Kulturë
Aleksandër Çipa: Lamtumirë Moikom Zeqo, një ndër më të diturit shqiptarë të sotëm!
E hene, 15.06.2020, 08:47 AM
Lamtumirë Moikom Zeqo, një ndër më të diturit shqiptarë të sotëm!
Nga
Aleksandër Çipa*
Moikom
Zeqo, pasi e raskapiti prej disa kohësh vdekjen dhe sëmundjen që e parapriu
atë, i mbylli sytë, në orët e natë-mëngjesit të datës 15 qershor 2020. U
lartësua në dijeninë publike dhe në njohjen e shumëfishtë, në hapësirën
shqiptare dhe më gjerë, si personaliteti me kontribute dhe dije për shumë lëmi.
Fusha të tilla si letërsia, arkeologjia, historia, albanologjia, muzeologjia,
artet figurative, memorialistika, etj., etj, kanë qenë pjesë e opusit të madh
të krijimtarisë dhe zënies së tij për më shumë se pesë dekada kohë intensive.
Moikom
Zeqo në 71 vitet e jetës së vet fizike, dëshmoi se kufijtë e punës individuale
ishin të zhbërë sa herë ritakohej me njerëzit dhe me letrën. Mbi 100 tituj
librash mbartin autorësinë e tij. Një demiurg i vërtetë i punës shkrimore dhe i
kontributit studimor, që për nga volumi dhe thellësia paraqitëse, tejkalon
ndoshta edhe disa institucione së bashku. Moikomit do t’i shkonte përcaktimi i
Apolinerit për Faik Konicën si një “enciklopedi shëtitëse”. Ai nuk ishte
shëtitës, por një studiues i cili e kishte kapacitetin dhe vlerën e dijes,
vrullin dhe prurjen shkruese në masën më të pazakontë dhe të pakrahasueshme me
sivëllezër të vet, studiues e shkrimtarë. Moikom Zeqo solli në bibliotekën tonë
kombëtare aq shumë tituj librash dhe materiesh të larmive kulturologjike sa
vështirë t’i gjejmë një shemërak në hapësirën aktuale të skenës sonë.
Moikom
Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, të cilit I dhuroi një
kontribut dhe investim themelor në fushën e arkeologjisë dhe muzeologjisë.
Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë kreu edhe arsimin
fillor. Në vitin 1967 nisi studimet në Fakultetin Histori Filologji, të
Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në 1971 në degën Gjuhë-Letërsi shqipe.
Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.
Marrëdhënia e Moikom Zeqos me mediat më të rëndësishme të shkruara të
Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe sidomos të shtypit
letrar e kulturologjik botëror, përbën një kontribut dhe aspekt të parrokshëm
dhe fatkeqësisht ndoshta edhe të pa bibliografueshëm.
Në
vitet 1979-1987 ishte punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave
në Tiranë. Në maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit,
iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992
kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i
Kuvendit të Shqipërisë. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Moikom
Zeqo është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është
autori i 62 librave me poezi. Dhjetra libra të tjerë autorialë janë me studime
arkeologjike, për historinë e artit, me prozë, eseistikë dhe publicistikë.
Eshtë realizues i një numëri të konsiderueshëm skenaresh për filma
kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor si dhe i
dokumentarëve të ndryshëm të natyrës eksploruese dhe investiguese në pasurinë
arkeologjike detare dhe tokësore. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e
tij.
Krijime
të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht,
italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht,
esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Ai
eshtë autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në
Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga
personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Eshtë një ndër
personalitetet e rëndësishme të vendit që në debatet e zhurmshme publike dhe
pëer çësthjet më kruciale të kohës është përfshirë duke përcaktuar
drejtpeshimin dhe orientimin e matur e të mençur kombëtar.
Si
një mjeshtër i shkrimtarisë në dhjetra zhanre, Moikomi shkroi për botën
arkeologjike, për historinë shqiptare të pandricuar plotësisht dhe krijoi
besimin se në genin shqiptar do të rishfaqen diturakë e studiues të paisur me
krenarinë e njohjes dhe erudicionit, të cilët rrokën dhe do të rrokin
magjepsjen sipas konceptit të pafundshmërisë. Moikomi ishte një ndër ata
shkrimtarë eruditë që mundësonte mishërimin e së thënës së Borhesit që “kur
fliste përmirësonte heshtjen”.
Moikom
Zeqo do të mbetet në kujtesën publike dhe atë të komunitetit të gjerë të
kulturologëve e shkrimtarëve shqiptarë, por sidomos gazetarëve, si njëra ndër
figurat diturore më unike të shekullit XX-XX!, Moikom Zeqo triumfonte nga
krenaria për volumin e leximeve të veta dhe nga modestia se sa shumë shkroi. Ai
kishte gjuhën që meritonte, të të diturit dhe të të palodhurit. Me Moikomin
përgjatë periudhës së vuajtjeve dhe lëndimeve fizike, ngjau si në të thënën e
Jorge Luis Borghes:” Të jesh i pavdekshëm është e zakonshme; përveç njeriut të
gjitha krijesat janë të pavdekshme, sepse ato nuk e njohin vdekjen; hyjnore, e
tmerrshme, e pakuptueshme, është ta dish se je i pavdekshëm”. Moikomi e dinte
se i kishte shkruar të rëndësishmet dhe kërkonte një kohë shtesë të
shumëfishonte shumëçka. E lodhi punën, por nuk u lodh prej saj. E la atë në
mes, (sikundër ndodh rëndom), por duke qenë dhe mbetur përherë ndër të vetmit,
me kaq shumë punë të kryera.
*Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë