Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Shendera
E diele, 21.02.2021, 09:34 AM
SH E N D E R A
(Sipas
dëshmisë të mikut tim H. K.)
Nga
Mehmetali Rexhepi
Shtëpia
e magjishme e fshatit T, që i drejtonte rrezet e buta në trutë e të rinjve,
viteve të shtatëdhjeta nisi të stolisej edhe me lule të gjalla ngjyrash të
ndryshme të sapo çelura. Këto ngjyra frymonin të ndrojtura, në çaste ishin
lozonjare, me shikime përpirësi, kureshtare për çdo depërtim rrezesh, që u
vinte ose u rrëshqiste tej vëmendjes. Përballë kishin një burim të gjallë dhe,
prej rrudhave të atij burri a babai rridhte një freski e fjalëve të kulluara,
të padëgjuara... Rrudhat haseshin kudo në atë malësi, tek secila fytyrë e ballë
burri; më të theksuara ishin përroskat e druvarëve. Iu dukeshin sikurse rrotat
e ngarkuara me barrë të rëndë drush, mbi tokën e butë të pashtruar me gurë, që
linin gjurmë vijash. Gjurmët i thante dielli pas shiut dhe mbeteshin të
theksuara, vija të pjekura. Burimi, që rridhte brenda orësh të shënuara prej
tingëllimës së ziles, lehtësisht kapërcente shtegun e ndrojtjes fillestare,
kishte diçka joshëse, diçka atërore për dy lulet e gjalla të Malësisë së
Gallapit. Ato lule malësie mund t`i ndalnin pos shtrëngatat, acaret e dimrave
të egërsuar, Përroni i Madh kur harlisej, ledhet e borës... Veçse ajo shfaqje
egërsie do t`ua mbante peng grishjen e asaj cingërime, magjinë e atyre klasave
me gumëzhime, cicërima...
*
* *
Rrënjët
u ishin shkulur prej barbarëve të stepave, të cilët e shtrinin acarin e
zhbërjes së etnisë nga Nisi e këtej deri te Manastiri. Të parët e luleve nuk i
ngazëlloheshin fotosintezës së dytë. Në gjenin dhe vijimësinë e krenarisë tyre,
pos kronikës të gjëmës së zhvendosjes, si drithërima të herë pas hershme të
atij tërmeti, meqë gjëma ishte shuar, assesi kishin pushuar dëneset, ofshamat,
as shikimet e mbetura akuj mbi e nën dheun e varreve. Nofka e të qenit
“muhaxhirë” sikur ua shpaloste vurratat e pakëndshme, të cilat nga trupi u
kishin hyrë në trupin e shpirtit të padukshëm... Brezat e një pas njëshëm me
një ngrohtësi të rikthyer, mund ta shkrijnë akullin shekullor për vegjetimin e
ri. Ardhësit sërish do të kenë përballë klimën e stemës së ftohtë, me drapërinj
për vazhdimin e korrjeve të tyre dhe, me kokë nën kudha me drapër e çekan...
Pandemia e asaj steme ishte shtrirë edhe këtu, si njëmendësi e dergjës në Botën
Ortodokse Lindore... Zyrat e zeza ardhësve ua kishin fshirë emërtimet
burimore... Si? Duke iu vënë mbiemra harrestarë burimesh! Zyrtarët zijosh
kishin reflektuar, që e zeza e tyre të verbonte një etni të tërësishme; mirëpo
Zotin e padukshëm të unit nuk kishin mundur ta kapnin për ta prangosur, as ta
zhbënin, as ta tjetërsonin për forcën e mbijetesës që ushqente hapësirave të
paarritshme të ndërdymes... Ai Zot ushqyes shpresash nuk i përkiste Allahut të
arabëve, as Allahut të osmanëve, as Bog-ut të sllavëve... Në emër të atij Zoti,
që ruajti farën e gjenit tonë, nuk kishim prerë koka, as djegur e therur foshnja të njoma!... Ishte Zoti, Ai Zoti i
mirëfilltë me bashkëveprues hyjnish të pastër, por të kontestuar në emër të
Zotit e hyjnive gjakatare!...
Arkeologjia,
toponimia, etnografia, etnologjia, pothuajse krejt onomastika ishin dije të
padëshiruara, të mohuara për anasit e kësaj gjeografie! Madje, edhe flora
“Molla e Kuqe”, renditej në regjistrin e tabuve! “Molla e Kuqe” pigmentin e kuq
e kishte thithur prej lëngut të gjakut të dardanëve...
Barbaria
i bie ndesh qytetërimit!...
*
* *
Miku
i Motit Kumtari, për të cilin Moti nuk mbante kod, as çelës për t`ia zbërthyer
kodin, pas ecejakeve të shpeshta udhëve të sheshta, si dy shpirtra shtegtarë, e
mori Motin të ngjiteshin në një lartësi, që iu përkiste dëshmorëve me pushkë në
dorë. Maja ishte e lartë, por e denjë për prehje pranë dëshmorëve. Ulen për
s’lodhje me kujtimin e tyre, mes asaj kronike të përgjakur, së cilës i
shkëpusnin përfytyrime... Disave që nuk u duhej ajo kronikë, thoshin: e shkuar
dhe e harruar, mos u përsërittë më dhe,
i kthenin shpinën!
Sheshohej
formula e indiferencës kësisoj:
-
Kemi përpara jetën, pse të merremi me pengun e së vjetrës?
Përfytyrimet
para tretjes diç pëshpëritnin, duke u rikthyer në vellon e qetësisë...
Përderisa brodhën lakores për të përmbushur të rëndomtën e ecjes vertikale; shtohej
rruga e ngarendjes për ndonjë kilogram specash djegës për ta shpërthyer betonin e kapsit kronik...
Ato
përfytyrime në këtë mjedis, gjithnjë ktheheshin kokë-poshtë dhe liheshin prapa
shpinës, nuk u lihej shtegu të dilnin përpara...
Pak
para ngritjes për zbritje tatëpjetës, Kumtarit, si duket, iu kishte
shfletuar shiriti i kthjelltë i
përfytyrimeve, meqë tek ai kishte gjetur shtegun e hapur. Tok me përfytyrimet e
tija, Moti e Kumtari zbritën në vitin një mijë e nëntë qind e shtatëdhjetë.
-
Mot tatëpjetës të kesh kujdes!
-
Pushtimi i rrëqethjes mund të rrokulliste tutje...
Për
dy vajzat ofiqari pa pëlqimin e prindërve, u kishte vendosur mbiemrin e njëjtë.
Djallëzia e regjistrimit me mbiemra të njëjtë, pa përkatësi të së njëjtës
vatër, fshihte toponimin e preferuar të prejardhjes. Që të dy vajzat kishin
emrin Shendera, por dhe mbiemrin Buzuku; ndonëse nuk kishin lidhje të
përbashkët, as ishin përkundur nga i njëjti djep! Vajzave Shendere nuk kishte çka t`iu falte varfëria. Mbi ato
kishte vënë dorë një mjeshtër skulptor, një piktor, ajri i hollë, gurgullima e
kroit të kulluar, veshja e blertë e
gjetheve, shushurima e lisave, kozmetika e majit, flladi i hijeve të korrikut,
frymëmarrja e fierishtës vapës së gushtit... Saçi që përskuqte petët e
vakërrimës u hidhte përskuqje çikave fytyrës. Malësia kishte hiret dhe
egërsinë, por dielli, hijet, bora,
akujt, kaltërsia mbëltuan klorofilin, rremat, petalet dhe hijeshinë e
vajzërisë.
Klasës
të Shtëpisë së Magjishme, njëra i sillte llambën e fytyrës në këndin e hirtë të
ngrehinës, tjetra hijen shkëlqimit lëbyrës të dritës. Jo një herë, me emër e
mbiemër i ngatërroje, por i dalloje me shpërfaqje ngjyrash. Tek njëra
vezullonte bardhësia, tjetra vezullimit të bardhësisë i stiste hijen, mes
kontrastesh valëzonte bukuria... Nga bora e sapo shkrirë, në atë fytyrë të
Shenderës, e lumja natyrë kishte harruar
pa e fshirë bardhësinë e saj të borës.
Shendera hije-zeshkët lyhej me korrikun e gushtin, me rërën e plazhit, të cilin
ëndrrat në fjalorin e vet, nuk ia shënuan
si emër konkret! Deti ishte sinonim i një uji të shumtë... I largët, i
paprekshëm...
*
* *
Dimri
në malësi nuk dorëzohej lehtë. Stina e tij
urdhëronte t`i afroheshe prushit, stufës me unët që digjen. Duke e
mbajtur sa më gjatë sundimin, ai fshihej përrenjve, zotëronte majën e malit,
futej grykave të thella, prapa lisash shumë degësh, lugjeve, atje ku pranverës
së brishtë i shqyhen kostumet e ngjyrave solemne. Doemos do të ketë ftohtësi
dhe, i ka hije zjarrit për t`ia hedhur nga dora darët reumës. Reuma e stinës të
qaset sikurse hiena tinëzare, pa e hetuar t`i ngul dhëmbët sharrë në muskuj dhe
eshtrat e zhveshur prej tulit. Pranvera e vonuar vinte me shi për t`ia larë
almiset dimrit. Nëna, atyre ditëve, jo si rëndomë, e mbështillte me shikime të
gjata, madje mëtonte ta mbante të lidhur për vete Shenderën zeshkane, si të
ishte një robëreshë e rrezikshme... Si për kob, ajo mëtonte ta lidhte dhe,
asnjëherë të mos e zgjidhte, me shumë fije penjsh për shpirtin e saj. E kishte
kapluar një përmallim dhe gufshim i mbufatur pranveror!... Ajo vocërrakja e
dikurshme, e hajthme tashmë çatisi një vashëz shtat-drejtë, kraharor-fryrë,
bel-gushe, me bukuri të shkrirë me të zeshkëtën. Ndjenja e zgjuar për rritën e
Shenderës e tundi nënën... Ishte një duf amnor, një qasje gllabëruese asaj
dukjeje, atij gufimi sikur kërpudhat pas shiut të ngrohtë veror... Një dashuri
që mori përmasë jashtë asaj të përditshmes, kishte ngelur e pavërejtur...
-
Uffaa! - Ofshau nëna.
-
Mos t` marrsha msysh oj çikë!
-
Ta marrtë t`keqen nana!
Në
kujtesën e nënës hyri tundimi i gufimit të tëmblit të vluar tej mase, mandej
derdhja e tij jashtë kazanit dhe, dhe
era e rëndë e shkrumbit...
Nëna
u përmend në vorbën e gjirit të saj amnor... Përnjëherësh iu mbështollën dy
ndjenja përjashtuese: gëzimi përcëllues dhe pikëllimi shqetësues... I erdhi një
tjetër ofshamë dhe shqiptimi si trajtë çlirimi prej ofshamës:
-
E baftë Zoti hair oj bi!...
Me
pështymën e lidhur në fyt, nëna nga oborri vajti pas rangëve të shtëpisë. E
kishte kazanin me tambël të pa vluar për
ta zënë djathin, shikonte ku e kishte lënë hirrën-tharmin për djathë:
-
Qyqja unë! Shumë pom pshtillen kto rangë-vazhdoj t`i ankohej vetvetes:
-
I lumi Zot, pse po i harroj krejt senet ku i kam?!
Djali
i madh Bamiri, vëllai i Shenderës kishte zbritur në qytezë, as babai nuk dukej.
Një shi i vrullshëm i pas mesditës të së premtes, pasi kishte kapluar Malin e Madh, e sollën
retë e zeza dhe e përplasën edhe mbi rrafsh-lartën e fshatit T. Zbrazej shiu me
bubullima, litarë vetëtimash degëzimesh të zjarrta tmerruese, ndonjë gjyle
topash lëvizës të rrufeve shpërthente diku... Tmerri sillej mbi çati, mbi maje
lisash dhe kokash jashtë çatish!... Mes kësaj vorbulle të shtrëngatës gati
ishte harruar kali në livadh, i lidhur me litar për trungun e lisit! Kali
përpiqej të shkëputej prej litarit të tokës dhe, litarëve të zjarrtë të herë
pas hershëm të qiellit... Barotin e gjyleve të rrufesë ende nuk kishte arritur
ta fikte shiu... Nëna për mëshirë të kalit luti Shenderën, ta zgjidhte kalin
dhe ta binte në ahur.
-
Gjynah oj bi, kali në shi!
Shendera
doli me vrap, por duke zgjidhur nyjën e litarit, e shtrënguar fort nga tërheqja e kalit, po vonohej...
Godet çasti fatal i një gjyleje të rrufesë mu mbi trupin e Shenderës! U
shkundulluan lisat, u flakërua oda, u trondit dhe u shurdhua nëna për disa
çaste, digjeshin degë të lisit ku lidhnin kalin!... Parandjenja e kobshme e
nënës fluturoi në livadh dhe, thirri me gjithë forcën e zërit ngjyrë ndryshuar:
-
Shendere, Shenderë, oj Shendere ku, ku
je, ku jeee, a po nieen?!
Asnjë
pipëtimë zëri të Shenderës, pos ushtimës së bubullimave dhe shiut të
dendësuar...
-
Qyqja unë për Shenderën, ma paska mytë reja!
Me
gjymtyrë të këputura nyejve, me forcën mbinjerëzore të amësisë, nëna arriti te
vendndodhja e kobit! Klithmën e vajin mbi trupin e nxehtë e të nxirë të çikës,
ia rrëmbyen radhët e bubullimës... Babai së toku me fqinjët tërhoqën vajzën e shkallmuar dhe e shtrinë në
odë. Nënën e Shenderës e mbanin përkrahësh dy gra fqinje... Shiu i lotëve dhe
vaji përshkonte fytyrat e kësaj vatre të goditur... Të gjithë ishin të mpirë!
Askush nuk dinte se çka të bënte para kësaj ndeshtrashe. Ndihej veçse rënkimi
zemërplasur i nënës për bijën dhe, puthjet e saj mbi faqet e nxira të Shenderës
prej baroti:
-
Ah Shendere , Shendere! Unë, zezë-dita jote ëëë, ëëë, ëëëë, ooh, oooh, ooh,
ohaaa!...
Tashmë
Shendera e shtrirë, dikush ia kishte larë fytyrën, nënës i dukej edhe më e
madhe se sa duhej të ishte për moshën që kishte.
-
O Zot rujmi mentë! - U shkreh sërish përvajshëm nëna.
E
ngopur prej vajit, nëna nuk kishte zë për të nxjerr... I dilnin vetëm ofshama
të një pas njëshme... Akëcila e zuri përkrahu dhe e qortonte:
-
Nalu, mos bon kshtu moj!
-
Çka vjen prej Zoti s`kem çka bojmë!
Shendera
e bardhë sy-ënjtur vështronte nga një kënd e mpirë, e heshtur, sikurse t`i
ishte këputur edhe asaj një gjymtyrë e trupit. Kësaj iu trazua vëmendja nga e
folura e mamit të motakes:
-
Oj gra, oj motra ma ka nie zemra... Uuu,uuu uuuh... Loçka e nanës!
-
Përpara shtatë dite nuk mujsha mja hjekë
sytë çikës... Për kob...
Gjëma
e rrufesë së papritur mbi “evlatin” e kësaj nëne, kishte trashur shkrumbin në
buzë e në shpirt të saj. E tërë logjika
ishte rrudhur në dhimbje, por kjo nuk mund të mbahej gjatë... Jeta i lyp rangët
e veta. Trupi i Shenderës nuk ishte prekur nga dorë e mjekut, as prej ndonjë
ndihmës mjeku! Njoftuan hoxhën si përfaqësues shpirtëror i fshatit T. Hoxhë
Tabuja një autoritet shpirtëror ende i
pacenuar i fshatit T, preferoi varrosjen e vajzës:
-
Asht gjynah mos me e vorrosë gjenazen teri n`aksham!
*
* *
Shenderën
e gatitën për varrosje të mbështjell me qefinin e bardhë, pa fustanin solemn të
nusërisë! Atë çupë shpirt shtalpake
miopia njerëzore e shpinte në një vdekje të parakohshme dhe tejet
mizore! Muzgu i një bezdie ceremoniale e korit në arabishte dhe, me peshën e
dheut, do ta gëlltiste trupin e njomë të Shenderës. Shpirti i saj le të mbetej
në kundërmimin e tokës së lagur pranverore, në florën e botanikës shkollore...
E ndodhura e vajzës preku dhe zgjoi ndjesi, aq sa t`i lanin sytë e pikëlluar
moria e frymorëve, që për ironi u mungonte “uji i zem-zemit”, por jo i kulluari
i këtyre bjeshkëve të malësisë! Dogma mesjetare ishte shtrirë mbi frymorët në
gjerësi e gjatësi, në çdo kënd, në çdo sferë të shpirtrave të dorëzuar. Ajo
kishte pushtuar lirinë e shpirtit... Rregullat e Perandorisë Shpirtërore duhej
zbatuar preras. Kokat mendje-topitura e kishin pjekur mendjen, se përtej Librit
të Shenjtë s`ka kurrgjë tjetër!... Nuk mbetej udhë dalje tjetër prej kësaj bote
të rreme, pos përuljes së devotshme Pejgamberit dhe, të fusje kokën me bindje
në zgjedhën e idhullit të lajthitur arab!
Preferencat
e hoxhë Tabusë e përshpejtuan varrimin e Shenderës; brenda dy-tri orësh të së
njëjtës ditë, para atij muzgu të kobshëm pranveror!
*
* *
Në
qytezën D ishte ditë tregu. Druvarët ktheheshin nga tregu udhës së rrahur për
ecejake shkëmbimesh me karroca kuajsh. Në Gallap varrezat hasen kryesisht skaj
udhëve. Disa druvarë duke u kthyer prej tregut të ditës, për habi kishin dëgjuar
rrapëllima brenda varrezës së re?!
Druvari
druvarit:
-
Hej, a njeve diçka n`vorr?
-
E njeva ni t`krisme...
-
Sa e shtirë asht nata e parë e vorrit!...
-
Na e boftë Zoti t`letë dekën o Namon!
Ndodhia
trishtuese e rrapëllimës nën varr, ia përtrolliste hoxhë Tabusë ligjërimin e
iluzioneve për botën e tej-varrit...
-
E shtirë nata e vorrit...
-
Çashtu qysh na ka thanë hoxha n`xhami... - tha njëri nga ngushëllimtarët.
Druvarët:
-
S`na ka bo vaki, po tue kapërcye për drumi e niem vetë natën e parë t`
suhalit!...
-
Nji Zot e di sa shumë u përpjek i dekmi!...
Ligjëratat
e përsëritura të xhumave për “ditën”e gjykimit, për Xhebrailin, për melaqet,
ndonëse të tejdukshme, kishin lëshuar rrënjë të thella në koka me shtresime të
cekëta mendjesh. Shpirtrat e trishtuar prej ndjekjesh të shajnive, mëtojnë të
kapen edhe për një fije bari, për t`i shpëtuar rënies në honin gllabërues...
Ata shpirtra të brishtë, të thyeshëm lehtë para çdo furtune, të lakueshëm, harkëtarë
në duar shigjetarësh me aureola shenjtërie, mes shajnisë dhe dogmës, do t`i
jepen të dytës, kësaj tiranie shekullore, që pothuajse pushtoi edhe kozmosin e
ndërdymes njerëzore!... Ndaj, kot nuk është thënë: luaje mace kryet e buallit!
Bindja e burgosur brenda mureve të dogmës ushqehet me opiumin e saj. Herezia
kundruall turmave të dozuara me opium të tillë, në emër të Lartmadhërisë, i
qofshim falë, të kurdisë varrim për së gjalli dhe anatemën poshtëruese!
Megjithatë, boshti i rrotullimit të globit në udhën harkore të ekuinoksit, nuk
është as në vullnetin, as në duart e
“Shenjtërve.” Kokat e “rebelëve” të mëdhenj, ndesh tiranisë së “idhujve”, para
lumturisë me përulje të përjetshme, të vërtetën nuk e shkëmbyen për pendesën
për mos-djegie mbi turrë drurësh zjarri! Të “anatemuarit” e mbuluar me
mallkime, se dheu i “mallkimeve” nuk i
mbanë; dalin në periudha të caktuara dhe dëshmojnë për helmin e opiumit të
moderuar...
Kumtari:
-
Mot prej nga dolën këta lugetër modern?
Moti:
-
Nga ata të cilëve iu mallkuan varret!...
Tjetri
luhatej ngadalë, sikurse të kishte hipur mbi një peshore, e cila nuk shënonte
numra gramësh, as kilogramë.
*
* *
Drushitësit
e mendësisë së hoxhë Tabusë, ndoshta të frikësuar, ndoshta për mos-bërje të
ndonjë sakrilegji, pa u ndalur gjatë do të ikin në shtëpitë e tyre. Dëshmia e
rrapëllimave nën varrin e ri, do të dalë prej njërës gojë dhe do të bartet gojë
më gojë, do të bëhet legjendë... Akëcili sish, me mendje thikë të mprehtë,
kishte shqyer qefinin e aktit të mbaruar, që erdhi prej dogmës së Tabusë:
-
Nuk ka pasë natë t`suhalit...
-
Kurrkush nuk asht marrë me të vdekmin mrena vorrit...
-
Mrena vorrit me trupin e të vdekmit mirren veç krymat...
Padija
e përtrollit vullnetin e Perëndisë sido që i vjen... Personazhet e
fantazmave janë në brendi të gjallëve...
Ata i shërbejnë pararojës së dogmës... Tirania e dogmës shfaqet në trajta të
buta, madje mallëngjyese dhe ndëshkon
përmes trajtash të egra, tejet të padhembshme!
Akëcili
prej morisë së të përulurve i pabindur, porse me një shqisë tjetër të nuhatjes,
do t`ia heqë frerët e kalit intuitës së vet. Rrapëllimat ishin thonjtë, këmbët,
zëri i mbytur i protestës, duke qenë ende gjallë viktima nën dërrasat e dheut
të rëndë! Me bindjen e tillë, filani vjen te vatra e pikëlluar për të dëftuar, çfarë kishin ndier shtegtarët kalimtarë nën dheun e
atij varri të ri...
Tashti
dhimbja do të merrte trajta të trishtimit dhe të pengut të dyfishuar! Përmasa e
gjëmës trashej dhe helmonte dhimbjen, sikurse një thikë e ngulur dhe e harruar
në trupin e viktimës!?
Rihapej
dhimbja...
Babai
i Shenderës, Fati me disa fqinj hapin varrin dhe, çka panë: Shenderën e vdekur,
por qefini i shqyer, nyjat e gishtave dhe balli i përgjakur, sytë e hapur, gati
të dalë, të mbushur me pluhur dheu!... Fatit iu terratisën sytë dhe ra në stom të varrit! Dikush i fërkoi qafen,
ca të tjerë lypnin ujë t`ia lanin sytë...
*
* *
Pas
mbytjes së dytë me dërrasa dhe qindra kilogram dheu mbi dërrasat dhe trupin e
vajzës, Shendera më parë ishte goditur
nga shkarkimi i energjisë së rrufesë tek lisi i livadhit në afërsi të
shtëpisë. Meqë varrosja ishte kryer shpejt, asaj ia kishte thithur rrymën dheu
përreth trupit dhe, gjymtyrët e shtangura ishin çliruar e forcuar. Andaj, ajo
me gjithë forcat e mbetura mbinjerëzore, ishte përpjekur deri në grahmat e
fundit të frymëmarrjes, duke i shtyrë ato dërrasa e dheun mizor ngufatësh mbi trup të saj! Dërrasave u kishte
mëshuar me grushte, me thonj, me kokë, me këmbë, përderisa i ishte shpenzuar dhe vrushkulli i rrymimit të
ajrit!...
Druvarët
pa esëllti të zgjuar prej gjumit të indiferencës, vajtën vijës së drejtimit të
tyre, duke mos u përqendruar në kumbimin
e dëgjuar nga varri, për ta hapur atë mynxyrë fatale!...
Shendera
u sprovua me fatalitetin e dyfishtë të vdekjes!
Më
në fund: të gjithë u bindën se Shenderën e kishin varrosur të gjallë?!
*
* *
Zbritën
tatëpjetës së malit të fëmijërisë së Kumtarit, të mbushur frymë, me ritme të
shpeshtuara të zemrës dhe të diafragmës,
me pikëpyetje dhe pikëçuditje të një pas njëshme, pa përgjigje. Brenda dyzet
vjetarëve, rrëzës me drunj të rralluar, banorët e shtuar ia lypnin hapësirën
për ngastra vetjake.
Kumtari
ndezi një cigare dhe nga mbresa e legjendës së varrimit solli dhe një pohim:
-
Kur e kishte parë hoxhën t`i vinte për ngushëllime Fatit, nëna e Shenderës në
mes grave kishte thënë:
-
Ori motra, kur e shoh ftyren e kti hoxhe m`doket sa herë flet, pej gojes ti del
ka i gjarpën i zi!
*
* *
Lisi,
livadhi, kali, litari, Shendera, rrufeja, nëna... Nëna, rrufeja, Shendera,
litari, kali, livadhi, lisi... Ishin gjësende, hapësira, dukuri frymore e jo
frymore, që i bartte kujtesa dhe i rrokulliseshin Motit në kokë, sipas rendit
të kujtesës. Të gjitha këto sende lëndore frymonin në mënyrën e vet, kishin aromat e veta,
tik-taket e pulsimeve, dhënie-marrje të mirash dhe ndëshkime... Bari i jepej
kalit, kali i jepej kalorësit, vapës i jepej hija e lisit, acarit drurët e
zjarrit. Shendera do t`i jepej djalit, atij anonimit, por tepër, tepër ngutshëm
iu dha dheut... Po rrufeja, kujt i jepej rrufeja, kjo gjaknxehta dukuri?!
Rrufeja i jepej stihisë...
Moti
deshi t`ia pohonte Kumtarit,
ndonëse me gjysmë zëri matej, por i doli
në pah pohimi i tij:
-
Asnjë herë mos i dil stihisë përpara!
-
As prapa mos i shko! - e përmbushi pohimin Kumtari.
Diskursi
i dialogut ende vijonte për rrufenë... Edhe rrufeja i nënshtrohej dikujt, i
shtrohej rrëkeve të shiut. Derisa shiu mblidhej për tu derdhur, rrufeja
përvidhej për ta zbrazur mllefin e pa zbrazur të njeriut të heshtur...
-
Përse rrufesë nuk i pritet? - befas pyeti Kumtari.
-
Nuk i pritet ngase vrulli i shiut do t`ia lagte barotin e pushkës!
Ajo
tekanjoze përplasësh jonesh, nxjerr
vetëtimën dhe hedh gjylet aty dhe atje ku nuk i është vënë freri...
*
* *
E
kishte pësuar prej rrufesë edhe lisi, që e prenë për koruben e arkivolit. Kur e
kishin nisur për tek varri Shenderën
pesë herë kishte hingëlluar kali, i cili e pati nuhatur erën e
Shenderës!
*
* *
Kumtari e thithi cigaren me pasion, e hodhi dhe e
shkeli me njërën këmbë duqin e mbetur. Mori frymë aq sa diafragma e tij ngjiti
dhe zbriti pozitën e trupit. Ofshani. Ofshama ishte përmbledhje e gjithë
lotëve, e të gjitha dhimbjeve të vjetra e të rejave, të fashitura dhe të
pafashitura, të një fëmijërie të përmbysur...
Gjilan, nëntor 2020