E shtune, 04.07.2020, 12:42 AM (GMT+1)

Komente » Graciani

Deo Graciani: Si e kapërceu Edi Rama vijën e kuqe në botën shpirtërore

E shtune, 07.12.2019, 07:07 PM


Si e kapërceu Edi Rama vijën e kuqe në botën shpirtërore

Nga Deo Graciani

Tërmetet e fuqishme që goditën Shqipërinë përgjatë tre muajve të fundit nxorrën edhe një herë në pah distopinë e shoqërisë shqiptare të kontrolluar financiarisht dhe psikologjikisht nga një bandë cinikësh dhe indiferentësh, produkt i të njëjtit brumë që ka nxjerrë Enver Hoxhën dhe Sali Berishën, dy kriminelët e pasluftës. Ky grup njerëzish që zhgërryhet në vetëkënaqësi, as që lëvizi nga vendi kur tërmeti i Shtatorit goditi pamshirshëm pjesën më të varfër të popullsisë shqiptare. Këta njerëz indiferentë jo vetëm që nuk levizën nga zyrat e tyre luksoze, por fërkuan duart kur tërmeti i parë shkaktoi shumë të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale, por jo viktima. Hallkat e shtetit nuk lëvizën sepse ishin të vdekura.

Duke folur nga kafenete, “kokat” e sizmologjise shqiptare u përpoqën të shisnin teorinë e tyre se pas goditjes së Shtatorit, lëkundjet do të vinin duke u pakësuar, dhe se më e keqja kishte kaluar. Ndërkohë, qeveria e Edi Ramës flinte gjumë dhe as nuk merrej me të pastrehët dhe të plagosurit e tërmetit që ishin me qindra. Në vend që të dërgonte inspektorët dhe policinë për të identifikuar nivelin e dëmtimeve dhe për t’u shpërndarë ndihma viktimave, përkundrazi, disa javë më vonë, dërgoi forcat policore për të shembur edhe 33 ndërtesat e fundit tek Astiri duke e shtuar edhe më tepër tronditjen e njerëzve. Imagjinojeni që në kulmin e një fatkeqësie kombëtare, kur qytetarët e pastrehë dhe të plagosur nga tërmeti kishin nevojë për ndihmë urgjente, fokusi i qeverisë Rama nuk ishte që t’i ndihmonte ata, por sesi të shembte ndërtesat tek Astiri që nuk lejonin plotësimin e projektit rrugor të qeverisë dhe bashkisë. Kjo tregoi ndjeshmërinë e vërtetë të qeverisë së Edi Ramës e cila reagoi me një gjakftohtësi kriminale përballë këtyre fatkeqëve.

Shteti i Edi Ramës është një shtet që nga njëra anë ndërton parqe lojrash për fëmijë por nga ana tjetër i vret atyre shpresën, ndërton lulishte ndërkohë që shumë njerëz nuk kanë ku të fusin kokën, harxhon miliona dollarë për të ndërtuar e restauruar xhami por nuk ndërton spitale dhe as qendra për të pastrehët, ndërton stadiume që kushtojnë dhjetra miliona dollarë por nuk krijon dhe trajnon as edhe një njësi të vetme për raste emergjencash, ndërton dhe asfalton rrugë duke harruar se këto rrugë nuk do të përdoren nga të vdekurit dhe as nga ata mijëra njerëz që braktisin Shqipërinë çdo ditë. Edi Rama i ka prioritetet e qarta për Shqipërinë që është kaq e zhvilluar saqë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pasi i ka plotësuar dhe madje tejkaluar të gjitha standartet.

Në këtë ngjarje të dhimbshme që përjetoi Shqipëria, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili nuk ka ndonjë reputacion të mirë dhe është sulmuar pareshtur nga qeveria, doli shumë më i nderuar se Edi Rama, sepse e paralajmëroi goditjen sizmike që në Korrik duke i bërë thirrje qeverisë të marrë masa përgatitore, dhe pas tërmetit të Shtatorit kërkoi me forcë krijimin e shërbimeve të emergjencës dhe organizimin e ndihmave për të goditurit nga tërmeti i parë. Fatkeqsisht, këto thirrje ranë në veshë të shurdhër, dhe as që e gërvishën ndërgjegjën e vdekur të një kryeministri që ka humbur çdo kontakt me realitetin që e rrethon, dhe nuk sheh dot varfërinë financiare dhe shpirtërore që ka pllakosur shoqërinë shqiptare. Meta nuk po përpiqej të luante rolin e Nostradamus, por e kishte marrë informacionin nga sizmologë të huaj, dhe jo nga ato vendas qe parashikimet i bëjnë nga kafenetë. Pavarësisht nga ato që mund të thuhen për Ilir Metën, diku në thellësinë e ndërgjegjes së tij u dëgjua një këmbanë alarmi. Por jo tek pjesëtarët e qeverisë shqiptare që u zgërdhinë, e u zhgërryen së qeshuri në kullën e tyre të fildishtë deri në momentin kur goditi tërmeti i parë. Pas tërmetit të parë, u gdhinë paksa të habitur por përsëri me të njëjtën indiferencë vrastare, meqënëse për fat të mirë nuk kishte vdekur akoma njeri dhe s’kishte pse ta prishnin rehatinë e tyre. Pse të përhapej panik për disa mijëra banesa të dëmtuara dhe qindra ta plagosur! Nuk kishte vdekur njeri.

Goditja e tërmetit të dytë e ndryshoi dukshëm reagimin e tyre. U çoroditën fillimisht, por e morën veten shpejt duke vënë në përdorim mekanizmin më të degjeneruar që mund të përdorë një shoqëri e dështuar dhe e pashpresë: pseudopatriotizmin. Pseudopatriotizmi folklorik i tyre u reflektua jo vetëm në njoftimet e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe në shumë media e portale, ku njerëzit filluan t’u thurin hymne e këngë bëmave dhe pathyeshmërisë së këtij populli përballë sfidave. Por ky është një shtet bananesh pa struktura të mirefillta në kohë krizash. Njerëzit e shkretë u përpoqën të nxirrnin të afërmit e tyre me duar e shkopinj se as doreza nuk kishin. U desh ardhja e ekipeve nga Kosova, Izraeli, Greqia, Rumania, Italia, e Serbia për të rindezur sadopak shpresën pothuajse të fikur të njerëzve. Qeveria e tyre i kishte braktisur por jo të huajt dhe as fqinjët e tyre. Kryeministri i hallakatur mendërisht lëshonte papushim deklarata të pakuptueshme për mendjet normale.

Ja si e pershkruan kryeministri delirant Edi Rama ardhjen e njësive të emergjencave nga Kosova: “Të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, ata janë ndoshta produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme, siç janë padyshim shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës…kjo trupë do të lerë në kujtesën time, bashkë me gjurmën e pashlyeshme të kontributit të saj human, në një ditë kaq të zezë fatkeqësie për Shqipërinë, shijen e paharrueshme të një shfaqjeje heroizmi jetësor, ku heronjtë ta mbushnin plot syrin, mu si nëpër filmat amerikanë.

Ky individ orator, që po kalon momente lajthitjeje serioze, arrin deri aty sa të romantizojë në mënyrën më ekstreme ardhjen e këtyre djemve për të ndezur tek shqiptarët e Kosovës ndjenjën e një respekti dhe patriotizmi artificial e të sforcuar. Imagjinata e tij e zhvendos në një skenë filmash Hollivudianë, ndërsa viktimat dergjen akoma nën rrënoja. Ky është kryeministri i Shqipërisë. Kryeminstri i quan njësitë nga Kosova “shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës,’ në një kohë që Kosova nuk ka shtet dhe as nuk do të krijojë ndonjëherë shtet të mirëfilltë dhe të pavarur. Kosova nuk është shtet i pavarur por shtet nën vasalitetin e Turqisë dhe diktatorit Erdogan, i cili i përdor institucionet e Kosovës si të ishin kukulla teatri. Shteti Kosovar e humbi dinjitetin e tij përfundimisht në sytë e të gjithëve, kur agjentët e Erdoganit në bashkëpunim me Hashim Thaçin dhe policinë e Kosovës grabitën disa akademikë turq dhe i dërguan në Turqi ku sot e kësaj dite askush nuk e di fatin e tyre në birucat e burgjeve turke ku dergjen me dhjetra mijëra mësues, profesorë, doktorë, politikanë, gazetarë e shkrimtarë.

Në të njëjtën mënyrë si Thaçi, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e konsideron Erdoganin si udhërrëfyesin e tij shpirtëror. Edi Rama duhej t’i rrinte larg diktatorit Erdogan duke patur parasysh historinë e hidhur të diktaturës komuniste në Shqipëri. Me aktin e tij, Edi Rama e ka vënë shpirtin e një kombi nën këmbët e një diktatori Islamik. Edi Rama nuk i kupton efektet e veprimeve të tij në botën e padukshme shpirtërore. Ai vazhdon ta mallkojë kombin me veprimet e tij. Aktet e një lideri përcaktojnë fatin dhe të ardhmen e një kombi. Sali Berisha me veprimet e tij e mallkoi popullin shqiptar në çdo drejtim. Ai ftoi grupet terroriste islamike në Shqipëri, mblodhi rreth vetes njërëzit më kriminelë dhe të korruptuar të shoqërisë shqiptare, i shpalli luftë botës perëndimore, i lejoi shqiptarët të jetonin si kafshë pa ligje dhe pa rregulla, mbylli sytë dhe madje inkurajoi me mijëra ndërtime pa leje të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të marrin jetë njerëzish, u vodhi lekët, i vrau e shumë tjera. Sali Berisha kapërceu vijën e kuqe në botën shpirtërore ashtu si paraardhësi tij Enver Hoxha. Veprimet e tij patën pasoja katastrofike për shqiptarët dhe Shqipërinë. Efekti i kësaj zie kombëtare të shkaktuar nga Sali Berisha u duk se u zvogëlua me hyrjen në politikë të Edi Ramës, i cili ngjalli shpresë tek shumë njerëz, dhe mbështetja për të u rrit brenda një kohe të shkurtër. Në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, pastrimi i shumë pjesëve të kryeqytetit që ishin kthyer në një qenef të pistë në kohën e Berishës, e shtoi mbështetjen ndaj tij. Elokuenca dhe oratoria ishin dy armët e tij kryesore. Mesazhi i tij rezonoi fuqishëm me dëshirat dhe shpresat e shumë shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. U duk sikur ekuilibrat në botën shpirtërore të shqiptarëve filluan të rivendosen. Për një moment shumë të shkurtër Shqipëria bëri një hap pozitiv përpara. Të gjithë mbajtëm frymën. Për një moment, ne besuam kundër zërit të arsyes tonë që thërriste se nuk mund të dalë ujë i ëmbël dhe i kripur nga i njëjti burim, dhe as pema e fikut nuk mund të prodhojë ullinj…Vetëm për një çast, një cast fluturak, ia lejuam vetes të shpresonim se Edi Rama mund ta drejtonte Shqipërinë në kahun e duhur. Na u duk sikur pamë një shkëndijë drite në fundin e një tuneli të errët. Nuk qe e thënë…Edi Rama nuk arriti të çlirohej dot nga vargonjtë e trashëgimisë së tij shpirtërore…nuk e pati atë guxim ti thoshtë të keqes e keqe…Ai mori një sërë vendimesh absurde, dhe e kapërceu vijën e kuqe në jetën e tij, duke marrë vendime në botën e tij shpirtërore, dhe si rrjedhojë duke ndikuar edhe në botën shpirtërore të popullit të tij. Tani pikëpyetja e madhe është nëse do të vazhdojmë të ecim drejt pikës së moskthimit apo ka akoma shpresë për këtë shtet dhe këtë popull!

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Edi Rama e gjeti Shqipërinë në një gjendje katastrofike ekonomike, psikologjike dhe shpirtërore. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. Edi Rama pavarësisht nga të metat e tij, deri në këto momente nuk mund të krahasohet me super kriminelin Sali Berisha, armikun më të madh të popullit shqiptar pas diktaturës. Sali Berisha ishte një fatkeqësi e paimagjinueshme për popullin shqiptar, sepse arriti të nxirrte në sipërfaqe veset më të poshtra të shqiptarëve, dhe mblodhi rreth vetes individët më të inkriminuar. Berisha u bë qendra e energjisë satanike në Shqipëri.

Çdo akt që kryejmë apo çdo fjalë që themi, krijon atë që quhet “Efekti i Valës” ose Ripple Effect. Veprimet tona kanë efekte pozitive ose negative në jetën e të tjerëve edhe pse ne nuk i shohim menjëherë pasojat. Ato mund të jenë afat-shkurtra ose afat-gjata. Nëse veprimet e individëve kanë efekte të tilla, po veprimet e udhëheqësve, ose atyre që kanë përgjegjësi më të mëdha! Udhëheqësit e një vendi janë në pozita vendimmarrëse, dhe shpeshherë në momente kyçe historike qëndrimi i tyre luan një rol vendimtar në progresin apo regresin e një shoqërie, në përparimin apo dështimin e saj. Jeta jonë e përditshme është një fushëbetejë shpirtërore.

Edi Rama, të cilit i mungon kurajoja civile, ka bërë ca kodoshllëqe të pafalshme. Për të siguruar votat dhe mbështetjen e komunitetit mysliman shqiptar, ai lejoi, dhe madje përshpejtoi ndërtimin e një mega-xhamie në zemër të Tiranës, një xhamie që nuk i duhej Tiranës dhe as imazhit të Shqipërisë. Në vend që të ndërtonte një spital, ai ndërtoi xhami. Kishte të drejtë sepse Tirana nuk ka asnjë xhami, por ka pëllëmbë e spitale. Për të siguruar votat e katolikëve, ftoi në Shqipëri papa Françeskun, dhe madje pagëzoi edhe të birin. Sapo iku papa Françesku, u takua me mikun e tij të zemrës Erdoganin, sikur donte t’i thonte mos u shqetëso nga papa se ti e di që unë jam super aktor në politikë. Vazhdoi budallallëqet e tij duke ftuar Thaçin edhe Erdoganin në një takim tresh. Ishte shokues imazhi i Thaçit, Ramës e Erdoganit, të ulur këmbëkryq krah përkrah njëri tjetrit si sheikë. Vetëm çallma u mungonte. Një skandal i vërtetë. Në vitin 2017, ditën e Ramazanit ndodhi një tjetër skandal i madh në Shqipëri, kur komuniteti mysliman organizoi faljen e Ramazanit në sheshin Skëndërbej, dhe myslimanët arritën deri aty sa të mbulonin bustin e heroit tonë kombëtar, sepse nuk faleshin dot pranë bustit të tij; nuk e duronin dot pamjen e kryeheroit tonë kombëtar i cili për 25 vite rresht luftoi për mbrojtjen e kësaj toke nga hordhitë barbare islamike. E turpshme! Shqipëria dhe shqiptarët u fundosën moralisht. Patriotizmi i tyre fallso shpërtheu si një flluskë sapuni. Asnjë protestë mbarëpopullore kundër këtij xhesti të shëmtuar antikombëtar. Kur vendet perëndimore me në krye Amerikën i kërkuan Shqipërisë që armët kimike të Sirisë të shkatërroheshin në territorin e saj, shumë njerëz u çuan në këmbë për të protestuar, por jo kur simboli ynë kombëtar, heroi ynë kombëtar i cili mishëron cilësitë më të larta që mund të ketë një individ dhe një udhëheqës jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë botën e qytetëruar u shkel nga një grup barbarësh në qendër të kryeqytetit. Në këtë rast populli nuk reagoi sepse ka vdekur moralisht dhe shpirtërisht. Sikur këtë veprim ta kishin bërë serbët apo grekët, shumë njerëz do të ngriheshin në këmbë të indinjuar e të revoltuar. Qeveria e Edi Ramës duhet të bënte dy gjëra që nuk i bëri. Duhej të dërgonte policinë që të largonte me forcë rrethimin e bustit, ose minimalisht ta dënonte publikisht këtë akt antikombëtar. Nuk bëri asnjërën sepse Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë as dinjitet dhe as kurajo për të mbrojtur vlerat tona kombëtare. Pak kohë më pas, me rastin e votimit të rezolutës në OKB që një grup ekstremistësh islamikë, pro-islamikë dhe anti-semitë paraqitën në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Edi Rama votoi kundër Izraelit. Qeveria shqiptare i qëndroi koherente vendimit të Organizatës së Vendeve Islamike nga ku edhe mori udhëzimet përkatëse disa ditë para votimit në Asamblenë e Kombeve te Bashkuara. Pra, Edi Rama dhe qeveria e tij i qëndroi besnike linjës Islamike të mikut të tij të ngushtë Tayyip Erdogan, me votën kundër Amerikës dhe Izraelit. E pabesueshme! Mund të kishin abstenuar siç bënë shumë shtete, por jo. Rama nuk e bënte dot sepse i kishte dhënë besën ekstremistëve islamikë. Akti tjetër edhe më i shëmtuar ishte ngritja në Tiranë e monumentit për “mbështetësit e rënë” në mbrojtje të diktatorit Erdogan, dhe që tregoi edhe një herë se Shqipëria është pa shtet të mirëfilltë. Po qindra e mijëra turq të arrestuar, të torturuar, e vrarë nga Erdogani! Ku e kanë bustin viktimat e tij?

Bëmat e Edi Ramës nuk mbaruan me kaq. Ajo që ndodhi më vonë na la përsëri pa fjalë. Kur ra tërmeti i parë, qeveria shqiptare nuk lëvizi vendit, sepse kishte rënë në rehati dhe relaks pas gjithë asaj pune të palodhshme për plotësimin e standarteve me qëllim anëtarësimin në BE. Korrupsioni u zhduk plotesisht, papunësia shkoi në 0%, nivelet e jetesës u rritën aq shumë sa i kaluan edhe atyre të Bashkimit Evropian, dhe shqiptarët kishin aq shumë para sa nuk dinin si t’i harxhonin. Kur i thane Edi Ramës dhe ministrave të tij se kishte rënë termet, ata nuk e besuan sepse nuk kishin dëgjuar lëkundje. Kjo ngjarje e rëndë nuk ua prishi përditshmërinë, sepse Shqipëria kishte arritur pikun e zhvillimit dhe një tërmet i vogël nuk e ngadalësonte dot vrullin e progresit të saj dhe as nuk i prishte planet e qeverisë. Kur ra tërmeti i dytë vdekjeprurës, qeveria lëvizi, por jo për të ndihmuar por për të qarë përpara kamerave. Kjo qeveri nuk kishte me çfarë të ndihmonte. Plotësisht e papërgatitur, e paorganizuar, dhe e çoroditur, qeverisë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të kërcënonte median që të mos përhapnin panik. Absurde deri në ekstrem. Shqiptarët mbetën në baltë nga pseudo-shteti i tyre por jo nga fqinjët dhe të huajt që vërshuan me shumicë për t’i ndihmuar. Ndër të huajt, Izraeli ishin ndër shtetet e para që dha ndihmesë, së bashku me Greqinë, Serbinë, Rumaninë, Italinë etj. Falë ndihmës së tyre, shumë viktima arritën të nxirreshin nga gërmadhat. Mediat Italiane dhe të huaja paraqitën të vërtetat që Rama u përpoq t’i mbulonte. Çuditërisht Rama nuk i kërcënoi mediat e huaja me mbyllje, kur ata deklaruan se situata ishte katastrofike dhe qeveria ishte e plotësisht e paaftë për të ndihmuar.

Pas tërmetit, Don Kishoti Edi Rama pasi e mbushi barkun me pilaf krijoi Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, dhe u betua që ky komitet do të jetë plotësisht i përkushtuar në këtë sfidë dhe buxheti i tij do të jetë i monitoruar. Tragjikomedi kombëtare. Edi Rama dështoi plotësisht sepse është rritur në një sistem mospërfillës ndaj varfërisë, në një sistem ateist, ku Zoti ishte i paligjshëm, dhe shumë njerëz akoma edhe sot nuk e kuptojnë Provaninë Hyjnore dhe fuqinë e Zotit por vazhdojnë jetën e tyre sikur Zoti të mos ekzistonte. Në raste festash fetare agjërojnë mekanikisht, apo nisen në pelegrinazhe për të prekur vendet e shenjta, por kthehen në shtëpitë e tyre dhe në rutinën e tyre pa asnjë lloj transformimi shpirtëror. Kryeministri i Shqipërisë, i ka mbingopur shqiptarët me beton por i ka varfëruar shpirtërisht. Ky njeri dhe shpura e tij nuk e kuptojnë dot se ajo që ka rëndësi është kultivimi i shpirtit të kombit. Kultura shpirtërore nuk transplantohet por kultivohet. Ky kultivim kërkon përkujdesje të veçantë, dhe eksperti i vërtetë e di se cilët nutrientë e fertilizojnë historikisht dheun dhe cilët e varfërojnë atë. Ai krijon kushtet optimale që trungu shpirtëror të rritet i shëndetshëm dhe i fuqishëm, dhe nuk përdor teknika të dështuara, siç përdor Rama dhe paraardhësit e tij.

Edi Rama nuk është Ibrahim Rugova

Ne nuk prisnim që Edi Rama të ishte Ibrahim Rugova. I paharrueshmi Ibrahim Rugova! Një nga udhëheqësit më të mëdhenj të shqiptarëve pas luftës së Dytë Botërore. Një bekim i madh për shqiptarët shumë prej të cilëve e urrejtën sepse i dha zemrën Krishtit, dhe donte që edhe populli i tij të ndiqte Zotin e tij të dashurisë së kulluar. Disa e ndoqën por shumica e urrejti, sepse janë të verbuar e nuk i shohin shanset historike dhe as nuk e kuptojnë thirrjen e Zotit në epokat e caktuara. Njerëzit si Ibrahim Rugova u vijnë shqiptarëve një herë në qindra vite nëse janë me fat. Ibrahim Rugova ishte një engjëll në një shoqëri të dominuar nga djajt. Ndryshe nga Edi Rama, Ibrahim Rugova e fitoi betejën e tij personale në botën shpirtërore, dhe nuk e kaloi asnjëherë vijën e kuqe. Ai pa Dritën dhe e perqafoi, të njëjtën Dritë që ngjalli Llazarin prej të vdekurit pas katër ditësh. Rugova jonë i dashur prehet tani i pavdekshëm me kryetrimin e kryetrimave, Gjergjin tonë të papërsëritshëm, dhe shërbëtoren e Zotit, fort të dashurën Nënën Terezë, të cilët së bashku me shumë heronj e martirë të tjerë do të jenë në sofrën e Qengjit, i Cili së shpejti do të vijë me lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, dhe mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.

Pendim kombëtar përpara bashkimit kombëtar

Kur mendoj se kush e udhëheq Kosovën e Shqipërinë sot, më vijnë në mendje vargjet e Migjenit:

“O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!

Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!

Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…

E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ qesh.”

Kur do të na vijë një udhëheqes vërtet i perëndishëm O Zot! Shpëtoje popullin tonë O Zot! Ringjalle këtë popull O Zot! Hiqja verbërinë shpirtërore dhe silli shikimin siç bëre me të verbrin kur Ti i the: Sytë e tu le të hapen. Ti ke planet e Tua O Perëndi dhe rrugët e tua janë misterioze, por të lutemi që të kesh mëshirë pë ne! Transformoje popullin tonë ashtu siç transformove Palin në rrugën për në Damask. Ki mëshirë për ne O Hyj i Shenjtë! Ne jemi të humbur pa ty O Jezus! O Zot, unë e di se ne nuk jemi ilirët që takoi apostulli Pal kur shkeli në Iliri, dhe që e pritën me aq dashuri. Ata Ilirë e përqafuan megjithë zemër të Vërtetën sepse ishin të etur për Dashurinë që u solli Pali. Nuk jemi ata sepse kemi kaluar shumë stuhi historike dhe jemi tjetërsuar si njerëz, por të lutemi ki mëshirë për ne O Zot. Unë besoj se diku në thellësinë e ndërgjegjes dhe shpirtit tonë në agoni ka mbetur akoma një shkëndijë shprese për transformim shpirtëror dhe ringjallje kombëtare. Sot ne jemi si një kope delesh pa bari, secili në rrugën e tij. Na sill edhe një Kastriot, Rrugovë, e Terezë të dytë O Zot! Na sill një udhëheqës të zgjedhur nga Ty O Perëndi! Derdhe Frymën Tënde të Shenjtë mbi këtë popull të vdekur shpirtërisht, sepse vetëm Fryma Jote pastron dhe transformon. Atje ku është Fryma Jote e Shenjtë atje është liria. Fjala Jote thotë se: Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruajnë rojet. Mos na lër jetimë shpirtërorë. Mos na lër të zhgërryhemi në fëlliqësinë tonë morale, në një patriotizëm fallso, duke e inkurajuar njeri tjetrin me fjalë boshe se do të ngrihemi më të fortë, se do të fitojmë të bashkuar, apo shqipet nuk thyhen para një tërmeti etj. Këto s’janë asgjë tjetër veçse një kryeneçësi e verbër e jona. Ky nuk është momenti për kokëfortësi e krenari të sëmurë kombëtare, por për pendim kombëtar. Mbështetja e njëri tjetrit me patriotizëm fallso nuk e zëvendëson pendimin. Ne si popull dhe udhëheqësit tanë kemi një perde verbërie shpirtërore që nuk na lë ta shohim qartë realitetin. Na e hiq atë perde të mallëkuar dhe na ndriço me Dritën dhe të Vërtetën Tënde. Ne kemi nevojë të vijmë në gjunjë përpara teje dhe të pendohemi. Siç thotë Fjala Jote e Shenjtë O Hyj, “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.” Ti O Zot e dërgove profetin Jonah në Ninive, një nga qytetet e mëdha të botës së lashtë. I the “Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje.” (Jonah 1:2) Gjendja jonë sot O Zot është si gjendja e Ninives përpara 3000 vitesh. Ti i the profetit Tënd Jonah: “Shpalli atyre mesazhin që po të urdhëroj.” Jona hyri në qytet dhe duke predikuar tha: "Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet." (Jonah 3:2,4) Kur Niniveasit e dëgjuan mesazhin Tënd, ata të besuan Ty, shpallën një agjërim, shqyen rrobat e tyre nga dëshpërimi, u veshën me thes dhe u mbuluan me pluhur, e duke rrahur gjokset e tyre nga më i madhi e deri tek më vogli thirrën me një zë: “Ki mëshirë, ki mëshirë për ne mëkatarët O Zot.” Kur lajmi i vajti mbretit të Ninives, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi. Dha urdhër që askush mos hante dhe as të pinte ujë, por të gjithë të thërrisnin më forcë Perëndinë; secili të kthehej nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij. Ata shpresonin se duke u penduar me gjithë zemër përpara Teje Ti do t’i mëshiroje, dhe nuk do t’i shkatërroje. Kur Ti e pe atë që bënë përpara Teje, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Ti u tregove i mëshirshëm ndaj tyre dhe nuk i dënove.

Ne vijmë sot përpara teje O Zot dhe lutemi ashtu siç na mësove Ti të lutemi:

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri Yt,

Ardhtë Mbretëria Jote, u bëftë vullnesa Jote, si në qiell, ashtu në tokë!

Bukën tonë të përditshme na e jep sot dhe na i fal fajet e mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë.

E mos na lër të biem në tundim, por na çliro nga i ligu.

Se e Jotja është Mbretëria, Fuqia dhe Lavdia përgjithmonë.

Amen.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora