E premte, 26.04.2024, 04:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Krevati i drejtorit

E shtune, 28.09.2019, 09:00 AM


Krevati i drejtorit

Tregim

Nga Përparim Hysi

Sapo më kishin transferuar në këtë fshat. Ca larg nga vendbanimi im, po kush ta qante hallin. Do shkoje ku të caktonin dhe askush nuk pyeste më, në shkoje me makinë, me biçikletë apo dhe në këmbë. Shteti të emëronte dhe për të tjerat,ku jemi parë. Pushteti që  të kish emëruar, ndihej mirë, nëse ti akomodoheshe aty(gjithmonë me forcat e tua). Unë 10 km larg e kisha shkollën dhe e bëja me biçikletë. Rruga qe e keqe dhe,kur binte shi, me biçikletën ndërronim "portat": kur kish baltë shumë,e mirrja unë    krah. Xha Myrtoja, kur më shihte me biçikletë në  krah,shpotitte:-Kjo dynjaja rrypa-rrypa,herë ma hipe,herë ta hipa. Po për shpoti dhe unë nuk e haja bukën thatë dhe ia ktheja:- Mirë gomari më ngordhi, po mizat pse nuk  më lënë rehat, Ai hante"bodec" nga shakatë dhe, për të më çlodhur, më ftonte për pak muhabet.Por sos se qe një ditë a dy,kur në atë shkollë, punova për dy vjet.

*      *    *

Shkolla qe goxha e madhe,një ndërtesë me dy kate dhe kish një personel prej mbi njëzet vetësh, pak maskilist personeli,se femra qenë nja shtatë. Drejtor qe mesoburrë, me trup të drejtë prej sportisti (kish luajtur futboll deri aty,para pak vitesh, dhe ruante edhe fizionominë, por dhe energjinë. Me të gjithë sillej mirë dhe askujt nuk ia prishte ajkën. Unë e njihja prej kohësh dhe,ngaqë kisha ndërruar nja 5-6 drejtorë, me këtë, me të vërtetë që ndihesha mirë.Drejtori nuk qe liberal, por qe njeri racional dhe vlerësonte tek secili  punën. Shpesh, kur  kisha ardhur unë në shkollë, ai largohej nga shkolla dhe frymën e mbante në qendër të kooperativës. Kur  e pyeta se  ç'ndodhte me të që të paktën tri herë në javë (ditët që kishte për kontroll, ai sulej andej).

- Po bëj stazhin e partisë,- më tha. Jam aq i ngarkuar,-shtoi,- sa në një nga klasat e shkollës, kam sajuar një si"kthinë" të vogël. E kam ndarë klasën duke vendosur dollapin e madh dhe, pas dollapit, kam vënë një perde ku,pas perdes, kam vënë një krevat portativ. Organizata e partisë, më shumë mblidhet mbrëmjeve dhe, sa herë që vonohem (shtëpia e tij qe rreth  15 km larg). fle aty, në"kthinën" time.

- Epaske blerë belanë me para,- shtova unë si në intimitet.

Atëherë, pse t'i ha hakën, as m'u zemërua, por as dhe nuk më  denoncoi. Se fare mirë, mund t'i gjente mushka drutë e mia që i prisja shkurt.Ai  jo vetëm e mori si shpoti bodecin tim, por dhe shtoi:- Pa qenë në parti,as të transferojnë,por as mos prit që të ngrenë në detyrë. Pastaj, tek hodhi  një   sy drejt një kolegeje që po kalonte, më tha:- Çfarë llërësh që ka! Sikur  t'ia  kullufitesh! Ore drejtor,- ndërhyra unë,- do të shkulin veshët në organizatë. Dëgjo,- më tha,- vdiq koha e thashë e themeve. Sa ndodhi ajo vrasja dramatike në Tepelenë,ku dy kuadro vranë veten, shoku Enver lëshoi "anatemën":-Kush prek nderin e nënave,grave dhe motrave tona, të ngrihen të gjithë e t'i këputin kokën". Tha dhe nuk ka më as gëk  as mëk. Tani, po u shkele me patok, e bën vezën e madhe. Se mos e zgjas,- më sqaroi ai,- nga ky fshat është Osmani. Qe mësues në shkollën X... dhe a e di se ç'e gjeti? Në shkollë kishte një kolege.Pak e hedhur kjo kolegia dhe një ditë prej ditësh dikush e kish kërkuar për grua. Epo derr në thes nuk e merrte. Dhe shkoi e pyeti Osmanin, ngaqë njiheshin prej kohësh. Osmani i tha:- Po  më dëgjove mua, mos e merr,se  ajo...dhe ia numëroi.Birçja jo vetëm e mori, po i  tregoi të fejuarës për Osmanin. Asaj i erdhi gjahu në derë dhe e denoncoi Osmanin për thashë  e  theme. Dhe Osmani u dënua me 6 muaj burg. Dëgjove? Dëgjova,- më thuaj.

*    *   *

Drejtori,veç punës dhe stazhit të partisë, qe qejfli i madh grash. Sa shihte një femër.bëhej aq obsesues pas saj, sa donte me çdo kusht që të flirtonte me të. Nuk bënte dallim, në ishte bukur apo e "shëmtuar". Bilez,fjalën"shëmtuar" për një femër e merrte si"mëkat". I mblidhte femrat me"dushk e lëpushkë" dhe thoshte:- Për çdo njërën,bën"sevap".

Kështu ndodhi dhe këtu, në shkollën ku kam ardhur dhe gjithçka "zhvillohet" atje,tek kthina ku,pas dollapit të  madh, pas perdes së gjatë, është krevati i drejtorit. Ai qe pak Napoleonian nga mendimet dhe postulatin"Fati ndihmon guximtarët" e kish dhe si motiv,por dhe si mburojë në fushën e qejfit.

ILDA qe pastruese në shkollë,por, mos t'i hamë hakën: ishte e bukur. Drejtori, sa e shihte atë që lëvizte me kovat në duar, bëhej tjetër:fillonte që t'i gurgullonte gjaku dhe nga koka i dilte tym. Ishte gati që t'i hynte detit në këmbë dhe,kurrë,asnjëherë nuk e vriste mendjen: në zhytej apo mbytej në këtë lloj deti. Hamendësonte me veten dhe gjithmonë e ngiste anijen e qejfit mbi detin e qetë dhe pa batica. Ja,ajo erdhi dhe tek zgjat duarët drejt qafës së saj ( e di se sa elegante që e ka?);  buzët e mia i vë si kapak mbi të saj dhe e"lëpij" gjithë lëngun e buzëve të saj  të trasha. Kështu përfytyronte dhe shkonte në harrim.

*      *     *

Ajo,ILDA, kish trup të derdhur. Në doje të veçoje diçka tek  ajo,qenë sytë. Vështrimi i syve të saj qe i guximshëm. T' i ngulte dhe,sado pak fshehur, kërkonte përmjet syve të depërtonte në brendësi. KIsh një kërshëri, por që ishte e padëmshme. Prej saj dhe prej atyre syve kurrë s'të gjente ndonjë e keqe. Drejtori (atij i kish rënë në kokë për të), më thoshte:- Ajo dhe,kur të jepet me gjithësej, tek ajo ka prapë diçka. NJë lloj "teprimi". Ti,- më thoshte,- je i letërsisë dhe mund të gjesh fjalën e duhur për të.

- Ka një"teprim elegant",- thashë unë. Të lumtë! Ke për tu bërë poet,- bërtiti.

*      *    *

Ajo trokiti, e druajtur i tha drejtorit:- Kam ardhur për çelësin e asaj dhomës. Ai,tek bëri për t'i dhënë çelësin,e kapi me të dy duarët dhe e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi rrufeshëm, pa  vrarë mendjen se çdo ndodhte më  pas. Ajo, në fillim sikur deshi të shmangej, por, më pastaj,e lëshoi trupin në lirshmëri të plotë. Kur ai e lëshoi,ajo mori çelësin dhe zbriti shkallët me shpejtësi. Tek e ndoqi nga prapa me synë e një fajtori dhe gjysmë i trembur, ai vuri re që ajo, pak tinëzisht, i hodhi një vështrim që nuk dije si ta merrje. Sidoqoftë,- tha ai,- nuk ka për të treguar. Kjo ndodhi qe pasdite dhe tërë natën e natës ai nuk mbylli sy. Priste të nesërmen,gjysmë i alarmuar. Kur erdhi ajo, të nesërmen dhe i rikërkoi çelësin e kthinës, ai u bë me krah dhe shkoi pas saj. Sa hapi perden,ndjeu duarët e tij mbi supe. Tani nuk lëvizi fare dhe "pakti" qe bërë. Tri herë, pasditeve kur duhej  të shkonte në "stazh", ajo vinte dhe si ai, i sëmuri që do të pijë në të njëjtën kohë ilaçin,dhe shtrihej tek krevati. Ai shkonte atje "për të marrë çelësin" dhe aty,mbi krevat, reciprokisht kalonin në delir. Kështu ndodhi gjithë atë vit,deri sa drejtori u bë komunist.

Në fund të vitit shkollor, ai u transferua në aparat të Komitetit të partisë,se "kredencialet" nga baza i kish shumë të mira. Unë mbeta aty dhe,një ditë prej ditësh,shkova ta takoja drejtorin që qe ngritur në përgjegjësi. Shkova, regjistrova emrin dhe prita ta takoja drejtorin tim. Kur m'u afrua një femër dhe tha: -Kush pret për shokun NASI (harrova t'u thosha: NASI quhej drejtori im), mos pres se shoku NASI është i"zënë". Domethënë, ku jemi parë? Drejtori kish "hedhur trup" dhe i doli fjala:- Po nuk qe komunist,as transferohesh dhe as ngrihesh në pozitë. Dhe i arriti që të dyja.

Tiranë, 16 shtator 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora