E hene, 29.04.2024, 02:48 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Krasniqi: Krenaria që na përcolli Kadare në Heidelberg të Gjermanisë

E hene, 24.11.2008, 01:51 PM


Ismail Kadare
Krenaria që na përcolli Kadare në Heidelberg të Gjermanisë
 
Diaspora shqiptare në Gjermani po i përcjell me një jehonë të posaçme takimet prezantuese që po mban shkrimtari i madh për paraqitjen në gjermanisht të veprës së tij “Vjedhja e gjumit mbretëror”, takime që po shndërrohen në manifestime të mirëfillta të krenarisë kombëtare.

Nga Sami Krasniqi 

“Po të shikojmë hartën politike të Evropës, Shqipëria zë një vend të vogël në pjesën e saj juglindore, ndersa në antologjinë e artit dhe të kulturës evropiane, letërsia shqiptare zë një vend mjaft të çmuar dhe meritor. Ajo kapërcen kufijtë kontinentalë në saje të të madhit Ismail Kadare. Të nderuar jemi pasi atë sonte e kemi në mesin tonë”. Këto ishin fjalët e para të zonjës Peta Becker von Rose, përfaqësuese e Institutit gjermano-amerikan në Heidelberg të Gjermanisë, me rastin e promovimit të librit: ''Der Raub des königlichen schlafs ' (në shqip, ''Vjedhja e gjumit mbretëror' ), sjellë para lexuesit gjerman nga Joachim Röhm. Më 13 nëntor do ta kemi Kadarenë në Heidelberg. Ky ishte lajmi i atyre ditëve të para të nëntorit që shetiste në mesin e shqiparëve të cilët jetojnë në rrethin e Rhein-Neckarit e më gjerë. Veprimtarët e shquar, Sheremet Pantina, Agim Dauti, Hasan Zekaj, Halit Berisha, Selvete Tërstena, Naim Peshku, Nexhat Miftari, Afërdita Xheladini etj, të cilët e mbajnë të gjallë aktivitetin kulturoro-artistik, humanitar dhe kombëtar të shoqatës “Iliria'' të Heidelbergut, kishin filluar me kohë përgatitjet, që takimi në fjalë të mos kalonte fare i pahetuar ndër bashkatdhetarët tonë që jetojnë në këtë pjesë të Gjermanisë. Për autorin e '' Gjeneralit...'' kishin bërë gati edhe një dhuratë të vogël, një stilolaps me pendë ari me mbishkrim të gravuar: ''Nga shoqata Iliria e Heidelbergut”. Pas zonjës Becker von Rose, fjalën e mori përkthyesi Röhm, i cili pas përshëndetjes, iu drejtua artdashësve dhe adhuruesve kadareanë,...pyetjet të bëhen në gjermanisht, pyetje dhe komente me përmbajtje politike nuk ka...!? E tha në gjermanisht duke mos e përkthyer të tërën në shqip. Heshtje. Kërkesës së tij në përpikmëri e përçudnisht iu përmbajt edhe ai i cili në emër të shoqatës i dorëzoi dhuratën. As edhe një fjalë të vetme shqipe, bile as së paku e gëzofshi zoti apo vëlla Kadare. Pastaj shkrimtari ynë i madh Kadare dhe përkthyesi Röhm, lexuan secili në gjuhën e vet nga një pjesë të novelës prej së cilës edhe libri i cili prezantohej kishte marrë emrin. Kadare ishte mjaft mbresëlënës kur tha se do të lexoj një pjesë të shkurtër, për të dëgjuar lexuesi gjermanofolës, se si tingëllon gjuha shqipe, për të vazhduar me një të qeshur të lehtë dhe në gjysmë shaka, ''por unë nuk di të lexoj bukur”. Të pranishmit ishin kureshtarë të dinin më shumë dhe të dëgjonin prej gojës së tij se:,...prej nga burojnë këto motive, nga vijnë ato,...cilat tema më tepër i pëlqejnë, ....sa kanë të bëjnë shkrimet e tij me psikanalizë, histori dhe politikë,... se
çfarë ka bërë ai dhe se a është bërë sa duhet nga të tjerët për lirimin e Ukshin Hotit, të cilin Serbia deshi ta shndërrojë vetëm në një botë biologjike,... se fjala tokrëndë, (konkurs bukurie) a është përdorur në letrat shqipe për herë të parë prej tij, gjer te ndonjë pyetje paksa qortuese si ajo psh deri kur do të na shkruani për ëndrra dhe sulltanë....?
Kur Kadaresë i duhet të flasë për librat e vet, sikur aty zihet ngushtë, nuk parapëlqen, heziton. Nuk dëshiron të jetë si ajo nëna e cila flet dhe i lavdëron fëmijët e vet. Mbase të tillë janë gjenitë. Megjithatë filloi. Fjalët i zinin vend, nuk i treteshin si uji në rërë. Në komunikim me tjetrin gjithëherë bindës dhe i afërt. Menjëherë të rremben në botën e tij, të bën për vete dhe pastaj do të të gërryejë malli për ta takuar edhe njëmijë herë. ''...E rëndë është robëria. Pesë shekuj të pushtuar nga një perandori sulltanësh. Paramendojeni, pesëqind vjet pa shkollë, pesëqind vjet pa shkrim. Fatkeqë ishin popujt e Ballkanit. Më të goditurit dhe më fatkeqët ishin shqiptarët....''. Fliste sikur t'i nxirrte fjalët diku nga thellësia, sikur ato i vinin nga shpirti stërgjyshor dhe vazhdonte, ''...mbase, është e pamundur që e tërë kjo katrahurë, të mos ketë lënë gjurmë ndër ne... prandaj s'është fare e çuditshme nëse në veprën time do të gjeni edhe sulltanë ...po, unë kam edhe një novelë ku flitet për ëndrrat dhe gjumin, mbase është ngushtë e lidhur me '' Pallatin e ëndrrave ''...por për letërsinë njeriu duhet të shohë pak më gjerë...''. Tek po fliste kështu, unë mbaja në dorë librin për të cilin ishim tubuar dhe në kopertinën e tij të pasme me vete lexoja, ''Desha të them...se gjumi është si gjaku, të gjitha janë aty. Dhe njëmijë vjet të shkojnë shenjat mbetën dhe kumtet dhe krejt''. Vërtet letërsia duhet parë më gjerë. Tregonte për letërsitë e mëdha. Merrte shembuj nga letërsia antike, por për veprën e vet prapë fliste me hezitim. Michel Audétat ishte përgatitur shumë kohë për të bërë një intervistë me Kadarenë. Dhe ç'ndodhi pastaj? Kur ai shkoi në Paris, porsa hyri brenda në shtëpinë e shkrimtarit, ai pasi i bëri mikpritjen dhe i dëshiroi mirëseardhjen i tha: Mund të bisedojmë për të gjitha, por ju lutem, vetëm për veprat e mia, jo. Audétat, mbeti gojëhapur. Më pastaj ai nxori nje shkrim me një titull mjaft interesant: ''Media franceze, Nobel, duhet t'i ishte dhënë me kohë Kadaresë''. Në shkrim lexuesi mëson se ai (M. Audétat) i ditka mirë parimet e Milan Kunderës për gazetarët dhe gazetarinë, por sikur nuk ka haber për atë ''mjeranin '' e Natasha Lakos, për atë ambasadorin shqiptar të vitit 1994 në Suedi, për atë i cili, atëherë (1994) i paska bërë letër edhe Akademisë Suedeze, më kërkesë për të mos i ndarë nobelin Kadaresë. Edhe kjo të jetë e vërtetë!!? Larg qoftë...! Ta ketë bërë këtë në kohë kur Kadare nuk linte pesonalitet as edhe intitucion nderkombëtar autoritativ, pa i shkruar për hallemadhen Shqipëri, për Kosovën dhe ecjen e saj të përgjakshme dhe tragjike drejt zhbërjes apo lirisë, kur pas shumë përpjekjesh arrinte t'i fuste pyetjet e shkruara në KPD të Nishit drejtuar Ukshin Hotit e më pastaj ta bënte atë ''Bisedën përmes hekurash''. Paj, edhe Prenk Currin nga ''Konkurs bukurie për burra në Bjeshkët e Namuna'' e vrasin. Xhelozia, ky ves i bartur nga mitologjia shqiptaro-greke të vret më shumë sesa feja dhe kanuni. Edhe Gaspër Cara është si ai ''mjerani''. Për fatin tonë të keq kemi edhe të tillë, të cilët nga një kokëkrisje e tharë u turren portave të mëdha të kështjellave tona për të vrarë vëllëzerit që aty brenda gjenden. O zot deri kur me këtë turravrap të theqafjes së sëmurë!? Pse!? Ç'është gjithë kjo ''dhunti'', ky bollëk i mjeshtërve të mrapshtive të sëmura dhe ''engjujve'' mortorë.
Zhurma e lehtë e pritjes në radhe të atyre që e donin paragrafin ''Ismail Kadare'' në librin e promovuar dhe libra të tjerë, ma preu udhën e mendimit,dhe shumë mirë bëri. Më pastaj të gjithë ne iu afruam. Bisedonim ngrohtësisht, si vëllëzer të cilët nuk janë parë moti apo ndoshta kurrë. Ishte mrekullia vetë. Bënim fotografi si në ditë feste. Vërtet, festë ishte. U ndamë edhe më të pasur në shpirt, edhe më krenarë se jemi bashkëkohës të Ismail Kadaresë. Krenarë se vijmë nga i njëjti popull, nga i njëjti vend.
Në të dalë nga salla, tek zbrisja shkallëve m'u kujtua një thënie e Shusha Gruppyt, shkruar në “Independent on Sunday''....E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orvellin. Por zëri i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjet thellë në tokën e vet...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora