Kulturë
Sevdail Hyseni: Historia e një ish të burgosuri politik nga Bujanoci
E marte, 17.11.2020, 11:22 AM
Historia e një ish të burgosuri politik nga Bujanoci
Përkitazi
me librin jetëshkrimor të autorit Abdurrahman Limani me titull: “Rrugëtim në
jetë”, Shtëpia Botuese “Lena”, Prishtinë, 2020.
Autori
i librit Abdurrahmani me bashkëshorten Burbuqe Limani
Nga
Sevdail Hyseni
Në
marsin e këtij viti, pikërisht, në periudhën e rëndë të pandemisë, doli nga
shtypi libri me titull simbolik “Rrugëtim në jetë”, i autorit me origjinë nga
Verbani i Bujanocit, Lugina e Preshevës, Abdurrahman Limani, ish i burgosur
politik dhe veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare në ish
Jugosllavi.
Për
shkak të gjendjes së jashtëzakonshme pandemike, në Bujanoc dhe më gjerë në
rajon, përgatitjet organizative për promovimin e librit, u shtynë për një kohë
më të përshtatshme, kështu që libri nuk arriti të depërtojë në duart e
lexuesve, përveç aty-këtu, ndër miq e shokë të autorit dhe një paraqitje në
formë interviste në programin e mëngjesit të Radio Televizionit të Kosovës.
Mirëpo, autori i librit Avdushi, siç e quajmë shkurtimisht, e mban shpresa se,
këtë verë, kur të kthehet për pushime në vendlindje nga Londra, të bëjë
promovimin e librit jetëshkrimor për të mos kaluar pa vlerësime nga lexuesit
dhe kritika letrare.
Libri
“Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani, ish i burgosur politik, është
një vepër jetëshkrimore, e cila fillon, që nga faqet e para me Verbanin,
historikun e lavdishëm të vendlindjes së tij, të njohur për odat e mikpritjes,
bujarisë dhe patriotizmit, nga të cilat autori u frymëzua dhe u edukua në
rrugëtimin e tij jetësor, pastaj vazhdon me veprimtaritë jetësore të autorit
gjatë viteve të 80-ta, si student në Mitrovicë, jeta në ilegalitet, lëvizjet
politike, vuajtjet në ushtrinë ish Jugosllave, për të vazhduar nëpër kazamatet
e burgjeve të atëhershme serbosllave, e zhvillime e përjetime të tjera prapa
grilave të burgut, të cilat nuk ishin edhe aq të lehta dhe të cilat nuk kaluan
pa pasoja për autorin e këtij libri.
Brenda
kopertinave të librit, si një kapitull i veçantë përfshihet diskriminimi i
shqiptarëve në përgjithësi në ish Jugosllavi, pastaj periudha e viteve të
80-ta, kur autori ishte ushtar në Suboticë, në kohën kur filluan distancimet
rreth demonstratave të studentëve në pranverën e vitit 1981, të cilat, ai, nuk
i gjykoi për çka edhe u burgos, pas një procesi hetimor ushtarak.
Arrestimi
i autorit, ndodh në shtatorin e vitit 1981, sa ishte ushtar në Suboticë, pastaj
transferohet në burgun e Mitrovicës dhe të Vranjës, ku e dënuan me 5 vjet burg
së bashku me shokët e tij: Halil Selimi, 8 vjet burg, pastaj vëllezërit: Ymer
Hasani, 7 dhe Bejadin Hasani me 5 vjet burg. Nëpër dyert e këtyre burgjeve
autori i librit pati rastin të njihet edhe me heronjtë e popullit Afrim Zhitia
dhe Fadil Vata, pastaj Nysret Mirtaj,
Sami Kurteshi etj, e me shumë të burgosur të tjerë politikë nga rrethe të
ndryshme të Kosovës dhe krahut të saj lindor: Luginës së Preshevës.
Një
kaptinë më vete në librin “Rrugëtim në jetë”, të autorit Abdurrahman Linani,
përbën lirimi i tij nga burgu, një histori e dhimbshme dhe aq krenare, duke u
përshkruar me një ndjenjë gëzimi dhe pikëllimi, për lirimin që e prisnin
familjarët jashtë burgu dhe dhembjen e tij shpirtërore për shokët e idealit, që
mbeteshin për ta vazhduar burimin më me shumë vjet. Ishin ato momente të
prekshme, kur familjarët prisnin jashtë, kurse autoritetet e burgut nuk e lironin autorin, sepse kishte qëlluar ditë
vikendi, dhe nuk punonte administrata. Gëzimi dhe hidhërimi bëheshin bashkë,
duke krijuar një atmosferë të një torture çnjerëzorë, për të dy palët: ai që
ishte i ngujuar prapa grilave dhe atyre, që prisnin jashtë për ta përqafuar
njeriun e tyre të burgosur politik.
Në
këtë ditar jete, si të themi, të autorit të rrugëtimit njerëzor, bënë pjesë
edhe e fejuara e autorit, tani bashkëshortja e tij Burbuqja, e cila priti
shtatë vjet për të lidh kurorë me burrin e tanishëm, me gjithë përjetimet e saj
sa të dhembshme, po aq edhe krenare se kishte një të dashur të dënuar për kauzë
kombëtare e jo për vepra kriminale.
Libri
i Abdurrahman Limanit, “Rrugëtim në jetë”, është një vepër autobiografike e
pasur me një ditar jetësor, jo vetëm nga jeta ushtarake dhe e burgjeve, por
edhe me një kronologji janë të lidhura në mënyrë zingjirore kapitujt e tjerë
kushtuar vendlindjes, periudhës së sundimit të ferrit të kuq komunist titist,
diskriminimit të shqiptarëve në ish Jugosllavi, demonstratat popullore të
81-ishit, bisedat e ashtuquajtura informative, paraburgimet, burgjet, emocionet
pas lirimit nga burgu, dasma e shumëpritur, vazhdimi i lëvizjes për pajtimin e
shqiptarëve, kyçja në jetën politike në Bujanoc e Preshevë, daljet në skenë të
UÇK-së dhe UÇPMB-së dhe kapituj jo më pak të rëndësishëm për lexuesit e këtij
libri.
“Rrugëtim
në jetë”, mund të themi lirisht, është një kronikë historike dhe autori i saj
Abdurrahman Limani, është një protagonist i gjallë, që ka marrë pjesë aktive
nëpër këto procese e rrethana kohore, duke i përjetuar shpirtërisht e fizikisht,
të cilat i prezanton me kujdes dhe me përkushtim në formë jetëshkrimi në këtë
libër.
Libri
jetëshkrimor “Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani, ish i burgosur
politik, brenda kopertinave të tij përfshinë 261 faqe, të shoqëruara me një parathënie
të redaktorit dr. Ferid Selimi dhe më një album të pasur fotografish, pjesë të
kujtimeve të autorit nga e kaluara e deri në ditët e botimit të librit.
Autorin
e përgëzoj për botimin e librit me titull kuptimplotë “Rrugëtim në jetë”, me
urimet e përzemërta për suksese të mëtejme në fushat e preferuara të
veprimtarisë së tij krijuese dhe lexuesve fat, që do të kenë në dorë një libër
jetëshkrimor si ky.
Kopertina
e librit “Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani