E diele, 17.11.2019, 12:35 AM (GMT)

Speciale

Fatbardha Demi: Shënjtori arbër që u 'kryqëzua' për të vërtetën (I)

E shtune, 07.09.2019, 10:07 AM


SHËNJTORI  ARBËR  QË  U  « KRYQËZUA »  PËR TË VËRTETËN (Pj.I)

Xhelozia që më ka pushtuar për të Vërtetën nuk më lë të qetë, që gënjeshtra të mos ketë mundësi të shihet para së vërtetës dhe errësira të mos mburret para dritës. - Mihal Trivoli

Nga Fatbardha Demi

Rastësisht, në një program televiziv të RTSh mbi Europën (maj 2019) një specialist nga Namibia (Afrikë) i kishte paraqitur kërkesë Muzeut historik W. Humboldt në Berlin për kthimin e 20 mijë objekteve të marra padrejtësisht gjatë periudhës koloniale (1884 - 1919) nga Gjermania. Kërkesa bazohej tek e drejta ligjore e zotërimit të « pronës historike » e popullit dhe shtetit namibian, për faktin se marrja e tyre ishte berë në rrugë të paligjshme.

Natyrshëm fillova të mendohem se: Çfarë i është marrë nga « PRONA historike » Kombit tonë ? Përfundimi ishte tronditës - Pothuajse gjithëshka ! Në këtë grabitje përfshiheshin : Faktet shkencore që lidhen me origjinën, gjuhën, simbolet, etno-kulturën, besimin, mitollogjinë, figurat e shquara, objektet arkeologjike dhe ndërtimore etj. e deri tek periudha të tëra para-historike e të lashtësisë si dhe  ngjarjet e mëvonshme të popullit tonë si psh lufta çlirimtare dhe formimi i shtetit hellen më 1821.  Kjo « sëmundje » është shumë e përhapur sidomos në studimet sllave dhe greke. Për shëmbull, murgun ortodoks Jan Kukuzeli i lindur (1270) në një familje arbërore të Durrësit, i shënjtëruar për veprimtarinë e tij si kompozitor dhe hartues i notave të hymneve ortodokse, nga studiues të vëndeve të ndryshme ballkanike paraqitet me origjinë bullgare, serbe, greke apo rumune , ndonëse origjina arbërore mund të dëshmohet lehtësisht edhe sot. Fatkeqësisht, kjo grabitje e paligjshme vijon edhe para syve tanë duke e çvlerësuar rolin e `faktit shkencor` dhe `të vertetës` në shkencën historike moderne në Shqipëri dhe në Botë.

Ky shkrim i kushtohet njerës prej këtyre « pronave  historike» të periudhës mesjetare të Kombit Arbër .

Shekulli i 15-të ka shënuar ngjarjen më të rëndësishme në Historinë e mesjetës europiane të emërtuar RILINDJE. Nga figurat madhore të kësaj periudhe, njihet me origjinë arbërore vetëm Gjergj Kastriot Skenderbeu (1405-1468) . Por këtë « fat » nuk e pati një tjetër arbër i famshëm -Gjergj Xhemisto Pletone (1355-1452 ) nga Morea e Peloponezit (Gadishulli Ilirik) i cili i përcolli elitës italiane arritjet më të shquara të botës pellazge : në shkencë, filozofi, drejtimin e shtetit, zhvillimin ekonomik, mbrojtjes dhe rëndësisë vendimtare të qeverisjes nga njerëz të ditur, fakt që Europa e vuri në zbatim mbasi ju pre koka (1793) çiftit mbretëror të Francës (Marie Antoinette-Louis XVI-të) në shekullin e 18-të.

Po në këtë shekull , një tjetër misionar arbër i Çamërisë (Epir) Mihal Trivoli (1475-1556), turbulloi ujrat e ndënjura të mesjetës së popujve sllav, duke ju sjellë frymën e re të qytetrimit perëndimor . Të tre këta eruditë dhe veprimtarë nuk ishin arbërit e vetëm, por ishin më të shquarit e  shekullit të 15-të, që i përkisnin popullsisë së stërlashtë dhe me qytetërim të zhvilluar në Gadishullin Ilirik. 

1. Gjergj Kastriot Skenderbeu (1405-1468 ) 2.Gjergj Xhemisto Pletone (Giorgio Gemisto Pletone,1355 - 1452) 3. Mihal Trivoli ( 1475-1556)

Mihal Trivoli nga Arta e Çamerisë (Epir)

Ishte merita e studiuesit Kolec Traboinit që u mundësua të njihej nga shqipetarët veprimtaria e tij qytetruese tek popujt sllav. (Shenjtori Maxim Greku ose Mihal Trivoli Artioti. Gazeta “Koha jonë” nr.120, 3 maj 2004 f21) Deri në vitin 1943 jeta e tij e plotë ishte e panjohur për studiuesit sepse ishte e ndarë në dy pjesë të palidhura me njera tjetrën, ajo e Perëndimit dhe e Lindjes europiane .

Në Perëndim njihej me emrin Mihal Trivoli, një nga të përkushtuarit e besimit ortodoks në manastirin Vatoped (Atos). Ndërsa për Lindjen njihej si Maksim Greku, një murg i ardhur nga mali i shenjtë Atos dhe kishte shërbyer në Rusi deri sa vdiq (1556) duke lënë pas një trashëgimi të gjërë si teolog fetar, shkrimtar dhe përkthyesi më prodhimtar i të gjitha kohërave me 365 shkrimet e tij. (1)

Vetëm pas afro katër shekujsh, në vitin 1943 studiuesi rus I. Denisov (И. Денисов) zbuloi provat se Maksim Greku ishte murgu Maksim i manastirit të Vatopedit (Hellade) i lindur me emrin Mihal Trivoli nga Arta e Epirit të famshëm të quajtur më vonë Shqipëri , siç na e pohon studiuesi arbëresh Nikoll Ketta në veprën e tij « Tesoro di Notizie su de´ Macedoni »  ( 1777) (2) . Ky zbulim u arrit pas një pune shumëvjeçare analizuese dhe krahasuese të veprave të tij në arkivat e Francës, Italisë dhe Greqisë (3)  Kërkimi i vonuar shekullor për murgun Mihal nga ana e rusëve, mbi materialet e të cilëve jam mbështetur gjatë studimit tim, sigurisht ka edhe arësye të tjera, siç do ta vërejmë gjatë shkrimit.

Studiuesi  Çudinov, në shkrimin e tij « Komente për emrin Maksim-ilian» përpiqet të zbulojë origjinën etnike të Mihalit : « … emri europerëndimor Maksim-ilian dhe emri rus Maksim Greku duket se janë e njejta gjë, meqënëse « Ilian » që është në fakt « Elin » (hellen-shën im) do të thotë « Grek ». Grekët i emërtonin `ellinë` ose `elinë`. Edhe në biografinë e Vasilit të III-të ,  (carit Rus, 1479-1533) për Mihalin janë përdorur emrat Maksim Grek dhe Maksim-Ilian » (4) Të njejtin pohim e lexojmë edhe në Fjalorin e Bruzen de la Martiniere (Le Grand dictionnaire géographique et critique, 1739) ku shkruhet : « Sipas shkruesve latinë Hellen është sinonim i emrit Grek ». (5) Kjo lajthitje nga padituria e latinëve të lashtë, vijon të mbisundojë në të gjitha botimet studimore të botës megjithesë sipas Robert de Anzhely (Enigma) emri “grek” u përdor vetëm pas pavarsisë (1821). “Me përjashtim të shqipfolësve ose të ardhurve nga shqipfolësit, që janë pasardhës të vërtetë të grekëve të lashtë (ata që sot i quajmë « grekët e lashtë »-shën im) të gjithë janë të racave të ndryshme dhe nuk kanë asnjë lidhje me helenët e lashtë ». (6)

Për barazimin “Hellen=Grek”, në shkencën historike botërore nuk ka asnjë fakt shkencor ! E përsëris gjithëmonë këtë pohim me qëllim që , siç thotë një shprehje çame “ të dëgjojë edhe veshi i të shurdhërit”. Në të kundërt , sipas studiuesit Mehmet Elezi “ Një shkencë e pa bazuar në fakte, nuk është shkencë por politike”. (7) Si rrjedhojë e këtij barazimi antishkencor i vendosur dhunshëm tek periudha e Lashtësisë dhe veprat e  shkruesve antik (që botohen sot), zë fill përvetsimi më i madh i “pronës historike” të Shqipetaro-Arbërve.  Por le t´i kthehemi temës sonë.

Jeta drejt lirisë dhe dritës së Perëndimit

Pas pushtimit të Kostandinopojës nga fiset turko-mongole të udhëhequra nga Mehmeti II (1453 )  familja Trivoli gjeti strehë në ishullin e Korfuzit.  Gjatë jetës së tij në atdhe Mihali u pais me një kulturë të gjerë nga prindërit që ishin njerëz të lexuar dhe nga xhaxhai i tij Dhimitri i cili zotëronte një bibliotekë të pasur ku nuk mungonin emrat e Platonit, Aristotelit, Plotinos, etj. Mihali i formuar tashmë me arësimin e nevojshëm , pas pamundësisë për të punuar  në Korfuz dhe duke kërkuar një shkollimin më të përparuar të kohës, në vitin 1492  u largua drejt Gadishullit italik.

Kishte kohë që qytetet e bregut perëndimor të Adriatikut ishin përfituesit kryesore të shfrytëzimit të rrugëve drejt Lindjes. Shkëmbimet tregëtare me Lindjen dhe Afrikën Veriore sollën përfitime të medha monetare për tregëtarët italian, të cilat u perdorën për zhvillimin e bujqësisë, prodhimet e artizanatit dhe veprimtarinë minerale duke  e bërë Gadishullin një nga zonat më të zhvilluara të Europës. Elita tregëtare e cila shpesh ishte edhe zotëruese e Bankave (si familja Mediçi në Firencë) ndihmoi shume në zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike të vendit, por duke i dhënë përparsi përhapjes së shkollimit. Në rast se në fillim të viteve 1500 në Kontinentin europian ishin hapur 58 universitete, 21 prej tyre ndodheshin në Itali, ndërkohë që në Francë ishin hapur 4 dhe Angli 2. (8)

Metoda e punës në këto universitete ishte e ndryshme nga ajo e shkollave të vjetra mesjetare. Programi mësimor hartohej lirisht nga profesorët të cilët, duke shfrytëzuar ndihmën e studentëve, përgatisnin libra praktikë mësimor. (9) Mihali ka qënë një student dhe punonjës shëtitës, metodë e njohur në ato kohë. Në Padova, Bolonja, Milano, Ferrara dhe qytete të tjera, ndjek leksionet dhe shoqërohet me emigrantë të shquar arbër të strehuar në Itali si Kostandin dhe Jani Laskari, Giovanni Bessarione etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e tij profesionale dhe formimin e botkuptimit të tij, kanë luajtur sidomos tre figura të shquara të Rilindjes italiane. Aldo Manucio (Aldo Manuzio1449-1515) ishte tipograf novator dhe botues i klasikëve (Ovidit, Platonit ,Aristotelit etj) dhe veprave të humanistëve të kohës.(10) Mihali mësoi prej tij mjeshtërinë e redaktimit, përdorimit të referimeve dhe punën me dorëshkrimet. Ndërsa humanisti Anxhelo Policiano (Angelo Poliziano1454-1494) ishte poet, dramaturg, mjeshtër në gjuhësi dhe sidomos në lëmin e përkthimeve ku, jo rralleherë mbante qëndrime kritike bazuar në njohurit e tij të shumta dhe zotërimin e gjuhës latinine dhe të greqishtes së vjetër. Në universitet jepte mësime për mjeshtërinë e përkthimit dhe të gjuhësisë. (11) Shkruhet se Mihal Trivoli fliste lirshëm krahas gjuhës gjermane, latinisht, frëngjisht, italisht dhe ishte i interesuar për shkenca të ndryshme , besimin dhe mjekësinë. (12)

Njohja me Giovanni  Piko de Mirandelo (1463-1494) pati një rëndësi të veçantë në formimin e “ botkuptimit të zgjeruar ” të Mihalit, që nënkuptonte pranimin e këndvështrimeve të ndryshme. Në idet e tij, Giovanni Piko bazohej tek filozofi i përqafuar nga Rilindja italiane - Platoni, por ruante një respekt të thellë për Aristotelin mbi të cilin mbështetej Kisha. Në veprat e tij ay shfrytëzonte si dijet e Hermetizmit të Thotit pellazg, ashtu edhe ato të Kabbales hebraike, metodë që i kundërvihej dogmatizmit të Kishës kristiane. (13)  Ndoshta ishte ndikimi i Giovanni Pikos , mik i ngushtë i murgut domenikan Savonarola (Girolamo Savonarola, 1452-1498) dhe i “botkuptimit të zgjeruar” të tij, që edhe Mihali të bëhej ndjekësi i përkushtuar i murgut asket, armikut të ideve humaniste.

Ndërkohë Rilindja italiane po përjetonte kulmet e saj në artin e pikturës dhe skulpturës me veprat e Leonardo da Vinçit, Botiçelit, Mikelangelos, Donatelos, etj. Ishte fryma e re e përhapur nga artistët, studiuesit e shkencave, zbulimi i Kontinenteve të reja dhe shpikja e shtypshkronjës (1455), që ngjalli në këtë epokë një ndjenjë të fortë për ta gëzuar jetën. Në një nga letrat e ruajtura nga Mihali lexojmë “ Miku im mos u dëshpëro, mos harro ta shfrytëzosh jetën duke kujtuar fjalën e njeriut të mënçur : Jetoje pranverën sepse shumë shpejt gjithshka do të vyshket”.(14)

Fisi Trivoli i përkiste fisnikërisë së lartë, e afërt me dinastinë e Paleologëve dhe sidomos faktit, që një nga paraardhësit e Mihalit ka qenë Patriark i Kostandinopolit . (15). Pikërisht në këtë ajër “të lirisë” ku e ngriti periudha e Humanizmit shoqërinë mesjetare, predikimet e zjarrta të murgut Savonarola apo tradita familiare i dhanë fund jetës laike të Mihalit. Siç vë në dukje studiuesi arbëresh Nikoll Keta, për familjet më fisnike të etnisë arbërore, dy punësimet më të zgjedhura për fëmijët e tyre ishin shërbimi si « njeriu i Zotit » apo në ushtri : « Tek ne, ata më me autoritet që synojnë të jenë në krye të familjeve tona përgjithësisht bëhen priftërinj ». (16)

Tashmë në moshë të pjekur ai zgjodhi  të bëhej murg për t´i shërbyer “shpëtimit të shpirtit të njeriut”, sipas shëmbullit të Krishtit, larg mirqënjes materiale dhe kënaqësive fizike. Megjithatë, veprimtaria e mëvonëshme tregoi se, idetë e epokës rilindase nuk u braktisën asnjëherë duke e afruar figurën e tij më shumë me anti-kristianin arbër Gjergj Xhemisto Pletonen se sa me fanatikun katolik Savonarola. Dënimi me vdekje i Savonarolës, korupsioni dhe çthurja që përfshiu Kishën katolike nën Papën Aleksandri VI-të (Borxhia) dhe lufta 11 vjeçare me mbretërinë franceze (1494-1559)  i dha fund paqes së Gadishullit dhe qëndrimit të Mihal Trivolit në Itali. Në vitin 1505 ai kthehet në atdhe i vendosur për t´ia kushtuar jetën studimeve teollogjike në manastirin e Vatopedit (mali i shenjtë Atos).

1.Kapiteli i mermertë (shk.X) në manastirin e Vatopedit në malin e shenjtë Atos. Lulja brënda rrethit është simbol pellazg i Zotit dhe Shqiponja  simbol kultik i besimit Hënor i Dodonës.  2. Manastiri Vatoped

Sipas traditës së murgjërve ai morri emrin Maksim, shenjtorit i dy kishave kristiane (katolike dhe ortodokse) - Maksim Predikuesit (580-662) . Aty Maksimi (Mihali) pati mundësinë t´i thellonte dijet e tij teologjike në një bibliotekë të pasur me dorëshkrime, vepra arti dhe relike të murgjëve shënjtorë. Mali i Atosit ka qenë vëndqëndrimi i preferuar i filozofëve të lashtë dhe mbi rënojat e banesave të tyre, në shk.10 murgjit kristian ndërtuan manastiret e para. (17)

Nismat ushtarake të Perandorit Kostandin (v.324) që vijuan deri në kohën e Justinianit (v.556) për shkatërimin e tempujve, veprave të artit dhe djegjen e librave të bibliotekave, sollën zhdukjen e një pjese të rëndësishme të kulturës parakristiane. Megjithatë, Mihali gjatë 10 viteve pati mundësi të shfrytëzonte bibliotekat e manastireve të cilat ishin më të pasura me libra hellene (mbi besimin, mitologjinë , shkencorë dhe filozofikë), se sa ato të qyteteve dhe universiteteve europiane.(18)  Mali i shenjtë Atos ka shërbyer si “ qëndra” e përpunimit të teologjisë ortodokse dhe e edukimit të elitës priftërore për Perandoninë romake të Lindjes.

Kisha ortodokse duke qenë kundërshtare shekullore e Kishës katolike të latinëve,  sulltanët e trajtuan si aleatin e tyre kundër Perëndimit duke i bërë favore. Nëse sipas zakoneve islame ndalohej ndertimi i objekteve të kultit kristian, Atosi e gëzonte me ferman këtë të drejtë. (19) Izolimi i lidhjeve të Gadishullit Ilirik me Perendimin pas pushtimit turk, Kisha ortodokse  e shfrytëzoi për t´i tërhequr në vathën e saj mbretëritë e Europës lindore dhe jug- lindore, së bashku me popujt e tyre “të pafe” si ata arbër, bullgar, serb, vllah dhe rusë.

Rruga pa kthim drejt Lindjes

Sundimi mbi dy shekullor i tartarëve-mongol mbi Rusinë kishte ndikuar në mungesën e kulturës besimtare dhe sidomos të frymës kundërshtuese për ndreqjen e formave të gabuara që ndiqeshin në ritualet kishtare. (20)

Në vitin 1515, Vasili III (1479-1533), princi (князь) rus i Moskës i kërkon Igumenit të Atosit t´i dërgonin “ përkohësisht një përkthyes të librave të shenjtë”. Si përgjigje carit i propozojnë  murgun Maksim “mjeshtër të shkrimeve të shenjta dhe i aftë në trajtimin e çdo libri kishëtar dhe helen (libra jo kristian-shën im)”. (21)Vetëm pas tri vitesh, Maksimi së bashku me dërgatën e murgjërve të Atosit mbritën në oborrin e princit rus. Shumë shpejt ay tërhoqi vëmendjen e rrethit të oborrit të cilët vinin në qelinë e tij (dhomë e murgjve-shën im) për të dëgjuar shpjegimet mbi tema të vështira filozofike të librave të shenjtë ku kishte fjalë të filozofisë të papërkthyera saktë ose të vendosur në gjuhë të huaj.

Libri i parë që përktheu ka qenë Psalltri (1552), një nga librat më të vështirë të kristianizmit në mesjetë. Përkthimi i librave të shenjt apo të autorëve klasikë, nuk ishte i lehte edhe për murgjit e Atosit.  R. Jenkins (Bizanti dhe Bizantizmi) pohon se: «Talenti për spekullime në fushën e mendimit dhe të filozofisë mbijetoi gjatë disa shekujve ndërmjet helenistëve. Filozofët greko-romakë , neo-platonikët dhe Etërit e kishës ruajtën shumë nga finesa por pak nga origjinaliteti i mendimtarëve klasik…» (22) Falë njohurive të shumta në fushën fetare dhe laike, Mihali jo vetëm shpjegonte kuptimin që kishin fjalët në gjuhën latine apo greke, por kërkonte për to një emertim në sllavisht.

Në fillim të shk.16-të Maksimi përfundoi studimin «Trajtimi i emrave sipas alfabetit» (Толкование именам по алфавиту)  duke ndikuar në zhvillimin e shkencës gjuhësore në Rusi dhe të hartimit të fjalorëve. (23)

« Gramatika është fillimi dhe fundi i çdo shkence … » - Mihal Trivoli (24)

Ai përpiloi dy punime “Mbi gramatikën” dhe “Dobia e gramatikës”. Sipas tij “Ai që nuk është i përgatitur mjaftueshëm në gramatikë, poezi, retorikë dhe filozofi, nuk do të mund të kuptojë drejt dhe me vërtetsi atë që është e shkruar (në librat e shenjtë-shën im) dhe as ti përkthejë në një gjuhë tjetër”(25) Ai vendosi të përdorte në shkrim parimin e gjuhës arbërore : çdo tingulli t´i përkiste një gërmë dhe mbi bazën e të folurës popullore të shkruhej gjuha artificiale e kishës ruse .

Bisedat dhe shkrimet e Mihalit dilnin jashte kufijve fetarë, duke shfrytëzuar edhe tematika nga “Suda”, Enciklopedia me e rëndësishme në jetën kulturore të Perandorisë së Lindjes së shk.X. Këto njohuri të gjithanëshme (gjuhësore, filozofike, historike, kulturore, administrative,etj.) ishin “si uji në shkretëtirë” për shoqërinë akoma mesjetare të mbretërisë moskovite e cila kishte nisur rrugën për krijimin e Perandorisë Ruse dhe i nevoiteshin sidomos ligjet. Ato u huazuan nga ligjet e Kishës ortodokse, nëpërmjet murgut të Dardanisë –Sava II (Rastko Nemanji)(26).

Libri i parë i botuar në shtypshkonjat ruse ishte i epirotit Mihal Trivoli (27)  Biografi i tij M.Gromov (Громов М. Николаевич,Максим Грек) shprehet se Maksimi ishte filozof në kuptimin e gjerë të fjalës sikurse Tolstoi apo Dostojevski të cilët ndikuan në zhvillimin e mendimit rus  më shumë sesa shumë bashkë-kohës filozof profesionistë europian. (28) Kjo falë metodës popullarizuese që përdorte Mihali. Ndërsa Dhimiter Lihaçevi (Лихачев Д. С. ) e quante “Intelektuali i parë i Rusisë”(29)

Kjo veprimtari prej enciklopedisti të fushave të ndryshme i dha shumë autoritet dhe vlerësim, por gradualisht nxiti xhelozinë dhe kundërvënjen e këshilltarëve të princit dhe prelatëve të Kishës, së fundmi edhe të vetë Vasilit të III-të. Për këtë ndryshim 360 gradësh të qëndrimit ndaj tij, natyrisht nuk mund të fajsohet thjesht zilia, sepse ai ishte shumë i nevojshëm për oborrin moskovit dhe Kishën ruse dhe nuk do ta linin “t´iu shpëtonte nga dora”, por “fati” i tij:

1- U ndodh në një qytetrim (mjedis) shumë të ndryshëm nga ay ku kishte lindur e formuar, si dhe  ndikimi i ngjarjeve historike të Rusisë së shk.15-16.

2- Botkuptimi besimtar dhe karakteri i tij arbëror, i papranueshëm për shoqërinë moskovite të kohës.

Metodisti rus i dokumenteve historike – D.Lihaçev (Текстология. На материале русской литературы Х–ХVII веков) nënvizonte rëndësinë e veçantë për historianët, studimin e këtyre faktorëve (30) , por edhe për lexuesin, për të kuptuar veprimet e figurave historike për të cilat flitet.

Le të shikojmë se në çfarë kushtesh historike ndodhej vendi, ku në vitin 1518 shkeli këmba e Mihal Trivolit me emrin Maksim ...

Fatbardha Demi (fatbardha_demi@yahoo.com )

28.08. 2019



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT