Mendime
Haxhi Mehmetaj: Mbi tumën ilire të Istogut është ngritur varri i kriminelit Miliq Kërsta
E merkure, 26.02.2020, 07:55 PM
Tuma
ilire e Istogut
Mbi tumën ilire të
Istogut është ngritur varri i kriminelit Miliq Kërsta
Nga
Haxhi Mehmetaj
Pak
metra larg qendrës së Istogut, në anën e majtë të lumit, në një lendinë të
bukur e të pyllëzuar me pisha të oborrit të kishës ortodokse serbe, ndodhet
tuma ilire e epokës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm, pra rreth 3500
vjet e vjetër. Kjo tumë është e një
rëndësie tejet të veçantë pasi që nga forma, madhësia, simetria dhe estetika e
saj, radhitet në një ndër tumat më përfaqësuese të Dardanisë Qendrore apo
Kosovës së sotme. (fig.1).
Tuma
në oborrin e kishës e botuar nga autori i këtij shkrimi në librin
“Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut”, Prishtinë 2016, faqe 147,
është e lartë 2 metra dhe ka diametër 21 x 19 metra. Në anën e kundërt të
lumit, 500 metra në perëndim të kësaj tume, brenda varrezës shqiptare të njohur
më emrin “Vorret e Llullakëve” gjendet edhe një tumë tjetër, dhe të dyja
së bashku ishin pjesë e një kompleksi të cilat dëshmojnë prezencën e një nekropoli të madh ilir.
Përveç
kishës së kohës së re ortodokse serbe, kushtuar Shën Pjetrit dhe Palit dhe
shtëpisë së priftit që nuk e kishin vendin
aty - aq afër një kodërvarri kaq me rëndësi, edhe më absurde është
prezenca e një përmendoreje guri e Luftës së Parë Botërore, kushtuar oficerëve
dhe ushtareve serb që masakruan shqiptarë , si dhe varri i kriminelit serb
Miliq Krstiqit (Miliq Kërstes), të cilat gjenden mbi tumë dhe kanë dëmtuar
seriozisht majën e saj (fig.2).
Sipas
mbishkrimit të skalitur në përmendoren ushtarake në gjuhen serbe, në
alfabetin cirilik thuhet: “Përmendorja u kushtohet oficerëve dhe ushtarëve
serb të renë këtu në Istog në vitin 1915 nga arnautët (term ofendues me të
cilin Osmanët iu referoheshin shqiptarëve – nënvizimi i im), për liri dhe
bashkim të popullit serb. Lavdi. Përmendoren e ngritën qytetarët e komunës së
Istogut në vitin 1919. E punoi Spasoje Vanjoviq.”
Ndërsa
ne përmendoren e varrit të granitit, përkushtuar kriminelit famëkeq Miliq
Kërstës është skalitur po ashtu në gjuhen serbe e alfabetin cirilik ky
mbishkrim: “Këtu pushon Krstiq Miliqi, kapiten në pension, i lindur në vitin
1887, i vrarë në vitin 1938. Përmendoren e ngriti djali Kërsto dhe Milivoje.
Viti 1973.”
Miliq
Kërsta ishte i njohur për vrasje dhe tortura të popullatës civile shqiptare.
Sipas një versioni, ai u vra nga Selman Kadria, ndërsa një version tjetër thotë
që u vra nga truproja e Gani beg Kryeziut dhe në pamundësi për të zanë
truprojën i cili ishte nga Shqipëria dhe iku atje, vetë Gani beg Kryeziu u
arrestua dhe u mbajt në burg .
Qëllimi
ikëtij shkrimi nuk është ndriçimi i vrasjes së Miliq Kërstes apo hyrja në
detaje historike të asaj ngjarjeje, por të vë në pah realitetin absurd se si
trajtohen këto objekte që nxisin urrejtje, në raport me tumën monumentale mbi
të cilat janë ndërtuar dhe po vazhdojnë ta degradojnë.
Në
rrethana normale të një shoqërie të civilizuar, monumentet e tilla të
trashëgimisë kulturore, siç është kjo tumë e lashtë ilire, konsiderohen si të
shenjta dhe mbrohen me ligj. Përmendorja dhe varri do duhej të zhvendosen për
t’ua liruar vendin arkeologëve që të hulumtojnë dhe të studiojnë tumën, ndërsa
në realitetin tonë gjërat janë kurdisur së mbrapshti. Në vend se të mbrohen
tumat, aty pranë është vendosur kioska e Policisë së Kosovës të cilët i ruajnë
ngrehinat serbe gjatë 24 orëve, ndërsa qasja e arkeologëve në monument të
trashëgimisë arkeologjike është e pamundur.
Përmendorja e ushtarakëve serb dhe varri i Miliq Kërstës mbi tumën ilire