Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Liria e fesë, përparësi e rëndësishme e politikës së jashtme të SHBA
E marte, 27.10.2020, 10:22 PM
LIRIA E FESË, PËRPARËSI E RËNDËSISHME E POLITIKËS SË JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga
Frank Shkreli
27
Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare për vitin 2020. Ka mbetur
vetëm një javë deri në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 në Shtetet e
Bashkuara, ndërkohë që vlen të theksohet se avancimi i lirive në përgjithësi
dhe në veçanti i lirisë fetare, në nivel ndërkombëtar, duhet të jetë një
prioritet mbi partiak. Administrata e ardhëshme,
cilado qoftë ajo, duhet të vazhdojë t'i japë përparësi lirisë fetare anë e
mbanë botës. Status quo-ja për shumë komunitete fetare të pambrojtura, në të
gjithë botën, është një krizë që nuk duhet të tolerohet, thekson në një
deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare, Instituti (Amerikan) për Lirinë e
Fesë.
Historikisht,
megjithëse me disa ndryshime në politikën e tyre, përfshir sukseset dhe
dështimet në mbrojtje të lirisë së fesë gjatë viteve e dekadave – administratat
amerikane të njëpasnjëshme kanë mbrojtur
due kanë avancuar lirinë e fesë, si pjesë të pandarë të politikës së jashtme
amerikane.
Edhe
Administrata aktuale, nepërmjet një deklarate të Sekretarit Amerikan të
Shtetit, Michael Pompeo u angazhua dje se liria e fesë, “Do të mbetet gjithmonë
-një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA”.
“Njëzet
e dy vjet më parë si sot, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Ndërkombëtar të
Lirisë Fetare të vitit 1998”, tha Kryediplomati amerikan në deklaratën e tij me
këtë rast, “Duke ripohuar angazhimin
tonë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën themelore të lirisë fetare për të
gjithë njerëzit, kudo që ndodhen. Si pikënisje nga vizioni i themeluesve të
Amerikës, qeveria jonë e kuptoi që një individ, pavarësisht nga feja apo
bindjet e tij, duhet të jetë i lirë të organizojë jetën e tij, në përputhje me
ndërgjegjen e tij. Liria fetare dhe
temat e tjera të dinjitetit njerëzor janë - dhe do të mbesin gjithmonë - një
përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA-ve.”
Në
deklaratën e tij, Z. Pompeo përmend shkeljet aktuale sot të lirisë fetare në
botë, duke venë në dukje, tre vende, dhunueset më të egera të lirisë fetare në
botë, sipas tij –“Republika Popullore e Kinës, Irani dhe Korea e Veriut”, duke
veçuar Kinën si dhunuesen më të egër të lirisë fetare, e cila thotë, Z.
Pompeo, “Ka kërkuar të zhdukë të gjitha
format e fetare si dhe besimet që nuk përputhen me doktrinën e Partisë
Komuniste Kineze”.
Lëvizjea
globale për lirinë fetare është tani një realitet përfundon Z. Pompeo, “Një
realitet plot diversitete rajonale, kulturore dhe politike - duke dëshmuar
kështu për një të vërtetë universale, pa mëdyshje, se çdo person, kudo, ka të
drejtë të besojë ose të mos besojë, të ndryshojë bindjet e besimit të tij, të
deklarojë fenë e tij dhe ta përhapë atë ndër të tjerë. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë Fetare,
Shtetet e Bashkuara janë krenare që promovojnë dhe mbrojnë lirinë fetare kudo,
shkruan në deklaratën e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare 2020,
Kryediplomati amerikan, Michael Pompeo.
Ndërsa
në një deklaratë për median, Administratori në Detyrë i USAID-it, Z. John Barsa
tha se “Qeveria e SHBA ka caktuar 27 Tetorin si Dita Ndërkombëtare e
Lirisë Fetare në përkujtim të nënshkrimit historik të Aktit Ndërkombëtar të
Lirisë Fetare (IRFA) në vitin 1998. Mbrojtja dhe promovimi i kësaj lirie
themelore, në të gjithë botën, ka qenë parimi kryesor i diplomacisë amerikane
dhe ndihmesës së jashtme, që prej atij viti.”
Drejtori në Detyrë i USAID-t tha se megjithëse është shënuar përparim,
mbetet shumë për tu bërë në këtë fushë, pasi në dhjetë vjetët e fundit janë
shënuar shkelje të rënda të lirisë fetare në një numër vendesh të botës dhe
pothuaj kundër të gjitha feve, pa dallim.
Si përfundim, shtoi ai, “Presidenti Trump dhe Zevëndës presidenti Pence
e kanë bërë përparimin dhe mbrojtjen e lirisë fetare në të gjithë botën, një
përparësi të politikës së jashtme Amerikane.
Kjo është me të vërtetë liria e parë e Amerikës dhe USAID është krenar
që luan një rol jetësor në ruajtjen e saj në të gjithë botën”, ka përfunduar
Administratori në detyrë i USAID-it, Z. John Barsa.
Mbrojtja
e lirisë fetare në botë është mbrojtur
gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara, por është thekësuar më shumë sidomos që nga
viti 1998 kur Presidenti demokrat Bill Klinton nënshkroi ligjin “International
Religious Freedom Act” (IRFA) në vitin 1998.
Mbrojtjen e lirisë fetare në politikën e jashtme e vazhdoi edhe
Presidenti republikan Xhorxh W Bush, duke u përqendruar në qeveritë që dhunonin
këtë të drejtë dhe duke marrë masa për të përmirësuar gjendjen e lirisë fetare
në ato vende. Edhe Presidenti demokrat
Barak Obama nënshkroi disa dispozita diplomatike për të bërë më të fortë ligjin
e vitit 1998, të nënshkruar nga Presidenti Klinton.
Ndërkaq,
Administrata Trump qershorin që kaloi nënshkroi në urdhër ekzekutiv për
avancimin e Lirisë Fetare në nivel Ndërkombëtar, në të cilën është thenë se,
“Liria fetare për të gjithë popujt anë e mbanë botës, është një përparësi e
politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara do të
respektojnë dhe do të promovojnë lirinë fetare, me të gjitha mjetet që kanë në
dispozicion.”
Në
Ditën Ndërkombëtare të Lirisë 2020, Instituti Amerikan për Lirinë e Fesë,
mbështet promovimin e lirisë fetare nga administratat republikane dhe demokrate
-- tashti dhe në të ardhmen -- duke thënë se, “Liria fetare në nivel
ndërkombëtar duhet të jetë një përparësi për të dy partitë kryesore politike
amerikane, jo vetëm për mbrojtjen e një numri të caktuar njerëzish që pësojnë
persekutimin fetar sot, por edhe për stabilitetin e atyre shoqërive ku po
ndodhin persekutimet, pasi promovimi i lirisë
fetare është gjithashtu edhe në favor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.