Editorial
Agron Tufa: Janë mbushur plot xhamitë dhe janë mbyllur krejtësisht shkollat!
E shtune, 19.09.2020, 06:26 PM
DITA E PARË E SHKOLLËS: PO FËMIJËT E EMIGRANTËVE?
Nga
Agron Tufa
Bashkë
me urimin për një vit shkollor të mbarë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit –
po ngre një shqetësim, për mua, të frikshëm.
Në
botën perëndimore sot jetojnë mbi dy milionë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova,
Maqedonia dhe Mali i Zi. Janë qindra mijëra nxënës që vazhdojnë shkollat në
gjuhët e vendeve të huaja ku kanë emigruar. Këta fëmijë nuk do ta mësojnë kurrë
gjuhën shqipe, madje vetë prindërit e familjet përpiqen t’ua fshijnë shqipen,
duke këputur edhe lidhjen e tyre të fundit me gjuhën amtare. Nuk ka pikëllim më
të madh për këta gjenerata, të cilët do të rriten dhe vetëm ndonjëherë do të
pohojnë se janë me prejardhje shqiptare, duke e mbajtur përkatësinë shqiptare
si një stoli për raste të volitshme. Dhe trishtim, për atë Zot! Gjuha shqipe
është e vetmja vulë e identitetit tonë, i vetmi nishan i kombësisë tonë.
Shqipja që i ka mbijetuar zhdukjes në epoka pushtimesh, po i dorëzohet
asimilimit në në kulmin e qytetërimit paqësor modern, i cili i garanton me ligj
të gjitha të drejtat dhe komoditetet. Zhveshja prej gjuhës është zhveshje prej
identitetit kombëtar.
Jetoj
në një qytet të vogël ku ende mund të dëgjosh në rrugë kuvendime në shqip, ku
në shkollë janë mbi 400 nxënës shqiptarë nga Kosova. Më thonë se para viteve
2000 degët e LDK-së dhe organizimet e ndryshme të emigracionit shqiptar patën
ndërtuar një rrjet shkollash shqipe, të mbështetur nga qeveritë vendore të
kantoneve. Por pas vitit 2000 këto shkolla u mbyllën: prindërit e konsideruar
jo rentabël mësimin në shqip të fëmijëve të tyre. Por sa çudi more Zot! Nuk e
quajtën aspak jorentabël t’i dërgonin fëmijët e tyre në xhami, duke mbyllur
shkollat. Kështu janë mbushur plot xhamitë dhe janë mbyllur krejtësisht
shkollat. Nuk jam aspak nga ata që e nënvleftësojnë mësimin dhe edukimin fetar,
qoftë edhe si dije, por ka një problem që duhet zgjidhur: pse duhej mbajtur
njëra dhe këputur tjetra?
Diku
çelësi i zgjidhjes së kësaj brenge ekziston. Dhe konkretisht duhet biseduar me
imamët, duhet bashkëpunuar me ta si njerëz të arsyeshëm (ka plot prej tyre që
janë arsimdashës e patriotë) dhe ata mund të ndihmojnë në mënyrë vendimtare, që
së bashku me prindërit - frekuentuesit e xhamive t’i kthehen edhe shkollës,
mësimit të shqipes (plus folklorit, historisë, letërsisë) duke shpëtuar
shkombtarizimin e fëmijëve shqiptarë. Mjafton një e shtunë dhe e diel, dy a tre
herë në javë nga dy orë, që qindra mijëra nxënës shqiptarë të forcojnë lidhjet
e tyre me gjuhën shqipe që është dhe identiteti ynë. Është fatale që duke
jetuar në vendet e demokracive dhe të drejtave njerëzore të pranosh asimilimin
dhe shkombtarizimin.
Ndoshta
shumica e prindërve nuk janë në atë nivel vetëdijeje sa të kuptojnë se çfarë po
bëjnë, por vetë fëmijët e tyre do të kujtohen shumë vonë për lëshimin e kësaj
mundësie. Prandaj duhet kërkuar ndihma e imamëve, ndikimi i tyre tek prindërit
dhe fëmijët për të rinisur mësimi i shqipes në gjithë diasporën shqiptare. Këta
fëmijë emigrantësh duhet të ndjehen jo më pak shqiptarë se moshatarët e tyre në
Shqipëri, Kosovë e Maqedoni!
Mendoni
pra, prindër. Ka diçka që nuk shkon e që sherrin mund t’ia shihni më vonë, nëse
dini ta dalloni…