Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Arian Shehu i ergjëndtë
E premte, 19.02.2021, 06:28 PM
Arian Shehu i ergjëndtë
Përsiatje
Nga
Timo Mërkuri
Një nga grupet
iso-polifonike me karakteristika interesante është Grupi “Ergjëria”1 i Gjirokastrës me drejtues artistik Arjan
Shehun. Themi se është një grup interesant për arsye se ky grup këndon një tip
kënge iso-polifonike që, për tonalitetin e tij me ngjyrim të ngrohtë dhe
mënyrën e shtruar të të kënduarit, është
“pagëzuar” me emrin kënga qytetare Gjirokastrite. Kjo tip kënge ka si fillesë
stilin e të kënduarit të Xhevat Avdallit, cili këndonte “shtruar” dhe“avash”,
ngadalë, me tonalitet të ulët dhe me
harmoni klasike labe.
I- Grupi
iso-polifonik “Ergjëria” Gjirokastër është themeluar në vitin 1995, si
rrjedhojë e shpërbërjes së grupit të “Të Rrinjve” të Gjirokastrës, grup që e ka
nisjen e tij në vitet 1978 dhe ku drejtues dhe
“marrës” ishte Arian Shehu. Në veprimtarinë e tij ky grup kishte siguruar një përvojë kënge tipike të
vetën, që realisht ishte avancim i vijës melodike të grupit të Xhevat Avdallit.
Mund të themi se aty ku shkëlqeu kënga “pleqërishte” e grupit të Xhevat
Avdallit, aty lindi dhe u rit edhe kënga “djaloshare” e grupit të “Të Rrinjve”
të Arian Shehut. Në fakt këtu u ndanë jo vetëm brezat dhe historitë e tyre por
edhe historitë e këngëve dhe stilet e tyre muzikore, që duken si të përafërta,
sikur “janë“ një, por që në esencë përbëjnë veçori e dallime të theksuara,
sidomos kur flasim për tingëllimë origjinaliteti. Arjan Shehu dhe grupi i tij e
rinoi këngën gjirokastritre dhe i dha
akcent të veçantë nga grupi i “pleqve”, duke u bërë i dashur dhe i kërkuar jo
vetëm për bashkëqytetarët e tij.
“Historia e këtij artisti gjëmon akoma si korife I padiskutueshëm me grupin e
“Të Rrinjve”, grupin që habiti dynjanë, popull e studiues me stilin e tij të të
kënduarit.
Shpërndarja e
grupit të “Të Rrinjve” në grupin
“Argjiro” dhe “Egjëria” erdhi si pasojë e ndryshimeve të kohës, këngëtarët u rritën në moshë dhe artistikisht
dhe normalisht që nisën të pretendojnë afirmimin artistik individual. Përvoja
dhe talenti i Arian Shehut, aftësia e spikatur
drejtuese dhe besimi që kishte fituar te shokët gjatë viteve bëri që
grupi “Ergjëria” të trashëgojë gati 80%
të grupit “Të Rinjve“ të
Gjirokastrës. Në grupin “Ergjëria” Arian Shehu qysh nga krijimi i tij
dhe sot është udhëheqës artistik dhe përcakton vijën melodike, është “marrësi”
i shumicës së këngëve, ndërkohë që bën
edhe “hedhësin”. “Marrës” dhe “kthyes” me përvojë 30 vjeçare ka në grup Adriatik Çenkon, “kthyes“ të talentuar ka
Skënder Sinanin dhe “hedhës” i veçantë Axhem Hysenmetaj me përvojë 20 vjeçare.
Shokë të tjerë si Iso- Adriatik Çenko, Redjon Korkuti, Mariglen Berberi, Gëzim
Haska dhe së fundi edhe e spikatura Juli Çenko. Me një grup të tillë, të
përbërë nga artistë të spikatur, vetëm me këngë të arira konkuron në
iso-polifoni.
II- Kënga e grupit
“Ergjëria” është një këngë melodioze në harmoni të shkallës më të lartë, shumë
më e avancuar se klasikja, me ritëm të mesëm dhe tempo ritëm të brendshëm.
Elementi bazë i kësaj kënge është “marrësi”, që në këtë rast është një tenor i
pastër lirik, me zë vibrues, por me ngjyrim dhe tepër melodioz. Tonaliteti
është i lartë. Është këngë me dritë dhe ka veçori qoftë nga kënga bregase, labe
dhe gjithë variantet e tjera. Veçoria konsiston në faktin se bashkë- veprimi i “marrësit”, “kthyesit”
dhe “hedhësit” është mjaftë dinamik dhe shumë harmonik. “Hedhësi” apo më saktë
“prerësi” e shoqëron “marrësin” gjatë gjithë kohës dhe tenton në pak çaste ta
“konkurojë” atë. Në momentin që shtrihet kënga, alternohet me ‘të në mënyrë
perfekte. Në pak çaste, kur kënga shtrohet, “prerësi” kalon tek zëri i katërt,
që është “iso-ja”. “Kthyesi” është mjaft solid dhe i “kronometruar” në çastet e
tij, por jo mjaft i fortë si “kthyesi” lab. “Iso” e grupit të Gjirokastrës
është kaba e plotë, e organizuar, jo base, por pikante, me tingull metalik.
Kënga e grupit quhet në popull “kënga e re qytetare gjirokastrite” dhe ka
dallim nga iso-polifonia e gjithë krahinave të Shqipërisë, përfshi dhe krahinat
fqinje. Libohova ka pak afëri me vijën melodike të Gjirokastrës, por pa aritur
përsosmërinë e saj, Mashkullora dhe Picari janë pa dredhje zëri, por kanë një
veçanti me një zanore të zgjatur.
III-Arian Shehu
prezantohet i plotë vetëm nëpërmjet këngës. Me këngën e tij ai ju bën të
rrënqetheni dhe ta ndjeni atë në çdo hapësirë të shpirtit. Është një zë
natyral, i lindur për të kënduar dhe jo i “mësuar” në shkolla kënge. Në fakt
Ariani ka “mare” mësime kënge, por mësimet e para të të kënduarit i mori nga i
jati, Sheh Jonuz Shehu, që ishte një nga
antarët e “grupit të pleqve” të Gjirokastrës, grup që ishte ikonë e një epoke.
Ndërkohë edhe nëna e tij Lule Shehu, mbesa e Zeman Mashkullorës (bashkëluftëtar
i Çerciz Topullit) ishte një këngëtare fine e këngës labe dhe për Arianin ishte
mësuesja e parë e iso-polifonisë. Me dy “profesorë” kënge në shtëpi, çdo fëmijë
që të ishte, edhe ëndrat do t’i shihte me këngë dhe jo më Arian Shehu që dukej
se u “rrëmbente” melodinë nga buza prindërve. Shpejt mësoi të këndonte dhe ende
fëmijë, nisi t’i printe këngës si “marrës”. Në këtë drejtim ndikoi edhe fakti
se nëna i mësoi variantin tipik gjirokastrit të të kënduarit me “hidh e prit”,
variant që duket i “lehtë” por që realisht kërkon një vëmëndje të preçizuar për
të kapur momentin e “hyrjes” në këngës, mbajtjen e tonalitetit në
këngën-replikë dhe respektimin e distancave kohore me “pritësin” dhe “iso-n”.
Më pas, idhulli i tij, që ai e ndiqte çdo ditë pas shkolle ishte Xhevat
Avdalli, i cili e dëgjoi, e pëlqeu, e inkurajoi me besim dhe e ngjiti në skenën
e kështjellës qysh kur Ariani ishte ende djalosh i ri. Është fat të kesh një
“pedagog” të tillë si Xhevat Avdalli pas dy “mësuesve”, prindërve të tij.
Realisht Arjan
Shehu kishte një fat më të madh se kaq, ai kishte lindur në Gjirokastër dhe
pikërisht në kohën kur kënga iso-polifonike ishte pjesë e jetës në çdo familje.
Gjirokastra ishte ndoshta i vetmi qytet në Shqipëri ku çdo lagje kishte grupin
e vetë folklorik, me pjesmarrës të rinj, të reja dhe të moshuar dhe ku çdo vit,
në muajin shtator ose tetor te sheshi
“Çerçiz Topulli”, në qëndër të qytetit, organizohej takimi i këtyre
grupeve folklorike (të lagjeve) dhe
konkuronin me këngë e valle.Dikur Gjirokastra është quajtur “qyteti i
vajtimeve” ndërsa koha kur u rrit Arian Shehu e shndroi në qytetin e këngëve.
Bënte prova me shokët gati çdo ditë pas
mësimit, dhe pikërisht kur mbushi 18 vjeç mori pjesë në një nga
festivalet në sheshin e Çerçizit me këngën "Ulu mal të dali hëna".
Në atë podium të vogël në krah të Çerçzit ju duk vetja si një shqiponjë. Ajo
ishte dalja e tij e parë artistike, më pas dalja e parë në skenën e kështjellës
ishte me këngën "Thinjat me lule rinie" në vitin 1978 në
Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Fluturimi i tij nga skena e vogël e
sheshit “Çerçiz Topulli” në skenën e kështjellës i ngjante fluturimit të një
shqiponje nga dora e një “rritësi shqiponjash” drejt qiellin e pamatë, sepse
Ariani rritej si një shqiponjë për të zotëruar qiellin gjirokastrit të këngës
iso-polifonike. Ishte Xhevat Avdalli mjeshtri “rritës i shqiponjave” nga dora e
të cilit nisi fluturimin Arian Shehu, që me shokët e grupit, si me krahë të
shtrira mbuloi gjithë skenën e Festivalit Folklorik. Aty e ndjeu se ai kishte
lindur për këngën gjirokastrite, ta mbronte e ta rriste, ta prezantonte të re e
të bukur në të gjithë Festivalet Folklorike të vendit dhe në Festivale të shumë
shteteve të botës si në Francë, Zvicër, Korsikë, Suedi, Greqi, Danimarkë prej
nga i sillte qytetit të tij çmime, flamurë, çertifikata vlerësimi për sukseset,
që e ngritën grupin në nivelin e “Mjeshtër i Madh”. Këngët e Arian Shehut janë
gati të gjitha këngët e Gjirokastrës, në të cilat ai ka vënë shpirtin e tij,
lotin e tij, dhëmshurinë dhe krenarinë e të qënit gjirokastrit. “Shqipëri të
qofsha falë/ Të kam nënë e më ke djalë” janë vargjet e para që të kujtohen
nga Arian Shehu sa herë që bie fjala për ‘të, dhe nëpër vijën melodike të kësaj
kënge shohim portretin e tij. Realisht portretin e Arian Shehut gjithmon e
parafytyrojmë të gdhendur në një bazoreliev me shtëpitë e “ergjëndta”
gjirokastrite në sfond. Sepse ai është “Princi i këngës gjirokastrite” dhe nuk
e kupton veten pa këngën dhe pa Gjirokastrën. Arian Shehu është personi që më
së shumti i përshtatet cilësimi “i ergjëndtë”, sepse te ai përmblidhen tre
elementët të “ergjëndtë“ të domosdoshëm për të plotësuar portretin e njeriut të
tillë. Ai, së pari është gjirokastrit, bir i atyre shtëpive mbuluar me rrasa
guri, që pas shiut, me daljen e diellit ndrijnë si “ergjënd”. Së dyti është
drejtues i grupit “Ergjëria” që rrëndom quhet “Grupi i Ergjëndtë” dhe më
kryesorja se është këngëtar me “zë të ergjëndtë”, siç thotë populli. Kjo është arsyeja që qysh në krye e
quajtëm : Arian Shehu i“ergjëndtë”, por radha e pruri ta sqarojmë tani.
Të pyesësh Arjan
Shehun se në gjithë atë “mal me këngë” të tij, cila është kënga që i dhëmb më shumë, ai pasi mendohet pak, nis e
këndon: “Vito ta kam silloinë/Si do shkosh me djem jetimë /Si gurri në
rrokullimë/rrobat në sepet çtu grinë/Vishi Vito,krreje zinë/Se të vdekurit nuk
vijnë”2. Pasi
pushon një a dy minuta pas mbarimit të këngës, sikur mendohej për fatin e “Vitos
me djem jetimë”, ja nis këngës tjetër: “Ç`bën moj ti aty përposh,/ laj
fustan e tim zotë./. Laj fustanin e tim zot,/ herë me ujë e herë me lotë./ Herë
me ujë e herë me lot,/ bëj durim e s`duroj dot”3...
IV- Një veçori e
këngës gjirokastrite është edhe tipi i këngës “hidh e prit”. Për shumë lexues
që nuk e njohin këngën gjirokastrite sqarojmë se: tipi i këngës “hidh e prit”
është si një “dialogim” midis dy vetave, djalit e vajzës, sigurisht në praninë
e grupit, ku: djali këndon një varg dhe më pas vajza i përgjigjet me një varg
tjetër. Në mes të hapësirës kohore “boshe” mund të futet hedhësi,
gjithashtu me variant gjirokastrit, jo
me dredhje zëri por në një plan. “Hedhësi” përsërit ndonjëherë dhe çdo fund
strofe, sigurisht para se të futet iso. E tillë është kënga “Aman Andoniqi“:”Në
ballkon ku rrije tregon histori/ Aman Androniqi aman un për ty/ Këmbën mbi
këmbë, festenë mbi sy/ Aman Androniqi aman un për ty/ Ky fustani yt cipë
gjarpëri/ Aman Androniqi aman un për ty/ E ke bërë vetë a peshqesh njeri/ Aman
Androniqi aman un për ty/ Ky babai yt një palo njeri/ Aman Androniqi aman un
për ty/ Që stë le me djemtë të bësh dashuri/ Aman Androniqi aman un për ty/
Te kjo këngë e tipit hidh e prit, vargun
“Aman Androniqi aman un për ty” e këndon një herë Juli Çenko dhe një herë Arian Shehu. Të njëjtën gjë mund
të themi dhe për këngën “Aman trëndafile aman borzilok”4. Për të interesuarit sqarojmë se origjina e
këngës “hidh e prit” është e herëshme, qysh kur njerëzit “dialogonin” me
këngëzim dhe “jeton“ ende në qëndrat e banuara me popullatë të herëshme, që i
ruajnë traditat dhe zakonet. Për ruajtjen e traditave të artit gojor në
Gjirokastër ka shkruar edhe Çelebiu qysh më 1672, kur dëshmon për vajtimet,
ligjërimet mortor në qytet dhe dihet që
ligjërimet dhe kënga iso-polifonike janë dy anë të një monedhe. Dëshmi e
ruajtjes së traditave është dhe kostumi popullor i Arian Shehut, i cili thekson
se: “E kam të trashëguar nga im atë dhe nuk i kam ndryshuar asnjë fije peri dhe
asnjë tegel”.
Le të shohim
këngën “Ç'bënetë në shtëpinë tënë/ Gjithë valle gjithë këngë” e
përshtatur
në variantin “hidh
e prit”. Këndohet një varg mashkulli dhe më pas një varg femra. Pas kësaj
futet “hedhësi” në
rolin e “marrësit” duke kënduar: “Çu mbush mali plot me rrush”/”Plot me
rrush”/ “Thotë nëna janë krushq/Janë krushq”. Pas kësaj futet Ariani me
vargun: “Në janë krushq të dalin-o/të dalin-o/ Syzezën le ta marrin-o”
etj. duke dhënë në këtë mënyrë një kolazh, ku të gjithë këngëtarëve u
jipet mundësia të bëhen nga pak “marrës”
dhe të evidentohen. Në qoftë se e keni parë “Dasma gjirokastrite” ku sa
mbaronte njëri, fillonte tjetri këngëtar, atëherë jam i sigurtë se më kini kuptuar plotësisht.
V-Është e
natyrëshme që në Gjirokastër të këndohen dhe tipe më të herëshme këngësh, veç
tipit “hidh e
prit” dhe po kaq e natyrëshme është që këto tipe këngësh t’i ketë në repertorin
e tij
Arian Shehu. Një
tip i hershëm kënge është “monofonia” e cila, kemi shpjeguar se është hapi i
parë në shkëputjen nga “logatja” drejt këngës dhe që këndohet në vetminë e
jetës baritore, me zë të përvajshëm dhe me tekst dhimbjeje, pasi kryesisht ka
motivet e ligjëruara nëpër morte ose të ngjashme me ‘to. Në Gjirokastër Arian
Shehu ka “shkuar” më tejë se këto motive. Monofonia e tij ka tjetër fytyrë, më
bashkëkohore, më krenare, më qytetare, tipike gjirokastrite kur këndon: ”Gjirokastër
moj shqiponjë/Nënë e trimave moj zonjë/Linde Çeçon me kobure/Linde djem e vajza
nure”.
Duhet të
evidentojmë edhe faktin se Arian Shehu është ndër krijuesit aktivë themeltarë
të grupit “Bilbili” në dhjetorin e ’94, ku disa këngë të rregjistruara në
marsin e vitit ’95 prej tij mbetën befasuese. Kombinacioni me këngëtaren
pilurjote Erimioni Mërkuri te kënga tipike gjirokastrite “hidh e prit”: “Aman
trëndafil, aman borzilok” , në të cilën kombinoheshin zërat sipas radhës,
Ariani-“Unë të mbolla rrallë, ti më mbive plot” dhe Erimioni: ”Aman
trëndafil, aman borzilok” me kthyes
Mehmet Vishe rezultoi në një këngë të niveleve të larta artistike dhe
nga më të kërkuarat nga publiku:
Unë të mbolla rrallë/ti më dole plot/aman trëndafil,/aman borzilok…
Ç’më ra havale/një i shkreti zog/aman trëndafil/aman borzilok..
Nuk më la farë/ç’do të mbjellë mot/aman trëndafil/aman borzilok.
Unë e prisja dje moj/ai erdhi sot/aman trëndafil/aman borzilok.
VI-Thamë që kënga
e re gjirokastrite është këngë e shtruar dhe shpesh herë pati tekste të
forta, duke e bërë
atë dinamike, por karekteristikë e saj është lirika elegjiake dhe ajo erotike.
Si
kërkesë e kohës do
të ishte larmia e mëtejëshme e motiveve dhe futja në shoqërim të këngëve e
istrumentave karakteristikë . Eksperimentimi me zërin e gruas dhe konkretisht e
Juli Çenkos është një risi që e kërkonte koha e sidomos turbo folku, është e
pëlqyeshme, ndaj po punohet shumë për të krijuar një portret konkret tipik. Nuk
është lehtësisht i realizueshëm novacioni në këngën gjirokastrite i ndërmarë
nga Arian Shehu dhe Juli Çenkos, por në horizont duket suksesi, sepse kemi të
bëjmë me bashkimin e dy talenteve të mëdhenj muzikorë, që shoqërohen nga një
grup artistësh “mjeshtra”, janë bij të një qyteti, rritur me të njëjtën traditë dhe dashuri për këngën popullore dhe
qytetin e tyre, që gjithsesi kanë bashkëpunuar edhe më parë në iso-polifoni. Se
duhet të dini që Juli Çenko ka kënduar edhe marrëse e grupit iso-polifonik dhe
interpretimin e saj mund ta dëgjoni psh. te kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”.
Bashkimi i Arian
Shehut (dhe grupit “Ergjëria”) me Juli Çenkon është episod më vete. Juli është mbesa e Arianit, vajza e
kushëririt.Bashkë kanë kënduar nëpër skena iso-polifoninë e bukur gjirokastrite
dhe ndjehet tepër i lumtur që tashmë ajo
u bë dhe antare e grupit "Ergjeria". Rruga e Arianit drejt muzikës
popullore ishte tepër e rastësishme dhe shpirtërisht e pakundërshtueshme.
Vajzat e tij dëshironin që Ariani të këndonte edhe këngë popullore në dasmat e
tyre, jo vetëm iso-polifoni dhe për t’ja mbushur mëndjen, nisën t’ja përmëndnin
këtë ide “si një arritje që do ti shtohej karrierës së tij muzikore”. Ideja
muzikore i pëlqeu dhe sidomos e bëri të buzëqeshte mënyra e tërthortë e
paraqitjes. -E cili baba nuk dëshiron të këndojë në dasmën e vajzave? Më pas ideja u forcua me propozimin konkret të Julit. “Ishte ditë e veçantë, dita që Juli Çenko erdhi siç vinte
zakonisht në shtëpinë time, për të më takuar e për të marrë ide në lidhje me
projektet e saj, por këtë herë erdhi të më prezantonte një bashkëpunim muzikor.
Ishtë një ide brilante e ndërthurur me iso-polifoninë. Që nga ajo ditë vendosa
të isha krahu i saj, jo vetëm në tekste por edhe në ekran”- thotë me
dashamirësi Arian Shehu duke shtuar se bashkëpunon me një artiste të
madhe të këngës,
më shumë se sa me mbesën e tij.
Bashkpunimi i tyre
qysh në prezantim duket suprizues. Juli Çenko e bukur, si një rini e
përjetëshme pranë Arian Shehut, që duket si një mal lëvizës, mbushur plot me
lisa. Po ju them se sa herë që unë kam dëgjuar Juli Çenkon duke kënduar, më
është dukur se ajo këndon me një zë “me shtatë drita”, valët e të cilave të
depërtojnë në zemër para se të kuptosh se çfarë dëgjon, ndaj kam shtangur në
vend plot mahnitje, ashtu siç u shtang dhe Moisiu në mal kur dëgjoi zërin e
perëndisë që i fliste. Ndoshta Zoti vetë, kur dëshiron të na thotë ndonjë fjalë
të bukur e të ngrohtë, na e thotë atë nëpërmjet këngës së këngëtareve me bukuri
të përsosur, në pamje, shtat e në zë.
Dhe kënga e tyre,
oh ajo këngë, Juli me zë thëllëze dhe Ariani si mal i Sopotit në pranverë,
kur zbret gjithë
zërat e bukur të pranverës në përrenj melodie.
Këto këngë dhe
këta këngëtarë vetëm dëgjohen dhe
admirohen.
Sarandë, më
13.02.2021
1-Fjala “Ergjëri”
është shndrim folklorik i fjalës “Ergjëndëri”
(Argjend) pasi Gjirokastra, në kohën e daljes së diellit pas
shiut, ndrin e tëra si argjënd, për vetë faktin se çatitë janë të mbuluar me
rrasa guri ku përthyehen rrezet e diellit dhe reflektojnë dritë argjendi,
fenomen i dukshëm edhe sot. Kjo fjalë nuk ka lidhje me fjalën “Jergjëri”
(Kuvendi) dhe përdorej para mbajtjes së
kuvendit të Degës së Gjirokastrës të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit (10
qershor 1878 – 1881).. Në botim të Spiro
Dines më 1910 ( ku fjala Ergjëri është shkruar Jergjëri dhe ëhtë përkthyer
“Kuvend”) është publikuar kënga:
Kurvelesh e Gegëri/ Ç’u mblodhë në Ergjëri/Të bëjnë komision të ri/Ky Abdyl Bej
Frashëri/Çu përpoq i varfëri/Prishi një torbë flori/Dhjetë herë në frëngji
(burg)/ …si dhe një variant tjetër të kësaj kënge që gjithsesi nuk e argumenton
përkthimin e fjalës Ergjëri në Kuvend por e specifikon te fjala Jergjëri, fjalë
e cila s’ka asnjë lidhje me fjalën Ergjëri.
2- Kënduar
fillimisht me marrës Arian Shehu, kthyes
Perlat Meli, hedhës Axhem Hysometaj, iso Lili Çenko, Hasan Xhiku, Mevlut
Meleqi
3 Kënduar
fillimisht me marrës Arian Shehu,
kthyes Mehmet Vishe, hedhës Roland dhe Kastriot Çenko...