerët, por
për mua janë interesante... e këto janë kujtime të bukura rinore, sado që në to
ka edhe qaste të rënda e mërzitëse. E përse të mos i pavdekësoj pra këto
kujtime që mund të më ftekin (kujtojnë) dikur një varg të gjatë vuajtjesh e
brengash?”.
Kështu i ka nisur
shënimet e para Xhemajli Berisha, i sigurt për rëndësinë e këtij DITARI në
njërën anë, dhe në anën tjetër ka shprehur parandjenjën për fatin tragjik që e
priste. Pavarësisht nga ky induksion shpirtëror, ai ka qenë i vetëdijshëm për
rrugën që ka marrë dhe për tagrin që duhej paguar.
Gjithsesi DITARI i
Xhemajli Berishës, është një dokument letrar i cili sjell të paprekshme atmosferën
e atyre viteve, frymëzimet e asaj kohe për të cilat brezi im i ka të përjetuara
deri në thellësinë shpirtërore. Duke lexuar këto kujtime, (sidomos kur dihet
edhe fati tragjik i autorit), pa mëdyshje vlera historike merr konotacione të
tjera dhe rëndësia letrare e këtij DITARI bëhet si një uverturë e rrallë në
librin e sotëm shqip. Dokumentet e tilla shestojnë të vërtetën e angazhimeve
politike të asaj kohe, të kohës kur mbulohej me petkun e rrem të Vetëqeverisjes
Socialiste në Jugosllavi, kurse shkalla e diskriminimit nga Kosova gjerë në
republikën e skajshme Slloveni ishte dalluese, ashtu siç është nata dhe dita.
Megjithkët, DITARI rreket me jetën e rëndomtë të një studenti i cili me
besnikërinë e mundshme e ka përshkruar jetën në rrethanat e asaj kohe, sidomos
dalin më në pah ambiciet e asaj gjenerate, e cila mëtonte përmes shkollimit të
ndryshonin gjendjen, vërtetë të rënduar që kishte popullësia shqiptare në
Kosovë dhe në mbarë hapësirën e Jugosllavisë.
DITAR, sjell
atmosferën e atyre viteve, vite këto që përgatitnin Kosovën drejt sfidave të
mëdha dhe drejt një konflikti të pashmangshëm. Edhe pse autori nuk shpjegon se
ishte në ndonjë grup a lëvizje, përshkrimi i ngjarjeve dhe angazhimi i tij i
gjithanshëm na qojnë në një përfundim të saktë se ai ka qenë i angazhuar në të
gjitha aktivitetet kulturore, si dhe në të njëjtën kohë edhe i angazhuar nëpër
organizatat ilegale të asaj kohe. Jo vetëm, kaq por ndikimi prijatar lehtë do
të nënkuptohet.
Pavarësisht nga
përpjekja për t’i regjistruar ngjarjet sa më së saktë, përsëri disa ngjarje
mbeten të amullta, shumë të tjera nuk kuptohen dhe disa të tjera vetëm janë
cekur, po nuk janë shtjelluar. Kjo amulli të bënë me kuptuar se Xhemajliu ishte
i vetëdijshëm për rëndësinë dhe rrezikun e këtyre shënimeve të cilat po të
binin në duart e njerëzve të UDB-es, deshifrimi i kodeve dhe koncepteve do
t’ishte bërë me lehtësi, kurse dëmi do të ishte kolosal.
Ndikimi i Shqipërisë ose Shqipëria si frymëzim!
Ndikimi i Shqipërisë
është i paevitueshëm. Dihet se propaganda e Partisë së Punës së Shqipërisë në
programin e saj ideologjik kishte edhe propagandën e cila madhëronte bëmat dhe
sukseset e partisë e cila në masë të madhe ka pasur efektin e saj, duke ndikuar
drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptar me banim në Kosovë dhe gjithandej viseve
të tyre në ish Jugosllavi. Ky ndikim i Shqipërisë dhe bindjet për “lulëzimin
e sistemit socialist në Shqipëri”, për arritjet që i kishte Partia e Punës,
për avancimin e femrës dhe për barazitë e shumta që gjoja i kishte “krijuar?!”
ai sistem, përme këtyre shënimeve, na vijnë si pikëpamje të brishta, naive dhe
të paprekshme, ku gjenerata të tëra do ta përjetojnë DITARIN si një dokument
origjinal i asaj kohe.
Besimi i kosovarëve
për jetën e lulëzuar në Shqipëri, pa mëdyshje ekzistonte në atë kohë, dhe ky
koncept ishte ngulitur në kokat e asaj gjenerate e cila mendonte se vetëm
përmes “konceptit komunist për shoqërinë” mund të realizohej aspirata e
popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Sa ishte e mirë kjo doktrinë për
zhvillimet politike në Kosovë, dhe si do ta lexojnë DITARIN, qytetarët e
Shqipërisë Londineze është çështje më vete, por këto shënime sjellin të dhëna
konkrete për mënyrën e frymëzimit dhe emancipimit të shqiptarëve në Kosovë dhe
më gjerë.
Ta zëmë DITARI i
datës 16. VIII. 1979, mban titullin “Kur do të na ngroh ai diell
përtej Pashtrikut?”, (kurse të gjithë e dimë se Pashtriku është një mal që
shtrihet në mes Gjakovës dhe Tropojës, kurse përtej shtrihet Shqipëria), gjë që
mendohej se dielli i Shqipërisë djellonte më ndryshe, ose të paktën në atë kohë
kështu mendohej. Në DITARIN e datës, 14. IX. 1979, ai ka shkruar: “Ndërsa
TVT ishte si gjithnjë i preokupuar me probleme pune dhe rezultate të arritura.
Kanë me se të krenohen, dhe u lumtë. Kërdi të madhe po jetojmë dhe provojmë ne
“komunistët e pa inkuadruar”. Pa dyshim himnizimet për sistemin socialist
në Shqipërinë komuniste, në këtë DITAR janë evidente dhe përplot patetizëm?!
Megjithatë mendoj se kjo gjë nuk e zbeh përmbajtjen e DITARIT, përkundrazi,
duhet të lexohet pa e shkëputur nga konteksti kohorë, sepse këto rrëfime, si do
që të merren janë pasqyrë origjinale e asaj kohe dhe duhet shqyrtuar jo duke e
shkëputur prej atij konteksti.
Po një himnizim i
tillë patetik lexohet edhe në ditën e vdekjes së Hysni Kapos, (23 nëntor 1979),
përkatësisht në ditët 25 – 26 të atij muaji, ku dallohen glorifikimet për
thuaja gati të gjitha figurat komuniste të asaj kohe, duke mos e harruar as
fushën e artit: “Vërtetë arti po lulëzon në Shqipëri, mandej edhe artist të
shquar po lindin dita më ditë”, (E premte, 3. X. 1980).
Pa dyshim, himnizime
të kësaj natyre kemi me bollëk, pasi ato arritje i proklamonte televizioni dhe
radioja. Ajo propagandë besohej e përjetohej thellë, duke menduar se ai rend
shoqëror në RPSSH, ishte i përkryer?! Këto gjëra që i theksuam, nuk janë
vërejtje, ishte një ilustrim, kur dihet se ndikimi ideologjik në atë kohë ka
qenë i pa shmangshëm.
Komunizmi si ideologji!
Xhemajliu ishte Njeri
i asaj kohe, edhe ai të kaluarën e shihte të shëmtuar dhe madhëronte të
arriturat e sistemit socialist në Shqipërinë komuniste, e cila si ideologji
hasej kudo në libra, në radio e televizion, në teatër e familje, duke luajtur
një ndikim të fuqishëm. Madje edhe pikëpamja komuniste për t’u çliruar ka qenë
doktrinë e shndërruar në ideologji, këtë e shpreh edhe Xhemajliu në DITAR duke
thënë se “Stalini si vazhdues i rrugës marksiste. Sidomos komunist i vërtetë
është treguar lidhur me barazinë e kombëtare, e kjo shumicës së popujve zaptues
nuk u konvenon”, (17. 04. 1979).
Në këtë plan e gjejmë
tërë terminologjinë e kohës, pikëpamjet e sistemit komunist për borgjezinë, për
kapitalizmin dhe për shumë fenomene të tjera, të cilat ishin rekuizitë e asaj
kohe. Nga ky prizëm DITARI sjell elemente origjinale, dhe bënë një trajtim real
të koncepteve, kuptohet për kohën që po flasim.
Ky koncept që
theksuam më lart, shihet edhe në trajtimin e zhvillimeve globale, siç ishte
rasti i Palestinës, ku bota komuniste, veçmas Jugosllavia shprehte një
solidarizim në përpjekjen e saj për çlirim. Po nga ky prizëm shihej edhe bota
kapitaliste, që d.m.th. çdo gjë është parë me syzet e errëta të PPSH-së. Ja si
e përshkruan në një rast botën kapitaliste: “Fjalë që në vetvete shpreh
padrejtësi, shfrytëzim, tallje eksploatim, shtypje, varfërim i shumicës,
padrejtësi, keqpërdorim, krime të turpshme”, (E premte, 12. IX. 1980).
Ndikimi i profesorëve!
“Nisia
që zhvillohej ishte shumë interesante pasi që na përkiste pikërisht neve,
popullit shqiptar që është përbuzur nga borgjezia serbomadhe”, (E mërkurë, 9. V. 1979). Po ashtu “gazda
Muhamet”, kuptohet është fjala për një intelektual të formuar dhe me
pikëpamje përparimtare, me të cilin Xhemajli Berisha bënte shpesh debate.
Veçmas bie në sy ndikimi i profesorëve nga Shqipëria, pasi në atë kohë, çdo gjë
që vinte nga atje, pranohej e shenjtë dhe tejet e përkryer. Këtë e dëshmon e
dhëna se aty ku ligjëronin profesorët e atjeshëm sallat ishin përplot, madje
edhe me student nga katedrat tjera. Profesorët priteshin me duartrokitje, kurse
studentët ngriheshin në këmbë për ta nderuar ligjëruesin në fjalë, gjë që bie
ndesh me mentalitetin pedagogjik që haset në Evropën perëndimore, ku studentët
nuk lëvizin nga vendi me rastin e hyrjes së profesorit në sallë.
Xhemajliu në shënimet
e tij bënë vlerësime pozitive edhe për profesorët tjerë për të cilët ai do të
shprehet: Profa meriton çdo lëvdatë, ligjëronte rrjedhshëm, e zotëronte lëndën
etj.: “Vajta në ligjërata të analizës së bilancit. Edhe pse është nga lëndët
më të vështira, profesori e bënë lëndën shumë të thjeshtë. Vërtetë është pedagog
e jo llafe“, (E enjte, 16. X. 1980). Po ashtu në DITAR gjejmë edhe
vlerësime të kundërta: “Nga ora 15:00 vajta në ligjërata të planifikimit.
Lëndë shumë e rëndësishme, por kush të shpjegoj se? Vërtetë krime po bëhen në
çdo lëmi. Ai burri i botës merr rrogë, ndoshta edhe në raport 6 e më shumë se
punëtori. Thonë mandej u lodhëm së punuari”, (E mërkurë, 22. X. 1980.
Citatet dhe mendime me vlerë:
Vlerë tjetër, bile
mjaftë specifike e këtij DITARI, janë citatet e shumta dhe mendime të tjera. Ai
në gjysmën e parë të vitit 1979, shënimet e ditës zakonisht i ka mbyllur me
ndonjë citat të personaliteteve të shquara botërore, po aty këtu ka edhe aso të
personaliteteve të njohura kombëtare. Më pas ky vullnet i autorit vjen duke u
zbehur. Me kalimin e kohës, (jo në formë citatesh), por nëpër shënimet e tij të
shumta, ka mendime e mesazhe, (të cilat mund të nxirren dhe të përdorën si
citate), që dëshmojnë se mendimi i tij politik, filozofik e kulturor, dita
ditës avancohej dhe bëhej sa interesant po aq me vlerë. Ta zëmë: “Sa
interesant është psikologjia e njeriut: Gjithnjë në ndryshim, përherë në
lëvizje”. “Vetëm kujtimet mund të bashkohen”, (22 shkurt 1979). “Koha
kalon duke bartur me vete edhe neve që na shpie drejtë së ardhmes”, (23
shkurt 1979). “E vërtetë është se sa më shumë që të pengohet veprimi nga një
qëllim, interesimi shtohet edhe më tepër për atë qëllim që të mbërrihet me çdo
kusht”, (E enjte, 6. XII. 1979). “Çudi me disa njerëz, dinë shumë pak,
kurse për të folur s’lënë lami pa i futur hundët”, (E shtunë, 23. VIII.
1980). “I pabesi, i lig e kusar, është ngjitur aq lart dhe u bë kryetar”, po
a thua nuk vlen edhe për ditët tona kjo thënie, ka shkruar vet autori në kohën
e tij, në DITARIN e tij?! “Jo nuk është vetëm shkolla e rregullt ku njeriu
kishte me u pajis me njohuri të ndryshme. Për më tepër jeta është ajo që na
mëson gjërat më të ndryshme”, (E premte, 12. IX. 1980). “Çuditem me
aftësitë e njeriut. Kurë ndodhet në rrezik bëhet më i fortë dhe i patundshëm”,
(E enjte, 25. IX. 1980). “Po s’kalove nëpër kopsht, s’ke për ta shijuar
aromën e luleve. Po s’të theri zemrën ndonjë shikim i ndonjë vashe s’ke për të
kuptuar ç’do të thotë fjala: dashuri”, (E hënë, 1. XII. 1980).
Pa dyshim në këtë
DITAR, ka mundësi të nxirren edhe shumë mendime, citate e thëne me vlerë. Po
ashtu për ndonjë ngjarje kronologjike të asaj kohe. Ta zëmë kur paska vdekur
Ismet Gusia e Eqrem Çabej, kur paska ndodhur tërmeti në Ulqin ose dridhja e
tokës në Prishtinë etj. Po ashtu ka informacione të shumta edhe për shfaqje
filmash a për një ngjarje në teatër, një artikull në gazetë, një ligjëratë me
interes, një ndodhi në fakultet, një flirt, një udhëtim për Prizren, një
grindje e shumë ngjarje të tjera që e përplotësoj DITARIN edhe në aspekt të
tjera, duke e bërë veprën më joshëse dhe më të kompletuar.
Thjeshtësia, monotonia dhe vlera:
Gjithsesi itinerari i
tij është sa monoton në dukje të parë, po aq përmbajtjesor është në esencë.
Ndoshta për gjeneratën e internetit dhe telefonave celularë do të dukej kjo gjë
sikur të kishte ndodhur shekuj më parë, por jo ashtu, pasi të gjitha ngjarjet
kanë ndodhur diku para katër dekadash. Jo vetëm sa për krahasimin e zhvillimit
të teknologjisë informative, por për të parë se si janë lënë takimet, sa kanë
zgjatur pritjet, pikat e takimit e kështu me radhë është mirë për t’u lexuar,
sepse DITARI edhe në këtë plan është një kronikë mjaft interesante, d.m.th.
është i mbushur me shënime të thjeshta për ngjarje të rëndomta por që bëjnë një
vlerë më vete.
Vizitat kulturë e kohës:
Janë interesante
vizitat tek të njohurit dhe familjarët që shprehin kulturë, respekt dhe një
lloj identiteti. Por si do ta merr brezi i ri, mendja e të cilëve, jo pak, nuk
do t’ua përthekojë atë mentalitet, atë kohë!... Në një rast ai shkruan: “Sikur
të mos janë vizitat, njeriu do të kishte vështirë jetën”, (E shtunë, 9. II.
1980). Respekti për nënën vë në spikamë dashurinë etij për të: “I përgatita
plaçkat dhe u përshëndeta me nënën. Ajo nuk mundi pa i lagur qepallat me lot.
Ishte vetëm. E dija se do të mërzitej edhe më tej, por çfarë t’i bëja. Aty tek
porta u përshëndeta edhe me bacën Haxhi dhe mora udhën për në Prizren”, (E
hënë, 1. IX. 1980).
Edhe për motrat ai
kishte të njetin repsket. Këtë e dëshmojnë shënimet e datës 3. XI. 1979, ku ka
përshkruar një bisedë me motrat e tij, bisedë kjo që plotëson edhe më tej
virtytin e tij në raport me të tjerët: “U zgjova më vonë se sa në Prishtinë
dhe pas mëngjesit fillova të mësoj. Sidomos disa detyra statistikore i ushtrova
mjaft mirë. Për pushim dola në dhomën e ndejës ku ishin edhe dy motrat e mija
të cilat dëshironin që të bisedonin shumë me mua. Ato si herëve tjera ashtu
edhe këtë here shprehën dëshirën që sa më parë të fejohesha dhe mandej edhe për
dasmë kishin mjaft dëshirë. Unë i dëgjoja dhe më qeshej me to. E madhja thoshte
të martohesha me të shkolluar ndërsa e vogla ngulte këmbë për të pashkolluar”, (E
shtunë, 3. XI. 1979).
Situatat e papërshtatshme dhe ato konfliktuoze:
Xhemajliu duket se ka
qenë një tip paksa temperament dhe nganjëherë konfliktuoz. Këto fenomene aty
këtu ndeshen në DITARIN e tij, në të shumtën e rasteve ai pendohet dhe shpreh
ndjesi, por shpeshherë ka qenë i vendosur në qëndrimet e tij duke mos u penduar
fare për gjendjen e krijuar. “Në sallë disi në mënyrë jo të nxitshme i
cakërrova fjalët me Isniun e për hiq gjë. S’munda ta duroja mendjemadhësinë e
tij”, (Data, 30. 03. 1979). “Shkuam në mensë dhe si zakonisht filluam të
prisnim në radhë. Erdhi edhe Bekriu dhe filloi të më kërkonte falje nga ajo që
kishte ndodhur mbrëmë”, (E mërkurë, 9. IV. 1980). “Dikur më vonë erdhi
dhe Halimi e mbas tij edhe Bekriu, që tashmë i kishte kaluar hidhërimi”,
(5. III. 1981).
Ai ishte një karakter
që nuk e ka duruar padrejtësinë, këtë mund ta shpjegoj ky rast? “Filluan të
na shpërndanin nga një detyrë. Një gjë që s’më pëlqeu që në fillim ishte ajo se
aty ndodhej edhe një prof. serb i cili kinse ndihmonte profën tonë. Në bredhjet
e tij nëpër amfiteatër i shkoi përdore që të hetonte disa student kinse duke
kopjuar dhe menjëherë ua merrte detyrat. Ky gjest i tij më therte në zemër gjë
që më vonë pezmi arriti kulmin. S’munda të përmbahesha dhe shpërtheva si
vullkan duke derdhur vrerin: „Mjaft kanë qëndruar mbi kokë si skifter - s’është
më koha e Rankoviqit“- këto fjalë ia shqiptova me nervozitet profes i cili në
fillim u tronditë e pastaj mblodhi vetën dhe më lejoj që të dilja jashtë duke
përgjysmuar detyrat…”, (Data, 1 prill 1979).
Ka edhe raste të
tjera të shpeshta, të shumta, që shprehin këtë temperament, që shprehin
pendimin dhe nxitimin e tij “për hiçgjë”, siç shprehej edhe vet ai, (1.
11. 1979). Në një rast një konflikt tjetër e përshkruan ndodhinë kështu: “Ndërkohë
vajta t’a dërgoja vërtetimin për kredi por u zura për hiçgjë me nëpunësen.
Vetëm pse e quajta “Teze“ dhe vërtetë nuk ishte edhe aq e re”, (E martë,
14. X. 1980). Por Xhemajliu edhe për këso rastesh ka shprehur një humor të
hollë dhe mjaftë të pranueshëm: “Unë i inatosur nga sjelljet e tij që i
kishte marrë trakat natën e kaluar, nuk ia dhashë, mandej puna vajti gjer aty
sa që u deshtë që të kapërthenim pakë edhe fizikisht”, (E premte, 6. VI.
1980).
Dallavere, falsifikime dhe veprime mbresëlënëse...
Jeta studentore,
aranzhimet e tyre, sistemimi, planifikimi dhe mirëmbajtja e dhomave, rrobave të
trupit, frizurave të cilave iu ka kushtuar kujdes, marrja e pozave, kontaktet,
vizitat nëpër dhoma, loja me letra e me shah, dëgjimi i muzikës e deri tek
shpërndarja e literaturës pak a shumë e ndaluar, si dhe shumë e shumë gjëra që
e kanë bërë atë jetë ashtu siç ka qenë, janë një uverturë tjetër mjaftë
interesante e cila si kujtime shumkë do ta kthen në atë kohë që tashmë është
edhe e harruar. Por, vërtetimet, falsifikimet, kryerja e shërbimeve
administrative e shumë gjëra të karakterit human për shokë e të njohur e bëjnë
edhe më të kompletuar portretin njerëzor të Xhemajliut. “Ardhja e Beqës ka
rëndësi pasi që ma dha vërtetimin e tij për të rregulluar pasaportën. Dhe një
mend e rregullova përmes uthullës dhe bardhës e cila ishte efikas për të shlyer
gjurmët e lapsit kimik”, (E hënë, 9. VII. 1979), ose në një rast të
ngjashëm në sigurimin e dhomës në konvikt ai ka shkruar: “mandej unë me
dallavere pa vonuar shumë kohë e rregullova edhe këtë punë kaq të mërzitshme
dhe të koklavitur... dhe vajta ta shikoja dhomën. Ishte e mirë. Mandej edhe
nxehësja ishte për mrekulli”, (E enjte, 9. X. 1980).
Në një fletë DITARI
lexojmë këtë titull: “LOJË INTERESANTE DHE E DOBISHME”, në të cilën
shkruan: “Fjalë pas fjale ato vunë bast se kush pranonte të dilte tek
shitorja në qoshe të rrugës dhe të fshinte këpucë. Ximi, Qenani dhe Mesuti venë
në bast që, ai që pranonte kishte dhuratë nga katërmijë din. Unë i mora brushat
dhe ngjyrën dhe fillova nga puna. Shumë kalimtar shkoqeshin së qeshuri. Mandej
u ktheva në banesë. Desha t’ua kthej parat por ata nuk i morën. Atëherë vajta
dhe i bleva dy kg. banane dhe katër qese tambël.”, (E hënë, 7. V. 1979).
Edhe një shënim tjetër mjaft interesant?!
DEKLAROJ:
Nga
data e sodit betohem se nuk do të thithi,
mandej
as edhe një cigare.
Deklarata
u përshkrua - 4:OO.
Ps.
Pason nënshkrimi.
(E premte, 26. IX.
1980).
Pavarësisht kësaj
deklarate, më vonë ky betim është thyer, sepse më datën 17. XI. 1980, do të
gjejmë këtë shënim: “Mjaftë jam i dëshpëruar dhe mësimi nuk më mësohet. Ma
kënda vetëm të thithi duhan”. Edhe një rast tjetër: “Ndalohem tek një
kioskë dhe mbasi që mora një pako cigare eci me ombrellë në dorë”, (E hënë,
22. XII. 1980), etj. etj.
Qëndrimi ndaj fesë dhe patriarkalizmi:
Një dukuri që del në
pah është qëndrimi ndaj fesë dhe dukurive të tjera primitive të cilat në atë
kohë luftoheshin nga shtresa e re që po shkollohej dhe emancipohej. Pastaj
bëhej përpjekje për shkollimin dhe emancipimin e femrës. Bisedat në ndeja, në
ceremonitë fetare e mortore, në rrugë e autobus, kudo e ku jo, ishte një
përpjekje për t’i ndryshuar botëkuptimet, për jetën dhe shoqërinë. Pastaj
vizitat tek të afërmit, pra musafirllëku ka qenë formë tradicionale e kohës. Të
gjitha këto elemente e plotësojnë këtë DITAR, duke e bërë mendimin pedagogjik
të Xhemajliut edhe më të avancuar.
Në DITAR, Xhemajliu
mjaftë shpesh flet për dukurit patriarkale siç ishin fejesat e hershme, vrasjet
dhe hakmarrjet të cilat janë kundruar si fenomene regresive që shoqërinë e
pengonin, prandaj ai vazhdimisht është preokupuar me këtë problematikë: “Pas
darke biseda erdhi e u bë më e gjallë, pasi që erdhi edhe Hoxha i fshatit aq
keq ram në konflikt sa që ende pa u bërë ora 21:00, ai i mblodhi çaklat dhe iku
së bashku me disa fetar të tjerë”, (E diel, 29. IV. 1979), ose një rast
tjetër: “ndodhej hoxha i kapardisur si biban... Të tjerët me respekt luanin
nga vendi sa here që ai përmendte emrin e pejgamberit apo të vet Zotit. Më vrau
thellë në shpirt një gjest i tillë, një bisedë e tillë. Gjaku mu ngrit, por
arsyeja e pandehu vullnetin. Ishte vendi për heshtje”, (E martë, 7. X.
1980).
Parandjenja dhe shprehjet meditative:
Parandjenja, është
një fenomen tjetër i cili ndeshet kudo dhe kahdo në këtë DITAR. Ai ka pasur
mjaftë shtrëngime shpirtërore dhe dilema për të shpërthyer, dukuri këto që
manifestohen nga dita në ditë, ose nga stina në stinë, veçmas në gjysmën e dytë
të vitit 1980, dhe në muajt e parë të vitit 1981. “Të gjithë pinin. Secili
kishte arsye se pse pinte. Disa nga gëzimi e të tjerët nga ndonjë hidhërim. E
unë, unë përse pi? E di se unë s’bëj pjesë as në grupin e parë as të fundit”,
(E premte, 11. V. 1979). “S’di
pra! Por di se ku ka rrokaqiej, ka edhe kasolle, ku ka burokrat, ka varfanjak,
lypsar të shtypur. Pra ka diferenca, eksploatim, thithje gjaku, luftë,
divergjenca, mendjemadhësi e degjenerim. Vallë kështu mbërrihet komunizmi? A
kësaj na i themi vetëqeverisje?”, (E diel, 1. VII. 1979).
Ngjarjet janë parë
nga prizmi i kohës dhe janë interpretuar ashtu siç i kultivonte ajo kohë, duke
parë negativisht gjërat në Kosovë dhe duke himnizuar Shqipërinë, komunizmin. Si
rezultat i kësaj ka qenë një urrejtje e madhe për botën perëndimore dhe
kapitalizmin si sistem.
Në këtë vazhdë të
qasjeve lexohet një gjendje me ngarkesa mjaftë të dukshme. E këtë e ndeshim
edhe në DITARIN e datës 11 qershor 1980, ku ka shkruar se “të jetosh shumica
e mendimtarëve pohojnë si të luftosh. Pra është një aktivitet i njeriut ndaj
botës që e rrethon, si dhe ndaj një bote që nuk shihet por që është më e gjerë
se sa ajo që na rrethon... Shumë gjëra që ndodhin, vështirë t’i kuptoj mandej
dhe sikur tua zë kuptimin prapëseprapë ç’të duhet kur, kur nuk mund njeriu t’iu
kundërvihet. S’dua të jem pesimist, por pa mendua s’po mund të duroj. E nëse
sado pakë thellohem në ndonjë problematikë, padyshim se do të ndodhem në pozitë
kritike“.
Ajo gjendje për të
dukej e pa shpresë ose ai kishte hyrë ne vorbullën e veprimit ilegal, e që
nënkuptohet në vazhdimin e DITARIT po të të njëjtës ditë: “Po ç’fitova unë
nga jeta që e jetova gjerë në këto vite? Apo pse mundohem të lë gjurmë nëpër
rërën e pafund, kur jam i bindur se ato medoemos, jo fortë larg do ti humbas
ndonjë furtunë. Apo ku ndodhën gjurmët e paraardhësve të mi?”, (E
mërkurë, 11. VI. 1980). I kësaj natyre është edhe shënimi në ditët vijuese: “Thonë
ka ZOT! I falëm nëse ndodhet ndokund. Por nëse do të ekziston me të vërtetë dhe
(që është ashtu i drejt) i shef të bërat, padyshim do të pëlciste nga
padrejtësia”, (E martë, 8. VII. 1980).
Lirika poetike:
Udhëtimi për në
Prizren, sidomos mënyra se si e përshkruan qytetin e lashtë të japin për të
kuptuar shpirtin lirik dhe mjaft poetik të Xhemajliut. Këso përshkrime rreth
natyrës vijnë aty këtu si inspirime rasti e çasti. Këso detajesh kemi me
bollëk, por ia vlen ta veçojmë një ngjarje që ka ndodhur në qendrën e
studentëve: “Jetë, gjallërim vlon në këto ditë. E sidomos atmosfera
madhështore është mbrëmja në mensë ku vlojnë student dhe studente të çdo
profili. Është vërtetë kënaqësi e pashpjegueshme për njeriun që ndodhet në atë
ambient. Sa e ëmbël dhe komplikuar por e domosdoshme dhe reale”, (E premte,
19. X. 1979).
Poezitë e Xhemajli
Berishës qesin në pah shpirtin lirik, janë të përjetuara dhe kanë vlerë. Po
kështu mund të radhiten edhe poezitë satirike të cilat janë krijime të
realizuara mirë, ndërsa poezia ideologjike është e krijuar disi dhunshëm. Kjo
na bënë për të kuptuar për shpirtin e dëlirë që kishe ai.
Xhemajliu, ishte
student aktiv dhe gjatë asaj kohe i janë publikuar mjaftë shkrime. Madje ka
qenë traditë e kohës, kulturë më vete, leximi, analiza dhe komentimi i poezive
dhe teksteve letrare, e këtë gjë e dëshmon edhe ai vet në DITARIN e 29
qershorit 1979, ku shkruan: “Mandej filluam t’i analizonim disa poezi që
ishin të botuara”, ndërsa “Tribuna” që kishte dal nga
fakulteti juridik. Kishte disa krijues të ri me disa krijime që menjëherë të
bënin përshtypje se ende ishim të papjekura. Në te edhe unë e kisha një poezi:
“Përjetësia” dhe një humoreskë “Hallet e Sylës”, (E
mërkurë, 25. IV. 1979).
Modestia dhe dashuria:
Modestia e Xhemajli
Berishës mund të shihet e trajtohet nga shumë pamje, qoftë gjatë krijimit ku në
asnjë rast punën e vet nuk e cilëson të përkryer, po aq në biseda me shokë. Në
veprime askund nuk dihet roli i tij prijës, ky rol mund të nënkuptohet. Po
ashtu kur shkruan për provimet ka një lloj modestie, ta zëmë kur është rrëzuar
në provim dihet qartë se nuk ka arritur ta jap provimin por kur ka kaluar ose e
gjejmë “u përgjigja pozitivisht”, “isha në mesin e shokëve”, “edhe emri im
ishte i publikuar”. Por, në të shumtën e rasteve dihet dita dhe koha e hyrjes
në provim, por jo edhe rezultati. Aimund të nënkuptohet kur e urojnë, ose kur
shkruan se u gëzua dikush, edhe atë në formë të nëntekst në ditët vijuese e në
ngjarje të tjera. Në dy tre raste ka shkruar “ja me këtë provim e fitova
kushtin për ta regjistruar semestrin” vijues e kështu me radhe. Xhemajliu
ishte komunikativ, i dashur dhe shoqërohej shumë.
Flirtet:
Nga DITARI duket se
Xhemajliu si student ka pas kontakte të shumta me femra, nganjëherë sikur lihet
përshtypja se ka qenë specialist i kësaj fushe, një aventurier i rangut të
lartë, por nëse gjërat shikohen më me kujdes do të duket sikur janë lojë
fjalësh, sa për t’u justifikuar, sa për t’u maskuar në veprimet e tij
patriotike të cilat përgjoheshin se sa të një aventurieri.
Jo pak fletë, janë të
mbushur me këso detaje që krijojnë përshtypjen se ai ka qenë i vetëdijshëm për
këto shënime se mund të përfundojnë në polici, prandaj duket ky lloj flirti më
shumë ka qenë për t’u maskuar se sa një prirje e avancuar në këtë drejtim,
megjithatë ne po i sjellim disa detaje të cilat si përshkrime janë mjaftë
interesante: “E prita gjersa
darkoj e mandej fillova ta joshi me fjalë. Pritje dhe asnjë tjetër”, (E
premte, 22. II. 1980). “Bahtjari
ndenji në bibliotekë ndërsa unë me të dy cucat dola në qytet ku... ndenjëm disa
orë duke biseduar gjëra të ndryshme”, (E hënë, 10. III. 1980). “Unë u bishtnoj dhe nisem nga një drejtim
me Hanifen. Me padurim pres se çdo të më thoshte ajo. I hymë bisedës, ajo
priste një rast të tillë dhe si më parë ishte e të njëjtit mendim. I tregova
për të gjitha dhe më në fund u përshëndetëm me një shtrëngim duarsh të flakta”,
(E martë, 25. III. 1980), “Erdhi edhe momenti i dëshiruar, kur para meje
kaloj vasha me flokë të dredhura. Iu afrova me butësi dhe sjellje të kulturuar.
Ftohtë më shpoi shikimi i ashpër”, (E martë, 6. V. 1980). “Aty u takova me Ximin e mandej pas
drekimit së bashku me te shkuam me i shoqëruar pejanet gjerë në afërsi të
grandit”, (E premte, 17. X. 1980). “u
kthyem në mensë. Tollovia si zakonisht ishte mjaftë e madhe mirëpo pritja sot
më dukej jo fortë e gjatë. Pas darke e kërkova Ajshën dhe me te zhvilluam një
bisedë mjaftë të gjatë. Por ajo si e ndrojtur, e po sigurisht me forcat e veta,
po e vërej se ka një lloj përtese, mirëpo filli gjithnjë është i tillë”, (E
mërkurë, 12. XI. 1980).
Në këtë kapitull
flirtimesh të shumta lindin mjaftë dilema nëse këto janë tamam takime reale apo
ngjarje imagjinare?! Në një shënimi
të datës 22. XII. 1980, duket sikur flirti ka qenë vetëm rekuizitë për t’u
maskuar në veprimet e tij ilegale pasi disa shprehje figurative lënë për të
dyshuar: “E mbrëmja erdhi e bardhë. Dëbora e kishte stolisur bukur shumë.
Edhe inspirimi për dashuriçka… Sheshazi vetëm dëshirat… Dimër i vërtet”.
“Unë
megjithatë s’kisha mundësi të dilja ndokund verës, gjithnjë mendoja në plagën e
zemrës dhe në vajzën që shumë e desha. Kështu e ka kjo jetë. Shpesh takohesha
me te por vetëm me rastsime, tjetër mundësi nuk kisha. Ajo kishte pësuar
“fiasko” në studime. Rastësisht u takova më 12 shkurt të 79. Udhëtuam gjerë në
Prizren nga Prishtina, por dëshira mbeti e pa thënë. Sidomos heshtja e saj më
tërbonte fare... Ajo fare mirë e dinte që e dashuroja, prandaj përse heshtte? U
detyrova të shkruaj edhe në “Zërin e rinisë“ për këtë. Punimi ishte vështirë ta
lëkundin edhe megjithatë arsyetohej me të mëdha. Mendova të lëshoj pe. Fatin ta
kërkoj tek ndonjë tjetër, edhe pse veproja kundër vullnetit të zemrës.
Rrugëdalje tjetër s’kishte. Dhe vërtetë e gjeta. Mandej shumë më të qëlluar se
e para”.
“Kaluan
tre vite. Ajo ishte e fejuar. Shpesh më kujtonte fundin e kësaj loje që unë as
dëshiroja ta mësoj. Shpejt e kuptova se kjo lidhje që unë e pata quajtur
dashuri nuk ishte veçse ndjenja interesi. Ajo me mua u lidh jo se më
dashuronte, krahasuar me të fejuarin e vet, isha më i favorizuar. Erdhi edhe
momenti kur dashuria duhej provuar. E hetova se më kishte gënjyer dhe
dalëngadalë u stepa. U ndamë. Ajo u martua me të fejuarin, ndërsa unë vazhdova
jetën si më parë në vetmi. Vështirë qenka të gjesh shoqe të jetës, të zemrës
dhe të besës. Sido që të jetë kurrë nuk do të pranoj të lidh fatin me ndonjërën
që nuk e dua”.
Edhe në këtë plan,
arsyeja dhe kërkim falja kanë qenë edhe edukatë edhe kulturë e Xhemajliut, pas
një incidenti më 24. I. 1981, të nesërmen e lexojmë këtë shënim: “U zgjova
me vonesë, ndërsa sytë i kisha të ënjtur nga pagjumësia. Vajta të kërkoja të
falur por nuk munda. Menjëherë kur më pa u qel në fytyrë. U gëzua. Edhe unë i
buzëqesha por zemra më rënkonte. U ndamë me shpresë se do takoheshim sërish të
nesërmen, (E diel, 25. I. 1981).
Lodhjet, mungesat dhe provimet:
Nga ndejat e gjata,
nga takimet e shumta, qoftë duke biseduar “për gjëra të rëndësishme?!”, qoftë
duke luajtur a gjë tjetër, Xhemajliu shumë orë mësimi nuk i ka mbajtur: “Kohëve
të fundit nga pagjumësia që po fle më vonë edhe gjumi po më del më vonë. Gjithë
ligjëratat e grupit të parë s’po mundem kurrsesi me i dëgjua”, (E shtunë,
21. IV. 1979).
Duke lexuar me
vëmendje këtë DITAR, krijohet përshtypja se ai studimet i ka nis vetëm sa për
t’u justifikuar se është duke studiuar, në mënyrë që t’i vazhdoj aktivitetet e
tija. Të gjitha angazhimet e tij politike, gjatë gjithë kohës, kanë qenë në
plan të parë, studimet në të dytin, për të mos thënë në rend të fundit. Por,
kur të kuptohet se dëshirë e tij ka qenë për të studiuar mjekësinë, gjë që aty
nuk e kanë pranuar, e më pas ai e ka regjistruar njëkohësisht fakultetin
ekonomik dhe atë juridik, ndërsa nga shënimet kuptohet se ka vazhduar në
ekonomik, ndonëse ëndërr e tij ka mbetur studimi i gjuhë dhe letërsi shqipe,
pasi letërsinë e kishte pasion.
Xhemajliu ka qenë një
personalitet me ambicie të mëdha dhe ka poseduar kulturë universale, për brezin
e tij tejet i veçantë. Ai ka qenë i angazhuar (në planin politik), më shumë se
kushdo tjetër: “Ka disa ditë që në zemër më vlon diç dhe njëherit edhe kokën
nuk e kam të qetë. Diç po më mundon, këtë unë e di fare mirë, por nuk kam forcë
që të bëjë ballë dhe të dal nga kjo rrugë e cila fundin e ka shumë të pa qartë.
Eh si është edhe kjo krijesë e quajtur Njeri: përplot dëshira dhe vetëm dëshira.
E si mund të i plotësojë të gjitha ato që kërkohen, kur të shumtën e rasteve
varën nga vullneti i tjetrit?” ose po aty “Disponimet janë shumë të
rëndësishme e që mua po më lajmërohen të nduarduershme. Vizita ime në qytet
shumë më disponoi dhe më largoi nga disa mendime që ndoshta janë shumë të
rrezikshme”, (E hënë, 6. VIII. 1979).
Nga agjendat e shumta
të takimeve dhe vizitave, atij iu ka reflektuar edhe në mësime, por se ishte
shumë i angazhuar duket përgjatë tërë DITARIT, ku prioritet iu ka dhënë
aktiviteteve. “Nga ora 14:00 edhe unë u përgjigja dhe e dhashë të vetmin
provim të vitit të parë”, (E hënë, 23. IV. 1979). “Profesori na
shpërndau nga një detyrë. Filluam nga puna. Që mendimet e para e pashë se nuk
mund t’i zgjidhja andaj pas pak u ngrita dhe dola jashtë. Shëndosh për
shtator”, (E shtunë, 2. VI. 1979). Në
një rast tjetër shkruan: “Për të mësuar sistematikisht, kam vazhduar e besoj
se ndoshta edhe rezultati nuk do të mungoi. Se për ndryshe s’kam si arsyetohem.
Punë tjetër nuk jam duke zënë me dorë, kjo edhe po më brenë, por s’di si t’ia
bëjë. Më vjen keq për prindërit, se për ndryshe aq më bënë”, (E mërkurë, 8.
VIII. 1979).
Padyshim, nga
shënimet e këtij DITARI, kuptohet se Xhemajliu, ka qenë një tip i veçantë, i
arsyeshëm të cilin e kanë preokupuar edhe gjërat më të imta. Ai ka qenë i
dashur dhe mjaftë i arsyeshëm edhe në raport me familjen, prandaj në të njëjtën
kohë bënte aktivitet politik dhe ka arritur në afat optimal t’i kryej edhe
provimet. “Ndenjëm pak e mandej ata u ngritën ndërsa unë fillova të mësoj,
pa pretendim që ta ”mbaja çuranin natën e bajramit”, (E shtunë, 10.
XI. 1979), ose “kur përfunduam nxora një konkludim se ende nuk ishte
përvetësuar lënda sa duhet, por sidoqoftë, fati duhej provuar, (E
shtunë, 17. XI. 1979).
Sipas këtyre
shënimeve, kushtin për të regjistruar vitin e dytë e ka fituar tek në afatin e
tetorit, por kjo gjendje te Xhemajliu nuk ka ndryshuar edhe më vonë, edhe në
afatet tjera. E, për një gjendje të
komplikuar dhe për mungesë disponimi për të mësuar na qartëson një fragment të
cilin po e citojmë: “gjërat e vështira mësohen vetëm atëherë kur ndodhesh
para vështirësisë. Ashtu ndodh edhe me mua: provimet i mësoj pa kurrfarë shije.
Pos kur ofrohet afati atëherë ndryshojnë gjërat”, (E premte, 21. III.
1980).
Shihet se për
Xhemajliun, asnjë provim, asnjë afat nuk kanë pasur prioritet karshi
veprimtarisë politike, e kjo gjendje është manifestuar në mënyrë të dukshme
edhe në natën e fundit para se të hynte në provim: “Po s’më doli gjumi në
mëngjes? Vajti dhe ky afat si ai i Qershorit” andaj “Për t’u siguruar
për të nesërmen e porosita një cimer të dhomës tjetër për të më zgjuar në
mëngjes”, (E premte, 5. IX. 1980). E në një ditë tjetër ai shkruan: “Gjumi
më doli bukur herët... Sapo i tërhoqa pyetjet e dita se do të kaloja... Në fund
kur i morëm indekset e pash se nota ishte pozitive”, (E shtunë, 6. IX.
1980).
Se ka pasur një rol
jashtëzakonisht të madh në angazhimet politike s’ka dyshim, por në të njëjtën
kohë edhe një përgjegjësi për t’i kryer provimet me rregull dhe në afat e kanë
bërë dramën e tij jetësore më sfiduese: “Dikur na i shpërndau indekset. E
hapa me të shpejtë dhe shikova notën kaluese. Me këtë provim e fitova statusin
e absolventit... Shkova në banesë dhe prej andej u ktheva për ta regjistruar
semestrin”, (E hënë, 29. IX. 1980).
Jeta studentore dhe ajo kulturore:
Një kaptinë me vete,
padyshim është jeta studentore, peripecitë e shumta, organizimi i sajë,
përballimi i studimeve etj. Të gjitha këto ngjarje kthehen në kujtesën e
lexuesit përmes këtij DITARI i cili për gjenerata e gjenerata do të rikujtohet
si një ëndërr që i takon të kaluarës së harruar, prandaj DITARI ka edhe
simbolikën e “ringjalljes” e cila rikthen dhe rikujton me sinqeritetin më të
madh atë kohë. “Sot koha ishte mjaft e ftohtë. Dolëm të gjenim naftë por
kot. Shkuam në katërsh dhe Sejdiut ia morëm nxehësen e shkuam në banesë”,
(E diel, 24. II. 1980). Sipas rrëfimeve, kjo gjendje ka zgjatur shumë, mungesa
e karburantit për ngrohje ka qenë shumë e theksuar, po më mirë le të lexohen
fletët e datës 25, 28 të atij muaji. “Më vonë ram të flinim, pa
mundur të mësonim sadopak...”, (E enjte, 28. II. 1980), “por me që në
banesë nuk kisha derivat dhe koha ishte shumë e ftohtë së bashku me ta shkuam
në Restorant Rugova ku ndenjëm disa orë”, (E martë, 4. III. 1980), “madje
edhe ishte bukur ftohtë gjë që ishte vështirë të mësoja”, (E enjte, 6. III.
1980).
Ne e kemi theksuar
edhe më parë, por vizitat tek studentët, nga të njohurit dhe familjarët kanë
qenë të shpeshta dhe jo rrallë të mundimshme, sepse kanë mundur t’i pengojnë
për të mësuar: “Këto ditë mjaftë janë vizitat që po na i bëjnë të njohurit
tanë, bile e kemi mjaftë të vështirë për të mësuar sadopak”, (E shtunë, 7.
VI. 1980). “Më vonë erdhi Qerkini. Vinte nga shtëpia sepse edhe çantën e
kishte me veti. U njoftuam me hallet e njëri-tjetrit. Ai ishte tepër indiferent
ndaj disa rasteve. Jo mendjemadhësi por naivitet. Ai mbasi që iku sërish u
kthye për të fjetur. U ngushtuam ca dhe rregulluam vend. Mirëpritnim gjithnjë!
Miku pritet me çka ka. Ndenjëm deri në orët e vona”, (E hënë, 22. IX.
1980).
Jeta e studentëve
varej shumë edhe nga rrethanat e sistemit pedagogjik në shkollë, përkatësisht
nëpër fakultete, pasi dihet se burokracia e profesorëve dhe sistemit ka qenë
mjaftë e disfavorshme për të gjithë studentët të cilët jo pak kanë bredhur pas
provimeve, pas regjistrimit dhe ligjëratave të cilat jo pak janë mbajtur të
shtunave dhe të dielave, duke na qitur në pah edhe një anë të sistemit
burokratik që ishte ndërtuar në Kosovë, (Për më shumë krahaso DITARIN: E hënë,
23. VII. 1979).
Po ashtu Xhemajliu i
përcillte me vëmendje të gjitha zhvillimet kulturore dhe lexonte shumë. Ai
përveç shkrimeve, poezive dhe leximit përcillte me vëmendje seminare dhe
ligjërata të caktuara që mbaheshin në Fakultetin Filologjik, e ku kanë ligjëruar profesor të caktuar për tema dhe
ngjarje të veçanta: “Shkuam për drekë e mandej edhe në fakultetin filozofik
ku akademiku Idriz Ajeti ligjëroi një ligjëratë për Aleksandër Xhuvanin. Aty të
pranishëm ishin shumë persona shoqëroro - politik. Ishte edhe përgatitje –
recitimi si dhe Kori <Kolegjium Kantorium> merrte pjesë”, (E
premte, 14. III. 1980), ose “pak pushova e mandej mora të lexoi nga romani i
Nazmi Rrahmanit “Toka e përgjakur”, (E martë, 29. I. 1980), diku
tjetër shkruan se ishte duke lexuar romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, të
disidentit të njohur Adem Demaçi, (E mërkurë, 14. V. 1980), e kështu me radhë.
Jo vetëm që mirrej me
leximin, por Xhemajliu ka zhvilluar edhe debate të shumta për libra dhe
konceptet të tyre. Një gjë të tillë na dëshmon biseda e tij me Bacën Muhamed,
përkitazi me librin e Rexhep Qosjes “Morfologjia e një fushate”: “Pasi u
kthyem nga dreka para kopshtit u ulëm me bacën Muhamed dhe filluam nga bisedat.
Ai kategorikisht i kritikonte disa dukuri që jo vetëm janë manifestuar por që
vazhdojnë avazin edhe në ditët e tona. Fjala rrodhi dhe rreth polemizimeve të
pareshtura të letërsisë dhe atyre u dha një kritikë të merituar. Sepse çdo gjë
që krijohet me një shoqëri nuk mund të jetë e tëra e pa vlerë ashtu siç e mohon
Qosja”, (E shtunë, 17. V. 1980).
Përveç librit,
angazhimeve politike, ndjekjeve të ligjëratave Xhemajliu ka përcjell me
kërshëri edhe sportin: “Ndenjëm ca e mandej u nisem për të shikuar meqin në
mes të Prishtinës dhe të Kabllarit. Ndeshja - meqi ishte interesant.... Në dobi
të vendorëve. Aty njëherit iu dorëzuan edhe N. Gashit (Nazif) një mori
mirënjohjesh dhe aparate të ndryshme nga se ai do të përshëndetej prej sot me
boksin..”, (E shtunë, 12. IV. 1980).
Titujt, fletët e munguara dhe fillimet e një procesi...:
Disa nga titujt e
shënimeve ditore, duken se nuk janë të lidhur me ngjarjen e ditës, si diçka
abstrakte, por nuk qëndron kështu, sepse duke e lexuar DITARIN me vëmendje do
të vërejmë se titujt janë ndodhi e ngjarjes të cilën shkurtimisht e inkorporon
pa pasur nevojë të merrej më gjatë. Ta zëmë në ditën, “E premte 12. X. 1979”,
ai vë në titull „Ditëlindja e shokut Enver Hoxha“, por asnjë fjalë të
vetme nuk e shkruan më në DITAR. Diku mungojnë disa fletë, jo si gabim teknik i
librit por ashtu mungojnë edhe në versionin origjinal të tij, (p.sh. nga
data 4 – 10 dhjetor 1980), e për fat të keq nuk dihet pse?!
Ç’ndjenjë ka pas, çfarë detyre a ndonjë vështirësi tjetër?!...
Nga këto shënime,
(edhe ata që nuk e kanë njohur më parë), do të mësojnë se Xhemajliu ka pasur
një jetë dinamike dhe mjaftë të angazhuar, ka qenë humanist dhe solidar, ai ka
kryer shumë punë administrative për miq e shokë, u ka ndihmuar në përgatitje të
provimeve, kollofiumeve, në shkrimin e seminareve etj. Ai, në të gjitha këto
raste duket i arsyeshëm dhe i dashur, modest edhe atëherë kur prezantohej me
ndonjë poezi a shkrim nëpër revista dhe gazeta të kohës.
DITARI përfundon më
23 dhjetor 1980, më pas ka një “Autobiografi e shkruar ngutas”, në të
cilën thotë: “A ka gjë më të vlefshme dhe më të rëndësishme se sa kur e ke
të shkruar DITARIN e jetës? Kjo pa dyshim është punë mjaft e vështirë, por e
çmueshme dhe e domosdoshme është, kur në te përfshihet jeta më e vrullshme dhe
më dinamike - rinia. Me këtë DITAR po e përfundoj jetën studenteske, si jetë më
joshëse dhe më komplekse”.
Në këtë shënim gjejmë
një shprehje elokuente e thuktë dhe përmbajtjesore. Mjaftë interesant i
përshkruan rrethanat shoqërore e politike, gjendjen e vështirë sociale, flet
për fëmijërinë, shkollimin e mesëm dhe kohën studenteske, duke lënë shënime
origjinale dhe të vyeshme. Aty shpjegohet jeta e tij mjaftë e detajizuar që le
për ti kuptuar edhe më mirë rrethanat e asaj kohe, jetën e tij, ambiciet e
shumë e shumë ëndrra të pa realizuara.
Po ashtu edhe në “Shënime
dhe kujtime nga jeta studentore”, janë pak a shumë shënime ekzotike, pasi
siç duket veprimtaria në ilegalitet hynë në një fazë më dinamike gjë që edhe
natyra e shënimeve ndryshon duke u marrë më shumë me teori e koncepte të
caktuara: “Thonë se pa dëborë edhe dimri nuk vjen i bukur”, (E premte,
16. I. 1981), ose tek shënimi i datës 21 janar 1981, “Kur vullneti i kalon
kufijtë”, ka një lloj përshkrimi me elemente të theksuara erotike, në
pasuse të tjerë është një përshkrim më i sofistikuar dhe kjo më duket është rezultat
i dinamikës së veprimit i cili kishte hyrë në një fazë të re veprimi, prandaj
është thënë se “do të ndihmojmë në shpejtimin e historive”, (23. I.
1981).
Vërtetë kjo gjeneratë
i ka përshpejtuar proceset të cilat lidhen edhe me fillimet e shthurjes së Jugosllavisë
titiste, dhe devalvimin e titizmit si koncept i lirisë dhe barazisë për kombet
dhe kombësitë.
Shtrohet pyetja nëse
Xhemajli Berisha dhe brezi i tij ishin të vetëdijshëm, për sakrificën dhe për
pasojat?! Këtë dilemë na e heq një mendim i tij ku shprehet: “A ka gjë më të
mirë se të ecurit me hapa të sigurt drejtë ardhmërisë i lumtur, pa përfillur
kurrfarë pengese?”, (E mërkurë, 28. I. 1981) ose „Dënimin më të
tmerrshëm dhe më të rëndë mund të ma jepni, vetëm nëse më izolojnë dhe nuk më
lënë të qetë të deklarohem”, (E enjte, 29. I. 1981).
Shfaqja e
pakënaqësive politike ka qenë pjesë e vazhdueshme e aktivitetit patriotik të
Xhemajli Berishës, por me kalimin e kohës këto mendime dalin më të rafinuara,
më të sforcuara dhe me të drejtpërdrejta, duke marrë konotacione filozofike në
njërën anë, e në anën tjetër duke dëshmuar avancimin e mendimit të tij politik
e filozofik: “Thënë troç, pa liri ekonomike s’ka liri politike. Liria nuk
kërkohet as falët. Ajo fitohet me gjak”, (E shtunë, 31. I. 1981).
Veprimtaria
patriotike e cila zhvillohej kryesisht në ilegalitet, (në publik aplikohej
vetëm si një lloj propagande gojore), e kishte bërë platformën e vet, ajo
kishte shtrirë celulat e veprimit të organizuar, qoftë përmes deklaratave e
pamfleteve politike që paralajmëronin pakënaqësi të cilat mund të shpërthenin
nga dita në ditë. “Dhe deklarata u firmos nga treshi”, (E hënë, 2. II.
1981), ose, “Konventa ishte firmosur dhe tash kërkohet vetëm të jetësohet”,
(E martë, 3. II. 1981).
Shënimet e më pasme,
dhe ato të datës vijuese janë të shkruara me një gjuhë figurative dhe
sofistikim mjaftë interesant. Këtë mendim e dëshmon më së miri “Letra e
pa adresuar”, e cila mban datën (25 shkurt 1981). Kjo
letër është një dokument i rrallë, një letër origjinale e cila qoftë për
përmbajtje, qoftë për drejtshkrim e bukurshkrim na bënë më të vëmendshëm në
raport me shumë veti të rralla që e kanë pasur personalitetet e caktuara, në
mesin e të cilëve është edhe Xhemajli Berishën. Por letra është plot alegori,
sepse aq sa duket një letër intime dhe personale e shkruar me lirikë dashurie,
po aq është e përgjithshme dhe politike sepse në thelb përshkruan dhe
interpreton figurativisht gjendjen e rëndë dhe të pa pranueshme që mbretëronte
në atë kohë dhe në ato vite në Kosovë. Situatë e cila ishte para një shpërthimi
të pashmangshëm!...
Frymëzimi si ndikim dhe alegoria shprehëse...
Që nga dita e parë
kur nis DITARIN e ku shprehë bindjen e tij se këto shënime do t’i shërbejnë të
ardhmes, Xhemajli Berisha, vazhdimisht ka theksuar pakënaqësitë e tij me
gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë hapësirën e Jugosllavisë. Këto
ngjarje ai i kundron nga forma të ndryshme dhe vazhdimisht iu ka kundërvu asaj
“paqes së rreme”, që proklamohej edhe nga struktura të caktuara të Lidhjes
Komuniste në Kosovë dhe më gjerë.
Në këtë DITAR, ai
sjell sekuenca të cilat edhe pas kaq vitesh të bëjnë për të qeshur: “Pas një
gjysmë ore e lëshova radion e cila lajmëroi për vdekjen e Eduard Kardelit.
Lëngonte nga sëmundja dhe më në fund...! Pas darke na polli një lopë e bëri një
muzat shumë të hijshëm, kurse TV transmetonte inserte nga jeta dhe veprimtaria
e Kardelit”, (Data, 10 shkurt 1979).
Por ironia si
shprehje nuk ka qenë vetëm në planin politik kur ka atakuar konceptet e
sistemit jugosllav. Xhemajliu edhe si natyrë duket karakteristike pasi ka pasur
një begraund shumë të gjerë: “Më vonë u takuam edhe me Havën. Kishte qenë në
Gjermani dhe ishte pajisur me: ”dojç kulturë”, (E martë, 21. VIII. 1979),
ndërsa në aspektet e mendimit më të avancuar ai bënë përkufizime të tillë: “Atëherë
njeriu do t’i ngjasonte ndonjë lloj kafshe, por të përsosur”, ose “po u
ngrit ndonjë dallgë e detit të tërbuar të gjithë do të fundosen”, (E
premte, 29. II. 1980).
Brumi patriotik i
Xhemajli Berishës është ngjizur nga tradita kombëtare, ku mbi të është
frymëzuar. Kryesisht periudha e “Rilindjes Kombëtare” ka ushtruar ndikim tek
ai. Xhemajliu në shënimet e tij i ka përmendur figurat e shquara siç janë: Isa
Boletini, Bajram Curri, Azem Bejta e Shote Galica etj, veprimtaria e të cilëve pa
dyshim ka ndikuar në frymëzimin e tij patriotik. Në këtë plan, (siç e kemi
theksuar edhe më parë), kanë ndikuar edhe koncertet e ansambleve të
caktuara, sidomos ato nga RPSSH, filmat, dramat dhe ekspozitat, të cilat në atë
kohë e kishin shpeshtuar prezantimin e tyre edhe në Prishtinë, profesorët,
familja e kush më shumë dhe kush më pak etj.
Shpeshherë Xhemajliu
i ka përmbyllur aktivitetet e caktuara në formë të një rezymeje, zakonisht në
fund të muajve apo të vitit. Mënyrë mjaftë magjepse, me figuracione dhe alegori
të shumta: “Vërtetë ka vuajtur populli ynë i mjerë e më në fund lirin e
fituar filluam ta gëzojnë të tjerët. Ndërsa luftëtarët e vërtetë u zhdukeshin
pa mëshirë”, ose “Ku janë trimat: Rifat Berisha, Banush
Sedllari, Ramadan Kajtazi, Rifat Mamusha, Perllat Gjolekaj, Mehmet Alia e shumë
e shumë të tjerë? E qartë! Të gjithë i vranë, pse? Sepse deshën lirinë!...
Lirinë për të cilën luftuan. Sepse deshën të dëshmojnë se ne jemi shqiptarë dhe
kemi të drejtë që edhe shkaba dykrerëshe të valoj e lirë! Sepse dëshiruan që
mos të thurim gardh nga vëllau e të vëllazërohemi me armiq, që den baba den
janë munduar t’mi nxjerrin sytë!”, (Data, 31 janar 1979).
Refreni “Filluam
të bisedonim për shumë gjëra”, përsëritet shpesh, pa shpjeguar se për çka
bisedonin, apo cilat ishin ato gjëra të rëndësishme?! Natyrisht në kontekst të
zhvillimeve politike të asaj kohe, dhe të DITARIT si tërësi merret vesh: “Shumë
tema i rrahëm por kryesisht u ndalëm rreth çështjes politike dhe imediate të
kombit tonë duke i përkujtuar të gjitha rrethanat përmes të cilave ka kaluar”,
(Data, 21 mars 1979).
Celulat dhe veprimtaria ilegale:
Pjesa më kapitale e
këtij DITARI, padyshim është veprimtaria e tij patriotike, nën prizmin e së
cilës janë parë e trajtuar pothuajse të gjitha ngjarjet, qofshin ato të
përditshmërisë apo zhvillimet politike, kulturore, ekonomik etj. Në këtë DITAR,
Xhemajliu nuk e thekson se ishte i organizuar dhe as që ka qenë pjesë e grupit,
por aty këtu vërehen të gjitha elementet e grupeve të organizuara: “Me që
s’kisha mundësi që të shkoja për Prizren e përshëndeta Nazmiun duke iu dërguar
të fala shokëve”, (Data, 30. 03. 1979). “Mirëpo punët na vajtën ters...
Në qytet u takuam të gjithë shokët që i kishin lëshuar “kullën nën mëshirën e
pushtuesit“. U përshëndeta me ta dhe së bashku me Ximin shkuam në banesë të
tyre e cila ishte e mbërthyer nga... dhe Fati”, (Data, 6 prill 1979). “Pas
pak Nazmiu u kthye dhe ne së bashku me te shkuam në aksionin e planifikuar, për
asgjë. Ky plan shkoi kot ngase nuk ndodhej në shtëpi personazhi kryesor”, (E
martë, 9. X. 1979). “Koha këto ditë ishte mjaft e ngrohtë, por po ndodhin
disa trazira politike, dhe gjendja nuk është stabile. Pritet të rrjedh ndonjë
tollovi”, (E shtunë, 16. II. 1980). “Më vonë shkuam për darkë ku mbas
ngrënies u kthyem në konvikt. Gjatë rrugës ishim të përcjell...”, (E
shtunë, 23. II. 1980). “Pres për një takim të pa qartë por të sigurt. Ora
ishte rreth 18:00 dhe vërtetë u bë ashtu siç e mendoja por mandej gjërat
ndryshuan. Takimi u shty edhe për një kohë...”, (E hënë, 3. III. 1980).
Skemën politike të
asaj kohe e rëndonte inflacioni i madh i cili kishte qitur në pah pakënaqësitë
sociale të cilat janë përdorur me mjeshtëri për t’u hapur rrugë mundësive të
reja, kërkesave të reja: “U ktheva për t’i nxjerr bonat, por nuk punonin. Ia
kishin ngritur çmimin e ushqimit, ndërsa studentët kishin reaguar dhe pritej të
zgjidhej kjo çështje. Në fund u vendos që çmimi të ngelte siç kishte qen”,
(E martë, 1. IV. 1980). “Me zjarr të madh uronte për sukseset e pritura nga
inteligjencia dhe arsimimi që pa mëdyshje janë bazë për ngritjen e një
populli”, (E premte, 11. VII. 1980). “Menduam për aksionin e nesërm,
mandej dhe planet i parashikuam ashtu siç mendonim se është më së miri...
Aksion i përpiktë”, (E shtunë, 12. VII. 1980).
Se grupet e
organizuar ishin në ofensivë dhe bënin punën e tyre na shpjegon ky përshkrim
alegorik dhe mjaftë interesant: “E diel 13. VII. 1980, u zgjuam vonë,
dhe diç punuam në kopsht. Më vonë u nisëm për në qytetin buzë Vardarit. Sot
kemi për të zhvilluar ndeshjen. Edhe partnerët tanë erdhën nga ora 20:00. Pas
gjysmë ore filloi aksioni. Fitorja ishte e suksesshme. Të gëzuar që s’kishim
pranuar gola u kthyem në shtëpi. Gjatë rrugës kënga s’kishte mbarim”. Edhe
rreshtat e më poshtëm dëshmojnë për veprimtari të organizuar. “I treguam
(Ximit), për aksionin e së dielës”, (E martë, 15. VII. 1980). ose “Të tërë u
gëzuan kur morën lajmin e fitores. Nga ora 23:00 u ngritëm që andej dhe
mbërritëm në shtëpi”, (E mërkurë, 16. VII. 1980).
Nga detaji në
vazhdim, shihet se Xhemajliu shpërthente dhe nuk i duronte padrejtësitë: “Jo,
o njerëz të liq! S’keni gjetur njerëz tu besojnë përrallave tuaja të
çoroditura. Mallkuar qofshi për jetë e mot. U ngrita që andej i mërzitur, por
krenar që në surrat ua thash troç të vërtetën”, (E enjte, 17. VII. 1980).
Po ashtu, nga këto
shënime mund të vijmë në përfundim se Xhemajliu ka poseduar një vetëdije
sakrifikuese dhe se ka qenë i sigurt në fitore! Këtë na dëshmonë shënimi i
datës 8 tetor 1980, në të cilin ka shkruar: “Do ia shtojmë faqet Historisë
dhe për disa dekada dhe do rrotullojmë me krenari këtë lëmsh të pa bindur. Do
fitojmë”, ndërsa të nesërmen më 9 tetor 1980 ai shkruan: “E di se do të
zhytem edhe unë në këtë qull që po përgatitet. Athua se ç’do të del fundi…?”.
DITARI ka edhe
indikacione të tjera të shumta të cilat shpien në këtë drejtim: “Nga ora
14:00 u përshëndeta me Ximin dhe së bashku me Bahtjarin shkuam në Stacion. E
nxora buletën dhe kohë kisha mbi gjysmë ore. Në pritje u takova edhe me
Shpresën. Hymë në një ëmbëltore. Papritur erdhi një kontroll. Por u morëm vesh.
Në kohën e duhur u nisa për në kryeqytet”, (E mërkurë, 10. IX. 1980). Ajo
kontrollë e papritur sikur e shpjegon edhe një lloj parandjenje, se përcillej
kjo tashmë dihej: “E nesërmja bukur shumë më frikëson. S’di si do të del
fundi, megjithëse parandiej një pasiguri”, (E marte 21. X. 1980).
Shpeshhere këto
shënime kanë një figuracion të mbyllur, pasi dihej se ai ishte i angazhuar. Ta
zëmë më datën 17. XII. 1980, në shënimin që mban titullin “Të presin detyra
të mëdha dhe serioze”, ai bënë një përshkrim enigmatik, që lidhet me
aktivitetin politik ku përmes alegorisë lihet të nënkuptohen shumë gjëra të
veprimit ilegal. “Sidomos më librin e vetëqeverisjes nuk po kam durim ta
mësoj. Më shkurt se është e tepërt të lodhi kokën me gjëra që thënë troç janë
rrena”, (26. II. 1981).
Pranvera e Vitit 1981:
Pranvera e vitit
1981, përkatësisht dy muajt e parë të atij viti kanë përcaktuar fatet e
popullit shqiptarë në Kosovë, pasi rinia studentore ishte e vendosur për ndryshime
të atij rendi shoqëror e politik. “Sot në dom nuk kishte vizitë, sepse në
korridor kishin hedhur trakte”, (1. III. 1981).
Në natën e fundit
para se të plasnin demonstratat e pranverës së vitit 1981, Xhemajli Berisha, në
DITARIN e tij ka lënë këtë testament: “Pas tri ore u kthyem që andej së
bashku me Limanin dhe... u ndalëm në restorantin “Beograd“. Aty ndenjëm bukur
shumë dhe përgatitem plane të rëndësishme për një rend të ri dhe të përparuar”,
(10. III. 1981).
E, në DITARIN e 11
marsit 1981, Xhemajli Berisha ka shkruar: “Para dite vajta në ligjërata të
planifikuarit dhe politikës afariste. Në çmime nuk ndenja por u ktheva në
banesë. Koha është bukur shumë e ngrohtë. Dolëm në qytet për të shëtitur.
Pothuajse tërë ditën ishim në sheti. Në mbrëmje shkuam për të ndenjur tek
Halimi. Ximi shkoi me Agimin në bibliotekë. Që andej na sollën një lajmë që
bukur shumë e prisja. Studentët ishin ngritur në grevë. Iu
bashkuam edhe ne kësaj rrëmuje. Filluam me britme të shprehim revoltën. Shumë
kushtet i kemi të vështira. Në një situatë të tillë s’do mend se është e pa
evitueshme demonstrata. Morëm udhëtimin nga qyteti. Dëgjoheshin thirrje
të njëpasnjëshme: “poshtë borgjezia”, rroftë klasa punëtore. Kërkojmë
Republikën!
Me
këto thirrje arritëm në shesh ku zhvilloheshin korzotë. Besonim se me ne do të
bashkoheshin edhe qytetarët. Por u gënjyem. Ata nuk u bashkuan. Prej Këshillit
Ekzekutiv filluam demonstrimin nga mesi i qytetit. Në fund u përleshëm me
forcat policore. Aktiviteti ende zgjerohej, megjithëse jo me një organizim të
suksesshëm. Shumica janë të paformuar si njerëz me mendime dhe shpirt
revolucionar. Demonstrata vazhdoi gjerë në ora 4:00”, (Datë, 11. III. 1981).
Veprimtaria kishte hyrë në një fazë të re:
Tanimë veprimtaria
patriotike e grupeve të organizuara kishte hyrë në një fazë të re. Më nuk
kishte kthim prapa, andaj lëvizjet e shpejta, koordinimi i mirë duhej të
përdorej në mënyrë që demonstratat e studentëve të marrin karakter
gjithëpopullor, duke shpreh pakënaqësinë totale me sistemin e Jugosllavisë
Socialiste. Ishte e qartë se do të nisin arrestime dhe burgosje masive, edhe
shërbimi sekret informativ ishte vu në lëvizje, edhe policia dhe zyrtarët
politik. Por siç shihet edhe nga DITARI i cili po ashtu është plotësuar me
gjëra të rëndomta që sillte dita e asaj kohe, në esencë kishte zhvillimet
politike. Në një rast e ka theksuar se janë “ndarë me një shtrëngim dore dhe
një vështrim të zjarrtë”, (19. III. 1981).
Pas dy - tre ditësh
Xhemajliu ka shkruar se: “Gjumi më doli me kohë, por nuk munda të shkoja në
ligjërata. Isha tepër i lodhur. Mandej këmbët nuk mundsha as t’i lëvizja. Më
vonë shkova për drekë por mezi u lëshova nëpër shkallë... Mora të mësoj, mirëpo
nuk kisha kurrfarë disponimi. Kotë mundohesha të mësoj nga se prej ngjarjeve të
11 marsit për mësim as që mendoj. Si unë janë pothuajse të gjithë studentët.
Mbretëron një ndjenjë pasigurie, një urrejtje. Lëvizje të shumta po
organizohen. A thua do të përfundoj kjo nismë vetëm me kaq? Padyshim se jo.
Domosdo se do t’i dal edhe koka kësaj pune. Kërkesa ynë mori një kahe
krejtësisht tjetër”, (E martë, 24. III. 1981).
Ndërsa në datën e 25
marsit 1981, datë kjo që lidhet me demonstrata masive që kanë ndodhur të
nesërmen, ai tregon se “U nisa për në qytet jo aq me punë, sa për të kërkuar
punë. Tek shtëpia e mallrave takohem me ekonomistët dhe si zakonisht fillojmë
me bisedat e njohura. Arritëm gjerë në fakultet ku u ndamë, me një mori
fjalësh prekëse dhe inkurajuese”, (E mërkurë, 25. III. 1981).
Në DITARIN e asaj
dite, Xhemajli Berisha ka shkruar një tekst përmbyllës duke lënë përshtypjen e
një vëzhguesi të rëndomtë i cili në asnjë rast nuk është implikuar në këto
organizime. Po ashtu duhet theksuar se teksti në vijim i përmbyll shënimet e
përfshira në këtë DITAR, i cili mbetet një dokument i rrallë që i afrohet
lexuesit. “Pas darke dolëm para konviktit dhe filluam të loznim me top. Më
vonë ia bëhu Ximi me Xhelën nga Prizreni. Ata kishin qenë edhe në Shkup. Më
vonë hyjmë Brenda dhe filluam të bisedonim. Një lajmë që na treguan pa dyshim
se na gëzoj pa masë. Edhe në Prizren sot ishin ngritur në demonstratë nxënës e
student. Më erdhi e pa besueshme por shumë e qëlluar”, (25. III.
1981).
Nga kjo që trajtuam
deri më tani dhe shumë materiale të tjera që nuk arritëm t’i përthekojmë brenda
këtij shkrimi prezantues, nënkuptojmë se Xhemajli Berisha ishte ndër
organizatorët kryesor të Demonstratave të Vitit 1981.
Epilog ose shenjtërimi?!...
DITARI i Xhemajli
Berishës, është vet jete ime, jeta e gjeneratës sime, e atyre që ishin të
organizuar dhe atyre mijëra të tjerëve që bënin po këtë propagandë e cila haset
në këtë DITAR, por nuk u takonin radhëve të organizuara. Ata i takonin asaj
kohe, atij frymëzimi dhe atij rebelimi që do të ndodhte, ashtu siç ndodhi.
Ndonëse nuk jemi njohur me Xhemajliun, DITARI i tij më njohu më mirë me te, po
më shumë më njohu me jetën time, me jetën e gjeneratës sonë e cila i ka po këto
rrjedha.
Janë emocionet e asaj
kohe, peripecitë frymëzimet, besimi në Shqipërinë e përparuar, dogmat fetare e
deri tek ndikimi i filmave, koncerteve, teatrit, ekspozitave të shumta që kanë
ndihmuar në ngritje e vetëdijes qytetare.
Janë shumë
manifestime e ngjarje të tjera, sportive e kulturore e deri tek filmat e asaj
kohe si “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral gramafoni”, ose filmat indian “BIDAI”
e të tjerë që e kthejnë mendjen e gjeneratës sonë në ato vite përplot
sakrifica.
Ai brez kishte merita
dhe përgjegjësi historike. Xhemajliu iku herët dhe shkoi si engjëll në
përjetësi. Ky DITAR rikthen kujtimin për të, jo vetëm tek miqtë dhe të njohur,
por edhe tek ne që jetuam pran tij e bashkë me të, dhe nuk e njohëm. Padyshim
ne jetuam atë jetë, përjetuam ato ngjarje, por në tërësi ajo gjeneratë ishte
shtylla e asaj jete të angazhuar, e që në një farë mënyre Xhemajli Berisha,
ishte ai personalitet i cili me DITARIN e tij u mundua t’i pavdekësoj ato
zhvillime! Prijetari mbetet prijës gjithmonë, edhe atëherë edhe sot ku
përmes këtij DITARI po na rikthen kujtesën tonë në atë kohë, në ato ngjarje të
atyre viteve...
Edhe NËNAT?!... “Ato
vazhdimisht kanë shkuar pas bijve të vet”, duke ua rrëfyer jetën e tyre, kurse
fëmijët kanë qenë të obliguar ato amanete t’i shpiejnë gjerë në Ditën e
Pavarësisë?!... Fatkeqësisht ka shumë ngjarje që fëmijët i kanë marrë me vete?!
Një të tillë e gjejmë edhe në këtë DITAR: “Mbas darke nëna filloi të më
tregoi për një histori të vjetër”, (E mërkurë, 6. II. 1980). Kjo histori,
kjo ngjarje çfarëdo kuptimi të ketë pasur, më nuk do të zbërthehet. Kurrë më,
ashtu sikurse mjaftë angazhime dhe veprimtari të Xhemajli Berishës, do të na
mbeten përgjithmonë enigmatike... Ai nuk është më në mesin tonë për të dëftuar
e për të rrëfyer a për tu rrëfyer, por ai ka lënë këtë DITAR, (edhe pse mjaftë
i fragmentarizuar), do të bëjë jetën e vet, ashtu siç e kanë bërë profetët
jetën me ringjalljen e tyre!
Xhemajli Berisha,
tani përjeton ringjalljen, ai s’ka nevojë për shenjtërim, pasi për të gjallë e
pat bërë shenjtërimin e Tij?!...
Zvicër, korrik 2014.
Shefqet Dibrani