E premte, 26.04.2024, 12:57 PM (GMT+1)

Mendime

Enis Sulstarova: Dita e Flamurit

E merkure, 26.11.2008, 03:00 AM


Dita e Flamurit

 

Nga Enis Sulstarova

 

Flamri kombtar nuk ka shka ban ndër ne,

Po kje se dashtuni nuk kem‘ p‘r Atdhe!

Gjergj Fishta "28 Nanduer 1913"

 

Dita e Flamurit është kryefesta kombëtare e shqiptarëve, dita e shpalljes së pavarësisë së kombit shqiptar, më 28 Nëntor 1912. Si e tillë, ajo përkujtohet kudo ku janë shqiptarët, si në trojet etnike, si nëpër bashkësitë e diasporës. Nuk ka një ditë si kjo që të bashkojë shqiptarët; të tjera përkujtimore shtetërore, fetare, botërore apo vendore, nuk kanë të njëjtën jehonë.

 

Kjo ditë përmban një simbolikë të veçantë për kombin shqiptar. Sikurse dihet, data 28 Nëntor nuk u zgjodh rastësisht. Në ato ditë të ftohta e të errëta të fundnëntorit të vitit 1912, kur Perandoria Osmane kishte pësuar disfatë dhe ushtritë e aleancës ballkanike po marshonin nëpër tokat shqiptare, si nëpër një tokë armike, duke plaçkitur, djegur e masakruar, në mesin e delegatëve që po mblidheshin në Vlorë, po qarkullonte ideja e shpalljes së pavarësisë pikërisht ditën e njëzet e tetë të muajit. Gati pesëqind vjet më parë në këtë datë, Skënderbeu kishte ngritur flamurin e principatës së tij në Krujë, duke shënuar fillimin e kryengritjes gjëmëmadhe kundër Perandorisë Osmane.

 

Fakti se kryengritja në planin historik kishte qenë një dështim, sepse kryqëzata kundërosmane e mbretërive evropiane nuk u realizua dhe principata nuk i mbijetoi vdekjes së e tij, nuk kishte dhe aq rëndësi më 1912. Për një sërë faktorësh, episodi i shkurtër historik i kryengritjes skënderbejane ishte përzgjedhur pothuaj njëzëri nga rilindësit për të funksionuar si kryemit kombëtar i shqiptarëve.

 

Së pari, Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës mblodhi një pjesë të mirë të princave shqiptarë të kohës dhe ndikimi i Besëlidhjes u shtri edhe në trevat shqiptare të pa përfaqësuara në Kuvend. Edhe mbledhja për shpalljen e pavarësisë më 1912 risillte në jetë atë kuvend, Kuvendin e Prizrenit më 1878 dhe kuvende të tjera të shqiptarëve. Periudha e Skënderbeut u kujtonte shqiptarëve ekzistencën e shtetit mesjetar dhe miti i tij shërbente si kordon jetëdhënës, që niste nga mitra e mesjetës e mbërrinte në lindjen e shtetit shqiptar në shek. XX. Vetë Skënderbeu në kohën e tij shqiptarëve u kujtonte se ishte trashëgimtar i Balshajve dhe princit të Tarantos i shkruante se në Itali po zbarkonte për të përsëritur lavdinë e Pirros së Epirit. Kështu miti i Skënderbeut ishte urë lidhëse e shqiptarëve në shek. XX me të tjera epoka të lavdishme historike që mund t‘i frymëzonin në vitin e vështirë 1912.

 

Së dyti, Skënderbeu, i mbështetur thuajse krejtësisht në forcat e veta, i kishte bërë ballë fuqisë më të madhe ushtarake të kohës dhe tani që perandoria ishte mposhtur përballë aleancës ballkanike, Kuvendi i Vlorës kishte shpresë se edhe këtyre të fundit, shqiptarët mund t‘u qëndronin. Sikurse feniksi, Shqipëria do të ringjallej nga mesi i luftës ballkanike! Së katërti, Skënderbeu ishte shpallur në kohën e tij si mbrojtës i Evropës dhe me simbolikën e shpalljes së pavarësisë në atë datë, Ismail Qemali me shokët e tij shpresonin të tërhiqnin vëmendjen e diplomacisë së fuqive të mëdha te fati i shqiptarëve. Në njëfarë mënyre, ata prisnin që Evropa t‘ua kthente borxhin që u kishte shqiptarëve, këtu e pesëqind vjet më parë.

 

Rrjedhën e historisë të gjithë e dimë. Kuvendi i Vlorës shpëtoi atë që mund të shpëtohej. Shteti shqiptar u krijua si një kompromis i përkohshëm: me t‘u krijuar rrethanat e favorshme, shqiptarët shpresonin se trojet e tjera do t‘i bashkëngjiteshin atij, kurse armiqtë e tyre shpresonin ta zhbënin nga harta e Evropës. Megjithatë, mistika e datës së 28 Nëntorit 1912 mbeti e fuqishme te shqiptarët kudo ku ndodheshin. Ajo kremtohej si çasti i decizionizmit i kombit shqiptar, si çasti kur nga kaosi i krijuar pas shembjes së rendit perandorak, shqiptarët, të frymëzuar nga kujtesa historike e Skënderbeut, kryen aktin sovran të themelimit të rendit të ri, atë të shtetit të tyre kombëtar. Paçka se më shumë se gjysma e territorit të atdheut mbetej jashtë shtetit, ishte hedhur hapi vendimtar për vetëvendosjen e shqiptarëve dhe ishte hapur rruga e bashkimit kombëtar në të ardhmen. Dita e 28 Nëntorit 1912 për shumë kohë është festuar fshehurazi nga shqiptarët jashtë Shqipërisë, në pritje të ditës kur do të mund ta festonin hapur, të gjithë së bashku.

 

A ka ardhur kjo ditë? Për fat të keq ende jo. Në Shqipëri, prej shumë vitesh, edhe më parë se në Kosovë, 28 Nëntori po kthehet pak a shumë si "Dita e kujtesës etnike". Është e vërtetë që nëpunësit dhe nxënësit e shkollave e bëjnë pushim, televizionet shfaqin filmin "Nëntori i Dytë", politikanët mbajnë fjalime në sheshet e Tiranës dhe Vlorës, por ndër to, kësaj diçka i humbet, diçka tepër e vogël në dukje, por thelbësore: kumti për bashkimin kombëtar. Në këtë ditë dëgjojmë të thuhet se jemi një komb, por me këtë nënkuptohet që kemi një prejardhje, kulturë, gjuhë e histori të përbashkët, por nuk e thonë që edhe të ardhmen duhet ta kemi të përbashkët. Më falni, e thonë, por në trajtën "në të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian", që do të thotë se kufijtë shtetërorë që kalojnë përmes trojeve etnike do t‘i forcojmë dhe ruajmë vetë ne.

 

Si për të dobësuar mistikën përbashkuese të kësaj dite, disa politikanë në Shqipëri kryejnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, për inatin e disa politikanëve të tjerë që do t‘i kryejnë të nesërmen. Populli i Shqipërisë duhet që ta rimarrë këtë ditë përkujtimore nga duart e politikës dhe ta kthejë në kremtimin e qenies së tij, pjesë e kombit shqiptar. Gjithashtu Kosova ka rastin e kësaj dite që me anë të manifestimeve popullore t‘u tregojë Serbisë, ban-ki-munëve dhe ahtisarëve ndërkombëtarë, si edhe politikanëve shqiptarë negociatorë me armikun, që nuk mund të pranojë që të vazhdojë të dhunohet më sovraniteti i popullit. Yjet e bardhë nuk do ta zëvendësojnë për një kohë të gjatë shqiponjën, sikurse nuk mundi t‘i qëndronte gjatë mbi kryet ylli i kuq. Në IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe Malin e Zi, mistika kombëtare e kësaj dite shërbeftë si një trysni mbi partitë politike të shqiptarëve! Së fundi, një urim i veçantë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, që nuk lejohen ta kremtojnë hapur dhe për ata të përzënë nga Çamëria, që edhe këtë vit do ta kremtojnë larg tokave dhe shtëpive të tyre: Gëzuar Festën e Flamurit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora