Mendime
Xhemal Ahmeti: Intrigat e Thaçit dhe mitet rreth Kurtit
E premte, 29.05.2020, 08:35 PM
Intrigat e Thaçit dhe mitet rreth Kurtit
Kushtetuesja
s’kishte si vendos ndryshe. Mocioni dhe taktika [ndoshta] intrigante, por e
zgjuar e Presidentit Thaçi ndryshuan gjithçka në disfavor të Qeverisë së Albin
Kurtit. Ky përveç se humbi lojën nga padija dhe kokëfortësia, humbi edhe
besimin të jetë në të ardhmen opozitë e denjë
Shkruan:
Xhemal AHMETI
Ishte
e qartë se Gjykata Kushtetuese do të vendos kështu siç bëri. Ajo s’kishte rrugë
tjetër përveç se t’u bindet shkronjave nga të cilat ekziston edhe vetë ajo si
instancë [Lexo: Presidenti veproi sipas kushtetutës]. Hashim Thaçi e rrëzoi
Kurtin jo vetëm nga pushteti, por edhe nga Galeria e «revolucionarëve»
jomuzhikë. E hoqi nga lista [fiktive] e të mençurve të Republikës. Edhe në këtë
betejë fatkeqe për vendin, «gjarpri» dëshmoi se mbetet kryefjala dhe kallëzuesi
i çdo intrige dhe strategjie të brendshme politike. Jo patjetër se ka kapur
shtetin porse del vazhdimisht kilometra larg më i zgjuar, më perfid se gjithë
konkurrenca e tij bashkë – brenda e jashtë.
Që
kur presidenti nisi letrat rafal drejtuar mandatarit u pa në horizont vendimi i
djeshëm. Ish-Qeveria Kurti ose nuk pati kapacitete ta njoh këtë realitet o
vërtet ende beson se koha e dhunës dhe aktivistëve me dorëza, këmisha të zeza,
me mjekra synetçe ende nuk ka perënduar. Ajo mund të mos ketë perënduar diku
tjetër, në kulturosferat shqiptare patjetër. Demokracia pluraliste liberale ka
plotë defekte e hendeqe por një të mirë e ka: është i vetmi sistem politik
praktik që ka shpik deri tash truri i dykëmbëshit, i cili parandalon që në
start instalimin e tiranëve me «votën legale të një pjesë të masave».
Dështimin
e këtij aksioni të monizmit të pushteteve, përveç sistemit e ndihmoi edhe vetë
ish-Qeveria e papërvojë dhe padija e timonit të saj. Po të kishte Kurti dije e
zgjuarsi ai nuk do çonte ujin në mullirin e kundërshtarit me sjelljet që bënte,
por do t’u përgjigjej afateve dhe nuk do të acaronte partnerin duke e shkarkuar
atë. Deri në fuqizimin e pozitës ai do të bënte antilojën; do të përdorte
gjithçka për të mos shkelur Kushtetutën dhe Ligjet, duke mos i interpretuar ato
siç nuk janë. Çdo jurist që i thoshte se Kushtetuesja do të vendos njëjtë si
dikur kur s’kishte mocion dhe letra zyrtare mandatimi nga ana e presidencës,
djersitej nga brenda poashtu për fitoren e Thaçit e jo të atij që e paguante.
Kurti rra nga pushteti ngase s’di të merret me politikë. Ai humbi shansin – jo
se nuk ia doli ta çkap shtetin, gjë që fatkeqësisht rikapte me falangat e tij –
por nga padija dhe nga grumbullimi rreth vetes i gjithë aktivistëve të
merituar, por jo të përgatitur intelektualisht për beteja politike brenda një
sistemi pluralist.
Dështoi
në qeverisje, a do të dështojë edhe njëherë më shumë jashtë saj?
II.
Histeria
e aktivistëve të PVV nuk habit askënd. As ato kërcënimet për dhunë konkrete nga
patriarku i njërës nga ministret e ish-Qeverisë nuk janë shkëndija e një situate
të re. Ajo që habiste botën gjatë gjithë kohës ishte vetëdenoncimi i gjendjes
së partisë: Organizonin protesta ende pa dalë vendimi. Ishin të sigurt se do
jetë kundër tyre? Përndryshe për çka vë njeriu gjithë aparatin ne shërbim të
revoltës ndaj diçkaje që ende nuk është? A u vinte siguria nga fakti ngase e
dinin se Gjykata është e kapur? Jo. Gjykata vërtet do kapej (ose rikapej) nëse
vendoste ndryshe. Domethënë sapërkaq Kurti ishte inteligjent ta dijë se vendimi
do jetë kundër tij. Padija e tij u zhvesh pastaj në dy gjëra konkrete: 1. Në
përpjekjen që nëpërmjet protestave dhe dhunës verbale psikotoksike rrjetit
social të frikësojë e kërcënojë Gjykatën, që ajo të vendos jo siç i thotë
dokumenti bazë i sistemit por siç urdhëronte ai dhe 2. Në Bindjen se me
konfrontimin e hapur me përfaqësuesit e 75% të elektoratit do të mundet ta
mbajë pushtetin brenda një shteti shumëpartiak.
Ithtarët
e tij, me të drejtë të frustruar, tash do thonë e bëri me qëllim për zgjedhjet
që vijnë. Jo. PVV humbi shumë autoritet tek çdo njeri me pak arsimim, tek
çdonjëri që e di se shteti ligjor nuk bëhet me urdhra si në kohën e Leninit –
duke i rrënuar e ngritur në rotacion – por duke i zhvilluar, çliruar e
profesionalizuar ato. Ende nuk ka në botë një shtet ku nuk ndodh korrupsioni,
por në perëndim ai është minimizuar duke i përshtatur, implementuar ligjet dhe
duke forcuar institucionet e shtetit. Përveç ithtarëve të Kurtit tjerët e dinë
se po të mos ishte KFOR aty PVV do të ecte drejt një situate që do të vënte në
rrezik jo vetëm sigurinë e qytetarëve por edhe ekzistencën e shtetit.
III.
Një
opozitë dinamike i duhet Kosovës patjetër. PVV nuk do jetë më ajo që ishte
dikur: ajo u vetë-demantua sapo u ul foteljeve të pushtetit. PDK që aktualisht
bën poza të jetë opozita s’ka as gjasën më të vogël të afirmohet si e tillë.
Ajo ka nisur të marrë një profil që e çon jo drejt regjenerimit por drejt fatit
të Partisë së Gëzim Kelmendit. Donë të thotë kjo se Kosova mbeti pa opozitë,
veçanërisht në rrethana kur edhe shoqëria civile u degradua në një occasion
-pararojë të padenjë që zë rrugët për atë që paguan më së miri?
Për
momentin kështu duket. Kosova humbi opozitën gati siç e humbi Shqipëria? Ose
Albin Kurti tash merr kohë dhe i lexon librat [bashkë me gjithë detashmentin e
këshilltarëve dhe ministrave të tij] që ia mveshin t’i ketë mësuar përmendsh
dhe e kupton drejtë shumicën, të cilën ai synon ta drejtojë. Kupton se kjo
shumicë donë institucione, demokraci të zhvilluar, mirëqenie dhe shtet ligjor e
jo demagogë që tundin shamitë e kuqe nga ballkonet.
Marrë nga gazetaexpress.com