Speciale
Nuhi Veselaj: Histori kabashase – punë, qendresë deri në vetëflijim
E diele, 26.05.2019, 11:01 AM
Dr. Nuhi Veselaj (autor)
/Konsultues Asllan
Asllani (Korishë)/
HISTORI
KABASHASE: PUNË, QËNDRESË DERI NË VETËFLIJIM
OSE
PSE
U VRANË NGA SERBËT SI SHTËPI BUKE DY DJEMTË E SHABAN QERIMIT, VESELI DHE
MUSLIU?
Lexues i nderuar,
Në këtë shkrim keni rast të njiheni me
ndonjë detaj biografik të dy bashkësive tona
familjare Ahmetaj e Veselaj (1951-1999-2019), por aq më
tepër zgjon interes ndonjëra nga episodat me
përmbajtje etnografike që njihet pak
ose apak dhe që ndërlidhet me personat historikë
si: Isa Boletini, Rrustë Kabashi,
Mulla Nasufi, Bajram Curri, Muharrem Bajraktari, Salih Shabani, Muhamet Veseli, Hysen Rexhepi, Qerim Rrustemi, Shaban Qerimi etj. –
material ky i vjelë nga bashkëkohanikët e tyre në vitet 1967-1970.
Hyrje ose motivi si shkas
Burri i mirë nuk des kurr (Atë
Gjergj Fishta)
Më 14 mars 1999, pak para se NATO të
fillojë me i bombardue caqet
e Armatës milosheviçiane, forcat ushtarake policore
serbe të Prizrenit nxituan të bastisnin Lagjen e Zekajve të
fshatit Korishë dhe atë rast pa ndonjë
shenjë paralajmërimi, në vend që të mbronin qytetarët e
vet, pikërisht aty ku zakonisht pritnit buzagaz çdo mik apo hallexhi
në nevojë, vranë në pragjet e odave të tyre, dy djemt e
Shaban Qerimit, Musli e Vesel Ahmetaj, lindur
në Kolsh (Kukës) më 1934. Meqë këto dy shtëpi nuk
ishin as të fillimit as të fundit nga ana e
malit as nga ajo e fushës në këtë lagje,
madje edhe pse u ndeshën në shtëpitë e tyre edhe kryefamiljarë
të tjerë, lind pyetja: pse u vranë pikërisht djemt e
Shaban Qerimit? Si duket kjo nuk ishte rastësi, por
punë e planifikuar më parë, ngase këto
forca një javë më
parë kishin pasur një kontakt-përleshjeje të pa
pritur të pasuksesshme me Bataljonin UÇK-së
të sapo konsoliduar të Kabashit me ç’rast pas humbjeve
që kishin pësuar detyrohen të tërhiqen me turp nga rajoni i
maleve të Kabashit dhe kështu pasi emri i familjes së
Shaban Qerimit nga intelegjencia e armikut ishte e
njohur më parë si shtëpi strehuese dhe bukëdhënëse e
kaçakëve dhe e njerëzve në nevojë, por në veçanti të
atyre antikomunistë serbosllavë, edhe
pse ky zotshpije kishte mbi 30 vjet që kishte kaluar në
amshim,
por që dihej fort mirë që këto dhanti dhe
plus urrejtjen ndaj çdo pushtuesi e sidomos shovinizmit
serbomadh ua kishte ngulitur thellë si
amanet trashëgimtarëve të tij që me punë, e qëndresë deri
në vetëflijim kishin amanet që mos t’i lëshojnë trojet e veta,
andaj forcat çetnikomilosheviçiane zgjodhën pikërisht kryefamiljarët
e këtyre dy shtëpive Veselin e Musliun për viktima si
masë parandaluese ushtarake për futje
tmerri e lemërie familjeve të tjera që mos të guxonin të
përkrahnin as me bukë UÇK-në.
Sidoqoftë, edhe pse si edhe më parë, edhe
ndërkohë sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s nga forcat e
tilla barbare milosheviçiane ndaj popullsisë së pambrojtur
shqiptare u shkaktuan masakra me
viktima jashtëmarramendëse anembanë Kosovës dhe në vetë
fshatin Korishë, andaj mbase edhe për shkak modestie,
sepse këta dy si persona aktivistë nuk ishin
imponuar më parë, andaj edhe na duket se pak ose aspak po përmenden e
dallohen aktualisht në homazhe e akademi si viktima
martirë vetëflijues nga organizatat politiko-shoqërore të fshatit e
më lartë, prandaj ne po me qëllim njohjeje të opinoinit pse morëm
si shkasmotiv pikërisht viktimizimin e këtyre dy
djemve martirë të Shaban Qerimit,
duke indërlidhur çështjen me të bëmat e vet personalitetit
të Babë-Shabanit si prind kabashas, me pak
fjalë, po rrëfehem, tash fill me këto dy pika:
E para, fshati Reçan i Therandës
(Suharekës), vendlindja ime, i takon
po Rrethbjeshkës sharrake ashtu edhe rajoni i
Kabashit (fshatrat: Kabash, Muzhlak, Korishë e Grejkoc) dhe
në veçanti familja jonë e gjerë Veselaj me
familjen Ahmetaj të Korishës tradicionalisht kishin marrëdhënie krushqie e
bashkëpunimi prej se mbahej mend, dhe konkretisht familja jonë e
ngushtë më intimisht që nga vitet e ‘50-a të shekullit të
kaluar, kur dy vajza të Shaban Qerimit, u bënë nuse të familjes
sonë, së pari, Sherifja (1936), bashkëshortja ime
dhe Nailja (1940) e Baftiut, vëllait më të vogël, që
të dyja lindur në Kolsh të Kukësit, andaj, duke
njohur sadokudo edhe në hollësi realitetin rreth kësaj
familje të Shaban Qerimit, do të përpiqemi që në këtë shkrim të
trajtoj historikun kësaj familjeje.
E dyta, nuk ka familje që historia
saj fillon sot, andaj për të gjetur të
vërtetën historike pa tjetër imponohet domosdoja, siç na u
imponua ne që fillimisht të vëmë theksin,
rreth shembëlltyrës së babës së tyre kryefamiljarit Shaban Qerimi (1900-1967)
dhe pastaj në formë përkujtimi do të ndalemi paksa rreth
portretit njerëzor të dy
martirëve dëshmorë të lirisë të Kosovës Vesel e Musli Ahmetaj,
gjithnjë mbështetur në të vërtetën të parë sa
më objektivisht sipas dioptrisë sonë. Në të vërtetë në
vitet 1966
-1967, pak para ikjes të Babë-Shabanit në amshim,
kam pasur fatin që nga vetë goja e tij, jo si dhëndërr po
si një njeri me shkollë, siç më padehte ai, me ndëgjue për
sfidat dhe të bëmat e përjetuara dhe të realizuara me plot
sakrifica gjatë jetës, afro 70 vjeçare, të tij, ngase e
dinte që edhe unë prej se njiheshim familjarisht isha
në luftë të përhershme me regjimin
antishqiptar tito-rankoviçist, por që mendonim
se tashti pas Plenumit
të Brioneve 1966, mbase qëndrimi pushtetor ndaj
shqiptarëve do të jetë më i zbutur, dhese do ta kemi
më lehtë me jetue, madje edhe me e
shprehë ndoshta pak më me pa drojë
edhe historinë tonë. Fjalët e tij që i kishte
mbajtur brendë të ndryra që tani i dilnin
nga shpirti luftarake përvujtës, ishin befasi për
mua, pasi sipas meje ai njihej kryesisht vetëm si shpi
buke që nuk kishte arritur famë me shkrepje pushke, njihej si
njeri bukëdhënës, si njeri i sakrificës për familje dhe si
njeri human që kishte ndihmuar njerëz në
nevojë. por tash ai zbulohej se kishte qenë një
luftëtar sakrifice, pjesëtar i një familjeje që gëzonte
edhe epitetin si shpi pushke. Sidoqoftë nga
rrëfimet e tij mësova ca hollësi se ai ishte rritur dhe e kishte
drejtuar familjen në kushte të vështira me të dyja tiparet
edhe si familje e bukës, por edhe si familje
pushke, përherë i gatshëm jo me shkrepë një plumb, por disa
herë kishte rrezikuar jetën për kauzë të lartë. Kjo i kishte
ndodhur gjatë periudhës më fatale të historisë së
popullit tonë (1900 -1967), ku edhe historiku i kabashasve dhe
familjes së tij, pasqyronin të vërtetën rreth pësimit
por edhe të mbijetesës në atë kohë katrahurash.
Kështu ne, duke pasur parasysh historinë tonë të
përgjithshme të kësaj periudhe 50-70 veçare të
shekullit XX dhe në veçanti historikun e kësaj familjeje që
simbolizohet me shembëlltyrën e
Shaban Qerimit dhe dhe të bijve të tij
dëshmorë vetëflijues në
kuadër të fshatit Kabashi, pa i harruar edhe elemente të
historikut të familjes sime, këtë shkrim-ese do ta
trajtojmë në këta dy nënkrerë:
I. Jetëshkrimi në disa etapa
i Babë-Shabanit (1900 -1967) ose kush ishte
Shaban Qerimi? dhe
II. Kontakti ynë
me miqtë Veselin e Musliun para vetëfljimit të
tyre më 1999 dhe përkujtimet për ta.
1. kush ishte shaban qerimi (1900-1967) ?
Këtë nënkapitull Kush ishte Shaban Qerimi?, për lehtësi përkapjeje,
jetën e tij e kemi trajtuar në këto 10 nëntituj,
që përfaqësojnë periudha të caktuara të jetës së tij:
1. Lindja e rrita e
Shaban Qerimit deri 12 vjet në vendlindje (1900
-1912 )
2. Robërimi nën Serbi,
rezistencë kaçakësh dhe masakra e Kabashit (1912- 1915), jehona
e Luftës së Zhurit (1915).
3. Shpartallimi i
Serbisë nga Austrohungaria e Bullgaria (1915-1918), hakmarrja
e kabashasve ndaj militarëve e ushtarëve serbë.
4. Rirobërimi nga serbo-Jugosllavia
SKS, (1919-1922)
tri vjet vuajtjesh e hakmarrjesh të
ndërsjella, ikja në Shqipni.
5. Vendosja në Kolsh (Kukës) 1922-1926,
kohë destabilizimi politiko-shoqëror atje (4 vjet).
6.
Gjendja sadopak stabilizuese atje (1926 -1941), normalizimi
familjar e ekonomik (15 vjet), por me fatkeqësi familjare.
7. Kthimi në trojet e veta
në Korishë, ripërtëritje
e gjallërimi nga ribashkimi i familjes (1941-1944, lufta
për mbrojtjen e shqiptarizmës (4 vjet).
8. Jetë e veprimtari me rreziqe
në fillet e regjimin komunist (1945-1956), por
gjithsesi me ngulim e përmirësim gjallese familjare (11 vjet).
9. Përmirësimi i gjendjes shoqërore
e ekonomike (1956 -1966, sfida e
suksese jetësore familjare (10 vjet).
10. Atmosferë e re frymëmarrjeje
e svida të papritura në vitin 1966 në jetën tonë familjare.
Pra 22 vjet i kaloi Babë-Shabani në Korishë pas
kthimit nga Kolshi më 1941.
1. Fëminia e
Shaban Qerimit në Kabash deri 12 vjet (1900 – 1912)
Këtë periudhë 12 vjeçare po e trajtojmë në disa pika:
E para, Shabani u lind në shtëpi të madhe në
fshatin Kabash, mahalla e Gurit, prej nga rrjedh edhe familja e
gjerë Ahmetaj. Ishte vëllai më i vogël prej dy djemve të Qerim Rrustemit dhe nanës MIhane.
Si fëmijë e i ri bazat e edukimit i ka fituar, qoftë
te dajtë te Kodrojt e Budakovës, qoftë në shpi të
madhe kabashase, baza e virtyte këto që ishin: disiplina e dëgjimit dhe
respektimi ndaj më të madhit dhe musafirit, por edhe urrejtja ndaj
armikut.?Në këtë
kontekst kalitej tek ai edhe shprehia e punës: me qenë i vyeshëm dhe i
dëgjueshëm në kryerjen e çdo detyre, brendapërbrenda familjes, qoftë ndihmë
grave në shtëpi të zjarrit, qoftë në odë të burrave, ndërkohë edhe si
bari, apo punëtor krahu, e kështu me radhë, por gjithsesi i duhej
me përvetësue shkollën e odës, ku domosdo kalitej institucioni i
burrnisë, i nderit, besës, por edhe i sakrificës, qoftë edhe për hakmarrje
për cenim të interesit personal e të përbashkët familjar, fqinjësor,
të lagjes, fshatit, fisit – atdheut, ku nënkuptohej që duhej mësuar edhe arti i
përdorimit të pushkës. Në raste të tilla për kabashasit ishte
krenari me qenë shpi pushke dhe “me vdekë shëndosh”, d.m.th. me
qenë i gatshëm për ideal të lartë me vdekë nga
plumbi, litari ..., sepse me vdekë për atdhe lë
mbrapa: gëzim e lavd “si me le”!
E dyta, në atë kohë të Turqisë
shumë kabashas që i iknin mobilizimit ushtarak ose s’donin të
paguanin haraç dilnin komitë (kaçak), andaj edhe kaçakët e tillë ndihmonin
që bylyqet dhe kullosat kabashase të jenë të paprekura
nga fqinj e të huaj plaçkitës, siç ishin edhe
bandat çetnike siriniqase të nxitura nga jashtë, por
kaçakët vendas duhej ndihmuar duke i nderuar me strehim
e bukëdhënie, duke mbajtur në fshehtësi nga pushteti
turk vendndodhjet e tyre ditën, pshtet ai, i cili
kundërshtohej deri në urrejtje, sepse me masat e tilla
të tanzimatit tentonte me i kufizue disa nga të
drejta e liritë e malësorëve.
E treta, me andje këndoheshin
këngë trimnie siç ishin ato kundër
çaushëve, taksildarëve, zotnive e pashallarëve osmanli,
sikur ishte edhe kënga për Rrustë Kabashin “Po
përzihet Perzereni”. Në të vërtetë, Rrusta,
i kabashas, përflitet se me të holla të një zonje prizrenase ishte
bërë i pasur dhe i njohur, pasi kishte blerë tokë
e mullij në Korishë, ku kishte ndërtuar, deri “kullë
me qemere e rreth me xhama”, pa i bërë aman e temena
pushtetit të kohës, andaj vazhdonte edhe të mos i respektonte as pushtetarët
turq dhe gjithnjë respektonte e respektohej nga kabashasit. Kështu
pasi në një kuvend i ishte cenuar sedra e burrit që lidhej me
institucionin kanunor të dorëzanisë, Rrusta gjen rast
dhe vret një pushtetar turk në za (Shaqir Agë
Nishin, prej nga fiton popullaritet, po pëson nga ushtria turke, veç tjerash
me djegie kulle si dhe me syrgjnosje në Azi të Vogël.
Ndërkohë amnistohet, kthehet dhe mëkëmbet përsëri, madje tashti fiton autoritet
edhe më të madh si pleqnar. Lidhur me këtë po përmendim vetëm një
rast, siç më ka treguar im atë që kishte qenë i pranishëm si djalëmbasplaku i gjyshit
të tij kryepleqnarit Mehmet Reçani, i cili
me Rrustën kishin pajtuar 24 gjaqe mes fshatrave Kabash
e Lubishtë në anë të Vitisë (më 1902). Me ç’rast si kurorë
pajtimi, pasi të dy palët u kishin lënë në
prehër pleqninë që këta e kryejnë “mend
e zemër”, më në fund vdosin edhe për ceremoninë
e përmbariminË Takimi të bëhet në një lëndinë
mes dyfshtrash. Rrusta në emër të
kushërinjve kabashas në njërën anë dhe bnë anën
tjetër Mehmet Reçani, si nip “i dajve” i
fisit sopë (si ishte popullata e fshatit Lubishtë), pra
të dy, në Ledinën e Pajtimit, në emër të fshatrave
përkatës, Shqiptojnë me të madhe fjalët
-O burrë i dheut falë të kofshin
për jet e mot varrët dhe gjaqet prej anës sonë!
-Kofshi faqebardhë, edhe prej anës sonë fal u
qofshin varrë e gjaqe, për jetë e mot!
dhe simbolikisht, shtrëngojnë duart e
përqafohen. Kështu pastaj përshëndeten edhe palët
e sapopajtuara me buzëqeshje e lot gëzimi”, pasiqë në
të vërtetë kishin qenë fort të lidhur me krushqi e miqasi.
E katërta, sidoqoftë, pa përmendur
ndërmarrje të tjera po theksojmë faktin
se Rrusta si kren e luftëtar del i implikuar edhe
si njeri politik, andaj ishte i inkuadruar
në lëvizjen politike kombëtare kundër Turqisë. Si i
tillë mbante lidhje edhe me Lumë e Malësi (të Gjakovës),
por ndërkohë edhe me Isa Boletinin, konkretisht rreth
ngjarjeve të viteve 1908 dhe 1910 që për
këtë të vërtetë na ka dëshmuar vetë djali
i Rrustës, Sadri Haxhia, më 1967, i
cili mbante mend kur Isa kishte ardhë në
odën e tyre, atë si fëmijë e kishte marrë në
prehër dhe ky paska luajtur me myhyrin, medalonin e tij, që
ishte i ngjashëm me atë të Babës-Rrustë, që
i kishin dhurata nga Sulltan Hamiti II, kur
këta kishin qenë të surgjynosur në
Stamboll, kur ai i amniston, por edhe i përvetëson apo i
obligon politikisht, andaj që të dy do të
manifestonin me fjalë, por
edhe me armë kundër Hyrjetit më 1908,
duke kërkuar si pretekst, rikthimin e Kushtetutës me
Sulltan Hamitin në post. Po ai bashkëpunim mes Isës
e Rrustës do të jetë i dukshëm edhe rreth ngjarjeve
të vitit 1910, gjatë organizimit të vazhdimit
të rezistencës në Luftën e Carralevës. pas dështimit
në Grykën e Kaçanikut.
E pesta, siç na është e njohur, pas
dështimit të Betejës në Grykën e Kaçanikut u organizua front i
ri lufte në Grykën e Carralevës. Në të vërtetë ky
front nuk kishte të bënte vetëm me zënien e
një grykëmali, por ai ishte front i
gjerë Jezerc-Drenicë. Përgjësinë e këtij fronti e kishte Isa Boletini, Hasan Hyseni e
të tjerë, por edhe Rrusta, i cili nga Kabashi dërgon në këtë front së
paku 30 luftëtarë të rryer, siç ishin Ymer Uka,
Shaban Mustafa, Hysen Rexhepi e të tjerë, në
mes të të cilëve ishte edhe luftëtari i
njohur Qerim Rrustemi, babai i Shabanit, të cilët zënë
vend rreth Grykës së Carralevës, afër
Shtimes, në malet Belincë Rancë e Zborc, ku
si epror për këtë pjesë të Sharrakut ishte Hasan Hyseni, ndërsa Isa Boletini më
tepër dukej i angazhuar në sforcimin e radhëve nga
ana Drenicës, përfshirë terrenin tutje
fshatit Carralevë. Ndërkaq nga krahu
i Jezercit nga GuriRreth, pasi nuk pritej ndonjë
depërtim, veç vendasve ishte përgjegjës edhe Ali Bajraktari i Budakovës,
po gjithandej ishte paraparë përfocimi nga ana e lumjanëve.
E gjashta, siç kemi dëgjuar
nga të tjerë, por edhe
nga vetë Qerim Rrustemi (më 1951), përpjekja
e parë e depërtimit të turqve vërtet ndodh në Grykë
të Carralevës, 2-3 ditë pasi këta luftëtarë kishin
zënë vijat e caktuara të frontit dhe pritnin. Në të
vërtetë vetë Qerimi porositet me shkue me marrë
bukë (ushqim), përtej Prronit, te disa
shpi në Carralevë. Në rrugë e sipër heton dhe hetohet nga
patrulla e ushtrisë turke dhe veç burisë së
alarmit ndjen edhe urdhërin “atesh!” (zjarr!),
andaj ky me shpejtësi kthehet dhe informon bazën
se turqit ishin nisur me zënë një kodër strategjike. Interesant, luftëtarët
kishin qenë tue u shty me fjalë cili ma trim se tjetri,
pikërisht dy trima Hasan Reçani qëi lavdohej se asht
ma e fortë gaca e rrafshit se shkrumbi i
bjeshkës, Rexhë Bardhi i përgjigjej lloçi
i Reçanit s’mundet me u shty me gurin e bjeshkës Tash me të marrët e
lajmit lënë fjalët dhe që të dy si dhe të gjithë trimat pasi
e njohnin terrenin u nisën me vrap, që
të dykëtsa btrima Hasani e Rexha ishin udhëheqës
të grupeve ose të fshatrave përkatës që
kushtrimin e tubimit ose nisjen për në front e kishin sinjalizuar me
shkrepje arme në kodrinën përkatëse para ose
mbi shtëpitë e tyre. Kështu këta të dy sulmojnë së
pari me shkrepje martine (pushkë me një fyshek), pastaj
me armë të ftohta dhe shpejt e
shpejt Hasani ia rrëmben manzerkën (pushkë me
pesë fyshekë) një ushtari, por plagoset nga ushtarë të tjerë,
megjithatë, pasi zë vend mes dy lisash vazhdon qëndresën me
pushkë, Rexha gjithashtu sulmon dhe plagoset më
lehtë, po nuk zbrapset, kapet fytafyt me një grup, të cilët e
shpojnë me bajoneta, por ndërkohë
arrijnë forca të reja shokësh shqiptarë, të
cilët detyrojnë tërheqjen e turqve. Në të vërtetë, siç thuhet,
pasi luftëtarët e fshatit Sllapuzhan e spastrojnë
terrenin, tërhiqen disa të plagosur shqiptarë, ndër të cilët
rëndë Rexhë Bardhi. Tërhiqet gjithashtu edhe kufoma
e Hasan Reçanit që kishte mbetur në
këmbë (!), mes dy lisash.
Pra, kjo ishte përleshja e parë
turko-shqiptare që detyron zmbrapjen e turqve. Thuhet se po
ashtu tentime të tilla të pasukseshme turqit kishin pasur
edhe në vija të tjera të frontit të gjerë.
E shtata, sipas fjalëve të
Mulla Shaqirit djalit të Hasan Reçanit, atëherë 10
vjeçar, kufoma
e të jatit sillet natën me zhagëz nga
djali i tij Munishi me ca shokë të luftës dhe
të nesërmën varroset me nderime. Gjithashtu
edhe Rexhë Bardhi, siç na tregoi djali i tij më 1970, atëherë 7
vjeçar, Abdyli, pas njoftimit gjyshja e merr pë dore
dalin përpara dhe nën Papaz takojnë ata që
e sillnin babën. E kishin pas qëitë në
një tokme saj. I lishin pas shtrue
e mbulue me jorgana. Baba ish gjallë po
i plagosur rëndë. Kështu e sollën në shtëpi .
Për shërimin e tij kujdesej mjeku popullor, Mehmet Xhafa, i
cili edhe vetë ishte i plagosur. Ai e shëronte me
ilaçe popullore: me kripë e qepë, me fluçka djathi, me
mjaltë e të kuq të vesë etj. Kështu jetoi gati një javë dhe
pasi lypi me nxjerrë jashtë.
Sa u çmall tue shikue u nda nga kjo
jetë. Pati shumë xhematë në varrim e në të pame, madje në
të pame, i kujtohej Abdylit, erdhi Rrustë Kabashi, trupmadh
e me mjekërr të bardhë që ishte shumë i merzitur,
krejt i këputun –i cili ndër të tjera foli:
Ma ka rrok mendja se
ka dekë Rexhë Trimi, sepse nuk pati kush me më nxjerrë
prej andej, andaj edhe unë kam mbarue... Jam
plakë kambët nuk po më mbajnë...
E kërkoi kalin
e Babës. Gjysh Bardhi ia dha. Me të shkoi në Korishë.
E teta, po nuk kaloi shumë kohë,
sipas Abdylit, u ndien topat që krisen më së pari
kah Kokollarët, mbi shtëpitë
e Hysen e Halit Kokollarit, pastaj te lagja e
Buçëve, ajo e Bajrakatarëve dhe pasi ne
ikëm KryeReke e së andejmi kah Guri i Madh, ia nisen me ra
gjylet
edhe mbi shtëpitë e fqinjve tanë. Abdyli, kishte
vërejtur që gjithandej ku ishin lumjanët binin gjylet e topave më
shpesh. Lumjanët me shpejtësi mblidhnin të plagosunit dhe u
tërhoqën.
E nënta, çështja e Haxhi Rrustës edhe
sot do shpjegim. Sipas Shaqir Hasanit, ndërsa
vazhdonte fronti i rezistencës Jezerc-Drenicë, nuk
dihet, pse Rrusta u gjend në anën e
Gjilan-Ferizajt, ndoshta ka dashtë me u takue me Idriz Seferin e
ku ta dimë, por
sidoqoftë atje hetohet dhe kapet nga forcat e ushtrisë
turke. Në ballafaqim
me Shefqet Dergut Pashën, ai refuzon
se kishte gisht në organizimin e kësaj
rezistence, atëherë turqit e vënë në sprovë lojalitetin e
tij. E detyrojnë të prijë në rrugën kah Reka e
Madhe, Jezerc-Budakovë, pasi dihej se Rrusta në Jezerc kishte
plot nipa e miq. Ashtu kishte edhe
në Budakovë. Dhe vërtet pak pa mbërri te Gurirreth, ku
ishin pritat Rrustën e detyrojnë që nga një kodrinë me zë
të lartë me thirrë: Hej unë
jam Rrustë Kabashi, mos qitni!
E dhjeta, gjithsesi loja e turqve del
e sukseshme. Kështu turqit shfrytëzojnë këtë
rast dhe pa humbje depërtojnë në Rrafshnaltën
mbi Budakovë, ku sjellin shumë forca dhe armatim të
rëndë. Tashti Rrusten e lënë të lirë, dhe nuk nxitojnë
me sulmue menjëherë Budakovën, po atë do ta bëjnë ndoshta
për taktizim kur Rrusta veç kishte
mbërri në Korishë dhe së andejmi me gjamë e
dhimbje vërente kah digjej Budakova e Hasan Hysenit.
E dinte se çfarë do ta gjente edhe shtëpinë e familjen
e tij, nëse reziston apo tenton me fshehë, prandaj edhe për shkak
të moshës e të familjes nuk nuk ternton me
u arratisë.
E njëmbëdhjeta, në të vërtetë turqit
pasi arriten ta shpartallonin frontin Jezercë-Budakovë,
edhe pse sipas Mehmet Kodrollit, “lumjanët, edhe pse të hunit
e të konopit frontin e tyne e mbajtën veç një ditë,
kurse na tri ditë, po me topa na mujtën”. Si
rrjedhojë atëherë edhe fronti i
Sharrakut të Carralevës dhe ai i
Drenicës ishte ligshtuar keqas nga mbrapavija. Kështu Isa Boletini detyrohet
me gjetë shpëtim në Isniq e në Mal të zi,
ndërsa Hasan Hyseni me dy djem dhe me
disa shokë si
Bajraktari Ostrozubit, Hysen Rexhepi i Kabashit e të
tjerë, u detyrua me gjetë strehë shpëtimi në
Serbi. Baci Nazif (simixha im) mbante mend
se edhe, “baci Muharrrem (im atë) ish nisë
me Alinë, djalin e Hasan Hysenit, por
Bafti Balia i ka thanë, ktheu se këta po shkojnë në Serbi.
E dymbëdhjeta, sipas Shaqir Hasanit vetë Shefqet Dergut Pasha prej
rrugës Jezerc-Budakovë zgjirgjet në Reçan, verifikon
varrin e Hasanit, e burgos Munishin e pjesëmarrës të
tjerë, e pyet Shaqirin që ndiqte mejtepin, çka je, ky
i përgjigjet “Tyrk elhamdylilah.”. Ai çuditej, bënte allah allah! Djali
turk në mejtep, baba kaurr! Njerëzit tanë mbroheshin se mileti
ka qenë i mashtruar, sepse na kanë thënë se po
luftojmë serpin, mos me ardhë(!). Si duket ky
shpjegim ka ndikue, sipas Shaqirit që bacin Munish,
që kishte qenë në luftë me Babën nuk e mundojnë shumë, por
të tjerët që i zunë në katund i kanë pas
prishë fallak. Shumë burra dolën kaçak, ndërsa populli prej
tutësh u tubue te shpia e
Ukë Mehmeti (gjyshi yt) që a kanë suhari. Atje e qiten
bajrakun turk.
E trembëdhjeta, pas fitores
turqit burgosën shumë veta, ndër ta
edhe Mehmet Reçanin e Zenel Bajraktarin e Suharekës po
edhe Rrustë Kabashin. Mehmet Reçanin, edhe pse
djemtë e nipat e tij kishin qenë pjesëmarrës në
atë lufte e lirojnë. Sidoqoftë, pasi i shtrijnë fallak për
me tregue se kush u thënë me shkue në luftë i liruan edhe
do kabashas e suharekas në za, por
jo krentë: Rrustë Kabashin e Zenel Bajraktarin
e Suharekës, të cilët i varin.
E katërmbëdhjeta, meqë Shaban Qerimi, 10
vjeçar, kishte nipa
e dajë te kokollarët e Budakovës por dhe në Reçan kishin miq, sepse Hasan Reçani ishte
dhëndër kabashi (i Mustafë Shabanit), jo vetëm këto
ngjarje i mbante mend dhe i shpjegonte pothuajse edhe
më në hollësi seç bëra unë, por mbante mend edhe, kur
u kthyen këndej Isa Boletini e Hasan Hyseni e
të tjerë dhe u aktivizuan përsëri në proceset
aktuale në luftë për çlirimin e vendit nga Turqia. Në këtë periudhë
historia njeh Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën që si
shkollarë vepronin edhe me diplomaci, ashtu si
edhe Ismail Qemal Vlora, i cili më
28 Nëntot 1912 shpalli Shqipninë e
pavarur, që ishte vërtet vendim me vend, por doli shumë i vonuar, pasi
Shqipëria atë botë pothuaj e
tëra ishte e pushtuar nga vendet
fqinje, kur edhe Kabash e Korishë ranë nën Serbi.
Babë-Shabani për këtë kohë i
mbante mend të këqijat që erdhën si breshën nga
pushtuesi i ri.
2. Pushtim-sundimi serb, 1912- 1915,
rezistenca kaçake dhe
masakra serbe e Kabashit (1913)
Edhe këtë periudhë 3 vjeçare që e mbante
mend mirë Babë-Shabani do ta trajtojmë në disa pika,
por për këtë natyrisht ne shfrytëzuan edhe burime
të tjera:
E para, pra më 1912 edhe
Kabash e Korishë u mbuluan me hijen e zezë të
sundimit të Serbisë dhe ai pushtet për qetësimin
e popullit të robëruar dhe të kabashasve kishte autorizuar
institucionin e gjandarmerisë, ku ishin caktuar me detyrë
zakonisht rajë të fshatit Korishë. Në këtë fshat kanë qenë
10 shtëpi ortodokse, çifqi në tokat e zotnive të Prizrenit, të cilët
të përgatitur nga popat e bandat e mëparshme serbo-çetnike, edhe
pse ishin ortodoksë shqiptarë, veten e quanin
serbë. Këta, më fort do axhami të tyre, sidomos tash me
ardhjen e serbëve si pushtues primitivisht filluan
me çue krye kundër fqijnve të vet “turq”,
duke trilluar e inskenuar lloj-lloj shpifjesh se gjoja në
kohë të Turqisë fqinjtë shqiptarë i kishin tushkitë ata. Zmadhonin
çdo ngatërresë, sado e vogël që mund të
ketë qenë në jetën e përbashkët ndërfqinjësore dhe për
faljen e ngucave të tilla nga e kaluara pothuaj e
harruar kërkonin kompensim në lira turke,
përndryshe e kanosnin palën se do të
denonconin në gjandameri, ku diheshin pasojat, sepse
kush hynte atëherë në duart e gjandarmërisë serbe, ose
humbte kryet ose nuk kthehej shëndosh. Shpirti i ëmbël, dikush
paguante gjobitjet e tilla e dikush që s’mund të
duronte poshtrime të tilla, rrokte pushkën
dhe i bashkohej grupit të kaçakëve, të cilët
vazhdonin të ekzistonin si në kohën e Turqisë. Ashtu
u ndodhi shumë të rinjve, siç ishte edhe Sali Shabani, 19
vjeçar, për të cilin pati shpifur
diçka Maksim Rista dhe kërkonte ta gjobiste, por ky rroku
pushkën dhe iu bashkua grupit kaçak të Sahit Ukës.
E
dyta, sipas fjalëve të Babë-Shabanit (më 1967) dhe
të vërtetuara nga Brahim Uka dhe Nebih Sahiti të
shënuara prej meje më 1970. (Shinemet i ruaj si dokument),
ashtu edhe mbi bazë të disa burimeve të tjera të
botuara pas Çlirimit të Kosovës 1999, kaçakët e Kabashit si në
kohë të Turqisë vazhdonin të ekzistonin (ditën në mal, natën
ushqeheshin në shtëpia të
caktuara) dhe me gjeniet dhe unin e tyre
luftarak mbronin lirinë e vet dhe sadopak dinjitetin e popullit
që i mbante, të cilët jo vetëm nuk pranonin të paguanin gjoba,
por assesi as me i dorëzue armët, siç
kërkonte gjandarmëria, organ i instaluar nga pushtuesi me
autorizime deri ekzekutive.
E treta, lidhur me sa më
sipër, njëherë kryekaçaku Sahit Uka,
zbret nga Kabashi në shtëpinë e vet në Korishë,
ku rastësisht zatetet në
rrugë me patrullën e gjandarmerisë, e cila tenton ta
ndalojë, po ai reziston me shkrepje revole në hava dhe kështu i
shpëton arrestimit. Patrulla bën plan që të shkojë natën dhe ta arrestojë
ose ta likuidojë. Dikush nga grupi shokëve të tij të
malit ua kuptojnë qëllimin dhe kështu në rrugë e
sipër ajo patrullë prej tre vetësh likuidohet. Gjindarmëria bëjnë
edhe tentime të tjera të pasukseshme për të kapur kaçakët, po kjo
ishte e pamundur, andaj bashkë me parinë serbe të
fshatit shkojnë e ankohen te Komandanti i Ushtrisë (Armata III –
Divizioni i Shumadisë) në Prizren. Komandanti
u shpjegon që ushtria e tij është e destinuar për
punë më të mëdha, si p.sh. jemi të përgatitur me marrë
Shkodrën e sa për kaçakë, kapjen e asgjësimin e tyre e
ka për detyrë gjandarmeria dhe i këshillon, nëse jeni pak,
kërkoni forca ndihmë nga Siriniqi e Srecka e
gjithandej nga Ferizaj dhe përgatituni mirë
dhe kështu qetësonie së pari Kabashin, pasi qenka
çerdhe komitësh, pastaj edhe Korishën. Menjëherë fillohet me
u veprue sipas këtij mësimi. Pa vonuar shumë, me forca të
shumta gjandarësh dhe militarësh të armatosur mirë nga
qeveria, si të thuash, ishte bërë tamam ushtri,
nga ana e Siriniqit i afrohen Kabashit, mirëpo,
luftëtarët kabashas pasi që më parë ua kishin zbuluar
këtë fshehtësi, si luftëtarë të rryer që
ishin, zënë pusitë në vend të përshtatshëm pa hyrë në
Kabash dhe kështu me luftë e presin atë “ushtri”, e
cila me shumë të vrarë e të plagosur detyrohet me u
tërheqë e turpëruar. Kabashasit krenoheshin për këtë fitore
që e kishin arritur pa asnjë humbje, vetëm me një
plagë-gërvishje të vogël të një luftëtari në këmbë.
E katërta, serbët përfaqësues të pushtetit
civil e të gjandarmerisë përsëri shkojnë e ankohen
te Komandanti i ushtrisë në Prizren, dhe tregojnë për humbjen e
re ndaj kabashasve dhe përsërisin kërkesën për
ndihmë. Komada kupton këtë si ngjarje serioze që u
dashka të intervenojë ushtria. Kështu nxjerr tri tabore ushtarë mbi
Kabash, në anë të Skorrobishtit dhe nga ajo anë e rrethon
fshatin Kabash. Së pari, komandanti e fton kryeplakun
e Kabashit Arif Ahmetajn, për me tregue se
kush janë ata që jo vetëm nuk po i dorëzojnë armet, po
edhe po vrasin xhandarë e serbë?! Kryeplaku thotë
se të gjithë jemi të qetë, por përmend si të
pabindur vetëm emrin e Sahit Ukës. Atëherë
komandanti i nervozuar e vret kryeplakun
dhe menjëherë urdhëron granatimin e shtëpive, sidomos ato
të Mahallës së Gurit (të Ahmetajve). Kështu
Kabashi kallet flakë. Popullata ikin në male e së
andejmi edhe në fshatrat të tjerë,
sepse pas bombardimit nëpër shtëpitë e fshatit hyn ushtria
dhe kënd e gjente gjallë fëmijë e pleq i vriste dhe
njëherazi plaçkiste gjithçka, sidomos gjëra ushqimore, madje
edhe bagëti. Kështu afro tri javë Kabashi mbetet
i rrethuar, por ndërkohë, pushteti lëshon fjalë se gjoja bombardimi paska qenë gabim i
madh (!) dhe se Krali jo vetëm i ka falë krejt popullsinë dhe të
gjithë ata burra që kthehen në shtëpi të veta.
Familjeve që kthehn do
t’u ndajë drith e ndihma të tjera, por edhe
do t’i pajisë me letra identifikimi, ndërsa ata që nuk
kthehen ose kthehen e nuk kanë letra do
të trajtohen armiq dhe do të likuidohen. Njerëzia ia nisin
me u kthye, sepse pushteti me dinakri gjeti
dhe emroi dy kryepleq të rinj, për dy mahallat: Sylë Izlamin për Mahallën e Gurit
(Ahmetaj) dhe Bajram Hajdarin për mahallën e Zenelajve,
të cilët vërtet i pajis me lejenjoftima dhe me
ndihma. Ata i porosit me bë propagandë për
me i kthye të gjithë e sa më
parë. Ndërkohë meshkujve që u kthyen në shtëpi të
veta, 15 vjeç e përpjetë, u bëri ftesë që në një datë të caktuar me
u tubue te Manastiri i Kabashit, ku do të pajisen
me letra identifikimi.
E pesta, vërtet, ditën e
caktuar më 16.03.1913, në ndërtesën e
manastirit, i cili paska pasur 16 dhoma dhe një sallë të
madhe, tubohen afro 90 kabashas. Ata nuk i lejonin të
largoheshin, duhet të pritnin fotografimin për
letra dhe natën fillojnë me nxjerrë jashtë një nga
një dhe fillojnë me i fotografue duke
u çarë kokat me sopatë, e duke
ua hedhur trupat në rrëpinë të përroit. Vetëm
pak prej tyre kanë mundur të shpëtojnë.
E gjashta, meqë numri i të masakruarve dhe
i të shpëtuarve në burime të caktuara nuk del i njëjtë, nga
dikush hiperbolizohet e nga dikush tjetër minimizohet, ne u
mbështetëm në një listë të botuar në
internet dardania. Albaniaforum. Net / historiA e
fshatit Kabash të Prizrenit, ku janë shënuar emrat e viktimave të
identifikuara, numri total i të cilëv e del kështu:
Të masakruar me sopatë më 1913 në
cungun dydegësh te Livadhi i Kishës së Shën Markut në Kabash
70 vetë., përkatësisht kishin qenë 79, por prej tyre kishin shpëtuar
9(!?).
Të vrarë në luftë me ushtrinë serbe më
1912, 3 vetë.
Të shkuar me bajoneta
te Prroni i Duhit më 1913, 10 vetë.
Të prerë te Stani
i Rekës në Korishë dhe tek Ara Ograjë
e Rrustë Kabashit, 17 vetë.
Të pushkatuar e të masakruar të tjerë të
shënuar në këtë listë, 4 vetë.
Kështu numri i të vrarëve në burim del i shënuar
115, kurse sipas listës arrin gjithsej 101 viktima, ndërsa në tekst
del gabim numri rendor 102(!?).
Në versione të tjera numri i të persekutuarve dhe
të vrarëve arrin deri 130 (!). Sidoqoftë, kjo shifër lypset
rishikuar, ngase si fryrjet, si minimizimet shkencërisht janë
të palejueshme.
E shtata, edhe pas
këtyre masakrave dhe largimit të një pjese të
ushtri-gjindarmërisë, gjendja në fshat e gjithandej aspak
nuk u qetësua. Çeta e kaçakëve u rrit edhe më shumë, nga 20 në
40, por edhe burgosjet vazhdonin. U shtua edhe një e keqe tjetër futja e
përçarjes mes shqiptarëve, sidomos nga Korisha bukanike, që
ishte burim i jetës së kabashasve dhe të luftëtarëve
kaçakë atje, ngase pushteti joshte grindje me para,
pozita e nëpunësim, deri edhe me detyrë
kryeplaku, gjandari e spiuni me pagesë etj. Qëllimi ishte izolimi
i kaçakëve, burgosja ose likudimi i tyre.
E teta, mirëpo edhe nën këto kërrcënime,
pas masakrës, burrat e Korishës bëjnë llaf me
u takue në një odë dhe me vendosë që assesi mos me ndërpre
ndihmën për kaçakë e njerëz në nevojë, dikush informon
dhe në këtë situatë burgoset Qerim Rrustem,
vetë i treti, i cili vërtet që më parë ishte në
listën e kaçakëve të rrezikshëmme të vëllain Ahmetin,
prandaj pritej të likudohej. Por në këtë situatë, në
burg i ofrohet pikërisht Spirë Delloci, kasapi kryesor i
masakrës te Manastiri, i cili, pasi njihej më parë
me Qerimin, hyn në bisedë me të dhe
jo vetëm e shpëton atë me shokë nga likuidimi,
për edhe e liron(?!). Po pse dhe si ndodhi kjo njohje
dhe ky lirim?! Për këtë ja si na shpjegoi
nipi Qerimit Asllan Asllani 88 vjeçar, më
24.03.2019. Sipas të tij, familja e Spirës
nga Delloci me fis bytyç, shqiptar ortodoks, paska
qenë e njohur dhe paska pasur traditë njohjeje e
bashkëpunimi me besë e sivllamëri me familjen
e Qerimit (Ahmetajve) nga Kabashi shumë kohë më
parë. Këto familje kishin ndihmuar njëra tjetrën në kohë të
vështira në shumë mënyra, deri edhe në këso rastesh: Kur ka
ndodhur në dimna të vështirë që familjes
përkatëse me iu sosë (hargjue) ushqimi i bagëtive e
familja tjetër ka pasë, nevojtari i ka çua bagëtitë te
familja e tjetrit dhe kështu i
kanë qitë bagëtitë në pranverë, prandaj për hir të
kësaj të kaluar të përbashkët, Spira i
thotë Qerimit se paska folë me popin me
ju ndihmue, por për me ju falë e me
ju lirue duhet për popin me dhanë pak pare (një qyp me
lira), përndyshe qysh po shihet prej këndej nuk
mundeni me dalë gjallë. Në të vërtetë familja
e Qerimit ashtu vepron gjen
pare dhe ai me 2 shokë shpëton dhe pasi e dinte
se ajo e falme ishte sa për me ia marrë paret, menjëherë ikën
në Shqipn,i ndërsa të burgosurit e tjerë si p.sh disa
nga Lubizhda edhe pse paguajnë likuidohen.
E nënta, Qerim Rrustemi bashkohet
me një mori refugjatësh në Shqipëri. Si duket ky edhe më parë ishte
njohur me familjen e Hoxhajve të Zhurit, mirëpo tash e
trashë këtë miqasi me Mulla Nasufin, imam në xhaminë e atij
fshati, i cili ishte promotori praktik para dhe tash në
luftë kundër serbëve. Në të vërtetë
Mulla Nasufi pajtohet me Hasan Prishtinën për me nis
luftë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj
me Shqipni. Kështu organizohet e ashtuquajzura Lufta e
Zhurit më 1915, në të cilën ka marrë pjesë
edhe Qerim Rrustemi me
shumë kabashas si Adem Rrustë Kabashi, Hysen Rexhep
Kabashi e shokë të tjerë. Në këtë luftë ka ra dëshmor i
riu Azem Kabashi, i vëllai më i ri
i Hysen Rexhepit.
E dhjeta, me që forcat serbe kishin epërsi në numër
dhe në armatim, kjo ndërmarrje
e Hasan Prishitnës dështon, madje nuk pati
përkrahje as nga disa krenë agallarë të
Zhurit e gjithandej. Sidoqoftë, kabashasit ishin
të gatshëm për veprime, kudo që paraqitej nevoja, disa prej tyre së
shpejti edhe do të kthehen si kaçak në vendlindje.
3. Kapitullimi i Serbisë në
luftë me Autrohungarinë e Bullgarinë, hakmarrja
e kabashasve ndaj ushtarëve
e militarëve serbë (1915- 1918)
Edhe ngjarjet kryesore të kësaj
periudhe, 3 vjeçare, po i trajtojmë në disa pika:
E para, siç dihet pasi më 14
qershor serbët bënë atentat në Sarajevë, ku
vranë Franc Fredinantin, Austriohungaria i
shpall luftë Serbisë një muaj më vonë. Ndërkohë,
me 14 tetor 1915 edhe Bullgaria i shpalli luftë Serbisë dhe
kështu Armata e mundur e Serbisë, sipas sugjerimit të
Francës, filloi të tërhiqej drejt Durrësit, andaj
kaçakët e Kabashit shfrytëzuan rastin të bashkohen në vendlindje
ku numri i tyre nga 40 do të shumëfishohet, të cilët do të
shfrytëzojnë pra këto rrethana me u hakmarrë ndaj ushtrisë serbe dhe këtë
e bënë, siç do të shpjegohet në pikën vijuese.
E dyta, tashti përfaqësues të
gueriles kabashase, Ymer Uka i Ukë Ymeriti me dy
– tre shokë i del përpara Armatës bullgare në Kaçanik
dhe, si me thënë e informon komandantin për frontin që
kishte organizuar ushtria serbe nga ana
e Siriniqit dhe njëherazi propozon që si aleat do
të ndihmojnë bullgarët duke i sulmuar në prapavi serbët dhe
se këtë e bëjnë për me nxjerrë hak për masakrën e mbi
100 kabashasve. Komandanti bullgar pajtohet edhe
për hakmarrjen, por ajo duhet të pushojë, sapo Armata bullgare të
arrijë andej. Si duket serbët e pritnin kot sulmin
bullgar nga e ana e Siriniqit. Bullgarët vërtet
afrohen në atë anë, por me taktikë depërtojnë si autrohungarezët nga Gryka
e Carralevës drejt Prizrenit dhe kështu kjo pjesë
e ushtrinë serbe mbetet e shkëputur nga
baza, e deziorientuar dhe e demoralizuar, sidomos pas
sulmeve të kabashasve. Kështu ushtarë e
oficerë në panik grumbullohen në Manastirin e
Kabashit. Aty të
rrethuar nga kabashasit dorëzohen pa kurrfarë kushti. Tash kabashasit veç armatimit,
zunë rob tërë atë ushtri. Kështu një pjesë të ushtarëve do
t’ua dorëzojnë bullgarëve, ndërsa një pjesë tjetër (ushtarë
e militarë siriniqas) i dërgojnë pak më nalt në
Kishën e Keqe të Kabashit dhe aty afro 140 vetë i
vrasin për të nxjerrë hak për masakrat e vitit 1913. Mbase
numri është i fryrë, por sidoqoftë të vrarët (ushtarë
e militarë) i fusin në një varr masiv. Jo vetëm me
kaq në Korishë te Lug-Mahalla vriten edhe 13 militarë serbë,
ashtu edhe 8 te Ara e Salihit. Kështu për
hakmarrje, thonë
se u bënë, ndoshta, mbi 160
viktima serbë.
Shënim: Edhe
pse edhe për numrin e të vrarëve serbë për hakmarrje ka fryrje
e minizime, por
sidoqoftë, ne edhe këto vrasje i
quajmë të qortueshme, mirëpo në krahasim me ato serbe që
vranë fëmijë, gra e pleq dhe dogjën shtëpi
dhe plaqkitën gjithçka, kabashasit vranë
kryesisht ushtarë e militarët vendës të mobilizuar
në ushrinë serbe. Asnjë serb rajë nga fshati nuk është
vrarë i nxjerrë nga shtëpia, nuk është djegur asnjë shtëpi serbe, madje nuk
ka pësuar asnjë grua e fëmijë i tyre.
E treta, edhe pse edhe
pushteti bulgar kërkonte dorëzimin e armëve dhe mobilizim në
ushtrinë e tyre, kaçakët kabashas assesi nuk i dorëzuan
armët, madje numri i kaçakve u shtua edhe në fshatra
të tjera. Sidoqoftë, bullgarët lejonin, madje
caktonin kmetë (kryepleq) e kryetarë komunash për
të ruajtur qetësinë qytetare. Kështu,
b.f. Hasan Hyseni emrohet kryetar komune
(predsednik opshtine) nuk Muhlan, të cilin vitin e fundit
e zëvendësoi djali i tij Aliu.
E katërta, ndërsa në zonën nën pushtimin
e Austrohungarisë kishte më shumë liri e
shprehje shqiptarësie, në zonën bullgare kjo mungonte. Meqë Zhuri i
takonte zonës austrohungareze Mulla Nasufi, siç vepronin
edhe të tjerët gjithandej në Shqipninë austriake, edhe ky
hapi shkollë shqipe në Zhur, madje zhvilloi aktivitete të
tjera kombëtare, u bë i njohur si pleqnar. Mjerisht në
viset nën pushtimin bullgar mbretëronte pushteti
i terrorit, i skamjes, pa liri kombëtare. Pati mobilizim në
ushtri, siç i ndodhi një fqinji tonë, Maliq
Ukës. Gjthashtu, pati burgosje e syrgjynosje familjesh, siç
ndodhi një pjesë të familjes së Miftar Bajraktarit
të Budakovës. Për arsye mosbindjeje që arrestuar edhe axha
im, Mustafë Uka - Veselaj., i cili dërgohet si i
tillë në ndërtimin e hekurudhës në Kërçovë. Siç tregonte
mixha Mehmet (Kodrolli), aq ishin të ushqyer keq, me
muaj vetëm njëherë u kanë dhanë çorbë me mish kali e
njëherë tjetër me mish qeni. Shumë vdiqen. Na nja 12 vetë
kemi ikun dhe kambë nëpër male për 9 ditë mëzi kemi ardhë këndej.
E pesta, sidoqoftë, pra, edhe në
këtë periudhë skamjeje familja e Shaban Qerimit ishte e
fokusuar në ndihmë e strehim për njerëzit në nevojë e
sidomos për kaçakët, ku ishte i involvuar veç
babës Qerim e axhës Ahmet edhe i vëllai Asllani,
por ndërkohë ndodhi fati edhe më i keq me humbjen e luftës
së Austrohungarisë dhe të Bullgarisë, u legalizua rikthimi i sundimit
serbo-jugosllav në këto troje.
4. Rikthimi i serbo-jugosllavisë, 3
vjet vazhdim hakmarrjesh të ndërsjella, burgosje, emigrime
(1918-1922)
Edhe këtë periudhë sikalimtare (3
vjeçare) do ta trajtojmë në disa pika:
E para, ndonëse rikthimi i pushtetit
serb tash jugosllav nuk ndodhi me shumë viktima si srpi i
parë edhe ky pushtim ishte mbase edhe më fatal se
i pari për shqiptarët, sipas
kuptimit, sepse ky ripushtim u bë me
bekimin e sërishëm të shteteve kryesisht fituese aleate të
Serbisë ndaj Austrohungarisë e Bullgarisë dhe në anën tjetër nuk pati
as ndonjë kundërshtim të organizuar nga shqiptarët, atëherë
pothuaj ishte i pranuar ripushtimi serb nën emrin
Jugosllavi. Megjithatë, gjendja e ish-kaçakëve siç ishte
edhe Qerim Rrustemi, përveç akuzave të mëparshme e
kishin të shtuar edhe pjesëmarrjen në Luftën
e Zhurit si dhe në Plojën e hakmarrjes kundër militarëve e
ushtarëve serbë më 1915, andaj qëndrimi në Kabash e Korishë i
tij dhe i shokëve të tij nuk ishte aspak i sigurt.
Kështu Qerimi bashkë me jo pak
luftëtarë kabashas rimigruan në Shqipni, ashtu ndodhi
edhe me Mulla Nasufin, të cilin në të vërtetë për shkak
të dy luftave që u kishte prirë kundër serbëve dhe
për hir të utoritetit që gëzonte në popull si imam e
pleqnar atdhetar, forcat serbe nuk e ndalën në burg, por si
person non grata e dëbuan në Shqipëri. Si
duket Qerim Rrustemi përsëri u shoqërua me
Mulla Nasufin. me të cilin siç do të mësojmë më
poshtë edhe do ta trashin miqasinë edhe me krushqi.
E dyta, tash
qeveria serbojugosllave SKS bënte listat, por nuk i ngutej
që menjëherë të ndërmerrte fushatë për mbledhjen e armëve dhe për të
burgosur kaçakët e mbetur si dhe akterët pjesëmarrës
në Luftën e Zhurit e sidomos në Plojën që u bë për
hakmarrje ndaj mbeturinave të
ushtrisë e militarëve serbë më 1915. Me gjasë ky mosnxitim dha
shkas që shqiptarët mos të jenë të kënaqur me
hakmarrjet e mëparshme, pasi tashti dolën sheshazi
disa nga akterë serbë të njohur si pjesëmarrës në
masakrat kundër shqiptarëve më 1913, të cilët pas fshehjes
3 vjeçare, jo vetëm dolën haptas, por edhe krenoheshin dhe se për
atë kontribut merrnin poste e grada nga qeveria, siç
ishte djali i një Bugomiri të Korishës, të
cilin e vjedh dhe
e vret Hysen Rexhepi. Hyseni, në të vërtetë veç e
kishte një këmbë në Shqipni (Kolsh). Por më tepër bëri
bujë zbulimi i Spirë Dellocit, i cili nga krali në
shenjë mirënjohjeje ishte graduar kapetan dhe ishte
caktuar kryetar Komune në Mushtisht, prandaj kjo iritoi jo
vetëm kabashët e Mushtishtit si Jemin Nurkën e të
tjerë, por edhe vetë kabashasit, andaj kërkohej që edhe ky të likuidohej. Për një
akt të tillë u kërkua ndihmë nga grupi i kaçakëve. Për këtë
Ishin zotuar disa individë nga ai
grup, siç ishte edhe Ahmet Rrustemi, por para
tij me një shkathtësi të veçantë këtë akt e kishte
zbatuar Salih Shabani (dhjetor 1919), i cili nga një
pritë që e kishte zënë në të dalë prej Korishës në drejtim të Grejkocit e
vret Spirë Dellocin dhe Filën ndihmësin
e tij. Pas kësaj vrasjeje gjendja acarohej edhe më shumë.
Pushteti i ri jugosllav filloi me i identifikue të
gjithë kaçakët sipas listave të bëra, disa prej
të të cilëve edhe pse me rrezik popullsia i mbante,
dikush si Asllan Qerimi endej qëndronte si lirë.
E treta, është e
vërtetë që Sali Shabani qëndroj i fshehur në familje
të caktuara 2-3 vjet, por jo më shumë, sepse pushteti serbo-jugosllav
në periudhën 1919-1922, kishte arritur të konsolidohej, duke shtrirë
edhe rrjetin e spiunazhit ndër shqiptarë, andaj Salihi më
1922 doli në Shqipri, ashtu si edhe Asllan Qerimi me
të vëllanë Shabanin e shumë kabashas të
tjerë. Kjo ndodhi sepse, siç na tregoi Asllan
Asllani që e kishte me të ndime, më 1922, gjandarët i shkojnë
në shtëpi të Asllanit, që ishte i ndarë
nga ayha Ahmet dhe babën Qerim e kishte
të arratisur në Shqipri. Asllanit thonë që ai patjetër duhet të
shkojë me ta në një tubim popullor, ku janë ftuar të gjithë burrat e
katundit. Kështu pa i shqiptuar farë akuze e detyrojnë të
nisej i shoqëruar nga një gjandar që mbante pushkën
ngrehtë. Asllani, pra i vëllai i Shabanit, e kupton se
kjo ishte punë me sherr të madh dhe se do të ketë burgosje
masive, sepse edhe ai ishte i implikuar në mesin e luftëtarëve
të vitit 1915, andaj ky e shfrytëzon një dredhi, duke u skajuar
gjoja për nevojë pas një çube dhe kur e vjedh me sy
që gjandari kishte hequr gishtin nga këmbëza, kërcen
në përrua e del shpejt përzihet me disa të ardhur për tubim, por edhe
nga ata ndahet dhe sillet rrotull-rrotull e
alarmon Shabanin dhe menjëherë marrin rrugën me dalë
te Baba Qerim në Shqipni.
E katërta, në të vërtetë, mirë e
kishte pas nuhatur situatën Asllan Qerimi,
sepse ai tubim shfrytëzohet për ndalimin e shumë
vetëve, duke i burgosur mbi 30 pjesëmarrës të plojave
kundër serbëves më 1915, ndër të cilët ndalohet edhe axha
i Shabanit: Ahmet Rrustem Ahmetaj, të cilin
me mbi 20 shokë i dërgojnë në burgun e Nishit. Rrallë
ndonjëri prej tyre është kthyer gjallë në shtëpi
si Ahmet Rrustemi, i cili, më 1926 vërtet lirohet,
po aq i shte “shëndosh” sa me vdekë i
lirë në shtëpi.
5. Qëndrimi në Shqipri 1922-1926 dhe
gjendja jostabile gjthandej
Edhe kjo periudhë 4 vjeçare që po
trajtohet në disa pika, ishte sakrifikuese për Shaban Qerimin:
E para, ishte sakrifikuese për
Shabanin, sepse gjatë jetës së tij 22
vjeçare asnjëherë nuk ishte larguar nga shtëpia, madje edhe
sa ishte i martuar dhe pasi i vdiq gruaja pa i lënë fëmijë, ai kënaqej duke i
kryer punë e detyra shtëpiake. Asnjëherë nuk kishte
lakmuar me i qitë nam trimnie vetes me
pushkë. Gëzohej me majmërinë e kafshëve të tij, me punën e mirë,
me bereqetin në arat e tij. Dallohej në kositje e punë mjeshtërie
rreth veglave bujqësore, por edhe me punë ndërtimtarie rreth shtëpisë.
Interesant edhe pse babai i tij i binte lahutës, ai kurr nuk e ka
marrë në dorë, madje as qiftelinë nuk e kishte lakmuar,
sepse sipas tij, ato punë ta humbin kohën kot. Gjithsesi
priste që prindët ta gëzonin me një kismet të
ri. Mirëpo, ndërsa të gjitha këto i sillte nëpër mend
kur papandehur e ftoi i vëllai më i madh që
urgjentisht me lënë të gjitha edhe ëndrrat, madje edhe
nënën pa e përshëndetur dhe me marrë rrugë të panjohur dhe të
shkojë në një mjedis krejt tjetër, edhe pse atje do të
jetë më të sigurtë bashkë me babën Qerim.
E dyta, kur arrijnë atje vërtet
u takuan me babën, por mbasi nuk kishte kush
me u bë hyzmet, Shabanit i ra hise si më i
vogli me e bë edhe një sakrificë tjetër, me i
krye punët e grave: me gatue,
me përgatitë ushqimin, me pastrue dhomat e fjetjes.
Madje duhej me la enët, i duhej me qepë
e arnue, sepse mixha Qerim kishte ndejën
me musafirë të naltë, Asllani me luftëtarë të
sprovuar, i cili edhe u inkuadrua menjëherë në
veprime ushtarake, ku domosdo do
të gjindej ndërkohë edhe vetë Shabani, po si
më nënhije të vëllait, ngase vetëm ashtu mund të
fitonin njëherëpërnjëherë bukën atje.
E treta, në të
vërtetë në Shqipni sidomos nbë anën e Lumës,
Kukësit u shpërngulen edhe jo pak
familje kabashase. Hysen Rexhepi tashmë ishte
akomoduar mirë në Kolsh, gjysmë ore larg Kukësit. Ai
fillimisht ishte vendosur në tokë të
një zotnie si çifqi, por ndërkohë, si duket
duke vazhdue me tregtue “duhan” fiton shumë dhe
blen tokë e bën konaqe, sa që u bë shpi e dalluar
me bylyqe bagëtish dhensh e kuajsh dhe kështu ndihmonte sapo
të ardhurit. Atë kohë në Krumë prefekt
ishte Hasan Beg Kryeziu (i gjakovs), ky në lidhje
me Tiranën përkujdesej për të ardhurit nga Kosova dhe sipas
mundësive u jepte ndihma. Në këtë kohë atje veç të
tjerëve ishin vendosur edhe Sali Shabani, Brahim Uka, Nebih Sahiti e
disa kabashas të tjerë.
E katërta, në Shqipëri pushteti ishte
fort i brishtë. Atëherë në Kukës e më gjerë mbizotëronin
dy rryma të forta kundërshtare politike, ajo e Bajram
Currit, i cili assesi nuk pajtohej për një Shqipni pa
Kosovë dhe ajo e Ahmet Zogut, të cilës i takonte
edhe Muharrem Bajraktari, bajraktar i Lumës, njeri me
shkollë oficeri, të cilët tashmë pranonin realitetin pa
Kosovën dhe përpiqeshin për konsolidimin e aparatit shtetëror
të Shqipnisë. Ndërkaq kosovarët refugjatë, kuptohet
edhe kabashasit ishin përkrahës të parezervë të
Bajram Currit.
E pesta, në mes të këtyre dy
rrymave rivale pati deri edhe përleshje me armë. Dihet
rasti i bashkëpunimit të Bajram Currit me Fan
Nolin, Hasan Prishitnën, Luigj Gurakuqin dhe ikja
e Ahmet Zogut në Jugosllavinë e Pashiqit,
por Muharrem Bajraktari si përkrahës i tij, ngeli në Lumë e
gjithandej. Babë-Shabani si edhe të tjerët, përmendte një
rast kur ushtria e Bajram Currit e përbërë edhe
nga kabashasit e rrethojnë në
kullë Muharrem Bajraktarin. Në këtë rrethim më
aktiv ishte dalluar Sali Shabani, jo
pse plumbat e pushkës së tij preknin nëpër brenditë
e frengjive të kullës, por edhe për provokimin me
zë që i thërriste:
O Muharrem Pashiqi, priti
plumbat e Salih Shabanit,
o klysh i Serbisë!....
E gjashta, sido që të ketë
qenë Muharrem Bajraktari shpërthen
rrethimin dhe megjithatë mbetet në
Lumë e gjithandej, duke përgatitur terrenin për kthimin
e Ahmet Zogut, i cili, siç dihet, vërtet me ndihmën
e Pashiqit dhe të Muharremit me shokë
e përkrahëve të tjerë të legalitetit dëbuan Fan
Nolin, Luigj Gurakuqin jashtë, ndërkaq Bajram Curri mbeti në
Malësi dhe assesi nuk u pajtue me këtë kthesë, andaj për
mos me u dorëzue kërkonte shpëtim si ilegal po në Malësi
të Gjakovës, në Krasniqe, te fisi i tij.
E shtata, siç ma kanë treguar më
1970 Nebih Sahiti e Brahim Uka, ishte shumë
emocionuese nata e fundit, para se të arratisej Bajram
Curri në male drejt Malësisë së Gjakovës. Atë natë, Bajram
Curri, ku ishte e pranishme edhe paria e Hasit dhe e Malësisë dhe
shumica e kabashasve, e kaloi në
odën mikëpritëse të Sylë Elezit në Kukës, i
cili edhe pse ishte mik i Muharrem Bajraktarit, si
burrë bese e pranoi Currin në
konak. Sipas Brahim Ukës, i
cili shërbente pranë kafeoxhakut, gati gjatë gjithë natën Currit
i ka pjekë kafe: gjysë guri sheqer e dy lugë kafe.
Sekretar e ka pasë Hamdi Zajmin, i cili herë pas herë vinte
dhe ia kumtonte lajmet me përshpëritje në vesh. Si
duket më parë kish folë me telefon nga prefektura me
Zogun, i cili i kërkonte Bajram Currin lojalizim ose do të
arrestonte atë. Sipas lajmeve forcat lojale të Zogut
e të Muharrem Bajraktarit veç
ishin afrue me rrethue Kukësin. Këta (kabashasit) edhe
pse ishim në numër të vogël, si ushtarë të Currit, siç
thoshte Nebih Sahiti, ishim gati
me rezistue. Bajram nuk na dha kurrfarë urdhni,
por para ferkut, doli në oborr
të Sylë Elezit, hipun në një
mushkë dhe iu drejtue Sylë Elezit me këto fjalë:
O Sylë Elezi, Pashë Flamurin!,
Pashë Flamurin! Pashë Flamurin! (tri
herë). Mos i le rebelat me
m’i ba horë oficerat! - dhe na
u drejtue neve:! – Lamtumirë, U pafshim për hajr!
Na krejt kajshim, derdhnim lot deri sa
ai u largua i shoqnuem me disa shokë e ushtarë të tij.
E teta, me kthimin
e Zogut, Muharrem Bajraktari mori pozitë
të naltë në pushtet. U emnue njëherë përgjegjës i gjandarmerisë së
Zonës, pastaj edhe i krejt Shqipnisë. Bajram Curri pas një
kohe u vra. Muharremi kabashasit i fali, disa prej
tyre i bëri xhandarë me rrogë, veç Salih Shabanin nuk
e fali, jo aq për plumba që ia fuste për frëngji të kullës, po
për fjalët poshtëruese: O Muharrem Pashiqi, priti plumbat
e Salih Shabanit, he këlysh i Serbisë! Kështu Salihi mbeti
kaçak edhe atje.
E nënta, ndërkohë Muharremi që
më parë e kishte marrë nën përkujdeje Mulla Nasufin e me
të edhe Qerim Rrustemin, tashti u besonte edhe bijve
të Qerimit. Kështu Asllani kishte
detyra me serioze, por edhe Shabanit i dhanë
detyrë që disa ithtarë, shokë lufte të Bajram Currit prej
Kukësi e Tropoje me i çue e me i dorëzue në Shkodër.
Ky ishte sjellë mirë me ta. I kishte lënë me pushue rrugës dhe
siç më pati treguar çuditej me vete, qysh këta zotni, me
shkollë e mos me u marrë vesh ndër veti, ashtu si edhe Zogu
e Curri?! Madje pasi i dorëzon shetit paksa në Shkodër dhe
vëren sesi shkodraneshat e shikonin me admirim për moshën,
veshën, ndërsa ky plot shëndet e dukë musteqeve u jep dredhë
përpjetë!...
E dhjeta, meqë Qerim Rrustemi dhe
si duket me ta edhe Mulla Nasufi ishin vendosur në
shtëpitë e Muharrem Bajraktarit, përsëri pushteti
(i Muharremit) e angazhon Shaban Qerimin më 1926 në
një aksion tjetër, për qetësimin
e rrebelimit të fanëve (katolikëve) të Malësisë. Në këtë
aksion bie në një kompani me Zija Kosovën, për të cilin thoshte se nuk ishte
sjellë mirë me popullatën e atjeshme. Është fjala për
Zija Kosovën i cili ndërkohë merr hak në Pragë për
kryezinjtë e Gjakovës, për vëllanë e Hasan Beg
Kryeziut për Cenën, që njëherit ishte edhe dhëndër i Zogut. Kjo
ishte hera e fundit në shërbime të tilla nga Shabani, sepse sipas
tij Muharremi i prishi punët me Zogun dhe del diku jashtë. Sido
që të ketë qenë, familja e Qerim Rrustemit mbeti me
banim në shtëpi të Muharremit, edhe pse Asllani e Shabani si vëllezër e
punëtorë u angazhuan në ndërtimtari, ndërtim shtëpish. Puna u shkonte
mirë e me fitim, bënë para dhe blenë tokë, por vazhdonin të mos luanin
nga shpia e Muharrem Bajraktarit.
E njëmbëdhjeta, në këtë
periudhë 1925-1926, marrëdhëniet
Jugosllavi-Shqipni disi ishin
përmirësuar. Atëherë Krali i Jugosllavisë, kishte falë shumë
persona që mund të ktheheshin në Kosovë, ndër ta edhe Shabanin,
por jo Qerimin dhe Asllanin, Shabani edhe pse ishte i
djegur shpirtnisht për me u kthye, pasi nuk kish kush me
u gatue etj. për hir të
tyre, përsëri sakrifikon. Sakrifikimi ishte edhe
më i thellë, pasi Mulla Nasufi në
shenjë falenderimi, për hyzmetin që ia kishte bërë si shok
i pandamë i babës së vet, ia kishte emnue me
gojë një bijë për grue, e cila gjendej në Zhur
(Jugosllavi). Në të vërtetë, Mulla Nasufi ndërkohë kishte
vdekur më 1924 dhe për hir të autoritetit që gëzonte ai varroset para
xhamisë së Kolshit. Në varrimin e tij më aktiv ishte patjetër
Shabani. Pra, përkundër lejes për kthim dhe për të fejuarin
në Zhur, ai nuk i la vetëm babën dhe vëllain. Ndërkohë
po atë vit u lejua që gruaja e Asllanit me
fëmijën me kalue në Shqipni. Shabani edhe tani
sakrifikoi, sepse vazhdonte me i ndihmue vëllait në ndërtimtari
e kudo që nevojitej.
E dymbëdhjeta, po i kthehmi tashti
fatit të Sali Shabanit, i cili pothuaj nja 5 muaj
duhej të ruhej nga të dyja palët edhe
nga serbojugosllavët që paguanin njerëz për me
e vra, ashtu edhe nga Muharrem Bajraktari, i cili donte
me e burgosë, mbase edhe me e vra për shkak të sedrës
së lënduar, andaj thuhej se Salihi më i
lirë ndjehej kur dilte ilegalisht në Kosovë se kur qëndronte
në Shqipri(!).
E trembëdhjeta, lidhur me
këtë periudhë tregohet një episodë interesante. Sylë Elezi e
kish ble një ndërtesë në Kukës që e lëshon për kovaçhane,
aty, në këtë farkëtore, një kohë ishte strehuar pak si
i maskuar Sali Shabani. Kënga e Sali Shabanit këndohej
gjithandej. Një djalosh malësor i frymëzuar nga një trimëri e tillë,
kur merr vesh që ky trim qenka në Kolsh (Kukës), dëshiron
me pa. Dikush i thotë shko pyet
në kovaçhane të Kukësit për Salihin. Kur shkon,
qëllon ta pyesë
vetë Salihin. Atëherë Salihi shpejt i
vë grykën e pushkës në gjoks malësorit. Duke e pyetur kush të
ka paguar: Serbia apo këta të Muharremit?! Dhe pasi bindet që ishte
vetëm adhurues i këngës, i thotë:
Mos u çudit, djalë i mirë, shikoja grykën.
Kjo njimend e ka zanin e madh, po fatin e
ngushtë!!
E katëmbëdhjeta,
sidoqoftë, Salihi pas 3-4 muaj fshehjeje, më në
fund i bjen në
dorë fisnikut Xhafer Bislimi, mik
i Muharrem Bajraktarit. Në odën e të cilit e burgosin gjandarët sipas fletarrestit dhe e marrin
me vete. Xhaferi me allti në dorë shkon e nxjerr nga dora
e gjandarëve dhe e kthen në shpi të vet,
megjithatë Muharremi përsëri nuk e falte.
E pesëmbëdhjeta, ndërkohë, siç
tregojnë, ndodh që ndërron situata. Muharremi zë dy spiunë vrasës
me pare nga jugosllavia dhe pasi u japin zor, para
hetuesit pranojnë që janë nga Jugosllavia vrasës de se
janë të paguar me vra Muharrem Bajraktarin edhe Sali Shabanin.
Atëherë mëshirohet Muharremi dhe e fal Salihin me
një kusht-porosi që kurr mos me qitë
plumba kundër shqiptarëve. Salihi ashtu veç ishte
përbetuar edhe vetë. Ai tash jetoi i
lirë, po megjiatë atij pushteti nuk i dha kurrfarë
rroge as ndihme, siç pati ndihmuar disa të tjerë, andaj Sali Shabani pasi
e pat marrë gruan atje pati jetuar shumë keq tue punue tokë si çifqi sa
me mbetë gjallë, por është e vërtetë se atë e
kanë ndihmuar shokët e në veçanti Shaban Qerimi.
E gjashtëmbëdhjeta, ndërkohë gjatë kësaj
periudhe edhe kaçakët kabashas që lëviznin nga Kosova, nga Zogu
nuk favorizoheshin, por megjithatë grupet
e kabashasve nuk mujten me u
ndërpre plotësisht, por edhe ndërlidhjet
familjare filluan me u mundësue, madje edhe me
u bashkue familjet në mënyrë të rregullt, me
letra (dokumenta).
6. Gjendja pak
më stabile ndërshtetërore (1926-1941), martesat, punë
e fitim me djersë dhe
fatkeqësitë
Edhe këtë periudhë 15 vjeçare po
e trajtojmë në disa pika:
E para, siç u tha, ndërkohë
pasi Muharrem Bajraktari i prish marrëdhëniet me Zogun del jashtë,
ndërsa këta mbesin me jetue në shtëpinë të tij dhe kjo
u ndimoi për stabilizim e fitim. Ndërkohë blen tokë dhe filluan
me hapë tokë të reja duke pastruar nga shkurret e
ferrat, pastaj duke u bë prita buzë përrojeve e lumit,
duke e pastruar nga gurët, me të cilët edhe bënin mure, po më tepër fitim
kishin në ndërtimtari, sidomos tash, kur punët e shpisë i
kryente gruaja e vëllait Zadja me Sahiden, vajzën
e madhe të Asllanit. Kështu në krahasim me të kaluarën dhe me
rrethinën, jo aq me
shprehi vyeshmerie të vendasve, ngase më tepër prisnin t’u
punonin gratë, ndërsa kjo shtëpi ku punonin gra e burra relativisht u
bë edhe më e kamur. Pra kështu, jo vetëm plotësonin
nevojat e veta më elementare familjare, por edhe kishin
mundësi të mbanin rezerva dhe të ndihmonin të tjerë, sidomos njerëzit
në nevojë.
E dyta, në të vërtetë,
meqë ndërkohë përmirësohen marrëdhëniet
ndërshtetërore Shqipni – Jugosllavi që mundësonin
bashkimin e familjeve, Më i lehtë ishte kalimi nga Kosova në
Shqipëri se anasjelltas. Atëherë Asllani kishte obligim të
sillte të fejuarën nga Carraleva, të cilën qysh kur ishin
në Korishë, në shenjë tradite që quhej
burrnore, miku ia kishte emnue motrën në vend të
gruas së ndjerë, pasi nuk donte me prishë miqasinë me Qerim Rrustemin, sipas
thënies “Cofi dhia u prish miqasia!”, por
meqë ajo ishte e mitur, sa të bëhet për
martesë, Asllani mund të martohej.
Dhe ç’është vërteta, ai martohet me
Zaden (vejushë) nga Dubrava, e cila tashmë ishte në
Kolsh, prandaj Asllani në mënyrë legale duhej të
përpiqej me marrë grua të fejuarën nga Carraleva. Gjithashtu
edhe për Shabanin u çel rruga, ngase djali i
Mulla Nasufit më 1927, sipas dëshirës së Babës e
legalizon fejesën e motrës Shehije për Shabanin, e cila ndodhej
në Zhur dhe që tashti edhe kjo duhej përgatitur letrat që
të martohej në Kolsh.
E treta, gjithsesi edhe miqtë e të
fejuarave ishin të interesuar dhe të obliguar
me i hecë procedurës për rregullimin e kalimit nga
Jugosllavia në Shqipni. Këtë procedurë rreth dokumentave (letrave) ua
rregullon Banush Sedllari, kryetar vendi në Sedllar të Drenicës dhe
kështu të dyja të fejuarat do të dalin pa
telashe në Shqipni në vitin 1929.
E katërta, kështu të
dy vëllazerit Shabani e Asllani martohen për një ditë më
1929. Ndërkohë Shabanit brenda tri vitesh, i
lindin dy fëmijë Arifi dhe Nazifja, ndërsa Asllani që
kishte katër fëmijë me Zadën dhe një me gruan e
parë fatkeqësisht gjatë ndërtimit të shtëpive, duke
ngritur trana në kate lëndohet në kokë dhe si
rrjedhojë vdes më 1931, duke e lënë gruan e re shtatzënë,
e cila në muajt e parë të vitit 1932 lind djalë dhe kështu
ia përtrin emrin e babës Asllan.
E pesta, këto ishin
çastet më brengosëse për Shabanin. Vëllai me të cilin punonin e
fitonin duke ndërtuar shtëpi i thau krahun, duke ia
lënë nën përkujdeje dy gra me 6 fëmijë në shtëpi të huaj. Tashti Shabani,
si me thënë, duke i pasur parasysh rrethanat, për hir të djalit të
Asllanit dhe vështirësive që kishte në mjedis të
huaj, pothuaj detyrohet që për hir të djalit bebe ta me marrë
nën përkujdesje edhe nanën e tij si grua.
Pra Shabani momentalisht kishte nën
përkujdesje familjen prej 13 anëtarësh, babën plak, tri gra
dhe 8 fëmijë, me dy të vetët.
E gjashta, edhe pse jo pa vështirësi Shabani
me punë, duke i angazhuar të gjithë arriti jo vetëm
të mbijetojë, por edhe të sforcohej ekonomikisht,
duke mbjellë toka të reja për edhe duke
mbajtur bylyqe bagëtish. Kështu në vitin 1934 i lindën dy
djemtë Veseli dhe Musliu nga dy
nënat Veseli, nip Carraleve, ndërsa Musliu nip Zhuri,
të cilët u vranë më 24. 03. 1999 nga barbarët serbë në
shtëpitë e tyre në trollin e babës në Korishë, ku u
kthyen më 1941 si shtatëvjeçarë.
E shtata, pra me
gjithë vështirësitë Shabani, pra me punë me mend por jo pa
mund arriti që sadokudo jo vetëm të plotësonte
nevojat më elementare për familjen e tij, po t’u japë ndihma edhe
ndonjë refugjati nga Kosova, siç ishte Hajdari nga
familja e Mulla Sherifit
nga Konjska e Gumnasella e Lipjanit, madje ndihma i
jepte edhe familjes së Sali Shabanit, i cili ndërkohë u
sëmurë dhe vdiq më 1935.
E teta, e thamë më sipër se Shabani kishte marrë
pjesë në varrimin e Mulla Nasufit më 1924, i cili për
autoritetin që gëzonte u varros para
Xhamisë së Kolshit, pranë tij më 1931 Shabani, duke
e sfrytëzuar edhe autoritetin e babaës Qerim, e
varrosi vëlla Asllanin dhe tashti më 1935 pranë tyre e
varrosi edhe Sali Shabanin.
E nënta, që Shabani më shumë
se kabashët e
tjerë më intimisht ishte i ndërlidhur
me familjen e Sali Shabanit tregon fakti se ai i pari
u lajmërue nga e shoqja për vdekjen e të
shoq, duke obliguarrtreth përgatitjes së kufomës dhe varrosjes
së tij. Siç më pati treguar Baba Shaban ai sapo merr lajmin
shkon dhe konstaton vdekjen natyrale që i kishte
dalë shpirti në postajën e dhuruar prej tij. Afër
kufomës shoqja ia kish pasë afruar qiftelinë, dhe
pushkën, ngase sipas saj ia kishte lënë
amanet Salihi të varrosen me trupin e tij. Ato ia
largon Shabani tue i thanë që këto nuk duhet me i
futë në dhe, po duhet me i ruejtë për histori. Çfarë
ka ndodhur më vonë me to nuk dinte, pasi më 1941,
ajo grue me djalë vjen këndej dhe mesa dinte, ishte martuar
në Prizren dhe se ndërkohë
me djalë kanë tretur dikah në Serbi(!).
E dhjeta, ndërkohë më 1939 Shabani,
përkundër vështësive, arrin të blejë troje dhe
në Kolsh të ndërtojë shtëpi të re 2 katëshe me tri
dhoma poshtë dhe tri në kat që lidheshin në një
ballkon. Përveç asaj kishte ahur, pleme e krejt çka i duhej një
familjeje fshatare. Kështu Shabani solli në këtë shtëpi,
përveç babës dhe 9 anëtarë të hises së vëllait, 2 gra,
6 fëmijë (tre djem e 3 çika) dhe 8 anëtarë të hises së vet,
përveç vetes e gruas, edhe dy djem Veselin e Musliun e
katër vajza: Zylën (mbesë zhuri), Sherifen, Arifen (binjake)
dhe Nailen (mbesa carraleve), të gjithë këta të
lindur në shtëpinë e Muharrem Bajraktarit, ndërsa në shtëpi
të re i lindi një djalë, Rrustemi (nip Zhuri). Kështu
Shabani në shpi të re kishte familjen prej 19 anëtarësh,
për të cilët siguronte përkujdesje.
E njëmbëdhjeta, ndërsa ishte në shtëpi të re
Babë Shabani dhe për tërë atë pasuri ndjente
kënaqësi, sepse i siguronte gjërat më elementare për jetë, bile
sipas standardit të shoqërisë së atëhershme në krahasim me të tjerët
dallohej për të mirë, pikërisht
atëherë dikush gjatë përhajrimit e i
thotë, pasi tashti që i ke rregullue punët kaq
mirë, s’ke pse lakmon me u kthye në Kosovë. Ai
përgjigjet: Ma mall e baj me ba një djalë
kurban veç me m’u ba puna me u kthye atje.
E dymbëdhjeta, një ditë papandehur
vëren që sapo po i digjej një tallë (stivë) me shumë
duaj, mbase e shkaktuar nga loja e fëmijve pa
djallëzi(!), ky shpejt e shpejt me tanë forcën e
shtyn tallën në anën tjetër nga gremina që flaka mos të kapte
pleme, ahra dhe të rrezikonte veç shtëpi e katandi
edhe femijë. Dhe vërtet aq shumë i jep zor sa që
arrin ta praptojë tallën nga rrëpina, por bashkë
me duaj të ndezur bien edhe vetë, me ç’rast i del njëri
krah nga vendi. Meqë atë kohë nuk mundi kush me ia qitë në
vend, krahu iu zu keq, megjithatë ai vazhdonte të punonte deri
në frymën e fundit të jetës. Asnjëherë nuk është ankuar
për krahun, pasi Zoti i ndihmoi me shpëtue nga ajo tragjedi.
E trembëdhjeta, me pushtimin e vendit nga
Italia (1939), kishte vënë re se një pjesë
e kabashasve bashkë me familjen e Lala Krosit (familje
e mbretit Zog), kalojnë në Kabash. Familja e Krosit nga
andej kalon në Turqi e bashkohet me familjen e Zogut, ndërsa kabashasit e përzier
me ta mbesin në troje të veta pa telashe qeverie. Kështu i lindi
shpresa që edhe ai një
ditë mund të kthehejt në vendlindje, por së
shpejti në Tokat e Lirueme e të bashkueme me Shqipninë, siç
propagandohej nga nacionalistët, por edhe
nga Italia. Sidoqoftë, ndërkohë e fejon djalin e madh të
vëllait Rexhepin me një vajzë nga Surroi, e
cila ndërkohë edhe do të bëhej edhe pjesë e familjes së
Shaban Qerimit.
E katërmbëdhjeta, pikërisht në këtë atmosferë
shprese përjetoi fatkeqësi. Djali i tij Arifi moshatar me
të vëllait Beqirin adoleshentë, si barij lopësh gjejnë
një bombë italiane, e cila u eksplodon ndër duar, kështu
vdes Arifi ndërsa shpëtoni i plagosur rëndë Beqiri.
Ndërkohë vdes edhe djali i madh i
Asllanit Rexhepi. Këto dhimbje
Babë-Shabani i përballoi stoikisht me
shpresë pasi priste shansin që sa më parë me u
kthye me familje në vendlindje.
6. Kthimi dhe jeta e re në
Kosovë (Korishë) 1941-1944
Edhe periudhën prej më pak
se katër vitesh të kthimit në Korishë në të ashtuquaturën kohë jo
të plotë katër vjeçare të Shqipnisë po e trajtojmë
në disa pika:
E para, fillimisht Shabani më
1941 vjen në Korishë pa familje, të cilën do ta sjellë
muaj më vonë. Në troje të tij ende i
gjen familjet koloniste serbe nga Shumadia. Edhe pse kishte
mundësi t’i dëbonte brutalisht, ky me ta
sillet në mënyrë burrnishte, U thotë: Deri tash e
keni shfrytëzuar tokën time, tashti unë po kthehem. Ju mund
të merrni me vete gjithë pasurinë e tundshme tuajën. Madje
u ndihmon që gjithka që kishin ta palosnin e ta
merrnin me vete. Ndërkaq çdo gjë me vlerë që nuk mund ta
bartnin do t’ua paguante, madje edhe një lopë ua pagoi pa i ulë
pazarin. Veç tjerash organizoi që ata me i përcjellë me qeze e kuaj
deri në Lipjan e Suhadoll. Por në Suhadoll, ndodh diçka e
papritur, ndërsa përcjellësit, siç ishte Zeka, fqinj e kushëri i
parë, pritnin përshëndetjet e lamtumirës, si mirënjohje
e falenderim për
përcjelljen një plakë Milena del e u thotë: Mos
pritni se tani po pijnë dhe po duan me ju vra. Dhe vërtet,
siç tregonte Zeka, deri sa ata dalin me shishe raki
e pistoleta ndër duar këta lodrojnë kuajtë me
qeze dhe kështu i shpëtojnë rrezikut, nga bukëshkalët e pa besë.
E dyta, Shabani shkon e
merr familjen nga Kolshi me kuaj. Shtëpinë e pasurinë, që
kishte siç thuhet ia bën teslim (falas) një fqiu që kishte
qenë me shumë fëmijë e pa shpi. Kështu tashti i kthyer në
trojet e përtërira, shmallet me familjen e
madhe, kushërij, miq e fqinjë, por domosdo edhe me familjen, si me
thënë, të ngushtë, siç ishin dy halla me familjet
e fëmijët e tyre, me Hamiden, e martuar
në Gelancë dhe Latifen e martuar në Jezerc,
madje edhe me tri motrat: Begishen të martuar në Bukosh, Rabishen të
martuar në Gjinoc dhe Zelën të martuar në Reçan, por
edhe shmallet me dajët e nipat në Budakovë,
ngase kishin pasur krushqi të përzier të
ndërsjellë. Sigurisht, nuk dolën mbas menç as vizitat
e ndërsjella me miq nga Zhuri e Carraleva si dhe me shokë e
dashamirë.
E treta, ç’është e vërteta, ndaj të gjithë
këtyre, në bazë të etikës njerëzore kanunore ai
si zotshpie kishte njëfarë obligimi të pashkruar në
emër të hises së tyre të pasurisë që e linin në gjini, që si kompensim jo
vetëm hallat e motrat, por edhe ndaj nipave e mbesave që ishin
përmallshëm, të cilët sa vite nuk kishin pasur mundësi me gëzue tpanen (pushim njëjavore) në
gjini, ashtu si dhe fëmijët e tyre dashninë e dajve.
E katërta, sidoqoftë, të gjitha këto
sfida, sepse nga Kolshi i Kukësit solli 19 anëtarë familjeje,
babën, 3 gra, 13 fëmijë (pesë
djem e 8 çika) që iu shtua edhe reja
nga Surroi, që për mbajtjen e tyre veç
ushqimit kërkohej edhe veshë e mbathë, shtrojë e mbulojë në
truallin e rikthyer, por të gjitha këto Shabani i përballon me sukses, në
saje të kursimeve të veta, nanës së vet Mihane që e kishte
ruajtur një pjesë të pasurisë, po
edhe duke falenderuar ndihmën solidare të kushërinjve.
E pesta, Shabani, ndërkohë solli mbarë
gjithçka. Meremetoi e adaptoi disa godina që kishin lënë
kolonët, një e adaptoi odë burrash, ku baba Qerim, priste e përcillte
miq e shokë, kushërinj e musafirë. Ndër të tjera, solli një
vijë uji me rënie të lirë nga gurra, pa
përmendur mbushullimin e oborrit me pula, ngjalli
bylykun me dhenë, lopë e qe, kuaj. Ndër të tjera seliti e mbolli
pemë të reja. Kështu vërtet filloi një rilindje e vërtetë për
punëtorin e palodhur Shaban Qerimi, bijtë e familjen e
tij, i cili dinte t’i angazhonte të gjithë sipas grup
moshave në punë të përshtatshme e fitimprurëse.
E gjashta ndërkohë marton Asllanin
me Bahrijen nga Surroi dhe 2 vajzat e vëllait, Sahiden në
Prizren, Vahiden në Pejë, e cila humb jetën nga bombardimet
e aleatëve. Shkon Shabani dhe e konstaton që shtëpia saj
është rrafshuar, por mes kësaj tragjedia del një mrekulli, foshnja e
saj Fatimja pas dy ditësh gjendet e gjallë pranë gjinjve të nënës së
vdekur. Fatimja rritet tek i jati i saj,
por pa e këputur ndërlidhjen e dashninë e dajëve, e cila
me ndëmjetësimin e tyre, sidomos të tezës Sahide, martohet në
Prizren.
E shtata, siç dihet te ne në Kosovë
përgjithësisht Italia u pranue si çlirimtare, pasi e shporri
serbo-jugosllavinë barbare. Për çudi të Babë-Shabanit në
këtë kohë paraqitet në Korishë si
ilegal Muharrem Bajraktari, i cili Italinë e
konsideronte, siç edhe ishte, okupatore. Edhe pse ky
strehim ishte me rrezik Shabani e priti krahëhapur si mik
të shtrenjtë. Muharremi ndejti si mik i
rrallë, deri sa ai vetë u largua për
veprime përkatëse atdhetarie. Në të vërtetë, ndërkohë, kur kapitulloi
Italia Muharremi ishte edhe kundër
Gjermanisë së Hitlerit.
Kështu ai përsëri edhe në ato kohë të
turbullta u duk në Korishë.
I tregon Shabanit se ishte nisur drejt Serbisë
me u takue me Drazha Mihajloviqin për dy arsye: e
para për t’i tërhequr vërejtje mos të përzihet drejt Kosovës, e cila
tashmë i takon Shqipnisë, dhe e dyta, t’i sugjeronte
atij, mbase me propozimin e anglezëve, që të merren
vesh me Muharremin që së bashku të luftonin
lëvizjen komuniste, duke u lidhur drejtpërdrejtë me aleatë
perëndimorë, gjithsesi jo me Rusinë. Pra edhe tash vizita
e Muharrem Bajraktari ishte edhe më me rrezik nga të
dyja palët: nga Gestapo-ja e qeveria aktuale dhe njëherazi
edhe nga forcat ilegale komuniste, pasi edhe ky vepronte
ilegalisht edhe kundër asaj lëvizjeje. Shabani pasi i jep ndihma
ushqimore dhe paksa ecën me ta sa për të treguar shtigjet e terrenit,
madje edhe e ndonjë vendstrehim, i kishte mbetur në
kujtesë se si pararoja e suitës së tij merrej vesh me
bazën me fishkllima, me zëra kafshësh e shpezësh, gjuhë
kjo që simbolikisht kuptohej vetëm prej tyre, qoftë,
për rrugëvajtje të lirë, qoftë për ndonjë rrezik të
papritur. Flitej që Muharremi gjatë këtij rrugëtimi i
kishte bazat e siguruara të fiksuara nga nacionalistët kosovarë,
si në Buzhalë e tutje në Rrafshin e
Kosovës. Ishte takuar me Drazhën apo jo dhe si ishte
kthyer ai, Shabani nuk ishte në dijeni.
Sidoqoftë, si dihet edhe pse Muharremi ndihmoi lëvizjen
çlirimtare kundër okupatorëve italo-gjerman, ai
pati mosmarrësveshje me komunistët e Enverit, prandaj
si duket, siç do ta përmendim më poshtë ai gjithsesi kishte
lidhje me kuadra nacionalistësh nga Kosova e më
gjerë që ishin kundër lëvizjes komuniste.
E teta, pas dorëzimit të Italisë dhe në
Bullgari fitoi lëvizja ruso-bullgare e serbe, ndërkohë
u alarmuan Kabash
e Korishë që banda ruso-bullgaro-serbe komuniste,
bashkë me sllavo-çetnike siriniqas, armiq të përbetuar
të kabashasve, po afrohen drejt Kabashit
pasi veç kishin hyrë në Gërnçar e Skorrobisht (që
ishin kryesisht sllavishtfolës), atëherë organizohen forca
vullnetare të fshatit nga Korisha e Kabashi të kryesuara
nga Hysen Rexhepi, ku merr pjesë edhe
Shaban Qerimi me Hysenin, vëllain e Sali Shabanit
e të tjerë dhe me vrap dalin mbi Kabash dhe futen në
fshatrat Gërnçar e Skorobisht, në ndjekje të bandave të
tilla, ku vërtet ndeshin në një rezistencë jo të
fortë me pushkë, ku vritet një shok kabashas dhe zihet
rob një ushtar nga pala kundërshtare. Në të
vërtetë, nuk kishin qenë banda serbo-bullgare, por Aradha partizane e
Fadil Hoxhës dhe robi i zënë kishte qenë Meto Bajraktari, epror i
asaj aradhe. Kështu aradha e Fadilit ishte në rrezik të
shuhej nga kabashasit po të
mos kishte intervenuar Brahim Uka (i kabashas),
të cilin e njofton urgjentisht Veli Deva me urdhër
të Xhavit Nimanit se ata janë shqiptarë jo
serbo-bullgarë. Kështu Brahim Uka,
urgjentisht njofton kabashasit të ndërprejnë ndjekjen. Në
ato momente, Hysen Rexhepi, nuk beson
se robi i zënë ishte shqiptar. Fundja, shfrytëzon
momentin që sipas kodit të hakmarrjes kishte të drejtë me
vetëgjyqësi për shokun e rënë në këtë ndjekje, për barazim
gjakmarrjeje, andaj edhe e vret Metën.
E nënta, vërtet atë kohë
ndodhën hallakama me shumë paqartësi. Populli ynë donte ta
ruante gjithsesi bashkimin e Viseve të Lirueme (Kosovë,
Maqedoni Perëndimore, Malësitë nga Mali i Zi) me Shqipninë,
ashtu siç propagandonin edhe disa nga Fronti nacional
çlirimtar shqiptar, andaj shumë patriotë shqiptarë, edhe pasi
dihej se ofensiva partizane nuk mund të ndalej dot, ishin
preokupuar të ngadalsonin me luftë depërtimin
e forcave partizane malazezo-serbo-jugosllave e bullgaro-ruse në Tokat
e Lirueme dhe pritnin që tek
e mbramja këndej së pari të vijnë brigadat partizane
shqiptare dhe situata të qartësohej. Sidoqoftë, shumë luftëtarë e
patriotë të tillë ikën jashtë, por disa mbeten brendë dhe këqyrshin mundësinë
që të provonin edhe ndonjë marrëveshje me ndonjërin nga
prijësit autoritativ partizan shqiptar.
E dhjeta, në të vërtetë, pas rezistencës së dobët në
Zhur kundër forcave partizane që vinin nga Shqipëria dhe kalimit të
Brigadës V sulmuese, e cila depërtoi nga ne nëpër
Kosovë dhe si shpejt vazhdoi drejt Bosnjës, disa
nacionalistë shqiptarë si Smajl Gorani, Aziz Vojnoci e
të tjerë fshiheshin kaçakë dhe u konsultuan
me Muhamet Veselin, shok i ngushtë i tyre nga Reçani,
i burgosur nga GESTAPO-ja, por i liruar nga shokët e pushtetit të
atëhershëm shqiptar, i cili gjithsesi kishte edhe shokë edhe nga
ana e Nacional Çlirimtares. Ky kishte detyrë të
takohej me Fadil Hoxhën, shtabin e tij, i cili momentalisht ende
ndodhej përtej Drinit dhe ta të pyesin për fatin e tyre, siç
ishte edhe rasti i kabashasve që e kishin
ndjekur Aradhën e tij. Muhameti premton se do të
përpiqet nëpërmjet Hasan Kryeziut dhe se përgjigjen do ta
merrnin te miku i
tij Shaban Qerimi në Korishë. Dhe vërtet Muhameti në
njëfarë mënyrë arrin ta kontaktojë Fadilin, të cilin edhe
e pyesin, së pari, si do të jetë fati i kabashasve që
luftuan kundër Aradhës së
tij? Fadili përgjigjet: Kabashasit do të jenë të
lirë, përveç Hysen Rexhepit, sepse ai e ka
vra Meto Bajraktarin. Së dyti, pyesin edhe
për Smajl Goranin e shokë të tij, si dhe për disa udhëqes popullor
nga Maqedonia. Për këta e të tjerë Fadili i
drejton te Pavle Joviçeviqi, i cili thotë se
për ta duhet me pyetë Duçen (Dushan Mugoshën), po dihet
se Smajli si kryetar i Ferizajt, veç tjerash ka përgjegjësi
për vrasjen e Trajko Gërkoviqit, ndërsa për ata nga Maqedonia, si
Xhemë Gostivari e Mefail Kërçova, thotë se do
të përgjigjen atje. Duhet ta dijë gjithkush se ajo
pjesë e Maqedonisë nuk asht më Shqipni fashiste, po
Jugosllavi e Maqedoni socilaiste.
8. Fitorja e partizanëve, jeta
nën pushtetin e ri komunist 1945-1956
Edhe këtë periudhë 10 vjeçare, pas Çlirimit (1945-1956) po
e trajtojmë në disa pika.
E para, ngjarjet ndodhën shpejt partizanët depërtuan
gjithkah. Nacionalistë të caktuar, pas rezistencës në Gjilan e Ferizaj
mbetet
kaçakë. Smajl Gorani me disa shokë edhe me Hysen Rexhepin,
edhe pse gjendja ishte me shumë rrezik, këta gjetën
rast të zbrisnin nga malet në shtëpinë e Shaban Qerimit,
ku sipas fjalëve të Muhamet Veselit, mësojnë të
vërtetën çka është thënë për ta. Ndërsa
bisedonin shlirë e shtruar, papandehur në
oborr-livadhin nën shpi të Shabanit, hyn një brigade
partizanësh dhe drejt shtëpisë së tij duken se vinin disa
ushtarë me armë ngrehur për zjarr. Të gjithë mendojnë në
çast si edhe vetë Shabani se po
i rrethojnë, andaj rrokin armët dhe në këto çaste
Shabani u thotë:
Burra, jam me
ju, vendosni, ma mall e baj me m’u farua
krejt 20 robtë e shpisë se me ju zanë ju
dhe me më dalë zani besëpremë ! ... Ma
mirë me dekë njëherë se me rrnue me marre e tradhti për
jetë.
Mirëpo fati e desh që brigada partizane
aty ishte ndalë për fushim dhe ushtarët e nisur drejt
shtëpisë ishin roje e zakonshme. Së
këndejmi kaçakët, ndërkohë, pa u vënë re i
ngjiten malit, por mbajnë lidhje me të zotin e shpisë.
E dyta, edhe pas kësaj Shabani pati lidhje
me kaçakët e tillë. Ai i furnizonte me ushqim (siç tregon ime
shoqe me disa tepsia flija) e ndihma të tjera deri sa ata
ndoqën rrugën e vet rreth shpëtimit. Si duket këta bënë lidhje
me Muharrem Bajraktarin në Malet e Lumës e të
Dibrës për me ça rrugën së bashku drejt
Greqisë. Ndërkaq Hysen Rexhepi që ishte me
ta, ndërsa ndodheshin në bjeshkët e Kabashit, edhe njëherë
shikon me tejkëqyrë shtëpinë e tij dhe befasohet, kur
vëren se i paska vdekur e bija 18 vjeçare, të cilën e përgatitnin për
varrim. Nuk mund të përmbahet zdirgjet dhe pa u vënë
re i afrohet shtëpisë, por fqiu i tij i parë, pasi
informohet nga gratë, i del përpara dhe e përben që
të largohet sa nuk
është vërejtur nga sipiunët, sepse jo vetëm ai do
të vritej, po do të bëhej shkrumb e
hi krejt mahalla e katundi, sepse komunistat, si
të pa pa fe që janë, janë hala më të pa
shpirt se çetnikët e popit!. Kështu Hyseni i
dëshpëruar largohet dhe i ngjitet malit pa u
diktuar. Si duket ai arrin shokët, ec pak me ta sa
dalin nga rajoni i Prizrenit, pastaj ndalet e u thotë
që nuk mund të vazhdojë edhe më me ta, duke u arsyetuar se
nuk do të jetë barr e
tyre, pasi i dhimbte këmba e plagosur dhe
shpirti, dhe fundja thotë: Dekë se dekë ...! Ma
mirë me dekë në vend tem se në dhe të huej.
E treta, kështu Hysen Rexhepi ndahet prej
shokëve, kthehet në malet e Kabashit dhe në këto
rrethana përsëri i beson vetëm Shaban Qerimit, i
cili ia ndreq një vend-strehim, së pari në Boka, afër
shtëpisë së tij dhe përkujdesej për të. Por nga droja se
mos po dyshon kush, ia siguron një vend strehim më
të sigurtë e më të përshtatshëm pak
më larg, në Cukal, ku në
shpat përroi gropon e bën si
shpellë dhe mbi dheun e nxjerrë mjell një
pishë. Kështu Hyseni kalon një kohë në atë vendstrehim pa
u vënë re dhe gjithnjë ishte nën përkujdesjen e
Shaban Qerimit, me ushqim, pastrim rrobash etj., deri
sa ndërkohë së andejmi Hyseni ndërlidhet
me djalin e vet Hasanin dhe me mikun Ymer Devetaka. Pas
një kohe atje në një shpellë
të Devetakut diktohet grupi nga spiunët, rrethohet nga
ushtria. Ymeri ndalet tue luftue deri
sa (vetë)vritet, ndërsa ky dhe dy djemtë e
tyre Hasani e Abdyli çajnë rrethimin, por Hyseni vritet më
vonë më 1946 në malet e Llanishtit nga forcat e
ndjekjes. Djemt pas shumë vuajtjesh shpëtojnë pa u vra.
E katërta, është interesant të ceket kjo e
vërtetë, se në vitin 1946, pothuaj
të gjithë ish- kolonistët serbë të nxitur nga
pushteti, u kthyen në vendet ku kishin qenë më parë, vetëm
këta që kishin qenë në trollin e Shabanit nuk u kthyen
asnjëherë. Mos vallë, do të ketë ndikuar mirësjellja e
Shabanit ndaj tyre apo tentim i dështuar
i bukëshkalëve që t’i
vritnit percjellësit mirëbërës? Sidoqoftë, prej tyre Shabani nuk
pati asnjë të keqe, por nga thashethemnajat e të
tjerëve si bukëdhënës kaçakësh nuk mund të ishte i qetë.
E pesta, në këtë kohë otkupesh dhe
për t’u ikur thashethemave,
Shabani pranon që të shkojë vullnetarisht për ndërtimim e
Beogradit të Ri, por si duket prej andej shfrytëzon tollovinë
rreth regjistrimit të emrave, moshës e krahut të shtrembnavtë, i
hip trenit dhe si me thënë tinëz nga Ferizaj kthehet në shtëpi të
vet. Disa ditë qëndron pa u diktuar, bart drithin nga
hambari dhe i vendos në një vend të kamufluar. Kështu e shpëton
drithin nga kontrolluesit grabitës pushtetarë. Dhe një kohë vazhbdoi të
jetë i padukshëm për njerëzit e pushtetit, ndërsa për otkupe e
kërkesa të tjera në vend të babës plak, u angazhua nipi Asllani 15-16 vjeçar.
Në këtë mënyrë Shabani rrezikoi, por edhe fitoj: shpëtoi veten,
familjen, por edhe miq e dashamirë nga kriza e bukës që mbretëronte
gjithandej aso kohe.
E gjashta, ndërkohë
burgoset dhëndërri Muhamet Veseli i implikuar në
organizatën e Halim Spahisë, mirëpo thonë se në saje të qypave
me tlyn e mjaltë, besa edhe me pare rezervë të Shaban Qerimit akuzat
kundër tij zbuten dhe më në fund lirohet edhe në saje të shokëve të
mëparshëm, siç ishte edhe Hasan Kryeziu i Mamushës, i cili
e dinte se kujt i hahej shumë mjalta.
E shtata, siç duket
ky pasivizim i Shabanit dhe aktivizimi
i nipit Asllanit, sidomos pas kryerjes së shërbimit
ushtarak i ndihmoi Shabanit që para e
pas ngjarjevet të vitit 1948 të mos
jetë në shënjeshtër inskenimesh
rreth informbiroizmit apo nacionalizmit shqiptar, e ku ta
dimë. Në të vërtetë ai nuk ishte njeri i politikës së ditës, dhe kështu
vitet kalonin Shabani punonte pa nda vetë, por edhe duke
angazhuar në punë sipas grupmoshave të gjithë anëtarët e
familjes. Ishte me fat që nuk pati presion
për kooperativë fshatare as për shpëngulje në Shqipri.
E teta, tash po rikujtoj faktin, kur emri
i Shaban Qerim Rrustemit u përmend dhe do të ndërlidhet me
mua e familjen time të radhme drejtpërdrejt, po jo
edhe kontaktimi me të në vitin 1951. Është vërtetë se unë nga
viti 1948 isha nxënës i rregullt i Shkollës Normale të
Gjakovës, dhe në vitin 1951, sapo e kisha kryer klasën III.
Isha në moshën 17 vjeçare. Gjatë pushimeve të verës, ndërsa unë
lexoja një libër në një qoshe nga dritarja e odës, im
atë me simixhën Bacin Metë (alias Muhamet Veselin), që ishte mik, dhëndër
i Qerim Rrustemit (e kishte motrën e
Shaban Qerimit dadën Zelë) ata me qëllim, në
praninë time, filluan të bisedonin për mua, pak si
me rrotlla, por e goditnin shenjën. Dihej se kisha
edhe një vit me krye shkollën dhe me dalë në “bukën time” si mësues, dhe
sipas tyre për mos me u habitë me ndonjë çikë në Gjakovë, ngase si
kudo në qytete, çikat e mira e të sjellshme
familjet fisnike i ndalin me krushqi për djem të vet,
ndërsa të tjerat të dyshimta i “shesin” ku munden, prandaj një i ri
për mos me u halitë, më së miri është me u fejue, sepse
si i fejuem e ka veç gajlen e mësimit jo
të nuses. Kështu bëhet më mirë për të dhe për emrin e
familjes që kur ta kryejë shkollën ka hije edhe martesa. Dhe
konkretisht baci Metë përmendi një çikë të
Shaban Qerimit nga Korisha, mbesë e Hamëz Carralevës. Dhe
lidhur me këtë pasi unë nuk bëja zë,
po gjoja lexoja diçka, ata kështu e morën lejen time,
andaj edhe baba i tha: Nuk asht keq, me i hecë kësaj
pune se Hamëz Carralevën e kam njoftë, por
edhe Qerim Rrustemi e djemt e tij janë miq të
mirë. Edhe pse Kabashi ia mbajnë pak naltë, por edhe
pushka nalt u vret(!).
Sidoqoftë, pas pëlqimit të babës, Baci Metë i
kishte ecë punës. Po ato ditë mbesa jonë Vahidja, çika e datës
Merë gruaja e Zekës,që ishin moshatare e
kushërira me Sherifen, vajzën që emnohej për
mua. Asaj i fliste fjalë të mira për mua si dhe mua për
të. Sidoqoftë, ende nuk ishin sjellë shenjat e
fejesës im at u sëmurë dhe pas një kohe
vdiq, andaj ceremonia ishte shtyrë. Ndërkaq në tpame të
babës si shokë të luftës (në Carralevë e
Zhur) e si miq të
vjetër erdhi edhe Qerim Rrustemi, burrë i plotë me gëzof të
ri veshur. Në të vërtetë, ceremonia e fejesës, ishte
kryer nga kryefamiljarët ndërsa unë ndodhesha në shkollë
(Gjakovë).
E nënta, pas një viti, pas diplomimit
më 1952, vërtet dola në bukën time me rrogë mësuesi.
Mirëpo meqë në atë familje ekzistonte disiplinë e hekurt, jashtë protokollit
pata rast që, ta shoh për së largu të fejuarën me ndihmën e
një fqiu të tyre Sherifin që ishim të implikuar në lëvizje
ilegale me të cilin edhe patë ra në burg pas 3 muajsh më 17.12.1952
dhe pas pak ditësh e burgosën edhe vëllain tim që ishte
nëpunës, bacin Ramë. Flitej se mua mbasi do të më
dënonin, nëse jo me vdekje, sigurisht më shumë vite burg,
atëherë dikush nga Prizreni kishin kërkuar nga vajza adoleshente mendimin
për prishjen e fejesës, pasi miku as që kishte pru pare,
madje dhëndërri mësues mendjefylfyl as unazë dhe ku
me dijtë sa do kalbet në burg etj.
Si duiket kjo i bie në vesh Babë-Shabanit, i
cili inskenon që gjoja ishte investim i mikut, sjell
material dhe porosit që vajzës
t’i gjenin punë, të qejzitej, pa marrë parasysh që
të fejuarin e kishte të burgosur. Kështu të fejuarën time
e fusin në vegje, dhe tërë harxhin e paret e “mikut”
Shabani i heq vetë.
E dhjeta, dhe kështu pas 18 muajsh, kur
unë dola nga burgu vajza veç kishte qenë e qejzitur, përveç
tjerash deri edhe me jan (lloj qylymi), sexhade për
odë, pa cekur cikërrimet si shokëbrezi, xhempera e
shenja të tjerë për burrin, familjen e sebepët. Në të vërtetë,
martoheshim dy vëllezër për një ditë. Vëllai im më i madh sapo
ishte liruar nga ushtria e merrte nusen nga Peqani nga një
familje nacionaliste në zë (e Sadik Peqanit), ndërsa unë
nga Korisha, emigrante nga Shqipnia. Të dashamirët
ofronin ndihma që dasma të bëhej e madhe, më fort për hir të autoritetit
të Bacit Ramë e përgjithësisht familjes. Madje edhe të dy
miqtë pa e munduar mikun fare,ngase e dinin se familja
kishte pasur shpenzime për gjyqtarë e avokatë, ishin
pajtuar që dasma të bëhej më 28 nëntor 1954,
që për atë kohë ishte guxim i madh, sepse provokonte
pushtetin. Sidoqoftë, dasma u krye me sulemnitete të
zakonshme me këngëtarë në za e me tupana dhe pak më tepër
Dhe pas ca ditësh ne ditën e caktuar bashkë me zijafetin për “miqsëpari përgatitëm
bijat e tyre për gjini me “kuleç
me gurabia” , Edhe pse pritja, Babë-Shabani për zjafetin nuk
erdhi, pasi ato ditë i kishte vdekur baba Qerim,
andaj kishte dërguar bashkë me fqinj-kushërij, në vend
të tij djalin e vëllait Asllanin. Ndërkaq
për herë të parë pata rastin me e takue Babë-Shabanin
pas ca ditësh në ziafetin që e
kishin përgatitur ata jo aq për miqsëpari sa për dhëndërsëpari,
ku pata shkuar me mixhallarë e vëllanë e madh. Edhe
këta na bashkangjitën bijen “me kuleç me gurabia” e
pak më tepër. Kuptohet unë isha mësues i kualifikuar me shkollë
të rregullt, që në atë kohë nuk e ka pasur askush jo vetëm në rrethin
tonë, por as në shumë rrethe të tjera të
Kosovës, por isha i pa punësuar, andaj ai
respekt ndaj nesh ishte më tepër respekt tradite, por
edhe respekt miqasie që të obligon. Sidoqoftë, pasi isha
nën hetime kryeja punë bujqësore me vullnet, duke u dalluar edhe si
punëtor krahu në familje. Matura më ndihmonte që të dallohem edhe
si kostar etj. Pas një kohe më ftuan në rigjykim dhe
më dënuan pak më butë se përpara dhe pasi ushtrova
ankesë në Gjykatën e Lartë, më morën në
ushtri, ku qëndrova afro një vit e
gjysmë (14.04.1955-30.08.1956).
E njëmbëdhjeta, me të kthyert nga
ushtria më 1956 kuptova që vërtet dasma jonë ishte
kuptuar si provokim, ngase pas një
kohe vëllanë tim Smajlin si zotishpie e kishin përjashtuar nga fronti popullor dhe
familja ishte leqitur, por edhe më keq kishin pësuar gjatë të
ashtuquajturit Aksioni për mbledhjes së armëve (gjatë
dimrit 1955-1956të dy vëllezërit e mi Smajli dhe Aliu,
të cilët vërtet i kishin munduar shumë, me ç’rast dikush nga
policët lokalë, gjatë goditjeve këmbëve u kishte thënë, ku e
keni Nuhën!? Sido që të ketë qenë, si pasojë dy
vëllezërit patën deformime këmbësh deri sa qenë gjallë.
Madje edhe Babë-Shabanin, edhe pse në moshë nuk e kishin
pas kursyer fare, atij duke ia përmendin faktin
se e dinin që ai kishte ushqye barqe cubash (odmetnika) e boksojnë fort pikërisht
në bark, saqë i bie terri syve. Sdoqoftë e
lirojnë, po si duket si rrjedhojë e këtyre goditjeve, iu
shpif dhimbje barku që e mundoi gjatë
tërë jetës. Por edhe ashtu, siç do të shohim,ai nuk iu
nda punës bashkë me djem rreth rregullimit e mbarëvajtjes së
jetës familjare.
9. Gjendja në periudhën gjatë
viteve 1956-1967
Edhe këtë periudhë po e trajtojmë në disa pika:
E para, dihet se Aksioni i dimrit
1955-1956 për mbledhjen e armëve nuk ishte
që gjoja pushteti kishte drojë nga një rebelim i popullit shqiptar,
por qëllimi ishte: presione e dhunë për shpërnguljen e
tyre në Turqi e kudo. Babë-Shabani lidhur me këtë kishte
shqetësim, sepse të gjithë fëmijët, përveç një
vajze Hanës, i kishin lindur në Shqipri, madje e edhe
nusen e nipit Bahrijen e kishte nga Surroj i
Kukësit, që të gjithë ishin pa nënshtetësi formale jugosllave, andaj
kishte vështirësi edhe rreth nxjerrjes së certifikatave të
lindjes, që nevojiteshin për shkollë, për martesë etj. – etj.,
mirëpo këtë situatë pothuaj e shpëton përsëri djali i
vëllait Asllani me disa kabashas që e kishin të njëjtin problem.
Në të vërtetë, ky pasi njjihej si zotshpie u
konsultua me organet përkatëse se si duhet vepruar për rregullimin e çështjes
së shtetësisë dhe kështu më 1964 u rregullua çështja
e nënshtetësisë.
E dyta, ndërkohë sa ishte
gjallë Babë-Shabani jo vetëm arriti që t’i martojë të tre
djemtë: Veselin (me stëmbesën e Mulla Nasufit nga
Zhuri), Musliun (nusen nga Sopia) e Rrustemin (nusen nga Dobërdelani) dhe
të gjitha çikat që i kishin lindur
në Shqipri (Zylen në Suharekë, Sherifen
e Nailen në Reçan dhe Arifen në Semetisht),
po edhe Hanën, e cila i pat lindur
në Korishë e martoi në Gjinoc. Mirëpo, ky me
punë e pare të veta martoi edhe djalë e vajze të një
kushëriri (Isuf Alisë), i cili qëndronte dobët materialisht.
E treta, ndërkohë Asllani ndahet nga axha, del
në truall të vet, por ende vazhdoi të kishte autoritet dhe kështu ndihmohej dhe
ndihmonte axhën dhe djemt e tij, të cilët në mënyrë të qetë dhe në
harmoni vëllazërore prosperonin në çdo pikëpamje. në të vërtetë Asllani,
siç e cekëm paksa më heret, para se me dalë në shpi e
truall të vet, ishte aktivizuar në organizatën
politike–shoqërore të fshatit, ku kishte arritur poste që i kryente
me sukses. Kështu në vitet 1960 – 1964 ishte kryetar i LS të
fshatit, këshilltar i Kuvendit Komunal të Prizrenit më 1964-1965,
ishte kohë kjo kur fshati Korishë arriti disa suksese,
si shpërndarjen e forcimin e rrjetit të rrymës
elektrike, shtrirjen e ujësjellësit, shkollën e re etj., por më
kryesore ishte se iu hoqën thashethemnajat familjes nga frustruesit llumpfjalëbartësis rreth veprimtarisë
së mëparshme të dyshimta të Shaban Qerimit.
E katërta, Shabani, edhe më parë, por tash
edhe më intensivisht pasi u nda nga nipi, iu përvesh punës për
mbrojtjen e trollit nga Prroni i Tërbuem, i cili
disa herë kishte vërshuar dhe shkaktuar
dëme oborreve e shtëpive të tij
e të fqinjve, të cilët u detyruan t’i ndërronin trojet. Prandaj
ky me inisiativën e vet dhe me ndihmën e djemëve zuni pritat dhe mbëltoi
pyllin me akacie rreth grykës së lumit dhe kështu vërtet
pati sukses, ngase ndërkohë u rritën drujt dhe tani
janë bërë lisa, mbrojtje kjo që ia
ktheu rrjedhën përronit në shtratin e vet. Ndërkohë në
saje të punës së tij të mbarë por jo pa mund, u kthyen
edhe fqinjtë që kishin braktisur ato troje për shkak të
atij prroni.
E pesta, jo vetëm pylli mbrojtës, por punë për
lakmi bëri Babë-Shabani tash bashkë me djem në mbjelljen
e pemëve të lloj-llojshme dhe njëherazi edhe
duke zmadhuar tufat e dhenve, të lopëve. Ndërkohë ndërtuan
shtëpi të reja, kultivuan bletë, saqë përnjëmend këto
familje fshatare u kompletuan në çdo pikëpamje për t’u
marrë shembull për të mirë.
E gjashta, në të vërtetë, kur u ktheva nga
ushtria, tetor 1956, edhe pse me mjaft vështirsi ngase nuk
më lejohej punësimi sidomos në Suharekë e Rrafshin e
Dukagjinit, vetëm pse kisha qenë i burgosur më parë, edhe pse kishin
vende të lira për mësues dhe mbi 80% e tyre ishin mësues të
pakualifikuar, megjithatë arrita me dalë në bukën time përkohësisht
si mësues në ndonjërin nga fshatrat më të izoluara të komunave
të tjera të Rrafshit të Kosovës, ku nuk kisha kushte as normale
për jetësë. Madje për t’iu ikur inskenimeve, ngase
atëherë organizioheshin edhe kurse për nuse e çika të
pamartuara, bashkëshorten e mora me vete, gjoja edhe me
ia lehtësue punët
në shpi të madhe, ku, sipas rregullit, i kryente
punët me radhë, ashtu si gratë e tjera, por si duket
asaj i ra edhe më keq, sepse kushtet për jetë nëpër katunde të ndryshme ishin
shumë të papërshtatshme, por sidoqoftë me gruan bashkëshoqe kalonim çaste
t’i quaj të lumtura, por edhe me bashkëvuajtje,
sidomos kur më 1958 na lindi fëmija i
parë, vajza Floria. Meqë kudo që punoja isha nën
vëzhgim të pushtetit, pati inskenime, por edhe të vërteta, se
unë me popull e në shkollë rrëshqitja në dukje naivisht (jashtë planprogramit ose
edukimit mbi bazë të
patriotizmit jugusllav, sepse flisja rreth historisë
sonë kombëtare e letrare, andaj ndërkohë
pata pezullime nga puna me akuzë si i papërshtatshëm
politikisht dhe si pasojë kisha edhe mungesë mjetesh për
jetesë. Babë-Shabani pasi kishte biseduar me të bijen rreth
bazës tonë materiale, pas çdo tpane
ose vizite që bënim, ashtu në heshtje bijen asnjëherë nuk
e përcillte duar bosh.
E shtata, ndërkohë pasi pata arritur të
punësohesha në Ferizaj, me ndihmën e vëllezërve
bleva aty një shpi të vogël më 1960, por nuk munda ta
gëzoj, sepse nuk kaloi viti më përjashtuan nga puna si
njeri politikisht i papërshtatshëm në arsim, dhe për
këtë titistët përsëri po them kishin njëfarë të drejte, sepse
unë vërtet shfrytëzoja çdo mënyrë, edhe pse sipas
asaj: “hedh gurin e fshih dorën”, përpiqesha me ngulit te
nxënësit dhe kudo ku më jepej rasti në popull të
vërtetën që ne ishim në atdheun tonë të
mirë, por jo të lirë sipas Çajupit: “O
atdhe/ të due dhe kështu qysh je/ por kur do të shoh të lirë/ do
të due edhe ma mirë!, andaj na duhet të mësojmë me
krye shkolla e me marrë dije të gjithanshme që këtë
vend me bë më të pasur, siç na mësojnë udhëheqësit tanë më
të naltë etj., sepse kur njeriu është i pasur dhe i
ngritur intelektualisht nuk varet për
gjithçka nga pushtetarët e aparati i tyre. (Për këtë shih
krijimet e mia të guximshme letrare të asaj kohe.)
E teta, mund të them se për këto mendime e
veprime asnjëherë nuk kam qenë i qortuar prej
Babë-Shabanit, por përkundrazi përherë bijen vet e këshillonte ashtu
si edhe nëna ime që për mungesë materiale,
assesi te mos mbesë pulë me një zog, pra
jo vetëm me një fëmijë, sepse rrugët e bazës materiale i çel Zoti.
E nënta, sidoqoftë unë edhe pse
me shumë pengesa, duke shfrytëzuar pauzat e
përjashtimeve arrita me korrespondencë me krye shkollë të
lartë dhe fakultetet dhe kështu viti 1966, rënia
e Rankoviçit, edhe pse klandestinisht(!) më gjeti të
punësuar si arsimtar në Shkollën e mesme ekonomike të
Prishtinës.
10. Atmosferë e
re frymëmarrjeje politike e sfida të
papritura në vitin 1966
në jetën tonë familjare
Edhe këtë periudhë po e trajtojmë në disa pika
E para, në të vërtetë, ngjarjet pak para
e pas Plenumit të Brioneve (1966), na ngjallën
shpresën për një frymëmarrje më të lirë politike dhe për një gjendje më të
mirë ekonomike, madje edhe punësimi im do të jetë më i
qëndrueshëm, prandaj përsëri me ndihmën e vëllazërve dhe nga
shitja e shpisë në Ferizaj, bleva kulm mbi kokë në
Prishtinë. Kështu pas shumë katrahurave shpresonin që më në
fund na buzëqeshi fati me shumë të mira, siç ishin:
1) punësimi në Prishtinë,
2) kryerja e fakultetit,
3) blerja e shpisë në kryeqytet
4) lindja e djalit dhe
5) ofrimi dhe pranimi për
botim i një libri për fëmijë “Miklimet”,
Ndër këto të arritura po e veçoj rastin lindja e djalit,
e cila ësjtë më e rëndësishme për gruan, ngase pas
një pauze prej 8 vitesh, nga shtatzania e mbarë, pasi
theu lëvozhgat e tmësyeshit(!) familjes sonë na u
shtua “zogu” i dytë, Blerimi, i cili, erdhi në
një ditë të bukur të syrit të verës pikërishr më 10 Qershor
1966, në përvjetorin e 88 të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit, festë kjo e cila për të parën pak më
hapur u shënua edhe te ne.
E dyta, është e vërtetë, se për lindjen e
djalit tonë, u gëzuan të gjithë që na njihnin dhe na donin e
respektonin, jo vetëm familjet tona në Reçan e Korishë, por
edhe dashamirët kudo, deri edhe doktoresha
specialiste Sahadete Mekuli, e cila na përgëzoi përzemërsisht,
ngase e kishte parandihmuar këtë lindje të
mbarë, duke u kujdesur për mirëshëndetin e shtatzënës.
E treta, por siç thuhet jeta ka
mistere, ndodhin të papritura, andaj nuk është pa vend porosia
hyjnore :“mos u gëzo shumë o i gëzuem, as mos
u idhno shumë o i idhnuem”. Me këtë dua të them se me
rastin e lindjes, kur i kumtojnë Sherifes, ime shoqe, se linde
djalë, ajo flakron nga gëzimi, harron dhimbjet e
natyrshme të lindjes. Mirëpo, pasi beben e akomodojnë sipas
rregullit, në një dhumë tjetër, në ato momente lehonës
i afrohet një infermjere serbe Dragica, e
cila edhe më parë kishte vënë re që në
kartelë i figuronte vendlindja Kolsh (Albania) e
quante albanka dhe i thotë mbase për shaka: Albanko, sin ti umre
(djali të vdes) dhe shton mbase: ako ne çastish ! (nëse
nuk qeras!) - siç bënte zakonishtedhe për raste të
tjera, . Sido që të ketë qenë, Sherifja, pasi nuk dinte serbisht
e kupton si nëpërmjegull: djali ... vdiq!/=umre!, dhe në
çast ndjen në brendi siklet të jashtëzakonshëm, saqë edhe kur ia
sjellin beben shëndosh e mirë, kjo e pranon ftohët. Këtë ftohje e
ndjente edhe kur u kthye në shtëpi e në gjini. Kjo mbase ndikonte
edhe në shëndetin e saj dhe të bebës. Sidoqoftë, pasi iu
pakua (mbase idhtue) qumështi djalin filluam ta ushqenim me
“laktovit”, (qumësht cilësor apostafat për
bebe). Ndërkohë, ndërsa unë punoja me normë të plotë,
shkoja në shtëpi dhe i ndihmoja gruas që ta marrë veten. kaluan afro dy muaj,
por një ditë kur shkova në shtëpi, djali qante, ajo kishte mbetur në një
vend. Në këto qaste, pasi e ushqeva djalin, u përpoqa
me komunikue me të, por kot. Alarmova mjekun kujdestar. Iu
dha ndiihma e parë. Anamneza çrregullim psikik... Nuk
reagonte as në ingjeksione, deri gjatë ekzaminimit as nga
rryma. Për shkak të nofullave të shtrënguara nuk ishte në
gjendje as me marrë ushqim. Temperatura nuk i zbriste
nën 38 gradë. Ndërkohë pasi konsultuan shumë qendra, madje
Babë-Shabani qe përpjekur me mjek popullor e fetar, po pa efekt
pozitiv, atëherë u detyruam me e shtrua në Spitalin e
Shkupit.
E katërta, në Spitalin e Shkupit, unë
e vizitoja dhe veç të tjerëve, për punë temperaturës e në
përgjithësi, më kujtohet që i ndërruam
spitalin, angazhuam deri edhe mjekun më të shquar të
kohës doktor Dapçe, i cili më
pati thënë se do të përpiqemi, por duhet të jemi të
vetëdijshëm që “ne mjekët nuk jemi Zotër“ (mi lekari nesmo bogovi). Pas
ekzaminimeve atje përsëri e kthyem në spitalin e mëparshëm. Pasi
nuk kisha kurrfarë lektësish më duhej me mbajtë normën
e plotë të orëve të mësimit dhe njëherazi me i këqyrë
fëmijët, bashkë me nanën plakë, vizitë i bëja, së paku një
herë në javë, gjendja i përkeqësohej. Por kur
pothuaj na u shuan shpresat për shërimin e saj, një
të djelë sapo arrita në spital, mjeku i saj po më
thotë ka ngjarë një mrekulli: Gruaja të është zgjuar
nga një lloj i veçantë afazia dhe tash është në
gjendje normale. Ndërsa unë e dëgjoja, paksa me
dyshim ai vazhdonte të më këshillonte që
të kem kujdes ndaj saj... etj. Dhe vërtet, kur e
sollën atë, më befasoi, sepse fliste qartë normalisht, më
pyeti sa ishte kështu në komë. Kur i thashë 5 muaj dhe se
fëmijët i ka shëndodh e mirë. Mbase nuk besoj. Po
megjithatë u shpreh: Edhe nëse ke
marrë ndonjë grua për fëmijët, për djalë, s’ka
gjë?! U çudita për këtë farë komplesi që
e paska pasë munduar. E përsërita: Nanën time e
kam te fëmijët, djalin e ke mirë.
E pesta, mos me zgjatë, po atë
ditë me të u ktheva në shtëpi. Nëna ime
plakë 70 vjeçare, që momentalisht e kisha lënë te
fëmijët u befasua shumë. E përqafoi, duke i thënë: Ku je
moj bijë, qysh
të kam pasë lënë mirë kur të lindi
djali ashtu edhe më mirë po të shoh sot, o
Zot shyqyr! Dhe vërtet
gjendja saj shëndetësore shpirtërore gjithnjë vinte duke iu
përmirësuar.
E gjashta, pas shërimit të Sherifes
Babë-Shabani pothuaj e harroi sëmundjen e
vet. Pati ardhë e bujtur te unë dhe si me thënë,
iu çel goja dhe më fliste pa përtesë, sidomos këtë e bënte
edhe me përsëritje në odën e tij ku si të thuash, vetëm unë dhe
ai, nuk flinin tanë natën, ngase unë kisha interes ta dëgjoja dhe ai
kishte nevojë të shfryhej, para dikuj që e kupton, për të
gjitha hjekitë gjatë jetës së tij me shumë idhnime, po
edhe me gëzime, por si shqetësim më të madh në
shpirtin e tij thoshte se nuk kishte pasur se kur e
provoi Zoti me sëmundjen e
Sherifes dhe dhe tash, kur Zoti e shëroi, ndjen gëzim shumë
të madh sepse kështu diçka nuk i kishte ngjarë as në familje as
në farefis.
E shtata, nga këto biseda mbaj mend shumë
gjëra, por për arsye të përmasave të kësaj teme
po theksoj vetëm çështjen e fisit.
Sipas Babë-Shabanit, kabashasit e sotëm po lavdohen se
të parët e tyre si lekë janë
të ardhun prej Kolonje të Tosknisë, së pari
katërt vllazën mw mbiwmrin Leka janë
ngulë në Pukë, prej Puke dy prej
këtyre si kolëlekë po tash të
islamizuar Ahmet-Aga e Zenel –Aga kanë ardhë e janë
ngulë në Kabash tonë prej
tyre tash dy mahallat mbajnë
mbiemrat përkatës: Ahmetaj dhe Zenelaj. Si
duket Ahmetajt vendosen
në mahallen e Gurit kdhe aty përzie me
njerëz fisit thaç. Kështu edhe pse tash quhen krejt kabash, së
fis kanuni në Kosovë, sipas tij edhe këta janë thaç. Thuhet
se kabashi qëndron kapuç mbi fise! Sidoqoftë,
sipas nesh si çështja e gjenezës së feve ndër
shqiptarë (pagane, ortodokse, katolike) si dhe ajo e
fiseve shqiptare mbeten çështje të hapura, por një gjë dihet
se festa më e madhe e kabashëve si e tërë malësorëve edhe e
Shaban Qerimit, deri sa ishte gjallë ai, ishte iDita e shëngjergjit,
me mishlingji e përshesh me tamël, kurse edhe çështja
e gjenezës së fiseve tona ashtu dhe fisit e
vendit kabash mbetet e diskutueshme, sepse siç thuhet te secili
fis edhe te thaçi e te kabashi ka të mbathur e
të çmbathur, apo jo?!.
E teta, Babë-Shabani, edhe pse nuk kishte pasur
mundësi shkollimi as për vete as për fëmijë, por siç thoshte vetë e
kish krye shkollën e hjekisë, andaj shprehte disa këshilla tejet
me vend, të cilat, sipas tij, duhet me pasë në
tru, çdo zotshpije:
Zotshpia duhet me
qenë kursimtar jo lypsar, sepse me lypa nuk
mbahet shpija. Kur ta keshë fjalën besë dhe besimin me
tamam, edhe i lumi Zot të ndihmon. Burri kurrë nuk ia mshel dyert
vetvetes. Burrnia tregohet edhe në
rastet edhe pse mundesh as anmikut nuk duhet me i
bë keq, veç sa e lyp haku. Duhet me u ruejtë nga
ndonjë interes që të koritë. Më punën tënde që e do që është në
të mirë të shëndetit të shpisë tande djersa asht
hallall, asht pushimi më i mirë. Shpinë përsmbrenda e
mban grueja, por punët e grave janë vakarruese. Unë i
kam pasë tri gra në shpi dhe nuk kam pritue me
u ndihmue, sepse nevojat e shpisë e të fëmijve janë pa
skaj e fund. Duhet me kuptue që Zoti nuk i ka falë
krejt gjindjen njisoj. Ashtu janë
edhe robtë e shpisë. Dikënd vendi e
koha e ka ba pak kryefortë, po
edhe kryefortësia ka ilaç lype deri sa t’ia
gjesh ilaçin. Bijat tona nuk
guxojnë me i ba bisht punës. Skamja nuk
është arsye që grueja me mbetë pulë me
një zog. Duhet me dijtë mos me ba veten që
me mbetë me një fije shkrepse se nuk u dihet furtunave,
Veç zjarmi në votër e ngroh shpin, veç fëmija në djep
gëzon ardhmeninë.. Pse mos mos me kenë i gëzuem babagjyshi,
kur lë nip e mbesë me u rrtië me te dy prindët, Edhe
Ju , Zoti Ju ruejtë!
Ç’është e vërteta, bija e tij nuk mbeti as pulë
me dy zogj, as me një fije shkrepse pa rezervë për
ndezje vatre në furtunat e jetës, ngase ndërkohë gjeti edhe
tre zogj: një vajzë Lirijen (1968) dhe e dy
çuna: Ukën (1972) dhe Shkëlqimin (1977).
E nënta, pasi Babë-Shabani na
la nga fundi i majit 1967, kur
unë isha në pushim veror kam pasur rast me asistue, edhe
pse pjesërisht në tpame të tij, ku
vërtet jo vetëm fqinjtë e kushërinjtë, por edhe miq e
dashamirë shprehnin nga mbamendja ngjarje
që jeta e tij ndërlidheshin edhe me ngjarje historike,
ngjarje këto katrahura për njerëzit tanë, jo pak prej
tyre e falenderonin për së vdekni të
ndjerin, sepse u ishte gjetur në
nevojë. Gjithsesi përmendej si njeri që sukseshëm kishte
drejtuar një shpi buke, i dalluar si bamirës
e shpianik me karakter të fortë burri.
E dhjeta, për burrninë dhe sakrificën ne tij po
e ilustroj edhe me dëshminë e Bacit Metë, i cili
gjatë haxhillëkut e kishte vizituar Smajl Goranin në
Siri dhe njëherazi edhe Muharrem Bajraktarin në Belxhikë,
kur e viziton djalin e vet Sadikun të punësuar në Francë,
që të dy pyesin dhe e kujtojnë në
shenjë falenderimi Shaban Qerimin si bukëdhënës,
njeri i besës dhe i sakrificës.
E njëmbëdhjeta, mund të them
që këto veti pozitive të familjes së
fortë tipike kabashase malësore shqiptare, Babë-Shabani si
shembull konkret me punë, mbase edhe me fjalë ua kishte ravijëzuar
trashëgim bijve, të cilët përqëndruan forcat në forcimin e
bazës materiale por pa harrue që të përcillnin tek
brezi i ri që kur të jetë nevoja krahas si shpia buke, të
bëhen edhe shpia të pushkës, të sakrificës,
që sipas nevojës me qenë të përgatitur deri në vetëflijim.
II. TAKIMI YNË MIQËSOR ME DY FLIJIMTARËT E
LIRISË
VESELIN E MUSLIUN
PARA VETËFLIJIMIT 1999 DHE PËRKUJTIMET PËR TA
Në ballinë të këtij punimi cekëm motivin pse armiku si
shembull frike e lemërie për familjet e tjera kabashase që
mos ta përkrahnin UÇK-në,vrau pikërisht dy djemtë e
Shaban Qerimit: Veselin e Musliun, ngase e dinin se
ati i tyre i njohur si shtëpi buke kishte ndihmuar pikërisht
luftën guerilëse shqiptare për liri kundër pushtuesve serbë e
përkrahësve të tyre, kurse këtu, me pak fjalë do të tregojmë,
pikërisht ndërlidhjen tonë, tashmë si shtëpi e
përzier, me djemtë e
Babë-Shabanit Veselin e Musliun para vetëlijimit të
tyre 1999 dhe përkujtimet për ta, përkatësisht tashti fill, në tri pika do
të zbërthejmë:
Së pari, qëndrimin tonë në bashkëbisedim me këta
miq (vëllezër të gruas) në kohën përpara e sidomos gjatë periudhës që
sapo filluan të identifikoheshin shenjat e parë të organizimit të luftës
guerile dhe krijimi i zonave të lira nga UÇK-ja.
Së dyti, familja ime dhe unë gjatë bombardimeve të
NATO-s, provokimet, dëbimi drejt Maqedonisë, kthimi kryenvete me gruan
në Prishtinë, veprimet e të gjindurit në situata të pavolitshme,
por edhe pritja e Çlirimit dhe vizita familjeve
të flijimtarëve të sapokthyera në shtëpitë e veta të
djegura dhe
Së treti, do të njihemi me tekstet e tri përkujtimeve të
botuara e të lexuara në emër motrës e të familjes gjatë
tri homazheve organizuar në shenjë nderimi dhe
mos-harrimi të flijimtarëve të lirisë, duke cekur
edhe pësimet rreth maltretimit të kësaj familje e të
tjerëve me ta, nga ushria serbe.
1. Vetëflijimi si ndihmë ose pjesë e
luftës për liri
Si kundrues ose përjetues i
rrethanave rreth ecjes e zhvillimit të kësaj familje,
sidomos viteve të fundit pas daljes së Asllanit shtëpi më vete,
mund të them se sa ishte gjallë Babë-Shabani në mes të tre vëllezve, Musliut,
Veselit e Rrustemit mbretëronte një harmoni vëllazërore për
lakmi që me punë vazhduan shtimin e pasurisë. Kështu
vazhduan së bashku një kohë edhe pas vdekjes së Babë
Shabanit, por me rritjen e familjeve lëshoi kosherja, edhe këta dolën
në shtëpi të veta. Ndarja u krye vëllazërisht. Fatlumnisht, duke
u nxitur nga ambicjet pozitive secili i bëri punët më
mirë se tjetri. Mjerisht pati ndonjë rast që ambicjet të
kalojnë në xhelozi nga djemt e nipat e tyre, por jo
në armiqësi. Unëpërherë në raste të tilla kam theksuar një
të thën ë nga Kanuni i shqiptarëve se vëllërit sa janë
bashkë në një familje ata janë janë robë të shpisë (anëtarëië fsmiëljes )
e kur të ndahen atëherë quhen vllazni, pikërisht atëherë si
fqinj, duhet të jenë burra dhe ta ruajnë vëllazërinë, apo jo?
Ndërkohë kur në vitet 1988-1998 e paksa
edhe më parë u shfaqen grupe aktivistësh, jo vetëm me
propagandë, por edhe me ndonjë organizim demostrate e më
vonë edhe me përdorim armësh që ishin parashenja që edhe te ne do të fillojë
luftë e armatosur, të cilën gjithsesi e kam admiruar dhe ndihmuar
sipas kaçikut tim, sepse si intelektual shqiptar nuk
shihja rrugë të tjera që mund të arrihej çlrimi nga
Serbia të udhëhequr nga hsovinizmi ortodkso-serbomadh. Aso
kohe kam pasur rast me bisedue shtruar me ta,
ngase vërtet më kanë respektuar jo vetëm si mik po
edhe si shok e dashamirës që asnjëherë nuk i
është serviluar pushtetit aktual, nga i cili edhe ka pasur peripeti që
me stoicizëm e sakrifica i ka tejkaluar. Po tash, kur filluan
të identikohen territoret e lira edhe në atë anë si
në Malishevë, Bllacë, Grejçec e Budakovë të Suharekës
etj. lypsej, jo vetëm këshilla me gojë e me shkrime,
por edhe shembëlla, veprime e
sprova konkrete me përgjegjësi e rrezikshmëri. Është
vërtetë, se sprovë konkrete mua më ra
hise me përjetue kur nga Spitali
i improvizuar i Shtëpisë së lindjeve në Kodrën e
Trimave të Prishtinës, me tërheq urgjentisht një ushtar të
UÇK-së të sapo operuar, sepse sipas Jak Mitës, drejtor se nëse diktohet
dika e tillë, ishte rrezik i qindpërqind që të
mbyllej Lindëtorja nga Qeberia serbe. Andaj ne
urgjentisht me fqiun tim Nexhmedin Llapashtica shofer,
morëm furgonin e të vdekurve nga Medreseja e Prishitnës dhe
tërhoqëm ushtarin e UÇK-së, Isuf Suka nga
Bllaca e Suharekës dhe duke çarë mes rrugës me plot
milicë, militarëve ushtarakë, të plagosur e
sollëm sollëm në shtëpinë time, ku me
muaj qëndroi deri sa u shërua. Këtu po e përmend vetëm
si shembëll sprove, ngase për këtë mund të flas më
gjatë në tjetër vend, ndërsa këtu këtë fakt po
e e ndërlidh me miqtë e mi korishas, të cilët gjatë
asaj kohe kur ilegali shërohej në shtëpinë time më
tepër shqetësoheshin për mua e familjen time se për vete, pa
marrë parasysh që tek
ata ata tashmë strehoheshin dhe ushqeshin me pite
e mjaltë ushtarë të UÇK-së, prandaj edhe shtëpitë e
tyre ishin në rrezik. Sidoqoftë, unë isha i
vetëdijshëm për pasoja, siç kishin qenë dhe ishin edhe operuesit
dhe përkujdesuesit e herëpashershëm të gjendjes së tij:
doktor Dalip Limani e doktor Mehmet Maxhuni si
dhe doktor Hysen Hyseni, me insistimin e të
cilit djali im Shkëlqimi atypëraty në
dhomën ku shërfohej, i pat dhënë gjak të
plagosurit. Ne patëm hapur fjalën se mjekët po
vinin për gruan që gjoja iu kishte kthyer sëmundja e
mëparshme shpirtërore, andaj Sherifja duhej ta ruhej
që të mos ekpozohej jashtë me muaj, sepse ndër
fqinjë ishim të martuara së paku 5 gra meleze dhe
jo pak fransa të tillë që dinin të tregtonin me milicë
e të raportinin tek shefat. Po
fundja ideali të bën të kuptosh se lufta për liri kishte
rreziqe, andaj edhe kontributin edhe rrezikimet për luftëtarë të
lirisë i kishim obligime të përbashkëta. Të plagosurin tonë
veç tjerëve, e pati vizituar edhe doktor Shpëtim Robaj me
infermieren Sanije. Sido që të ketë qenë, fati e
desh që ndërkohë ushtari i plagosur sadopak ta marrë
veten , të lëviz me këmbë të veta dhe të përcillej gjetiu
në një bazë më të sigurtë dhe së andejmi me
sukses kalon në Gjermani. Për këto detaje më mirë i di i
vëllai i tij Hajrizi.
Ndërkohë u pëshkallëzuan konfliktet.
Ushtria jugosllave bastisi disa fshatra edhe fshatin
tim Reçan të Suharekës dhe ua dogji shtëpitë, por
në ato raste, të zotët e shtëpive i kishte maltretuar, por nuk e
kishte vrarë asnjë. Ishte çështje, siç bisedonim me
miqtë, në raste të tillë si duhet të veprohet, lypnin mendimin
tonë. Unë edhe pse i dija rreziqet, duke
pasur parsysh faktin se “nuk ka darsëm pa mish”, sepse liria
ujitet me gjak dhe mbrohet me jetë, shprehja mendimin
që të rinjtë, të zotët e pushkës të gjithë të jenë të
gatshëm , varësisht nga kushtrimdhënësi të paraqiten në fronte,
ndërsa të zotët e shtëpive që nuk ishin pjesë
e frontit me pushkë, më së miri
është me qëndrue në frontin tjetër në shtëpitë e tyre,
ngase edhe kështu i jepej kontribut edhe më i
madh luftës kundër armikut dhe njëherazi sipas ligjit të këtij
shteti dhe atij ndërkombëtar çdo qar që nukndodhet në frontin e
luftës dhe i pa artmatosur ai është nën
mbrojtje, përkatpëçsishzt mbrojtjen e tyre e siguron shteti
(!).
Fundi i fundit, meqë vdekja është mister që nuk dihet ku
të gjen, atëherë sidomos për të moshuarin me marrë me mend,
qoftë fetarisht, qoftë atdhetarisht, vdekja më e mirë, më e
lavdishme dhe e pranueshme te
Zori është vdekja në rrugën e perëndisë, në rrugën e
atdhetarisë, jo tue ikë e tue u
fshehë në shpia të huaja apo aq më keq në dhe të
huaj. Pra, Rrugë e Perëndisë është të mbrojturit
e familjes, të pragut të shtëpisë dhe të pasurisë. Kur
të jeshë në këtë rrugë të drejtë edhe nëse vuan, po edhe
nëse sakrifikohesh kjo
shkruhet si kontribut dëshmori për lirinë e atdheut dhe
njëherazi shërben si material
frymëzimi për luftëtarë që të hakmerren edhe më me
motiv kundër armikut. Gjithsesi në këto rrethana duhet të
jemi të parapërgatitur shpirtërisht. Pra, nuk duhet
frikuar, qoftë nga vuajtjet, qoftë edhe nga vdekja. Shpirti,
fundi i jetës, nuk varet prej nesh. Na duhet me
u lirue prej barrës së tutes nga vuajtja
ose vdekja, po kjo nuk do të thotë se njeriu nuk duhet të bëjë
eskivazhe mbrijtëse. Kështu na ka mësuar historia, kështu e
kemi lexuar në libra atdhetarie e fetare që ai që vdes në
rrugën drejt idealit atdhetar, në çastin kur Zoti vendos me ia
marrë shpirtin atij ia plotëson dëshirën. Ai ikën me gëzim
në shpirt, ngase e sheh idealin e realizuar,
konkretisht: Kosovën e lirë nga sllavët dhe bashkimin e saj pa
vijë të zezë ndarëse me Shqipninë!!!
Ndërsa flisja kështu Musa vetëm
më ndëgjonte i qetë, Veseli ndërhyni: Unë nuk
duroj maltretime në shpinë teme.
Tre-katër shkije i shkyej me dhëmbë -
i tillë Ishte ai. Ndërsa Rrustemi tha: Unë më
mirë mos me i pritë. Asllani pajtohej me mua.
Sidoqoftë, një ditë pa filluar bombardimet
e Natos, Veseli më njoftoi me telefon se kah Bokat,
rreth shtëpisë së tyre po duken do miza të zeza. Unë i thashë mizat le
t’i hanë zogjtë e kaçubave , ne dihet t’i mbyllim dritaret
mos të na hyjnë brenda - dhe ngo droja se mund
të na përgjonin e ndërpreva, duke i dëshiruar çdo të mirë.
Pastaj na i ndëprenë telefonat. Nuk e dinim, se disa orë
para se të fillonin bombardimet e NATO-s ata, Veseli e Musliu,
do të binin dëshmorë, do të binin në pragjet e shtëpive të
tyre, si pararoja të familjes. Në të vërtetë, sipas shpërndarjes së
stërpikave të gjakut brenda e jashtë mureve të dhomës e
gjithandej dëshmon që vërtet kishte pasur kacafytje me ta.
Ndërkaq Rrustemi kishte ikur më parë me familje.
Ndërkaq, Asllanin e zënë në
shtëpi, e maltretojnë shumë, por nuk e vrasin. Në
ato çaste Asllani dëgjon roportimin në bazë që dy
vëllezërit ia kishin vrarë dhe pyesnin a ta vrasim edhe
këtë të tretin, por dikush e dinte që ky nuk ishte djalë i tretë
i Shabanit Qerimit (!), ndoshta edhe për
ata anashkalohet, apo jo?!.
2. Familja ime dhe unë gjatë bombardimeve
të NATO-s
Fillimi i bombardimeve nga NATO edhe ne në
Prishtinë si kudo nga shqiptarët të zhuritur për çlirim nga
robëria shekullore sllavo-serbe, vërtet u prit me gëzim të
paparë. Natyrisht priteshin edhe masa represive kundër nesh. Nuk
dihej se kujt do t’i bjerë hise më
shumë therorëzimiapo viktimizimi. Pasi na i ndëpren lidhjet telefonike e
radiotelevizive nuk kishin informata se çfarë po ndodhte. Në të
vërtetë, ne e dinim se mund të bëheshin bastisje, madje
edhe represalje më fort nga bandat e armatosura, andaj pasi e
kishim shtëpinë pranë rrugës, në katin përdhes, në anën e
kundërt e shpuam një pjesë muri dhe bëmë një vrimë-kalimi të
fshehtë që kur dilnim andej në rrugicat e oborret
e fqinjve vrimën në tërheqje e mbulonim me shpinë
të kauç-foteles. Kjo përdorej zakonisht nga djemtë që
konsultoheshin ato ditë me shokë të lagjes e
gjithandej se si të vepronin pasdu nuk kishin kurrfarë
sugjerimesh nga UÇK-ja. Po kjo vrim-kalimi do të përdorej me
sukses prej meje pasi u ktheva gjatë bombardimeve dhe veproja pa
u ekspozuar drejtpërrtejt në rrugë, pasi nga oborret e
shtëpive të boshatisura të fqinjve dilja në lagjen e
romëve, ku kishte gjallëri dhe së andejmi dilja në qytet dhe kryeja
punë e veprime të ndryshme. Në të vërtetë, në atë fillim
bombardimi, në shtëpinë time nuk patëm ndërhyrje bandash,
por vetëm provokime të vazhdueshme
nga forcat militare-ushtarake, të cilat në kalim e sipër nga
rruga na rafalonin shtëpinë herë-pas-herë, por pas dy
ditësh na hodhën një bombë. Thonë se ishte sulmi i parë me bombë
në shtëpitë private në Prishtinë. Sidoqoftë, për
fat granata hasi në shtyllë të dritares dhe u
kthye e plasi përjashta në oborr, por u thyen të gjitha
xhamat e servisit etj.-etj. Interesant djemt e
lagjes po atë ditë me djemt e mi (Ukën e
Shkëlqimin), i vunë xhamat e rinj, por
ndërtesa edhe servisi përsëri u rafaluan dhe
xhamat u thyen por jo krejtësisht si ditë më parë nga bomba. Të nesërmen
një grua kalimtare e plagosën para derës së oborrit
tim, por ajo shpëtoi pasi ia
lidhën plagat ma fashot e ilaçet që i kisha të rezervuara
për vete. Edhe disa herë na rafaluan shtëpinë, garazhën,
veturën dhe më në fund më 31 mars, përfaqësues
ushtarakë, civilë e militarë na nxorën nga shtëpia. Kur
thashë pse na largojnë pasi unë jam lojal, mora
përgjigje se gjoja kjo
bëhet për asye stragjegjike. Ndërsa unë me familje ika te vëllai
në një pjesë tjetër të qytetit masën e drejtuan këmbë drejt Fushë-Kosovës.
Por së andejmi nga banesa e vëllait të nesërmën na
nxorën jashtë me të shtëna armësh dhe domosodo u nisëm kah
na printe policia. Ata na drejtuan drejt Maqedonisë në rrugën
për Tetovë. Atje në Jazhincë qëndruam disa
ditë. (Për këtë kohë kam mbajtur ditar). Më 8 prill
1999 familjet kaluan në Maqedoni, ndërsa unë nga Zona e
lirë, pasi djalit Shkëlqimit ia bëra me
dije (si amanet), se unë me gruan do të kthehemi në Prishtinë,
prandaj duhet ta dijë se prindët të gjallë ose varret e
tyre i kanë gjithkëndej në Kosovë. Prandaj...(!).
Dhe pas kësaj, duke pasur
mbështetje parapërgatitjen time shpirtërore, qoftë edhe për
sakrifikim, siç thuhet, në dorë të Zotit dhe idealit, u
ktheva në Prishtinë bashkë me gruan e me vëllain më të
madh bacin Ramë. Si i kemi kaluar
ditët pa e me frikë, por
gjithsesi jo pa vigjilencë në Prishtinë e kam
mbajtur Ditarin, i cili (si dokuemt i
shkruar, pret të kompjuterizohet dhe të publikohet. Kështu,
më në fund, fati e desh, pranë shtëpisë sime me lule, më 13. 06.
1999, t’i pres çlirimtarët anglezë e pak më vonë
edhe uçk-istët, çlirimtarët tanë. Dhe duke u përpjekur që
ta mbajë masën e gëzimit për lirinë, thoja se nuk dihet a na shpëtuar
familjet tona në fshatra apo jo? Andaj të nesërmen nga Prishtina u
nisëm për Dukagjin.
Rrugës Sherifen e parapërgatitja që të
pranojë në suazat e normës dhimbjen për humbjen e vëllezërve nuk
doja me ngarkuar edhe më shumë emocionalisht. Për vdekjen e
tyre patëm marrë vesh derisa pritnin në Jazhincë, por asaj nuk i
tregova, sepse nuk doja me ngarkuar me mërzi nga sa ishte e
ngarkuar. Tashti në rrugë e sipër i thoja, që nuk
isha i sigurtë, për vrasjen e vëllezërve dhe as
për gjymtymin e plagosjen anëtarëve të dy familjeve
tona. Kështu, së pari vizituam Reçanin, pamë shtëpizën
tonë të djegur e të bërë shrumb si gjithë të
tjerat (ku i pata pasë “fshehu” disa dokumenta me
dorëshkrime e libra të rrallë), gruas iu dhimbs shtëpia, mua më
shumë dorëshkrimet se librat. Takova nipa e
fshatarë UÇK-iste në uniforma sapo kishin lënë frontet e
luftës. Mora vesh kush ishte vrarë, kishte të plagosur rëndë, lehtë
etj. dhe së andejmi shkuam në Korishë.
Aty vizituam familjet e Veselit dhe
të Musliut të sapokthyera nga malet. Ato ishin shumë
të gëzuara, pasi më në fund ishin gjallë e të lirë pas tmerreve që
kishin përjetuar, qoftë nga represaljet serbe, qoftë nga
bombardimet gabimisht të NATO-s. Ato familje pasi ishin
detyruar të dorëzoheshin, ushtria serbe
i kishte kurthuar në një bazë të improvizuar,
ku NATO-ja gabimisht i bombardon, ku pos të
plagosurve dhe të të gjymtuarve kishin pësuan me
jetë 77 vetë, prej tyre 42 anëtarë të familjes së
gjerë Ahmetaj. Mbase kjo i ndihmoi Sherifes
që vërtetimin e lajmit për vrasjen e dy vëllezërve
dhe anëtarëve të plagosur e të gjymtuar të familjes së
ngushtë ta pranojë në suazat e normalës, por megjithatë nuk
pushoi së derdhuri lot në të kthyer deri sa arritëm
në Lapjesell afër Prishtinës. Këtu ndërsa Ishin në
radhë bashkë me disa familje serbe që ishin bërë gati të iknin na ndalen
forcat angleze. Një plakë serbe, na u afrua dhe kur i pa lotët Sherifes, i
tha “Ne plaçi, ne plaçi, vraticemo se ?/Mos
qaj mos qaj, ne do të kthehemi!/. Në të vërtet, forcat
angleze bënë mirë që lejonin tutje vetëm uniformat me familje, ndërsa
popullatën tjetër frikësuar kot e kthyen në shtëpitë e veta, ashtu si
edhe ne na lejuan të shkonim tutje në shtëpinë tonë.
Gëzimin tonë, tani në Prishtinësn dhe Kosovën e
liruar na e shtoi, pas pak ditësh ardhja krenarisë sonë në
shtëpi, Shkëlqimit, me uniformën e UÇK-së, i cili,
posa kishte kaluar në Maqedoni, së andejmë shkon në
Shqipëri, dhe vullnetarisht inkuadrohet në UÇK. Pas
një kohe na u kthye nga SHBA–të dhe djali tjetër Uka, edhe
pse kishte leje qëndrimi atje. Edhe ky atë ditë e
sot jeton me ne.
3. Teksti i tri përkujtimeve tona,
përkatësisht publikuar e lexuar në raste homazhesh për
mos-harrim të kujtimit të dëshmorëve të lirisë
Veselit e Musliut
Pas Çlirimit, dalë-nga-dalë, gjithçka u soll
në kufijtë e normales ,mHerëpasherë vizitonim familjet e miqve,
por obligativisht edhe me rastin e përvjetorëve vizitonim familjet
përkatëse dhe bënim homazhe te
varret e martirëve vetëflijues. Ja këtu tekstet e tri
përkujtimeve:
Së pari, tekst-përkujtimor publikuar
dhe lexuar më 25. 09. 2000, me rastin 6 mujorit
të rënies së tyre, kur ende ndodheshin në varrin e
përbashkët në Lëndinën në Grykë
të Prronit të Tërbuem :
Gjashtë muaj pa më të shtrenjtit tanë
Vesel e Musli Shaban Ahmetaj
Vëllezër, miq e dajë të nderuar dhe kurrë të
harruar, më 24.03.1999, forcat barbare gjakatare të Ushtrisë
serbo-jugosllave ju vranë në pragje të shtëpive tuaja dhe për të
humbur tragë Ju hudhen gjithandej në hedhurina, mirëpo njësiti
i djemëve të UÇK-së Ju gjeti dhe po atë natë, ju
solli në lëndinën në Grykë mbi shtëpitë Tuaja dhe për hir
momenti ju fshehen nga bishat në një varr, sepse e
dinin se Ju kishit lindur po thuaj në njëjtën stinë në
Kolsh të Kukësit (Shqipëri), Ishit rriturt bashkë, ishin fejuar
për një ditë, ishin martuar për një ditë, dhe Ju vranë në të njëjtën
ditë, prandaj pushoni të qetë, ju thotë tërë
familja me mbesa e nipa, bashkë me djemtë e
UÇK-së të cilët hakun ua kanë marrë
disa fish, saqë armiku kapitulloi, e humbi Kosovën. Ju falenderojmë përzemërsit sepse
Ju me vetëflijimin tuaj kontribuat për këtë Liri që po
fillon ta gëzojë Kosova. Ju sigurojmë që për mos-harrim do
t’u ngrejmë lapidar.
Ju kujtojnë me mall të pashuar Motra
Sherife, miku Nuhi dhe nipi Shkëlqim Veselaj si
dhe mbarë familja Veselaj, në Reçan, Prishtinë
e diasporë.
Së dyti, teksti i
përkujtimit shkruar me rastin njëvetorit të rënies në
varrezat e martërëve Korishë më 24.03. 2000:
NJë vit
pas rënëes në alratin e lirisë së Kosovës të më
të dashurve dhe të të respektuarve tanë
Vesel e Musli (Shaban) Ahmetaj,
Sot, më 24.03.1999, bëhet një vit, kur nga plumbat e
bandave gjakpirëse të Ushtrisë serbo-jugosllave, në pragje të
shtëpive Tuaja, ratë për të mos vdekur kurrë, sepse të
pavdekshëm Ju bën gjaku Juaj i
derdhur për Çlrimin e Kosovës martire, e cila pothuaj 100
vjet ishte koloni e Serbo-Sllavisë. Armiku deshti t’u
shuajë me plang e shtëpi, t’u lërë pa shenjë varri, për
ata ua dogjën shtëpitë, ua përndoqën familjet
shpellave e maleve
të Rrethbjeshkës dhe ndërkohë i joshën me gënjeshtrën
se do t’u mundësonin kalimin në Shqipëri, ngase e dinin se atje ju
i kishit tapitë e vendlindjes. Po jo, qëllimi i tyre ishte
shfarosja e plotë e familjeveTuaja, prandaj ato ua
futen në grackë në një kamp të
improvizuar ushtarak, ku edhe vërtet kjo ndodhi,
kur NATO gabimisht më 13.05.
1999, bombardoi, me çrast u vranë 77 vetë,
prej tyre 42 Ahmetaj, por armiku u mashtrua keqas, familjet
e juaja edhe pse të dëmtuara shpëtuan, ndërsa
armiku humb .Kosovën për gjithmonë. E drejta
fitoi. Sot familjet Tuaja në trojet e veta në shtëpitë e
rigjallëruara fluturojnë nga gëzimi, pa ankthe, sepse
armiku edhe në saje të flijimit Tuaj, nuk do të
kthehet kurrëmë këndej
Emrat e Juaj, dëshmorë të
lirisë, jo vetëm do të përtrihen për hir të traditës,
por edhe do të pavdekësohen në një lapidar përkujtimor, sepse Ju
u vetëflijuat për familje e atdhe, për Kosovën e lirë e të
pavarur..
Ju kujtojmë me mall të pashuar,
motrat Sherife
e Naile, miqtë Nuhiu e Baftiu, nipat
e mbesat dhe mbarë familja Veselaj nga
Prishtina, Reçani i Suharekës dhe diaspora
Së treti, teksti
i përkujtimit shkruar me rastin e 20 vjetorit të rënies:
20 vjet pa të parrueshmit tanë,
dëshmorë të lirisë së
Kosovës Vesel (Shaban) Ahmetaj dhe Musli (Shaban) Ahmetaj
Para 20 vjetësh, më 24.03.1999, pas
dështimit që pësuan para 7 ditësh nga Batalioni UÇK i
Kabashit, bandat piromane ushtrake gjakatare serbe të
armatës milosheviçiane, pak para se NATO të fillonte bombardimet e
caqeve të tyre, nxituan të bastisnin lagjen
e Zekajve të Korishës së Prizrenit, në veçanti
familjen Ahmetaj dhe atë rast, në shenjë hakmarrjeje e futje tmerri
e lemërie ndaj masës, në pragje të shtëpive të tyre, ku zakonisht
me buzëqeshje si zotshtëpie sipas traditës prisnin
çdokënd, I vranë mizorisht dy djemtë e Shaban Qerimit,
i njohur si bukëdhënës e strehues i antititistëve, Veselin e Musliun, që të
dy të lindur në Kolsh (Kukës) Shqipri më 1934 dhe pasi ua
dogjën shtëpitë, kufomat e tyre i plandosën larg në hedhurina, por djemtë
e UÇK-së, po atë natë i gjerën dhe që të dy së bashku të qafuar
i fshehën nga bishat në një varr, në Grykë, në Lëndinën mbi
pyllin që vetë e mbëltuan për
mbrojtje nga Prroni i Tërbuem.
O vëllezër, miq e dajë të nderuar,
dëshmorë të lirisë së Kosovë!
Ju kujtojmë me mall të pashuar, me lot në sy, por
edhe me krenari: motrat Sherife e Naile Veselaj,
miku Nuhi dhe nipat e mbesat me familje, nga
Prishtina, Reçani e diaspora.
P ë r f u n d i m
Nga sa u shtrua deri
këtu, jo vetëm nga tekstet e
tri përkujtimeve të mësipërme por edhe nga tërë përmbajtja e këtij
punimi-ese besoj se arritëm të kuptojmë sadokudo edhe
pse jo mjaftueshëm për virtytet burrnore në kuadër të
familjes kabashase të trashëguara ndër breza si
shpi mikëpritëse atdhetare, ku
shkëlqen shembëlltyra e Shaban Qerimit, i cili
me durim të paparë, duke sakrifikuar mund djerë e pasuri u
la trashëgim bijve Veselit e Musliut, që për ideal, besë e
burrni dhe për mbrojtjen e familjes me rqenë të gatshëm me ra
fli, andaj vërtet këta me gjakun e tyre ijitën tabanin
e fortë të asaj trashëgimie në mënyrë që brezi i
sotëm dhe i ardhshëm të jetojnë pa frikë në trojet e veta shekullore dhe
të vetëdijësohen se vetëm këtu në trojet e veta me punë, dije
e vetëdije atdhetare njeriu ndjen paqen e
lumturinë shpirtëroretë vërtetë si askund tjetër në
botë.
Tashti
për fund të kësaj teme, edhe
pse me shikue holl e holl çdo pikë e dy pjesëve
të këtij shkrim-eseje përmban konstatim-sfidime më
vete me intres historik, biuografik e etnografik,
megjithatë ne disa nga ato si më të veçanta nga të dy
pjesët po po i përtheksojmë në këtë përmbyllje të
këtij shkrim:
Së pari, veçojmë nga të tjerat
këto konstatime të përgjithshme me interes historik:
E para, duke u mbështetur në
rrëfimet e informatorëve që ende ishin gjallë
në vitin 1970, lufta apo rezistenca shqiptare
në Grykën e Carralevës kundër tuqve më
1910 nuk ka zgjatur dy a tri ditë, siç e
ndeshim në burime të caktuara publicitike, po me javë.
E dyta, vihet re që kushtrimi u ishte
dhënë jo pa qëllim dhe jo aq pa të drejtë që të
dilet në luftë kundër serbo-turqve,
andaj Durgut Pasha u bë Dragutin.dhe për këtë mbase
nuk gabohej, sepse turqit pushtetarë të asaj kohe më parë kishin
dëshmuar se bashkëpunonin me serbët kundër shqiptarëve.
E treta, që atëherë
vërehet ideali rilindës i shprehur edhe në këtë
anë nga populli i thjeshtë
për shkollën shqipe, siç i
thotë djalit Rexhë Bardhi, siç e vërteton edhe Liman Kadolli se lufta
bëhej kundër dragutinëve pashallarë të Hyrjetit, për
t’u fituar edhe e drejta e shkollës shqipe, ashtu
siç i paska këshilluar në një kuvend Lul Gurakuqi (mbase aludohej
për Luigj Gurakuqin), kurse në anën
tjetër vërehej efekti i kundërt i shkollës së
huaj turke, ku hoxhët e atëhershëm fëmijët
shqiptarë ne mejtepe i mësonin dhe i edukonin në gjuhën
e frymën turke osmanlie. Për këtë ja dy prova:
e para Shaqiri djali i dëshmorit Hasan Reçani,
si nxënës mejtepi kishte mësuar se ai është turk elhamdylilah(!), dhe
e dyta, edhe Nëna
ime, kushërirë-mbesë e të varurit Zenel Bajraktari, e
cila ishte nxënëse në mejtepin e Suharekës mbante
mend se pikërisht atëherë (më 1910), kur vazhdonte
lufta kundër Hyrrjetit në Carralevë, hoxhë-mësuesi Hafiz Shaipi nga
Prizreni që dinte shqip, i kishte mësuar nxënësit
me brohoritë turqisht:
Jashasen hyrjet/ jashasen davlet /Jashasen milet/ gjeza qorollsun Sulltan Hamidi/ jashasen sulltan Mehmet!
(Rroftë Hyrrjeti, Rroftë Qeveria, Rroftë Populli,
Dënim miopit Sulltan Hamit, Rroftë Sulltan Mehmeti)
gjë që edhe do ta bëjnë fëmijët me rastin
e parakalimit të ushtrisë
turke si ngjadhënjyese në rrugën
Suharekë - Prizren, që
këtë rast zabitët nxënësit i paskan gostitur me
pilaf(!).
E katërta, udhëheqësit popullorë shqiptarë
(si Idriz Seferi, Isa Boletini, Hasan Hyseni e
të tjerë), të cilët para kryengritjes dhe pas
dështimit gjetën ndihmë e shpëtim tek fqinjtë sllavë,
serbë e malazezë, nuk dimë sa mund ta kuptonin se pikërisht edhe këto lufta ishte
në favor të shpëtuesve të tyre dinakë, të cilët
i nxitnin këta, duke u thënë që Ju duhet
të luftoni për pavarësinë Tuaj, andaj keni ndihmën
tonë, ndërsa në anën tjetër spiunonin tek turqit dhe
njëherazi pasi survejonin dobësimin e të dyja
palëve, përgatiteshin intensivisht për agresion të
vërtetë kundër shqiptarëve
dhe të vetë udhëheqësve tnbdihmëmarrësve të tillë.
Besën shqiptare e shrytëzonin kundër vetë
shqiptarëve, apo jo?!
E pesta, gjithsesi duhet të korrigjohen disa
lajthitje të caktuara që i ndeshim në burime të caktuara të
botuara këto vite, siç është edhe vitlindja
e Salih Shabanit, jo 1901-1935, po 1894-1935), si dhe
të verifikohet numri i të vrarëve më 1913
dhe atyre për hakmarrje 1915, ngase në burime të
caktuara ka shumë pasaktësi edhe për nga numri edhe për nga emrat,
p.sh. dy djemtë e Rrustës janë vrarë, në kohë të
Turqisë, nga taksildari, apo jo?
E gjashta, në këtë shkrim tonin, kërkojmë
të ngritet vetëdija vlerësuese në popullin tonë, që
mos të kujtohen e vlerësohen vetëm krerët përkatës historikë që
mund të jenë kontravers ose ndonjë luftëtar që
ka shprepur plumb, ku nuk është
dashur, por duhet vlerësuar e mos-harruar, bashkë ata
luftëtarët e vërtetë, si Salih Shabani, Asllan Qerimi,
Adem Rrustë Kabashi edhe kush ka bërë emër si shpi
buke, siç ishte Shaban Qerimi ashtu si edhe djemtë e
tij flijimtarë Veseli e Musliu që me gjakun e
tyre ujitën rrënjët e lules së lirisë së Kosovës që nuk vyshket
kurrë e përjetë, anadaj për brezat e sotëm e të
ardhshëm edhe bukëdhëlnësit e vetëflijuesit e
këtij trolli të jenë të paharrueshëm.
Së dyti, ja dy propozimet tona konktrete
në kujtim të trimave për mos-harrim:
E para: Propozojmë që
para ish Xhamisë së Kolshit, të ngritet një
muranë me pllakë përkujtimore me emrat
e këtyre kosovarë-luftëtarëve të nderuar:
1. Mulla Nasufi (person
historik), nga Zhuri
2. Asllan Asllani (luftëtar i
shquar), nga Korisha
3. Sali Shabani (luftëtar,
vrasës i Spirë Dellocit), nga Korisha dhe
4. Adem Rrustë Kabashi (Luftëtar
i familjes së njohur bujare Kabashi) nga Korisha.
Një veprim u tillë u bën nder
jo vetëm familjeve e fshatrave Zhur e Korishë (Prizren),
por edhe fshatit Kolsh (Kukës), dhe njëherazi
edhe historisë së përbashkët Kosovë-Shqipni. Kështu kam mendimin
që Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës apo Shoqata e përbashkët
Mitrovicë-Kukës le të njomin takimet rutinore edhe me plus motiv, për
të vizituar edhe këto varre, ngase dihet se njerëzit e Kosovës, jo
vetëm në vitin 1999, por edhe më përpara disa herë kanë gjetur
shpëtim në ato anë përtej kufirit, në Lumë, Tropojë e gjithandej në Shqipninë Nanë.
E dyta: Propozojmë gjithashtu që të
vlerësohet siç e
meriton vepra vetëflijuese e dëshmorëve :
Vesel e Musli (Shaban) Ahmetaj,
të cilët gjithsesi duhet të dallohen me homazhe
e shenjëzime të posaçme deri edhe me akademi
përkujtimore, sepse janë viktima të rënë para bombardimeve të
NATO-s dhe martirizimi i tyre ishte vetëflijim i
vërtetë, ngase e dinin rrezikun më përpara dhe ishin të
vetëdijshëm që me këtë akt rrezikonin jetën, por
që edhe në këtë mënyrë i jepej kontribut luftës për liri. Së
këndejmi insistohet programisht të kihet
në konsideratë nga organizatat politiko-shoqërore e lidhja e
luftëtarëve dhe e veteranëve që emrat e propozimit të parë
dhe sidomos të propozimit të dytë, të nderohen në ndonjë emërtim
rruge, sheshi, shoqate e ku ta dimë. Dhe në ato raste çdo
kujtim për këta dy të fundit do të jetë shumë më
i efektshëm, kur vëllezërit Vesel e Musli Ahmetaj nuk ndahen, pasi nuk
kanë qenë të ndarë gjatë gjithë jetës 65 vjeçare deri në
vdekje, e cila edhe idealisht i gjeti bashkë, apo
jo?.
Këto ishin, pra, dy propozime tona konkrete
për përjetësimin e kujtimit të emrave, e para, të luftëtarëve të
varrosur te ish-Xhamia e Kolshit dhe e dyta, të flijimtarëve në Korishë,
Veselit e Musliut, të cilët mos të mbesin vetëm çështje e vetëdijesimit
të familjarëve përkatës, ngase vërtet meritojnë më shumë.