Mendime
Florim Zeqa: Të ndërpritet pazari politik për postin e presidentit!
E shtune, 14.11.2020, 09:11 AM
Të ndërpritet pazari politik për postin e presidentit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Deputetët
e Kuvendit të Kosovës, në vend që t'u
shërbejnë qytetarëve, janë vënë në shërbim të agjendave partiake. Këtë e
dëshmon mosvotimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe jo vetëm.
Nisma e mbarë, ishte
shpresë për ndryshime
Duke
i parë vështirësitë dhe prapaskenat e zgjedhjes së presidentit, Ibrahim Rugova
ishte ndër të parët që kishte kërkuar zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë
nga populli, e jo të mbetet objekt i pazareve politike.
Kjo
ide kishte filluar të materializohet në pranverën e vitit 2011, përkatësisht më
22.04.2011 në Kuvendin e Kosovës, ku formohen Komisionet për ndryshime
kushtetuese, përkatësisht Kosmisioni për Reformën Zgjedhore, gjegjësisht për
krijimin e më shumë zonave zgjedhore në Kosovë dhe Komisioni për Zgjedhjen e Presidentit
drejtëpërdrejtë nga populli, me ç'rast të dyja komisionet ishin votuar në
Kuvendin e Kosovës me 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime. Këto dy komisione
ishin formuar pas një marrëveshje politike ndërmjet tri partive; PDK-së LDK-së
dhe AKR-së, e cila i kishte dhënë fund
krizës institucionale me zgjedhjen e presidentës (së zarfit) koncensuale
Atifete Jahjaga. Në bazë asaj marrëveshje dhe ndryshimeve kushtetuese që pritej
të ndodhnin, parashihej që presidenti të zgjedhej drejpërdrejt nga qyterarët e
jo përmes marrëveshjeve politike.
Komisioni
për Reformën Zgjedhore dhe Komisioni për Zgjedhjen e Presidentit
drejtëpërdrejtë nga populli, ishin ngarkuar me detyrë që të hartonin dhe
harmonizonin amandamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm
për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që
presidenti të zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Pritjet ishin
që ky komision të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e
themelimit të tij.
Pazari politik i natës
që e la në harresë nismën e mbarë
Mirëpo,
jo vetëm që kjo nuk ndodhi asnjëherë, marrëveshja e fshehtë politike mes Hashim
Thaçit dhe Isa Mustafës e vitit 2014, "Unë sot kryeministër, ti nesër
president", i hodhi në koshin e
mbeturinave të gjitha përpjekjet e komisioneve parlamentare, duke e kthyer
sërish në pazar politik postin e presidentit, pazar ky që po vazhdon edhe në
ditët e sotme.
Analizuar
nga këndvështrimi i pavarur analitik, e keqja më e madhe e këtij vendi në
dhjetvjetëshin e fundit mbetet binomi Thaçi-Mustafa, të cilët përveq minimit të
reformës zgjedhore i sollën shumë të këqija akoma më të mëdha vendit...
Ishte
pikërisht ajo marrëveshje private, e pazarit politik mes dy dy figurave, sa të
njëjta po aq të kundërta politike që thyen shpresat e qytetarëve për ndryshime
pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014.
Arritja
e "kurorës politike" mes dy liderëve partiak (Thaçi-Mustafa), duke u
thirrur në emër të strukturave të
partisë pa i pyetur fare ato, ishte injorimi dhe poshtërimi më i madhë që i
bënë elektoratit, kryesive dhe këshillave të përgjithshme të të dyja subjekteve
politike, duke instaluar kështu masat më të tmerrshme të diktatit brenda këtyre
dy partive politike.
Mirëpo
kjo nuk ishte e keqja më e madhe. Binomi fatkeq për vendin, Thaçi-Mustafa
shkuan tutje me konçesione tjera të dëmshme për vendin në dialog me Serbinë,
duke e përdorur Kuvendin si dekor "demokratik" për marrjen e vendimeve antidemokratike, antishtetërore dhe
antikombëtare në dëmë të shtetit dhe qytetarëve. Nën trysninë e këtij binomi
fatkeq për vendin u votua Asociacioni i Komunave Serbe, u votua Gjykata
Speciale, u votua Demarkacioni me Malin e Zi (me ndihmën e Ramush Haradinjat)
si dhe një varg i gjatë i vendimeve që rënduan jetën e qytetarëve...
Të inicohet reforma
zgjedhore në Kuvendin e Kosovës
Pas
dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi për arsye tashmë të njohura, kjo
legjislaturë e Kuvendit me urgjencë dhe sa më parë duhet të inicojë ndryshimet
kushtetuese, gjegjësisht amandamentimin e ligjit për zgjedhjen e presidentit
drejtëpërdrejt nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit
të presidentit nga partitë politike.
Kosova
duhet të bëhet në kuptimin e plotë të fjalës shtet ligjor dhe demokratik, në të
kundërtën rrezikon të shndërrohet në anarki totale, ku të fortët e politikës
vendosin se kush do të jetë kryeministër dhe president i këtij vendi, duke i
përdorur zgjedhjet vetëm si dekor dhe mashtrim për elektoratin.
Demokracia
përveq lirisë së shprehjes nënkupton barazinë e qytetarëve para ligjit, të
drejtën e zgjedhjes dhe për të qenë i zgjedhur.
Pas
situatës së krijuar politike dhe mosfunksionimit të Kuvendit të Republikës së
Kosovës, zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme. Është në dorën e
kësaj legjislature të kuvendit që të ri-inicoj ndryshimet kushtetuese për
reformën zgjedhore, përmes së cilës do të ndërpritet pazari politik për postin
e presidentit!