E marte, 19.03.2024, 07:10 AM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (I)

E enjte, 27.11.2008, 12:06 AM


Besnik Dizdari
Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (I)

 

Nga Besnik Dizdari

 

50 vjet më parë, më 23 nëntor 1958 në Tiranë, është themeluar Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në një prej periudhave më të çuditshme të forcimit të asaj që quhej Republika Popullore e Shqipërisë e Regjimit Komunist, nën mbulesën e sovjetizimit të papamë të jetës shqiptare. Madje në të gjitha kahet e saj. Ishte një themelim i vonuar, kur kujton se vendet e tjera, të të ashtuquajturit Kampi Socialist, të shndërruar në vende komuniste mbas Luftës së Dytë Botërore, i kishin themeluar Komitetet e tyre Olimpike Kombëtare prej kushedi sa kohësh: Hungaria më 1895, Rumania më 1914, Polonia më 1919, Çekosllovakia më 1919, Bullgaria më 1923. Kësioji, Shqipëria ishte e fundit, por bëhet pjesë e “treshes komuniste”, të cilat e kishin themeluar Komitetin e tyre Olimpik Mbasluftës: BRSS dhe RDGJ më 1951 dhe Shqipëria në fund, më 1958.

 

Shqipëria sportive e vitit 1958

 

Në të vërtetë, viti 1958 është ndër vitet më sportivë në historinë e Shqipërisë. Kështu, për të shkuar te dita e 23 nëntorit 1958, kur u themelua Komitetit Olimpik Shqiptar, siç u quajt ai për disa javë të asokohe, Shqipëria nxitonte në ditë të pandalshme “feste” propagandistike, që nisin më 11 janar 1958, kur në Ulëz të Matit përurohet me bujë Hidrocentrali i parë i madh në Shqipëri, me emrin "Karl Marks", ai mbi lumin Mat, në praninë e Enver Hoxhës dhe të gjithë udhëheqjes së PPSH. Dy muaj më vonë, më 5 mars 1958, Gazeta "Sporti popullor" shpall për herë të parë përmes një votimi në faqet e gazetës, "10 sportistët më të mirë të vitit", që i përkisnin vitit 1957. Për histori fillese kujtojmë se dhjetëshja e parë fituese ishte kjo:

 

Rifat KAZAZI/ Partizani, Napoleon LLALLA/ Locomotiva, Pina THANI/ Vllaznia, Fatmir MEKA/ 17 Nëntori, Refik RESMJA/ Partizani, Hysni BEBEZIQI/ Partizani, Vangjo AFEZOLLI/ Dinamo, Kimete PREGJA/ 17 Nëntori, Jorgji KONA/ Partizani, Bilal AGALLIU/ Partizani.

Dy muaj të tjerë më vonë, më 13 maj 1958, në Tiranë me praninë e udhëheqësve të PPSH Enver Hoxha, Beqir Balluku, Liri Belishova, Manush Myftiu dhe Ramiz Alia mbahet Konferenca e Parë Kombëtare e BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë), organizatë që themelohet kështu për herë të parë dhe që do të jetë organizata sportive e Regjimit deri më 1991, në duart e së cilës do të jetë drejtimi dhe diktati i ecurisë “socialiste” simbas modelit komunist të kulturës fizike e sporteve në Shqipëri. Konferenca që përshëndetet nga KQ i PPSH me një deklaratë të posaçme si dhe me fjalimin e Manush Myftiut, zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Arësimit dhe Kulturës, zgjedh Këshillin e Përgjithshëm të BFSSH dhe Komitetin e BFSSH i përbërë nga Kiço Karaguni (kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sportit), Pandi Allabashi dhe Anton Mazreku nënkryetarë si dhe Astrit Nishani, Drit Çaushi, Gani Goxhi, Ilia George, Kimete Pregja, Koçi Zengo, Loro Boriçi, Marie Ranzi, Minella Kapo, Napoleon Llalla, Sotir Kamberi, Tafil Hamzai, Telo Mezini, Todi Lubonja si anëtarë.

 

Mandej, kalohet rrufeshëm te sporti i mirëfilltë. Kështu, më 24 maj 1958, atmosfera sportive pasurohet tejet me zhvillimin e garës së parë ndërkombëtare çiklistike e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ajo me pjesëmarrjen e ekipit çiklistik Dukla të Brnos të Çekosllovakisë. E zhvilluar në pesë etapa ajo fitohet nga Kashpar i Duklës, mbas të cilit renditen të katër shokët e tij. Edhe si ekip fiton Dukla, e ndjekur nga Partizani dhe 17 Nëndori. Rezultatin më të mirë për shqiptarët e arrin Eqrem Shaba, një nga çiklistët më të mirë shqiptarë të epokës, i cili renditet i 6-ti (të pesë vendet e para i fitojnë çiklistët çekosllovakë). Vetëm pak ditë më mbas (15 qershor 1958) mbërrin në Shqipëri Kombëtarja e RDGJ-së në basketboll për meshkuj për takime miqësore. Ajo fiton me Kombëtaren e Shqipërisë 82-66 dhe 73-61, dy ndeshje këto të luajtura në Stadiumin e Lojërave "Studenti" para 4000 shikuesve. Përballë saj ishte një Kombëtare e Shqipërisë e përbërë nga F.Meka, J.Kona, N.Hercek, L.Shatku, S.Osmani, V.Ademi, F.Borova, B.Bumçi, Dh.Papa, Nj.Lleshi, I.Teneqexhi, F.Qirici me trajnerë Naim Pilku dhe Kiço Gjata. Nën emrin “Berlini”, RDGJ luan edhe dy ndeshje të tjera: Vllaznia - Berlini 43-54, Labinoti - Berlini 39-58. Mbas një muaji, më 23 korrik 1958, në Tiranë zhvillohet Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë me pjesëmarrjen edhe të ekipit përfaqësueses të Republikës Sovjetike Socialiste të Armenisë të Bashkimit Sovjetik, ku armenët i fitojnë të gjitha garat, me përjashtim të kërcimit së gjati ku fiton atleti i shquar shqiptar Hysni Bebeziqi me 6.68 metra përballë 6.67 të armenit Tumanian.

 

Nuk kalon shumë, vetëm pak javë dhe nga 30 gushti – 11 shtatori 1958, Shqipëria e përbërë nga F.Meka, P.Murzaku, N.Llalla, A.Kona, Sh.Kau, P.Pelivani, Q.Gjinali, I.Dogani, A.Gjika, A.Aga dhe I.Maloku, merr pjesë në Kampionatin Evropian të Volejbollit për meshkuj zhvilluar në Pragë duke zënë vendin e 11-të midis 20 ekipeve, dhe duke lënë mbrapa Turqinë, Holandën, Finlandën, Egjiptin, Tunizinë, Belgjikën, Austrinë, RF Gjermane, Danimarkën. Eshtë një sensacion i papamë dhe Shqipëria me trajner Enver Maçin, arrin 6 fitore (3-0 Austrisë, 3-1 Turqisë, 3-1 Tunizisë, 3-0 Egjiptit, 3-1 Finlandës, 3-2 Holandës), pëson vetëm 2 humbje (0-3 nga RDGJ, 0-3 nga Italia), ndërsa volejbollisti i saj Napoleon Llalla merr çmimin për shërbimin më të mirë, rezultate që në tanësi çudisin mjedisin e Kampionatit Evropian.

 

Ndërkaq, në të ashtuquajturën Spartakiada e Parë Verore e Ushtrive Mike zhvilluar në Lajpcig të RDGJ, atleti Hysni Bebeziqi renditet në gjashtëshen e më të mirëve në trehapësh me shifrat 14.67 dhe boksjeri Abaz Zalla fiton medaljen e bronztë në peshën e lehtë. Por mbi këto qëndron suksesi i madh i Partizanit të Tiranës, të ashtuquajtur i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore, emërtim i kopjuar me besnikëri prej klubit ushtarak CSKMO të Moskës. Spartakiada e Parë Kombëtare Verore e Ushtrive Mike, siç qe emërtuar në mënyrën "socialkomuniste" më të mundshme, e zhvilluar në 12 lloje sporti, Turneun e saj të futbollit e kishte më të rëndësishmin. Dhe mbi të gjitha sepse vendet komuniste do të sillnin këtu skuadrat e tyre të Ushtrisë të cilat ishin ndër më të fuqishmet në secilin shtet dhe pothuajse ekipet kombëtare të këtyre shteteve. Në të vërtetë, ishte një turne nën parullën absurde për një lëvizje sportive: "Për forcimin e bashkëpunimit vëllazëror të ushtrive mike". Dhe me një përfaqësim historik të Partizanit të Ushtrisë Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili do të mbërrijë fundoren (finalen) dhe do të meritojë medaljet e argenta midis 11 skuadrave pjesëmarrëse, çka ishte një ngjarje krejt e paparashikueshme. Mbas titullit Ballkanik të Shqipërisë më 1946 dhe mbas përfaqësimit të saj të jashtëzakonshëm më 1948 në Kampionatin Ballkanik dhe të Evropës Qendrore, 1958-ta për futbollin shqiptar përbënte arritjen më të bujshme të Mbasluftës. Ecuria e ndeshjeve të Partizanit është vetdomethënëse: Partizani – Ushtria RD Vietnam 5-1, Partizani – Dukla Pragë 1-0, Partizani ASK Wortwarts Berlin 2-1, Partizani – CDNA Sofje 0-1.

 

Eshtë një sukses i përmasave evropiane. Një njëmbëdhjetësh i dalë nga një Kampionat Shqiptar i vetëm 8 skuadrave, tregonte për një zhvillim të futbollit në Shqipëri megjithë vogëlsinë e organizmit të tij. Lojtarët shqiptarë Sulejman Maliqati, si portjeri më i mirë dhe Refik Resmja për interpretim teknik, marrin Kupa përkatëse, dhe Partizani kthehet në Shqipëri me medaljet e argjenta të vendit të dytë. Shtypi shqiptar vazhdon për shumë ditë jehonën dhe gjëja më e çuditshme: edhe pse pranon meritat e trajnerit të madh shqiptar, Rexhep Spahiu, ngre në qiell trajnerin sovjetik të mirënjohurin N.M.Ljukshinov, i cili shumë muaj më parë kishte punuar në Shqipëri, por për përgatitjen për këte turne nuk kishte asnjë minutë punë sa për të shpërthyer kësisoji shtypi vendas:

 

"Në hartimin e planit të stërvitjes na ndihmuan shumë këshillat e trajnerit sovjetik N.M.Ljukshinov të cilit i dedikojmë një pjesë të mirë të sukseseve tona, si rezultat i ndihmës që i jepte vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë skuadrës së Partizanit... Futbollistët e sportdashësit e vendit tonë nuk mund të mos kujtojnë në këto dit gëzimi edhe trajnerin sovjetik, shokun N.M.Ljukshinov, i cili dha një ndihmë të madhe për ta shpënë akoma më përpara futbollin tonë".

 

Ishin vite ku asgjë nuk mund të merrej me mend pa Bashkimin e lavdishëm Sovjetik!

 

Me këto suksese të bujshme, madje kulmore, sporti “i ri” shqiptar, siç e emërtonte tash e parë Partia për të mohuar si gjithnjë sportin e Paraluftës, do të shkonte më në fund te themelimi i Komitetit të tij Olimpik. Ndonëse viti ka në fund të tij edhe një premierë tjetër të herës së parë dhe jo aq për nga rezultati përballë nivelit të lartë të sportit evropian, mishëruar prej atij sovjetik. Kështu, nga 2-9 shtator 1958 viziton Shqipërinë një variant i klubit studentesk të Tbilisit, në basketboll për femra, "Burevjestnik" i këtij kryeqyteti të Gjeorgjisë së BRSS. Ai zhvillon këto ndeshje që janë të parat të këtij rangu ndërkombëtare për basketbollin e femrave në Shqipëri: Burevjestnik - 17 Nëndori 59-36 dhe 71-32, Burevjestnik - Skenderbeu 68-27, Burevjestnik - Vllaznia 73-38.

 

Ndërkaq, në sportin “administrativ”, më 21 nëntor 1958, ishin zhvilluar punimet e Konferencës së Dytë Kombëtare të Fubollit me temën “Mbi gjendjen e futbollit në vendin tonë dhe detyrat për të ardhmen”, mbajtur përmes raportit të Hulo Hadërit, i cili me kuptimin e sotëm, duhet konsideruar si president i Federatës Shqiptare të Futbollit për kohën. Konferenca kishte zgjedhur Komisionin Qendror Vullnetar të Futbollit ku “zgjidhen” Adem Rada, Haki Kokomani, Alfred Kazanxhi, Hulo Hadëri, Luan Omari, Muharrem Terihati, Myslym Alla, Niko Dilo, Vasil Prifti, Zyber Konçi, Dr.Isuf Dashi.

 

Një komision që me organizimin e sotëm duhet konsideruar si një lloj Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të futbollit, ndonëse asokohe Partia ashtu si dhe Kampionatet Kombëtare të Futbollit të viteve ’30, kishte shuar edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, edhe pse ajo qe themeluar qysh më 1930 dhe pranuar në FIFA më 1932!

 

Themelimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

 

Në mjedisin e kësaj atmosfere sportive më të pasur se kurr për Shqipërinë e Mbasluftës, do të mbërrihet te 23 nëntori 1958. Do të mbërrihet vetëm pak ditë mbas mbajtjes së Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH nën temën “Mbi masat që duhen marrë për shtimin me ritëm të shpejtë të prodhimit të mishit dhe të qumshtit”, mbajtur prej Sekretarit të parë të KQ të PPSH, Enver Hoxha, që pasohet me vendimin e stilit kinez të vendosjes së punës fizike të kuadrove drejtuese dhe të nëpunësve të aparateve të partisë, të shtetit dhe të organizatave të masave. Mbasi kishte shkatërruar pa mëshirë “bandat” e atyre që PPSH i quante “të diversantëve”, mbasi më 14 dhjetor 1955 ishte pranuar anëtare e OKB, mbasi kishte pranuar në heshtje vendimet destalinizuese të Kongresit XX të Partisë Komuniste (b) të BRSS, ndonëse burgjet dhe kampet e përqëndrimit ende mbanin nën fré popullin shqiptar, mbasi kishte shkatërruar grupet armiqësore të Konferencës së Tuiranës dhe të Bedri Spahiut e Tuk Jakovës, PPSH po kërkonte të shpaloste bukur e mirë sportin kombëtar si një pasqyrë të një jete të qetë e të shëndetshme socialiste.

 

Kur mbërrin nëntori 1958, nën tonet e përkujtimit pompoz të 41-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, disi papritmas, më 28 nëntor 1958, proklamohet themelimi i Komitetit Olimpik Shqiptar (sot KOKSH), i cili zgjedh kryetar të tij Vasil Konomin, funksionar i PPSH, por një atlet kampion i viteve ’30, figurë e respektuar e sportit shqiptar. Ndonëse për të ardhur te ky njoftim kjo rrugë e rrufeshme e themelimit të Komitetit Olimpik Shqiptar kishte paraprirë pa shumë bujë qysh më 11 nëntor 1958 kur qe ngritur një “Komision insiator për krijimin e Komitetit Olimpik Kombëtar të RPSH,” siç njoftohet fjalë për fjalë, duke i shtuar për herë të parë emërtimit të tij përcaktimin “kombëtar”. Eshtë një Komision i përbërë prej 15 vetësh, i cili zgjedh dhe kryesinë e tij.

 

Për ne të gazetarisë, me vlerë është fakti se kryetar i këtij Komisioni zgjidhet një gazetar i madh, Anton Mazreku dhe nënkryetarë dr. Isuf Dashi dhe Vasil Konomi. Dhe për çudi sot na duhet të vërejmë se tre njerëzit të cilët drejtuan themelimin e Komitetit Olimpik të Shqipërisë janë këta tre sportistë të shquar të kohës së Mbretërisë: Anton Mazreku, futbollist i Skenderbeut të Korëçs, po dhe drejtor i “Sportit Shqiptar” qysh në themelim (1935), dr. Isuf Dashi – tri herë Kampion i shquar me Spotklub Tiranën e viteve ’30 dhe Vasil Konomi – atlet kombëtaras i Shqipërisë në garat e hudhjeve, qysh në themelimin e parë të Kombëtares së saj, madje pjesëmarrës në të emërtuarat Olimpiada Ballkanike (Kampionati Ballkanik i Atletikës së Lehtë). Interesante është se kjo treshe emblematike është nismëtare e projektstatutit të Komitetit Olimpik Kombëtar i formuluar simbas Statutit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), ku merret me mend roli i madh i një Anton Mazreku, mbi të gjitha falë kulturës dhe përvojës së tij të gjithanshme. Kësisoji, gazetaria sportive përmes figurës së tij, është në krye të vendit edhe në këte themelim historik.

 

Themelimi i përket saktësisht datës së 23 nëntorit 1958, çka do të thotë se pardje, 23 nëntor 2008 të Shekullit XXI ka qenë 50-vjetori i themelimit të Komitetit Olimpik Kombëtar. Çudia tjetër e përkimit është se ashtu si pardje, edhe 23 nëntori i 50 vjetëve më parë ka qenë një ditë e dielë!

 

Nga ana zyrtare dhe proceduriale, Komiteti Olimpik i RP të Shqipërisë është krijuar falë një të quajture "Konferencë Kombëtare për krijimin e Komitetit Olimpik të Republikës Popullore të Shqipërisë" nën drejtimin e Kiço Karagunit, kryetar i Komitetit të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Fizkulturistëve e Sportistëve të Shqipërisë (BFSSH), që ishte organizata e drejtimit komunist të sporteve në Shqipëri, mu ajo që mbas pak do të luante rolin e saj kryesor për zhdukjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që nuk do të vononte.

 

Konferencën themeluese e hap veterani i sportit Vasil Konomi, siç thamë, një sportist i viteve '30, ish partizan dhe njeri i lëvizjes komuniste shqiptare, i cili deri në atë ditë mbante funksione shtetërore dhe partiake. Raportin e kësaj konference do ta mbante Dr. Isuf Dashi - tri herë kampion me SK Tiranën e futbollit në vitet '30. Konferenca miraton ndërkaq statutin e KOKSH të RPSH, dhe shpejt e shpejt bën zgjedhjet e një komiteti prej 19 vetësh thuajse të paqortueshëm për periudhën paksa liberale të mbas Kongresit XX të PK të BRSS, të përbërë nga këta 19 anëtarë të parë:

 

Anton Mazreku, Avni Zajmi, Bujar Hoxha, Dashuri Gjerazi, Dervish Lisi, Enver Muriqi, Evgjeni Kote, Ibrahim Dizdari, Isuf Dashi, Koci Zengo, Minella Kapo, Osman Palushi, Petrit Murzaku, Refik Resmja, Sotir Polena, Telat Verzivolli, Vasil Konomi, Vasil Prifti, Vasil Naqi.

 

Komiteti zgjodhi sekretariatin e tij të përbërë nga shtatë vetë në të cilin Vasil Konomi u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik të RP të Shqipërisë dhe Anton Mazreku dhe Dr. Isuf Dashi zëvendëskryetarë të tij. Eshtë mu treshja nismëtare e Komisionit themelues që çuditërisht pa asnjë lëvizje vihet në krye të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

 

Duke e vështruar sot me vëmendje 19-shen e zgjedhur duket që shumica janë njerëz të vërtetë të sportit, madje një kombinim jo i keq edhe me sportistë të dëgjuar të Paraluftës,

 

Nga jashtë gjithçka dukej "në rregull", sepse sikur bindeshe që KOKSH ishte diçka e ndarë nga Komiteti i KP të BFSSH dhe i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve - kryetar i dyfishtë i të cilëve vazhdonte të mbetej Kiço Karaguni, i cili me këto cilësime del në aeroport dhe pret skuadrën e futbollit të Bukureshtit, që sapo mbërrin në Tiranë si për të dashtë të mbajtë gjallë këte atmosferë “olinmpike” shqiptare të 50 vjetëve më parë. Dy ditë më vonë Bukureshti barazon 1-1 me Tiranën në një ndeshje të madhe të kohës, ndërkohë që tri ditë më parë Dinamo e Tiranës, së cilës si asnjëherë tjetër, në këte 1958, emërtimi si e “Ministrisë së Punëve të Brëndëshme” i fshihet duke u quajtur thjesht Dinamo e Tiranës, kishte shkatërruar Dinamon e Berlinit 4-2. Ishte njëlloj si të fitoje me Kombëtaren e RDGJ-së. Dhe kur pak ditë më vonë Qyteti i Tiranës barazonte 5-5 dhe fitonte 6-4 në boks me Shpresën e Hungarisë, Shqipëria vërtet po kërkonte të tregonte se po përpiqej të bënte sport të vërtetë të një olimpizmi!

 

Euforia pushton sidomos shtypin shqiptar dhe Shqipëria e vonuar tejet në formimin e olimpizmit të saj, përfton deri diku edhe një ambicje të politikës spotrive.

 

Eshtë interesante të vihet në dukje thelbi i mendimit shqiptar të kohës për këte olimpizëm, deri diku edhe “origjinal”. Jo pa zgjuarësi, Partia vendos, që asnjë emisar i lartë i saj të mos marrë pjesë në Konferencën themeluese, kur në atë të vetëm para pak muajve të BFSSH-së kishetq enë thujase e gjithë Byroja Politike e PPSh me udhëheqësin e saj në krye! Kësisoji, në sfondin e presidiumit lexohej deviza e vjetër e lëvizjes olimpike “Citius, Altius, Fortius” e vendosur me shumë kujdes, ndërkohë që nga ana tjetër, jashtë kësaj salle, ideologjia e kohës nuk harron asesi të japë tonin. Dhe për të kuptuar gjithë këte ideologji, mjafton ky kalim i shpejtë i shtypit që proklamonte këte themelim:

 

“Vendi ynë, - shkruhet fjalë për fjalë, - ashtu si dhe vendet e tjera socialiste me në krye Bashkimin Sovjetik, përbën një shembull të vërtetë për shumë vende të tjera për idenë dhe frymën olimpike të zhvillimit të fiskulturës e sportit, ide dhe frymë e cila mbështetet në vullnetarizmin masiv në sport dhe zhvillimin e tij me kualitet të lartë për gatishmërinë për t’i zgjeruar e forcuar gjithënjë kontaktet miqësore me sportin e të gjitha vendeve, në shërbim të përparimit të sportit dhe të ruajtjes së paqes në botë. Këto ide dhe kjo frymë e kanë përshkuar gjithënjë sportin tonë popullor dhe pikërisht për këto, Komiteti ynë Olimpik u zotua solemnisht se në mbështetje me statutin dhe rregullat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar do të punojë pa u lodhur për të dhënë kontributin e tij në forcimin e përparimin gjithënjë e më shumë, të organizatës olimpike ndërkombëtare, për demokratizimin e mëtejshëm të saj dhe për zgjidhjen e drejtë të përfaqësimit të RP të Kinës, RD Gjermane, etj. Ky zotim dhe vetë zhvillimi i pandërprerë i fiskulturës e sportit në vendin tonë përbëjnë një bazë reale për pranimin e Komitetit Olimpik Kombëtar të RPSH në rradhët e KON (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar).”

 

Po çka do të ndodhte më tej me Komitetin Olimpik Kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë së udhëhequr me dorë të pamshirshme nga Partia e Punës së Shqipërisë?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora