Kulturë
Eshref Ymeri: Moikomi, i huaji i politikës
E marte, 16.06.2020, 07:37 AM
Moikomi, i huaji i politikës
Nga
Eshref Ymeri
Në portalin “Fjala
e Lirë” të ditës së sotme lexova njoftimin “In memoriam, Moikom Zeqos”, të penës së njohur
të letrave shqipe - të poetit dhe të tregimtarit Përparim Hysi.
M’u pikëllua zemra që u largua nga
jeta një figurë e shquar e letrave shqipe, një poet dhe një studiues i
talentuar i formatit të intelektualëve të rrallë.
Në një intervistë të paradokohshme,
gazetari Adi Krasta kishte ftuar zonjën Arta Dade, që foli për mjerimin ku
është katandisur partia socialiste, e cila, sipas këndvështrimit të saj të
drejtë, nuk ekziston më, prandaj duhet themeluar nga fillimi. Ajo deklaroi:
“... ajo parti nuk
funksionon, vendimet i merr vetëm numri një, si vendimet në parti, si vendimet
në qeveri,.. e gjithë është nën komandë,.. nuk ka shpresë që ajo parti të bëhet...
Unë mendoj që e majta, po flas për të majtën, por edhe e djathta, duhen ribërë
nga e para...” (Citohet sipas: Arta Dade: “PS duhet ribërë”. Youtube. 26
maj 2020).
Sigurisht, në një parti, të
shndërruar në rrogoz të Ramës, nuk mund të kishin hapësirë intelektualë të
formatit të Moikomit.
Ajo parti, dikur, në vitet ’90, kur i
vlerësonte figurat e botës akademike, Moikomin e pati zgjedhur deputet, krahas
edhe disa figurave të tjera të botës në fjalë. Por shpejt i braktisi dhe, me
kalimin e kohës, vendin e tyre e zunë “kaçi e kovaçi”, që e katandisën
atë parti në një “deleparti”, së cilës Rama i hakërrohet si evgjiti së
shoqes: “kujdes, dëgjo ç’po të them unë, se përndryshe të preva kullotën”.
Me Moikomin e dashur kam pasur
letërkëmbim përmes internetit. Lexuesve të nderuar, të cilët Moikomin e
kujtojnë me shumë respekt, po ju përcjell në vijim letërkëmbimin e fundit të
muajit shkurt.
----------
Forwarded message ---------
From: Eshref Ymeri <ymerieshref@gmail.com>
Date: Sun, Feb 9 , 2020 at 04:05:42 PM
Subject: Re: Përshëndetje miqësore
To: Moikom Zeqo moikom.zeqo@yahoo.com
I dashur Profesor
Moikomi,
Në Portalin “Voal”
të datës 05 shkurt lexova analizën tuaj me titull “Vilat e
drogaxhinjve që vrasin njëri-tjetrin dhe vilat e politikanëve që kanë vrarë një
popull”.
Ju përshëndes
miqësisht dhe ju shtrëngoj dorën për këtë analizë prej intelektuali me vlera të
çmuara atdhetarie. Gjendja e Shqipërisë është me të vërtetë katastrofike. Por,
fatkeqësisht, inteligjencia, që duhej të ishte në krye të shqetësimeve që ka
vendi, nuk ndihet për e gjallë. Klasa politike me bindje antikombëtare që po
sundon vendin kaq sa vjet, udhëhiqet nga parulla: “varfëroje sa më shumë
këtë popull që pushtetin ta kesh të përjetshëm”.
Pikërisht për
shkak të kësaj parulle të përbindshme që ka vënë në jetë kjo klasë politike, në
Kuvendin e Shqipërisë, të cilin dikur, në faqet e internetit, e kam
etiketuar si “universitet i
servilizmit”, nuk kanë vend intelektualët e formatit tuaj.
Ju uroj shëndet,
mbarësi dhe suksese në krijimtari.
Eshref Ymeri
Santa Barbara,
Kaliforni
09 shkurt 2020
----------
Forwarded message ---------
From: Moikom Zeqo moikom.zeqo@yahoo.com
Date: On Tue, Feb
11, 2020 at 11:52 AM
Subject: Re: Përshëndetje miqësore
To: Eshref Ymeri ymerieshref@gmail.com
I dashur dhe i
nderuar Profesor Eshref Ymeri,
Klasa politike e
Shqipërisë është fatkeqësi kombëtare.
Përqafime.
Moikomi
Tiranë, 11 shkurt
2020
Familjes së
nderuar të Moikomit, njerëzve të dashur të gjakut të tij dhe gjithë miqve dhe
dashamirësve, ju shpreh ngushëllimet e mia të thella. Moikomi ka lënë emër të
madh në kulturën shqiptare dhe në jetë të jetëve do të kujtohet me nderim dhe
respekt.
Indianapolis,
Indiana
15 qershor 2020