Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Sot jepet Çmimi Nobel për Letërsi - dinamiti kulturor
E enjte, 08.10.2020, 07:14 PM
Sot jepet Çmimi Nobel për Letërsi - dinamiti kulturor
Nga
Ndue Ukaj
Sot
sytë e botës së kulturës dhe të artit, drejtohen kah kryeqyteti suedez,
Stockholmi, ku jepet Çmimin Nobel për Letërsi.
“Çmimi
Nobel për Letërsi është dinamit kulturore”, shkroi Per Wästberg, shkrimtar dhe
anëtar i Akademisë Suedeze, në një shkrim autorial të botuar para disa vjetëve
në njërën nga gazetat më të mëdha suedeze, Svenska Dagbladet.
Ky
Çmim, me historinë e tij të lavdishme i ka dhënë shtytje dhe nxitje të
pamatshme fuqisë së artit, duke e bërë atë më të rrokshëm anë e kënd botës; më
të shpejtë dhe më të qarkullueshëm, e duke mundësuar që popujt të njihen më
mirë me vlerat e kombeve dhe gjuhëve tjera.
"Përjetësi
është fjala", pati thënë Nathan Söderblom kur vdiq Alfred Nobel. Me çmimin
e krijuar për letërsi, shpikësi i dinamitit i dha përjetësisë së fjalës një
format universal: krijoi kulturën e nobelit.
Shkencëtari
që themeloi këtë çmim e dinte se gjuha është pushtet sa një mijë ushtri,
prandaj i kushtoi një vëmendje të veçantë pushtetit të artit, letërsisë.
Letërsia
vazhdon të ushtrojë ndikim te njeriu. Ajo vazhdon të nxitë emancipimin
njerëzor. Ajo vazhdon të thyej tabu dhe të hapë horizonte të reja. Ajo vazhdon
t’i ndihmojë njerëzit që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për t’i artikuluar
mendimet më bukur dhe më qartë. Ajo vazhdon të hulumtojë ekzistencën njerëzore,
në thellësi dhe lartësi. Ajo vazhdon të jetë përjetësia më e bukur e
njerëzimit.
Shkëlqimi
universal i fuqisë së fjalës së shkruar dhe i njohjes së përbotshme, me Çmimin
Nobel për Letërsi, ka marrë shtrije planetare dhe një dimension të
jashtëzazkonshëm. Pa dyshim, nëse e marrim dhe e analizojmë historinë e këtij
çmimi, emrat që e kanë fituar atë, afirmimin që iu ka bërë shumë veprave dhe
autorëve, shohim se ndikimi i tij është i pakrahasueshëm.
Letërsisë
shqipe i mungon Çmimi Nobel për Letërsi, ndonëse autori ynë i madh Ismail
Kadare i ka dhënë artit shqiptar nder e dinjitet ndërkombëtar, duke e bërë
pjesë të kulturës së përbotshme.
E
di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadare është nga
autorët ma të mirë planetar, dhe si i tillë, pa kurrfarë dyshimi, ai e meriton
Çmimin Nobel.
Ka
kohë që thuhet e shkruhet se vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet,
sepse është certifikuar, pranuar dhe vlerësuar universalisht, nga një perandori
e madhe lexuesish.
Letërsia
shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë
gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar
nobelin e letërsisë. Kjo s’është pak, përkundrazi, është shenjë kulture, dëshmi
e lartësisë dhe e vlerës.
Për
këtë çmim, më shumë ka nevojë gjuha dhe kultura shqiptare, sesa vetë Kadareja.
Për faktin e thjeshtë se vepra e tij ka prekur majat e kulturës botërore dhe
jeton në ato lartësi.
"Kadare
është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar"- shkruan
Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, në një recension për romanin
“Lulet e ftohta te marsit.” Po, Kadareja është luan i letërsisë shqipe dhe
meriton këtë çmim. Jo për asgjë tjetër, por pse shkruan letërsi të bukur,
magjepse, letërsi që joshë mijëra lexues anë e kënd botës. Dhe unë lutem që
sot, kur të hapet dera e Komitetit të Nobelit, aty të kumbojë emri i Ismail
Kadaresë.