Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe marrëdhëniet shqiptaro-kineze
E enjte, 12.11.2020, 10:55 PM
NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN DHE MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE
Nga
Frank Shkreli
Ishte
fillimi i 1970-ave. Bota ishte e ndarë në dy kampe politiko-ushtarake, atë të
komunizmit lindor dhe Perëndimit demokratik. Por kishte filluar edhe periudha e
“détente-ës”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – një politikë
kjo uljesh të tensioneve midis dy palëve – një politikë që erdhi duke u forcuar
me vizitën e ish-presidentit amerikan Riçard Nikson në Moskë dhe takimit të tij
me udhëheqsin komunist sovjetik, Leonid Brezhnev, në Maj të vitit 1972. Ndërkohë kishte filluar edhe thyerja e
akullit në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Kinës komuniste me vizitën e
Presidentit Nikson në Kinë në Janar të vitit 1972. Kjo vizitë shënoi gjithashtu një këthesë me
rëndësi në marrëdhëniet strategjiko-diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe
Kinës komuniste duke kulminuar, eventualisht, në vendosjen e marrëdhënieve
zyrtare diplomatike midis dy vendeve, në Janar të vitit 1979.
Përball
gjithë këtyre lëvizjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me dy qendrat
kryesore të komunizmit botëror, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë
ishte, natyrisht, i shqetësuar dhe shumë i interesuar për gjëndjen në
Shqipërinë komuniste të asaj kohe dhe se si të gjitha ato lëvizje diplomatike
midis Amerikës dhe dy qendrave kryesore komuniste të botës -- sidomos me Kinën
komuniste, deri atëherë aleate e ngushtë e Shqipërisë – do të afektonin
zhvillimet në Shqipërinë komuniste.
Si
përfundim i këtyre shqetësimeve të komunitetit, më kujtohet një ndër takimet e
para me kongresmenin e zonës tonë elektorale të asaj kohe në Bronks, Mario
Biaggi-n, në fillim të viteve 1970-a. Qëllimi ishte për të mësuar më shumë se
ç’mendonte ai dhe Kongresi, në përgjithësi, mbi ato zhvillime në marrëdhëniet
midis Shteteve të Bashkuara dhe dy fuqive të mëdha komuniste dhe si këto lëvizje
mund të afektonin vendet satelite të tyre, përfshirë Shqipërinë. Më kujtohet se ish-kongresmeni Biaggi qe
treguar shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipëri, për të cilën dukej se
ishte i mirë-informuar dhe njëkohësisht ofroi bashkpunimin e tij dhe ndihmën
për të informuar Kongresin mbi situatën në Shqipëri. Kongresmeni
Biaggi ishte kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me
botën komuniste – ashtu siç ishin edhe shumë kongresmenë të tjerë të dy partive
politike – për derisa ato vende shkelin brutalisht të drejtat bazë të
qytetarëve të vet dhe të vendeve të
tjera satelite të tyre, siç ishte Shqipëria.
Pas një takimi në Nju Jork me një grup nga komuniteti i atëherëshëm
shqiptaro-amerikan, kongresmeni Mario Biaggi, me t’u këthyer në Washington bëri
një deklaratë të fortë kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me
Kinën komuniste, duke kritikuar, njëkohësisht, edhe marrëdhëniet e Kinës
komuniste me regjimin e Enver Hoxhës.
“Zoti
Kryetar” – iu drejtua ai Kongresit – “Janë disa që thonë se në vitin 1970 e
mbas duhet të jetë koha për uljen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe
Kinës komuniste. Ata thonë se duhet të
jemi miq me ta, të tregëtojmë dhe t’i lejojmë ata që të përhapin influencën e
tyre komuniste kudo në botë…Z. Kryetar, unë i them jo kësaj politike
pajtuese. Unë nuk dëshiroj asnjë të mirë
nga një miqësi me një shtet, i cili vazhdon të zbatojë një politikë të
dominimit botëror komunist. Sot për sot,
vetëm tri shtete janë nën influencën e Kinës së kuqe. Një ndër këto shtete është Shqipëria”, u ka
thënë kongresmeni Mario Biaggi kolegëve të tij ligjvenës amerikanë. “Nëqoftse regjimi komunist dhe zbatimi i
ligjit në Shqipëri janë një shembëll për të gjithë ne se çfarë do të ndodhte
nëqoftse Kina e kuqe do të lejohej të përhapte influencën e saj politike dhe
ideologjike edhe në shtete të tjera, unë besoj se atëherë Amerika do t’i
dënonte ata popuj drejtë ferrit në tokë”, ka thekësuar Biaggi në deklaratën e
tij në Kongresin amerikan në fillim të viteve 1970-ave.
Në
fjalimin e tij, kongresmeni Biaggi ka folur për mungesën e lirive bazë nën
regjimin komunist në Shqipëri si dhe për vështirsitë e mëdha me të cilat
përballeshin shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve jetonin në zonën e tij
elektorale në Bronks – për të kontaktuar me familjarët e tyre në atdhe,
përfshirë pengesat, madje edhe për të dërguar e marrë letra nga Shqipëria. Ai pat folur gjithashtu edhe për ligjin
kundër fesë, vrasjen dhe internimin e shumë klerikhve due kundërshtarëve të
regjimit si dhe mbylljen ddhe shkatërrimin e kishave dhe të xhamive, anë e
mbanë vendit, duke e shpallur veten si vendi i parë ateist në botë.
Pasi
numëroi një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist në
Shqipëri -- një vend i lidhur ngusht me Kinën komuniste në atë kohë --
kongresmeni Biaggi, iu drejtuar kolegëve të tij duke thënë se, akte të tilla të
dhunëshme dhe shkeljeve të rënda të
drejtave bazë të njeriut, si këto në Shqipërinë komuniste aleate të Kinës –
“Nuk janë tipike të një vendi që kërkon paqë ndërkombëtare dhe miqësi, por janë
tipike të vendeve ku mbretëron doktrina e llojit të komunizmit kinez.” Duke folur për Shqipërinë e atëhershme, ai ka
thekësuar se, “Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me regjimin e Shqipërisë dhe
me u thenë të drejtën, unë as nuk mendoj se duhet të kemi marrëdhënie me atë
regjim.”
Me
atë rast, kongresmeni Mario Biaggi i ka bërë thirje Kongresit Amerikan, “Se
nëqoftse duam të ndalojmë krijimin e Shqipërive të tjera dhe të ndalojmë që
edhe popuj të tjerë të bien nën kethetrat e tiranive të tilla të tipit kinez,
atëherë ne duhet të ndalojmë gjithë tregëtinë dhe shkëmbimin e të dhënave,
derisa ata të sigurojnë të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre, udhëtimin e
lirë dhe lirinë e fesë”, ka thënë ndër të tjera, ish-kongresmeni amerikan Mario
Biaggi në fjalimin e tij para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, në
fillim të 1970-ave, ndërsa ka folur mbi marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e
Bashkuara dhe me Shqipërinë, si aleate e ngushtë, satelite besnike e Kinës së
Mao Tse Tung-ut – pas një takimi që kishte zhvilluar në Nju Jork me një grup
shqiptaro-amerikanësh.
Shqiptaro-amerikanët
në takim me ish-kongresistin amerikan Mario Biaggi, nga e majta në të djathtën,
Janar, 1974: Gjon Gjinaj, Tonin Mirakaj, Kongresisti Mario Biaggi, Lume Juka,
Nikoll Vneshtaj, Dr. Mons. Zef Oroshi, Frank Shkreli, Fran Sokoli dhe Anton
Syku.
Pothuaj
50-vjet nga vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Riçard Nikson në
Kinë, Kryediplomati aktual i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo ka deklaruar
verën që kaloi se marrëdhëniet me Kinën kanë dështuar dhe se, “Nëqoftse bota e
lirë nuk ndryshon Kinën Komuniste, atëherë ajo sigurisht që do na ndryshojë ne”
dhe ka bërë thirrje për një grupim vendesh që mendojnë si ne, me qëllim që të
përballemi me këtë sfidë, ka thënë ai.
Ndërkaq,
edhe Shqipëria e sotëme ka nevojë për një reflektim të thellë të marrëdhënieve
të saja – 30-vjet post-komunizëm -- me vende dhe udheheqës autoritarë e
diktatorialë që Tirana zyrtare i konsideron sot si “strategjikë” për interesat
e Shqipërisë, para se ata “miqë” të mëdhej, të njohur si autoritarë botërisht,
ta këthejnë Shqipërinë post-komuniste në një model të tyre të qeverisjes.
Ish-Presidenti
amerikan Riçard Nikson në vizitën e tij të parë në Pekin, Janar, 1972