Kulturë
Remzi Limani: Valbona Hadri - Një sy vashe
E marte, 08.12.2020, 08:11 PM
FJALA E REDAKTORIT
Nga
Remzi Limani
Poetja
Valbona Hadri, në librin e saj të parë na jep një histori mëvete, ashtu si jeta
që është e pashprehur në fatet e njerëzve. Ajo shpjegon të gjitha këto me një
goditje të bukur poetike, një lojë me ngjyra fjalësh për t'ia dhënë shkëlqimin
dhe kuptimin e duhur një realiteti të dukshëm dhe të padukshëm por të prekshëm
në kuptimin e kapshëm për nga shtrirja e momenteve dhe historive të mbartura nga talenti i saj për t'i
shndërruar në poezi të tipit narrativ, duke përshkruar dashurinë ndaj të
afërmëve, atdheut dhe miqve, dëshira këto, që shprehin respekt dhe mirëqenie -
tipare të njeriut mirëfilli të edukuar, dallues për të përshkruar dashurinë dhe
dëshirat që shpërfaqin personalitetin njerëzor. Këtu pra, Valbona R. Hadri,
bashkon shqisat ndijore dhe mendore, morale dhe estetike të jetës së krijuar
nga njerëzit, ajo përmbledh së bashku, të mirën dhe të keqën që përshkojnë të
gjitha periudhat e historisë njerëzore. Mbi këto të thëna në poezitë e
kushtuara, siç është poezia kushtuar nënës së saj të titullar LETËR NËNËS,
poetja na thotë: /Nënë/Mos u brengos për thirrjet e Zotit/ Unë jam pranë saj dhe
të shoh Ty! Me sytë e tu mundohem t'i flas, motërmadhës! Me zërin tënd i thurë
lutjet e mia për të/. Pastaj, në poezinë UNË URATA JOTE BABA, kushtuar babasë
së ndjerë, shpërfaq mallin për të atin duke thënë/Ngushtuar jam të dëgjoj zërin
tënd, baba/Zërin e ngushëllimit që s'bëzanë më/Në ëndërr më thërret i shfaqur
engjëllor/Unë të pres tek kroi i etjeve për ty, baba/Tek burimi këngëve të
zogjve vajtimtarë/Por ti nuk ktheve nga visoret parajsore/.
Së
këndejmi, poetja Velbonë, është një dashnore e krijimtarisë, dhe mendja e saj
kurioze komunikon me njerëzit dhe natyrën në mënyrë shumëdimensionale, me sytë
që shohin në të gjitha drejtimet dhe kapin nga lartësitë dhe thellësitë e kohës
- për këtë i këndon edhe fshatit Jezerc, prej nga vijnë paraardhësit e saj,
duke e përshkruar si një univers me një fiziografi mrekullirash natyrore dhe
ligësitë e një kohe njerkë, të cilës i përballuan trimat e Jezercit legjendar
dhe për këtë poetja me epitet na thurë këto vargje: /Çdo pëllëmbë e këtij
vendi/ Fle mbi një histori gjaku të kuq/ Fisi i këtij fshati tymon nga oxhaku i
lashtësisë/. Pra, me poezitë e nxjerra nga shpirti, sikur Valbona hapi portat e
një bote qëmoti e kultivuar në brendinë e një poeteje deri tani të heshtur, e
cila, poetikën e fshehur brenda saj, me sukses po e shpalosë para lexuesit, si
vlerë dhe si gjakim për të bukurën e fjalës së shkruar, bërë varg të një
vjershërimi të ndërtuar mbi bazamentin real dhe surrealen, si metaforë për ta
kuptuar figuracionin, ku poetja nxjerrë në pah magjinë e natyrës dhe strukturën
poetike, si prudukt i një mendjeje dhe të një zgjimi të ri në fushën e lirikës
poetike. Këtu pra, filtrohen pamjet dhe ndjenjat e poetes Valbonë, për ta
mbuzur lexuesin pranë hyjnorës dhe të bekuarës, ku hyn fiziografia e vendit të
saj, dashuria si pjesë e pandashme e jetës dhe zëri i natës, i cili i flet në
përqafim flladi, duke u shkri në buzë horizontesh, për t'i dhënë kuptim jetës
dhe lules, siç thotë vetë poetja e nderuar. Duke lexuar mëtej poezinë e
kultivuar, hasim edhe poezinë mbi dashurinë, si ndjenjë dhe rënkim për
dashurinë e humbur - e pse jo edhe për atë të sotmën, si këngë universale, e
cila shtrihet gjithë globit të njerëzimit me tendencë që dashuria të troket në
portën e duhur, ngase të bukurën, duarhapur e pret dikush... Këtu pra,
filtrohen pamjet dhe ndjenjat e poetes Valbonë, për ta mbuzur lexuesin pranë
hyjnorës dhe të bekuarës, ku hyn dashuria si pjesë përbërëse e botës së
ndjenjave, sepse, vetëm ndjenjat na bëjnë të ndihemi njerëz dhe dashurinë ta
kuptojmë si proces natyror dhe kërkesë fiziologjike për të dashur dhe për të
qenë të dashuruar. Ja pra, disa vargje nga poezia VETË MË THE: /Të dua me
shpirt të ndiej/ Ndiej tingullin e pikave që t'i lagin buzët/ Të kam të vetmën
dashuri në sy/Ndiej dallgët e detit që më bien mbi supe/ Ti je ëndrra që fle
tinëzisht me mua! Ndiej frymën tënde që hukatë në mua/ Ti je shpresa që
ëndërroj fronin tënd/ Ndiejë mbretërinë tënde krah meje/.
Së
fundmi të këtij vështrimi mund të shtojmë se, Valbona R. Hadri me poezinë e saj
dëshmon kronologjinë e jetës, qoftë të asaj universale, qoftë të asaj
personale, ku gërshetohet hidhësia dhe ëmbëlsia e jetës, si procese të
barabarta në ikje dhe në ardhje... Të një fillimi dhe të një mbarimi, poashtu
të ilustruar si rrëfime të një kohe dhe të një çasti, i cili ngacmon mendjen e
poetës për të thënë atë që e ndienë në shpirtin e saj të gëzuar apo të trazuar,
varësisht nga momenti dhe pamjet e regjistruara në pasqyrën e mendjes krijuese.
Pra, poetja Valbonë, nëpërmjet një vjershërimi lirik, na rrëfen frymëzimin e
saj hyjnor, për ta kuptuar çasjen universale të dhimbjes e kujdo qoftë ajo,
sepse dhimbja nxjerrë gjëmën e ngjashne më të gjitha dhimbjet tona rreth nesh,
sepse dhimbjet janë të vetmet ndjenja, të cilat na bëjnë ta ndjejmë gjallërinë
tonë. Ndaj, nga ky pikëvështrim njerëzor, lindin shkëndijat nga zjarri ynë
brenda nesh, të cilin pra, e shprushin ndjenjat tona që lën gjurmët e një
frymëzimi sa real edhe mistik, duke u shtrirë edhe tek shpirti i ndjeshëm i
poetës tonë si një pamje që lëviz nëpër ngjarje, vende dhe hapësira kohore,
duke e materializuar të bukurën poetike deri në detaje të dhemjes dhe
dashurisë, si lëvizje dhe si ndriçim i momenteve të kapura nga mendja e
krijueses së nderuar zonjës, Hadri.