Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dritan Abazoviqi si përfaqësues i brezit të humbur të politikanëve shqiptarë
E marte, 01.09.2020, 09:33 PM
DRITAN ABAZOVIQI SI PËRFAQËSUES I BREZIT TË HUMBUR TË POLITIKANËVE SHQIPTARË
Nga
Frank Shkreli
Të
djelën që kalojë, në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet për parliament të atij
venid, të cilat përfunduan një rezultat tepër të ngushtë midis partive
politike. Gara kryesore ishte midis Partisë Demokratike Socialiste të Milo
Gjukanoviqit – njërit prej kleptokratëve të Ballkanit që ka qeverisur për
30-vjet - dhe partive të koalicionit të opozitës serbe. Por sipas lajmeve, asnjëra palë nuk ka
shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhëshme, pa ndonjë koalicion të
dy tre partishë më të vogëla, siç është ajo e “E Zeza në të bardhë”, që
udhëhiqet nga politikani me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq. Varësisht si
shkojnë punët, ka mundësi që edhe tre muaj të mos dihet se kush dhe cilat
koalicione do të formojnë qeverinë e Podgoricës, duke mos përjashtuar as
mbatjen e zgjedhjeve të reja, si mundësi për të dalur nga qorrsokaku i kësaj
situate, nëqoftse asnjë nga koalicionet që merren me mend tani – të mos jenë të
afta të formojnë qeverinë e ardhëshme – duke detyruar kështu mbajtjen e
zgjedhjeve të reja.
Prandaj,
dua që modestësisht, të paralajmëroj të gjithë ata, sidomos disa media dhe
analistë shqiptarë në Ulqin, në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët me eufori kanë
shpallur tanimë “shqiptarin” Dritan Abazoviq, si “kryeministrin” e ri të Malit
të Zi. Se si një kandidat i një partie
që ka fituar katër vende në parlament mund të bëhet kryeministër i një vendi,
unë nuk e di, por natyrisht në këtë rast Abazoviq duket se mund t’i
bashkangjitet koaliciont të partive serbe, koalicionit të mbështetur nga kisha
ortodokse serbe.
Unë
nuk dua ta paragjykojë se kush është Dritan Abazoviq, pasi të gjithë ne, si të
drejtë të parë, kemi të drejtën e identifikimit, kush jemi, përkatësisë
kombëtare e tjera. Dritanin, dashtë e
pa dashtë, ndoshta e përcakton emri i tij si një person me origjinë shqiptare,
por kam lexuar në disa raste se ai e konsideron veten thjesht si një “qytetar”,
duke mos thekësuar ndonjë identitet të veçantë kombëtar. Natyrisht, se është e
drejtë e tija të identifikohet kombtarisht si të dojë vet, ose aspak dhe vetëm
si qytetar, siç ka thekësuar, vazhdimisht.
Por,
ajo që nuk më pëlqen mua është fakti se Abazoviqi, në të vërtetë ka kaluar
përtej kufijve të mohimit të identitetit të vet kombëtar si shqiptar,
megjithëse flet shqip mirë dhe është me origjinë i tillë, është hedhur në sulm kundër simboleve dhe
personaliteteve më të dalluar të historisë së Kombit shqiptar – përfshir heroin
Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin --Skenderbe. Me qëndrimet e tija kundër personaliteteve të
tilla historike shqiptare, Dritan Abazoviqi u bashkohet krijesave të tjera
shqiptare, të “njeriut të ri” të komunizmit, brezit të humbur post-komunist, pa
ide, pa kulturë, pa histori dhe pa identitet kombëtar. Megjithse kjo ideologji
ka dhënë shpirt në pjesën më të madhe të botës, por jo ndër shqiptarë -- anë e mbanë trojeve shqiptare duke filluar
nga Tirana e Prishtina, deri në Ulqin, Shkup e në Manastir. Sulmet kundër
historisë, kulturës dhe personaliteteve të mëdha historike të shqiptarëve nga
qendra jo miqësore shqiptare, kalojnë në heshtje dhe pa u kundërshtuar nga
askush zyrtarisht, megjithëse shpesh vijnë nga kryeqytetet me synime,
historikisht, jo miqësore ndaj shqiptarëve.
Mohimi dhe shpifjet ndaj figurave historike të Kombit shqiptar, nga vet
shqiptarët, është e pa precedencë në historinë e kombeve. Duke filluar nga
Skenderbeu e Nenë Tereza, mohimi i tyre si shqiptarë dhe paraqitja e tyre sikur
të ishin me prejardhje sllave, ishte për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë
një rast, si zbavitje e ditës në te(leh)vizionet shqiptare anë e mbanë trojeve
-- e deri tek kohët e fundit –përfshir debatin dhe baltosjen e shkrimtarëve
Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nga disa individë të caktuar të këtij brezi të
humbur, e krijesave “të njeriut të ri” të komunizmit.
Duket
se në këtë grup të brezit të humbur politikanësh shqiptarë post-komunistë që
heshtin përballë këtyre baltosjeve, ose që marrin vet pjesë në debate të tilla
kundër identitteit të shqiptarëve, i përket edhe politikani i ri me emër
“shqiptar” nga Ulqini nën Mal të Zi, Dritan Abazoviqi. Këta, në të vërtetë, janë më të rrezikshëm se
komunistët dikur, sepse ky lloj njerzish sot na paraqiten si mbështetës të
lirisë dhe të demokracisë (me këmish të bardhë e kravate në qafër, thonte dikur
Ronald Reagan), ndërsa me komunistët dihej se ku qëndronin. Por, në të vërtetë, këta të sotmit janë të
kundërt, bëjnë punën si komunistët, por në paraqiten si demokratë dhe
mbështetës të fjalës së lirë. Uroj që
Dritan Abazoviqi, nëqoftse merr ndonjë rol udhëheqës në qeverinë e re të Malit
të Zi, të mos përdoret kundër interesave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të mos
shërbejë si “kal troje” për interesat serbo-ruse në atë vend dhe më gjërë. Historia shqiptare e shekullit të kaluar dhe
e 500-vjetëve më parë është plot shembuj të tillë, fatkeqësisht. Shitja e
interesave kombëtare të shqiptarëve po shiten çdo ditë, ditën për diell,
ndërkohë që për sulmet e mbrendshme dhe të jashtme kundër identitetit kombëtar
as kush nuk i jep pesë pare.
Në
një intervistë para nja një vit e gjysëm, Dritani “shqiptar”, në rolin e
historianit, me këmbëngulje e shpallë babain dhe nenën e Gjergj Kastriotit
Skenderbe, si serbë. Dhe thotë se
përmendorja e Kastriotit nuk ka vend në
Ulqin. Është më mirë, deklaron ai në intervistën me një televizion serb, t’i ngrihet
një përmendore Sevantesit (shkrimtarit spanjol që thuhet se ka banuar në Ulqin
për një kohë të shkurtër), ose detarëve të atij qyteti, sipas Abazoviqit, pasi
Ulqini është i njohur për detarët e tij.
Në të vërtetë, Abazoviqi këmbguli aq shumë, gjatë asaj intreviste me
gazetarin serb, se prejardhja e
Skenderbeut është sllave, dhe se e ama e tij ishte serbe, sa që edhe
intervistuesi serb e ndjeu veten të turpëruar, se “shqiptari” Dritan Abazoviqi
po e tepronte me historinë e tij shpifëse ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve,
sa i thotë, mjaft me historinë e Skenderbeut dhe ndërron subjektin e
bisedës. Mirë që dikush nuk ka propozuar
ndërtimin e ndonjë ndonjë statuje të Nenë Terezës në Ulqin se do ishte tmeruar
Dritani me shokë. Sepse permendoren e Gjergj Kastriotit Skenderbe në Ulqin,
Dritan Abazoviqi e ka kundërshtuar bazuar, thjeshtë, në qendrimet e tij
parimore dhe jo për arsye financiare, sepse diaspora e madhe e atyre anëve ka
premtuar fondet, për një përmendore të tillë.
Dihej
se ndërhyrja e e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare para zgjedhjeve në Mal të Zi,
në mbështjetje të njerës ose tjetrës parti ose koalicion të shqiptarëve në Mal
të Zi, vetëm dëm do të bënte. Ja ashtu edhe ndodhi, fatkeqësisht. Por jo vetëm
dëm për shqiptarët në rajon, por kam drojë se ndërhyrjet pa kurrfarë ideje e
strategjie nga Tirana dhe Prishtina, varësisht se cila qeveri do të formohet në
Podgoricë, ka mundësi të ketë pasoja të mëdha gjeostrategjike, jo vetëm për
shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për
gjithë rajonin dhe më gjerë.
Dritan
Abazoviqi deklaroi mbrëmë se Mali i Zi nuk do të bëhet “Sparta serbe” dhe as
një “Krahinë e Shqipërisë e së Madhe”.
Mos ki merak, Z. Abazoviq se për Serbinë e madhe ose Spartën serbe në
Mal të Zi, siç po e quan ti, ka kush lufton se është Kisha Ortodokse Serbe,
Beogradi zyrtar, përfshir Akademinë e Shkencave të Serbisë, të gjitha këto në
bashkrendim me interesat e Rusisë në Ballkan, siç ka ndodhur gjithmonë,
historikisht. Fatkeqësisht, për interesat dhe për identitetin e asaj që ti, siç
duket me përbuzje e cilëson si “krahina e Shqipërisë së Madhe”, nuk ka kush
kujdeset, as në Ulqin e Podgoricë, as në Tiranë e Prishtinë. Nën periudhën e “artë” të komunizmit,
shqiptarët preferonin të ishin “proletarë ndërkombëtarë” – “në anën e duhur të
historisë”, sipas dissave. E sot, politikanët shqiptarë të brezit post komunist
– që unë po e quaj me këtë rast, brezi i humbur shqiptarë, pasi të tillë duken
me fjalë dhe me vepra -- preferojnë të identifikohen thjeshtë, si “qytetarë” të
Ballkanit dhe të botës, pa identitet, pa heronjë kombëtarë dhe pa figura
historike. Sipas këtij brezi
politikanësh “shqiptarë”, është më mirë që, ashtu si edhe në trojet e tjera
shqiptare ku janë ndërtuar përmendore për të huajt-- turq, sllavë e grekë -- në
vend të Gjergj Kastriotit Skenderbe, edhe në Ulqin, të kujtohen detarët e
Ulqinit dhe shkrimtari spanjoll Servantesit, i cili mos qofsha gabim e ka një
statujë në Ulqin.
Shkrimtari
malazias Andrej Nikolaidis, i cili thotë se nuk simpatizon as bllokun politik
të Gjukanoviqit as koalicionin e opozitës pjesë e të cilës është Dritan
Abazoviqi, për “Indeksin kroat”, shprehet shumë pesimist nga përfundimi i
zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi. Ai madje thotë se Mali i Zi ka mbaruar. Unë
nuk besoj se Mali i Zi ka mbaruar, por jam shumë i shqetësuar për ato që mund
të ndodhin si përfundim i këtyre zgjedhjeve në atë vend. Jam i shqetësuar se
një Mal i Zi pa stabilitet politik dhe pa paqë, i influencuar, ose Zot ruajna i
qeverisur nga një koalicion politik i mbështetur nga Kisha Ortodokse serbe me
përkrahje të Rusisë –do të ishte një zhvillim tragjik jo vetëm për shqiptarët
në Mal të Zi, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një goditje fatale
ndaj përpjekjeve për integrimet eventuale evropiane të vendeve të Ballkanit
Perëndimor në përgjithësi.
Sidoqoftë,
si një shqiptar, që për një gjysëm shekulli jetoj në Amerikë, por që kam lindur
në rrethin e Ulqinit, uroj që paqa dhe stabiliteti të mbretërojnë në ato troje
tona, sot më shumë se kurrë, sidomos për bashkvëllezërit tonë shqiptarë të atyre
viseve, të cilët siç duket, as sot 30-vjet post-komunizëm nuk po gjejnë paqën e
sigurinë për të kaluar një jetë normale. Por që vazhdojnë të largohen nga
trojet autoktone shqiptare, kryesisht, për shkak të mohimit të drejtave të tyre
bazë të njeriut, përfshir të drejtën e identifikimit kombëtar dhe të njohjes së
simboleve dhe të heronjëve kombëtarë, siç është Gjergj Kastrioti
Skenderbeu. Nga udhëheqësit e ri politik
shqiptarë, kudo qofshin ata, nuk pritet asgjë më pak as më shumë, se mbrojtja
pa kompromis e vlerave dhe e identitetit historik të Kombit shqiptar, përfshir
figurat më të njohura të historisë së tij.